Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Më 24.09.2020, në rrjetet sociale u publikua një video në të cilën shihet qartë se si në Manastir policët rrahin disa njerëz që i përkasin komunitetit rom. Brutaliteti policor, veçanërisht ndaj romëve, po bëhet një praktikë e zakonshme për të cilën kemi reaguar shumë herë.

Kërkojmë nga Ministria e Punëve të Brendshme që të punojë zbardhjen e rastit dhe të veprojë në përputhje me autorizimet dhe kompetencat e tyre të përcaktuara me ligj, si dhe ta informojë Prokurorinë Publike në lidhje me këtë rast, në mënyrë që të fillojë procedurat penale kundër policëve, të cilët padyshim veprojnë jashtë autorizimeve të tyre dhe me këtë i shkelin të drejtat themelore të njeriut. Në të njëjtën kohë, kërkojmë që publiku të informohet në kohë për të gjithë procesin e hetimit dhe veprimet e ndërmarra kundër policëve. Praktika e mosndëshkimit të policëve që e shkelin ligjin është një arsye kryesore për një sjellje kaq brutale dhe keqpërdorim të pushtetit për të keqtrajtuar dhe poshtëruar pjesëtarët e grupeve të margjinalizuara.

Kërkojmë nga Ministria e Punëve të Brendshme që menjëherë të hapë një proces gjithëpërfshirës të ndryshimeve në Ligjin për Policinë dhe Rregulloren për mënyrën e kryerjes së punëve policore, si dhe të miratojë akte nënligjore që do ta adresojnë problemin e sjelljes raciste.

Sipas deklaratave të personave të përfshirë, ngjarja ndodhi të martën, më 22 shtator të vitit 2020, kur tre romë patën një aksident automobilistik dhe goditën një mur betoni. Në afërsi të aksidentit ndodhej një patrullë e policisë së trafikut, e cila pa asnjë arsye i nxori njerëzit nga automobili dhe filloi t’i rrahë brutalisht, pa i pyetur nëse kishin nevojë për ndihmë mjekësore. Për më tepër, ata u mbajtën në stacionin policor deri në orën 5 të mëngjesit, të fyer dhe të ngacmuar me shprehje të ndryshme. Personat donin ta raportonin rastin në Njësinë e Kontrollit të Brendshëm, Hetimeve Kriminale dhe Standardeve Profesionale në Ministrinë e Punëve Brendshme, por u refuzuan.

Një shqetësim i veçantë është fakti se brutaliteti i policisë ndaj romëve është praktikë, e jo përjashtim. Vetëm tre muaj më parë, informuam për sjelljen brutale të policisë ndaj romëve të pastrehë në Stacionin Hekurudhor. Këto raste flasin për ekzistimin e paragjykimeve raciste dhe i konfirmojnë veprimet arbitrare, joprofesionale dhe të paligjshme të policëve.

Në fund, e përshëndesim reagimin e shpejtë të Ministrisë së Punveë të Brendshme, por i bëjmë apel Ministrisë së Punëve të Brendshme të marrë masa për të parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të tilla, sepse është e qartë që racizmi është

problem strukturor në polici. Policia ka autorizime të përcaktuara në mënyrë rigoroze dhe duhet t’i respektojë ato, ndërsa brutaliteti policor është i dënueshëm sipas Kodit Penal.

—————————————————

25 Shtator 2020