Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Multikultura Tetovë është një organizatë që përqendrohet gjithmonë tek të rinjtë dhe nevojat e tyre dhe e cila aktivisht punon në promovimin e aktivizmit rinor si dhe në pjesëmarrjen e qytetarëve në procesin e vendimmarrjes dhe zhvillimin e tolerancës dhe bashkëpunimit kulturor dhe ndëretnik.

Në vendin tonë ka nevojë për informim më të mirë të studentëve dhe prindërve për shpenzimin e parave publike në shkollat e mesme. Si prindërit ashtu edhe nxënësit e shkollave të mesme duhet të dinë se ku dhe si shpenzohen paratë e tyre, ky informacion do t’u sigurojë atyre mundësi më të mëdha për të ndikuar në proceset që i prekin ato. Transparenca dhe llogaridhënia gjatë shpenzimit të parave publike është sigurisht një temë e rëndësishme, por kur përqendrimi është tek të rinjtë dhe se si ajo transparencë dhe llogaridhënie ndikojnë në të ardhmen e tyre, atëherë kjo çështje merr një dimension të ri. Shpenzimi efikas dhe efektiv i parave publike do të sigurojë mundësi më të mëdha për arsimim cilësor dhe shfrytëzim të potencialit të të rinjve.

Përmes projektit “Si harxhohen paratë nga furnizimet publike për nxënësit e shkollave të mesme”, Multikultura do të përpiqet ta trajtojë çështjen e shpenzimit të parave publike në shkollat e mesme në Komunën e Tetovës gjatë vitit 2018, në mënyrë që të shihet se sa transparente dhe llogaridhënëse janë ato.

Përmes analizës së politikave për shpenzimin e parave publike si dhe monitorimit të praktikave të shkollave, projekti do ta stimulojë interesin e publikut për shpenzime transparente dhe llogaridhënëse të parave gjatë furnizimeve publike në arsimin e mesëm. Duke u nisur nga fakti se një nga mënyrat më të mira për ta përmirësuar cilësinë e politikave dhe praktikave është transparenca, përgjegjshmëria dhe llogaridhënia më e madhe, projekti do të kontribuojë për ringjalljen e mekanizmave për punë më transparente, të përgjegjshme dhe llogaridhënëse të pushtetit lokal, për forcimin e pjesëmarrjes së qytetarëve dhe të komunitetit të biznesit në marrjen e vendimeve në nivelin lokal.

***

Projekti “Si harxhohen paratë nga furnizimet publike për nxënësit e shkollave të mesme” zbatohet në kuadër të konceptit për avancimin e demokracisë lokale të Fondacionit Shoqëri e Hapur – Maqedoni.

—————————————————

12 Gusht 2020