Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Ndryshimet klimatike po bëhen një kërcënim në rritje çdo ditë e më shumë – si për mënyrën se si jetojmë sot, ashtu edhe për shenjën që lëmë për të ardhmen, në vendin tonë, por edhe globalisht, në planet.

Kombet e Bashkuara theksojnë se ndryshimet klimatike janë çështje vendimtare e kohës sonë. Ndryshimet e motit që e kërcënojnë prodhimin e ushqimit, e rrisin pasigurinë dhe frikën nga efektet e përmbytjeve dhe tërmeteve në rritje, përmes shiut acid, ndotjes ekstreme të ajrit, ujit dhe tokës – ndikimet e ndryshimeve klimatike janë globale dhe mund të jenë katastrofale. Nëse nuk ndërmerren veprime drastike, edhe atë sa më shpejt që të jetë e mundur, OKB-ja konsideron se përshtatja me këto ndikime do të jetë gjithnjë e më e vështirë dhe më e kushtueshme në të ardhmen.

Zbatimi i veprimeve klimatike të dizajnuara mirë, relevante, efektive dhe efikase nuk mund të vonohet më. Si kurrë më parë, tani është veçanërisht e rëndësishme të qëndrojmë krah për krah me njëri -tjetrin dhe, duke marrë ndërvarësinë si avantazh, të investojmë në mënyrë vetëmohuese për të qenë të sigurt se do t’i arrijmë qëllimet e përcaktuara dhe do t’i përgjigjemi pasigurisë në rritje në lidhje me reduktimin drastik të cilësisë së jetës së njerëzve – si në vendet e zhvilluara, ashtu edhe në ato të pazhvilluara. Përveç burimeve ekzistuese, nevojiten edhe burime shtesë, por duket se po aq i rëndësishëm është vullneti politik i përcaktuar dhe i shprehur qartë dhe një kuptim i madh i aspekteve ekonomike, teknike dhe socio-kulturore të sfidave me të cilat përballemi. Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, e cila është e harmonizuar dhe i përfshin referencat kryesore të Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane, është një kornizë e re dhe provokuese gjithëpërfshirës për të menduar dhe vepruar – jo vetëm për qeveritë, por edhe për komunitetin e biznesit dhe shoqërinë civile në Ballkanin Perëndimor.

Përveç theksimit se veprimet duhet të ndërmerren menjëherë, dokumenti na kujton nevojën për vendimmarrje të qëndrueshme, e cila në thelb bazohet në një qasje të integruar ndër-sektoriale, e cila përfundimisht duhet të garantojë rritje ekonomike, duke e përmirësuar jetën e qytetarëve të rajonit, por edhe integrimin e rajonit në BE.  Rekomandimet për rritjen e informimit dhe pjesëmarrjes së palëve të interesuara në krijimin e masave dhe politikave, hap mundësi të panumërta për ripërcaktimin e vetëdijes publike dhe vendimmarrje të qëndrueshme, në nivelin qendror dhe lokal, zgjidhjet e të cilave i plotësojnë nevojat e palëve të interesuara. Përveç pjesëmarrjes së qytetarëve, avokimi për një tranzicion të drejtë është vendimtar për ne, që do të sigurojë se edhe grupet më të margjinalizuara dhe më të cenueshme në aspekt të qytetarëve të kenë mbështetjen dhe mirëkuptimin e nevojshëm, për të siguruar që askush të mos mbetet prapa trendeve dominuese të zhvillimit ose të përjashtohet nga ato.

Aksionet klimatike janë një nga tre prioritetet e Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur (gjegjësisht të ashtuquajturat prioritete 3-K – Aksionet klimatike, Kovid 19, Korrupsioni) për periudhën e ardhshme.

Në periudhën e ardhshme, puna e Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur do të fokusohet në zbutjen e efekteve të ndryshimeve klimatike dhe në përshtatjen me aksionet klimatike, me fokus të veçantë në pjesëmarrjen qytetare në përcaktimin dhe zbatimin e politikave përkatëse, por edhe në sigurimin e mbrojtjes së të drejtave dhe interesave të popullatave më të varfra dhe më të margjinalizuara. Zbutja e pasojave, si dhe përshtatja e aksioneve klimatike, kërkon një transformim sistematik dhe strukturor, që i hedh poshtë modelet e mëparshme, nga të cilat kanë përfituar vetëm një pjesë e vogël e individëve, korporatave dhe vendeve. Ky transformim duhet të krijojë mundësi të reja ekonomike, të cilat do të shpërndahen në një mënyrë më të drejtë dhe më të qëndrueshme.

Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni  në periudhën në vijim do të merret me këtë çështje kyçe edhe më intensivisht.  Për këtë qëllim, ne kemi lansuar një portofol të ri të punës (GREEN LEAP – Partneriteti për aksionet klimatike), qëllimi strategjik i të cilit është të fuqizojë aktorët e shoqërisë civile, që të marrin dhe të mbajnë një rol udhëheqës në formësimin e zgjidhjeve të politikave për aksione klimatike dhe zhvillim të qëndrueshëm. Aktivitetet do të përfshijnë: 1) grante për aktorët e shoqërisë civile për aktivitetet e monitorimit dhe avokimit; 2) forcimin e aktorëve ekzistues dhe të rinj nga shoqëria civile, duke përfshirë anëtarët e komuniteteve të përjashtuara në aspekt social dhe komuniteteve të margjinalizuara; 3) hartëzimin e boshllëqeve ekzistuese në politika dhe legjislacion, dhe 4) zhvillimin e fushatave për edukimin e publikut dhe aktivizëm kreativ për të sfiduar narrative dominuese dhe për të motivuar publikun pjesëmarrje më të madhe dhe interesim për aksionet klimatike. Ne presim që përpjekjet tona të kontribuojnë në mënyrë të konsiderueshme për rigjallërimin e kësaj fushe, e cila aktualisht karakterizohet me një numër të pamjaftueshëm të organizatave të shoqërisë civile të mirëinformuara dhe të përgatitura në mënyrë adekuate që mund t’u përgjigjen detyrave të shumta serioze që dalin nga kompleksiteti i përmbajtjes dhe qasjeve për politika të qëndrueshme dhe efektive në këtë sferë. Ne presim që të forcohet platforma qytetare për aksione të përshpejtuara të klimës, në mënyrë që sektori i shoqërisë civile të mund të profilizohet si një partner serioz i autoriteteve në përcaktimin e politikave të përshtatshme të qëndrueshme.

Një periudhë të caktuar nga fillimi i këtij cikli strategjik, do të vazhdojmë ta drejtojmë punën tonë në tri komuna (Tetovë, Manastir dhe Shtip), të cilat veprojnë si qendra industriale, ekonomike dhe socio-kulturore në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Duke provuar qasje të ndryshme, ne i eksplorojmë dhe i mbështesim anët e forta të këtyre komuniteteve, si bazë për kontribut të përshpejtuar dhe më efektiv në zhvillimin lokal dhe avancimin e demokracisë lokale.

Në përpjekjet e përbashkëta që i bëjmë me partnerët tanë lokalë, do të kemi nevojë për ndihmë tematike dhe financiare për të vazhduar kërkimin tonë për qasje novatore dhe të qëndrueshme dhe për modele të bizneseve të vogla që do të jenë të dobishme – por jo vetëm financiarisht – për anëtarët e komuniteteve të rrezikuara në aspekt social, dhe të cilët do të japin një kontribut domethënës dhe thelbësor për përdorimin dhe menaxhimin më efikas të mbeturinave, për ajër dhe ujë më të pastër, zvogëlimin e ndotjes dhe përparimin socio-ekonomik në nivel lokal. Ne duam të tregojmë se duke bërë përparim ekonomik, duke i përfshirë komunitetet në aktivitete dhe duke avokuar dhe bërë fushatë së bashku për zgjidhje të qëndrueshme për ajër, ujë dhe tokë më të pastër, ne do të japim një kontribut të rëndësishëm në aksionet e qëndrueshme klimatike dhe sigurimin e një të ardhmeje më të mirë.

 

KAPITULLI 27 DHE QASJA SEKTORIALE

Politika për mjedisin jetësor e BE-së synon të promovojë zhvillimin e qëndrueshëm dhe ta mbrojë mjedisin jetësor për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm.

Sipas Metodologjisë së re për anëtarësimin në BE, Kapitulli 27 (Mjedisi Jetësor dhe Ndryshimet Klimatike), si dhe tre kapituj të tjerë, gjenden në klasterin e katërt “Agjenda e gjelbër dhe lidhshmëria e qëndrueshme”.

Nëse e lëmë mënjanë klasterin e parë (Fundamentals), domethënë Kapitujt 23 dhe 24, Kapitulli 27 është kapitulli më i gjerë dhe, padyshim, kapitulli që kërkon më shumë financa dhe investime.

Kapitulli 27 përmban më shumë se 200 akte ligjore që e përfshijnë legjislacionin horizontal, cilësinë e ujit dhe të ajrit, menaxhimin e mbeturinave, mbrojtjen e natyrës, kontrollin e ndotjes industriale, etj. Për madhësinë e këtij kapitulli flet fakti që dispozitat me të cilat na obligon BE-ja , e të cilat lidhen me mjedisin jetësor, përfaqësojnë të paktën një të tretën e të gjitha dispozitave të BE-së.

Lidhur me sasinë e investimeve që janë të nevojshme për të siguruar pajtueshmërinë me BE-në për këtë kapitull, do të përmendim vetëm si shembull se, sipas planit, Stacioni i trajtimit të ujërave të zeza në Shkup, i cili aktualisht është në ndërtim e sipër, duhet të kushtojë rreth 136 milion euro, ndërsa Stacioni i trajtimit të ujërave të zeza në Prilep kushtoi pak më shumë se 9,5 milion euro. Rregullat dhe standardet e BE-së për menaxhimin e ujërave kërkojnë që çdo vendbanim me më shumë se 20.000 banorë duhet të ketë një stacion të trajtimit të ujërave të zeza.

Vëllimi i dispozitave dhe sasia e investimeve vetëm e konfirmojnë më tej rëndësinë e përfshirjes së të gjitha palëve të interesuara në hartimin e politikave mbi këto tema të rëndësishme. Qasja sektoriale e diktuar nga BE-ja, si dhe grupet e punës sektoriale, janë një shans i shkëlqyeshëm për këtë, natyrisht nëse përdoren siç duhet.

 

PSE ËSHTË E RËNDËSISHME QASJA SEKTORIALE?

Qasja sektoriale paraqet planifikimin, zbatimin dhe monitorimin e koordinuar të politikave në një sektor të caktuar, duke përcaktuar qartë prioritetet, qëllimet, treguesit dhe përgjegjësitë për financimin. Qasja sektoriale e IPA II është një parakusht për alokimin e fondeve dhe një nxitës i rëndësishëm i ndryshimit. Pikërisht efikasiteti i qasjes sektoriale është një nga kriteret kryesore për vlerësimin e gatishmërisë së vendit për të marrë fonde nga BE-ja.

Prandaj, grupet e punës sektoriale luajnë një rol shumë të rëndësishëm, sepse – siç e dini tashmë – ato janë forume të gjera ndërministrore për rishikimin, krijimin dhe monitorimin e politikave që lidhen me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), zbatimi i të cilave mbështetet nga Instrumenti për Ndihmë Para-Anëtarësimit (IPA).

 

GSP MJEDISI JETËSOR DHE AKSIONET KLIMATIKE

Do të doja të nënvizoja disa gjëra për të cilat mendoj se mund ta përmirësojnë ndjeshëm punën e këtij grupi të punës shumë të rëndësishëm sektorial.

Së pari, nga monitorimi i kryer i situatës mund të konkludohet se nuk ka asnjë mënyrë të unifikuar në të cilën organizohet dhe rregullohet anëtarësimi dhe pjesëmarrja e shoqërisë civile në të gjitha grupet sektoriale të punës, duke përfshirë edhe GSP për mjedisin jetësor dhe aksionet klimatike. Një problem shtesë për këtë grup sektorial të punës, i cili u krijua në vitin 2015, është fakti se ai ende nuk ka miratuar rregullore të punës, e as vendim për punë.

Prandaj, angazhimi ynë në periudhën e ardhshme, në bashkëpunim me Sekretariatin për Çështjet Evropiane, do të jetë rishikimi i modelit për zgjedhjen e përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile në të gjitha grupet sektoriale të punës, duke i ndryshuar / miratuar rregulloret e punës. Ne gjithashtu do të përpiqemi të krijohet një detyrim për komunikim të dyanshëm midis pjesëmarrësve nga OShC-të në GSP me përdoruesit përfundimtarë ose organizatat e tjera të shoqërisë civile për çështje që lidhen drejtpërdrejt me pjesëmarrjen e tyre në GSP.

Së dyti, si një mekanizëm formal për bashkëpunimin midis shoqërisë civile dhe institucioneve, është e nevojshme që grupet sektoriale të punës të kenë plane vjetore të punës, në mënyrë që të jenë në gjendje të parashikojnë dinamikën, dokumentet dhe pritjet nga puna e këtij grupi.

Dhe së fundi, ose së treti, një kusht shtesë për pjesëmarrjen strukturore të OSHC-ve në punën e GSP-së është disponueshmëria e informacionit, gjegjësisht respektimi i parimit të transparencës mbi të cilin bazohet funksionimi i GSP-së. Në këtë drejtim, është e nevojshme që postohen lajme, dokumente, vendime dhe procesverbale nga takimet e grupit sektorial të punës në ueb-faqen e ministrisë së linjës, si një mënyrë për t’i informuar të gjithë aktorët.

 

***

Konsultimi sektorial mbi temën e mjedisit jetësor dhe ndryshimet klimatike është pjesë e aktiviteteve të realizuara në kuadër të projektit “Dialogu me organizatat e shoqërisë civile – platformë për pjesëmarrje strukturore në integrimin në BE“, që zbatohet nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni, në partneritet me Qendrën për Komunikime Civile, Reaktor – Hulumtimi në Aksion dhe Eurothink, ndërsa i financuar nga Bashkimi Evropian. Bashkëpunëtori i këtij projekti është Sekretariati për Çështjet Evropiane.

—————————————————

5 Mars 2021