Pohime serioze pa prova, “kontrolle” të hollësishme të provave pas arrestimeve dhe paraburgimi i zgjatur u bënë praktika standarde.
11 tetor 2019, STAMBOLL – Tashmë dy vjet jam në burg në Turqi. Të enjten më nxorën para gjykatës në Stamboll për një seancë të tretë. Por, gjykata nuk pranoi ta heqë paraburgimin tim.
Unë jam biznesmen dhe filantrop. Më 17 tetor 2017, po kthehesha në shtëpi në Stamboll nga Gaziantepi, një qytet në juglindje të Turqisë, ku janë strehuar qindra mijëra refugjatë sirianë. Atje isha për të biseduar me zyrtarët komunalë për një projekt kulturor që përfshin refugjatë sirianë që janë artistë.
Më paraburgosën në aeroportin e Stambollit. Mendova se ishte ndonjë gabim dhe prisja të lirohesha pasi dhënies së deklaratës time. Pas dy javësh të kaluara në një qeli të vogël së bashku me të arrestuarit e tjerë, më dërguan në stacionin qendror të policisë për të më marrë në pyetje. Menjëherë pas kësaj më arrestuan. Që atëherë jam në burg.
Me vite me rradhë kam drejtuar biznesin tim, por gjithashtu marr pjesë dhe mbështes projekte të ndryshme të shoqërisë civile, duke përfshirë edhe projekte në lidhje me pakicat kurde dhe armene në vend, që konsiderohej një temë tabu. Puna ime tërhoqi një qëndrim armiqësor nga grupe të caktuara, por më parë nuk kam pasur asnjë problem ligjor.
Bashkëpunimi im me institucionet qeveritare në disa projekte kulturore vazhdoi edhe gjatë qeverisjes së udhëhequr nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), e cila është në fuqi që nga viti 2002. Kjo më mundësoi të jem optimist për të ardhmen e Turqisë dhe ta ruaj besimin si qytetar pavarësisht ngecjes së demokracisë dhe lirive individuale.
Megjithatë, ajo që përjetova në paraburgim ishte tronditëse dhe shqetësuese. Kam kaluar 16 muaj në burg para se të zbuloja për akuzat e çuditshme kundër meje.
Aktakuza fantastike pretendon se protesta në Parkun Gezi, e cila filloi kundër një projekti ndërtimi në Parkun Gezi të Stambollit dhe u përhap në Turqi me pjesëmarrje të rreth tre milion njerëz, është planifikuar dhe financuar nga Xhorxh Sorosi me qëllim që ta rrëzojë qeverinë turke. Jam akuzuar si organizator kombëtar i këtij komploti. Aktakuza kërkon dënim të përjetshëm me burg për mua dhe 15 anëtarët e tjerë të shoqërisë civile, të cilët akuzohen se janë pjesë e një organizate sekrete që e drejtoj unë.
Në maj, për zhgënjimin tim të madh, shumica e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Turqisë vendosën se paraburgimi im nuk e cenonte të drejtën time të lirisë. (Kryetari i Gjykatës dhe katër gjyqtarë të tjerë nuk u pajtuan me vendimin).
Prokurori i shpjegoi pretendimet e shkruara në 657 faqe të aktakuzës vetëm në bazë të mendimit të tij se z. Soros ishte një lojtar kryesor në revolucionet masive në vende të ndryshme.
Presidenti Rexhep Tajip Erdogan kontribuoi në këtë situatë me një deklaratë të bërë pas paraburgimit tim: “Njeriu që i financoi terroristët gjatë protestave në Parkun Gezi tani është pas grilave. E kush qëndron pas tij? Hebreu i famshëm hungarez Xhorxh Soros. Ai është njeriu përgjegjës për ndarjen dhe shkatërrimin e kombeve; ai ka aq shumë para dhe i shpenzon në këtë mënyrë”.
Z. Soros nuk është i përfshirë si i dyshuar në këtë rast. Më duket se unë u zgjodha të luaj një rol në këtë narrativë sepse isha anëtar i bordit të Fondacionit të Shoqërisë së Hapur në Turqi dhe për shkak të mbështetjes time të hapur – por jo financiare – për fushatën për ta mbrojtur Parkun Gazi. Përfshirja ime në iniciativat qytetare rreth çështjeve për kurdët dhe armenët, si dhe fushata shpifëse kundër meje në disa media, ndoshta mund ta kenë lehtësuar këtë kornizim të përfshirjes sime.
Zyra ime është në afërsi të Parkut Gezi, dhe për shkak të simpatisë sime për kërkesat për mbrojtje të parkut, kam shkuar shpesh atje gjatë protestave. Shumë të rinj që ishin atje nuk kishin asnjë lidhje me ndonjë organizatë politike. Ata ishin atje për shkak të ndjenjës së tyre të fortë për drejtësi dhe solidaritet. Më bëri shumë përshtypje energjia, humori dhe optimizmi i tyre. Pretendimi se këta të rinj ishin mobilizuar përmes një plani të fshehtë është fyerje jo vetëm për intelektin e tyre, por edhe për këdo që mund t’i shikojë ngjarjet në mënyrë objektive.
Disponimi politik në Turqi gjatë protestave për Parkun Gezi ishte i ndryshëm nga ai që është sot. Presidenti Abdullah Gjyl dhe disa anëtarë të qeverisë u angazhuan për dialog me protestuesit dhe për për t’i dëgjuar kërkesat e tyre. Z. Erdogan, i cili ishte kryeministër në atë kohë, u takua me dy grupe të ndryshme që ishin aktive në protesta. (Ai dëshironte të vazhdonte me projektin e ndërtimit, i cili më vonë u ndalua me një vendim gjykate.)
Një ndryshim i madh në qëndrimin e qeverisë ndaj protestave të Parkut Gezi, si dhe në lajme dhe opinione që i mbulonin mediat e afërta me z. Erdogan, erdhën pas përpjekjes për grusht shteti në korrik të vitit 2016, të iniciuar nga oficerë gjylenistë të ushtrisë turke, përndryshe pasues të prijësit të padefinuar fetar Fetullah Gjylen, i cili jeton në Pensilvani.
Mendoj se një ndryshim i tillë ka të bëjë me bindjen e fortë se përpjekja për grusht shtet u mbështet nga forcat e huaja, veçanërisht nga CIA. Identifikimi i Xhorxh Sorosit si mishërim i synimeve imperialiste amerikane të SHBA-ve dhe si ideolog kryesor i protestave është i përshtatshëm – dhe nuk ndikon në marrëdhëniet midis z. Erdogan dhe Presidentit Trump.
Pas përpjekjes për grusht shtet në vitin 2016, u shpall gjendje e jashtëzakonshme që i pezulloi të gjitha të drejtat themelore kushtetuese. Gjyqësisë iu besua misioni për t’i identifikuar dhe për t’i ndëshkuar jo vetëm ata që e planifikuan dhe e ekzekutuan goditjen, por pothuajse të gjithë personat e lidhur me lëvizjen gjyleniste, duke i përfshirë edhe ata që nuk kishin njohuri për aktivitetet e tij të fshehta kriminale.
Paraqitja e akuzave serioze pa kërkuar prova konkrete, “kontrollimi” i detajuar i provave pas arrestimeve dhe paraburgimi i zgjatur janë bërë praktika standarde në gjyqësinë turke.
Sigurisht, edhe në vitet para grushtit të shtetit, kur gjylenistët ishin në marrëdhënie të mira me pushtetin dhe ishin të përfaqësuar në polici dhe gjyqësi, kishte manipulime serioze në procedurat ligjore, duke përfshirë prodhimin edhe dëshmive të rreme.
Praktika të tilla të paligjshme u zbuluan më vonë, por mësimet e nxjerra prej tyre u injoruan. Gjyqësisë iu besua një mision i ri politik pasi grusht shteti e pengoi mbrojtjen e lirive personale; frika nga dështimi për t’i ndëshkuar fajtorët u bë forca kryesore shtytëse e saj.
Në fund të vitit të kaluar, ministri turk i drejtësisë, Abdylamit Gjyl, tha se përdorimi i tepërt i paraburgimit në procedurën paraprake dhe hetimet e zgjatura e kishin dëmtuar legjitimitetin e pushtetit gjyqësor. Para do kohësh, në Parlament u dorëzua një paketa e reformave, e cila pritet t’i përmirësojë gjërat.
Për shkeljet aktuale të të drejtave të njeriut nuk duhet të fajësohen ligjet turke. Problemi qëndron në interpretimin e atyre ligjeve nga prokurorët dhe gjykatësit, veçanërisht nga bartësit e rinj të funksioneve, të cilët mbështeten më shumë në mesazhet dhe sinjalet politike, sesa në normat juridike.
Pavarësia e gjyqësisë pengohet gjithashtu edhe nga praktika të caktuara që kohët e fundit janë bërë të zakonshme. Për shembull, Këshilli i Gjykatësve dhe i Prokurorëve, i kryesuar nga Ministri i Drejtësisë, shumë shpesh i shpërndan gjyqtarët në gjykata të ndryshme, ndonjëherë edhe në qytete të tjera. Në rastin tim, gjyqtari kryesor u ndërrua tre herë në një periudhë prej tre muajsh.
Kjo nuk ua bën më të lehtë punën gjyqtarëve, që ata të ndjehen të rehatshëm kur marrin vendime të cilat mund t’i mos i plotësojnë pritjet e politikanëve në pushtet. Për të qenë efikase, reforma gjyqësore në Turqi duhet të prezantojë masa të mirëfillta institucionale për ta siguruar pavarësinë e gjyqësisë dhe për ta çliruar atë nga përmbushja e misionit politik.
Qelia ime e burgut larg turmave të telefonave celularë dhe postave elektronike (e-mail-eve) është një vend i mirë për të lexuar, shkruar dhe menduar. Jam duke ëndërruar për projekte të reja në të cilat do të punoj me kolegët e mi të kulturës anadollake, organizatës sonë, e cila përpiqet të promovojë mirëkuptim të ndërsjellë dhe bashkëjetesë paqësore.
Përvoja ime e Kafkës e dy viteve të fundit më ka mësuar ta vlerësoj rëndësinë e një gjyqësisë së pavarur që vepron në përputhje të plotë me normat universale të drejtësisë. Burimi: New York Times
—————————————————
16 Tetor 2019