Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Këshilli Gjyqësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut (KGjRMV), si një organ i mëvetësishëm dhe i pavarur i gjyqësisë, për ta siguruar dhe garantuar mëvetësinë dhe pavarësinë e pushtetit gjyqësor, duhet ta posedojë edhe atributin e profesionalizmit të lartë dhe integritetit të anëtarëve që janë në përbërjen e tij, si të atyre që janë zgjedhur nga radhët e gjyqtarëve, ashtu edhe të atyre që janë nga radhët e juristëve të dalluar.[1]

Në këtë moment, kur besimi i qytetarëve në gjyqësi dhe në Këshillin Gjyqësor si organi më i lartë në gjyqësi, është në një nivel jashtëzakonisht të ulët, është me rëndësi të veçantë që për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të zgjidhen persona për të cilët nuk kanë asnjë dyshim për integritetin dhe aktivitetin e tyre profesional, të cilët kanë qenë veçanërisht të dalluar në shkencën juridike dhe të cilët mund të kontribuojnë në mënyrë aktive në ushtrimin e kompetencës kryesore të Këshillit Gjyqësor – sigurimin e pavarësisë së gjyqësisë.

Para do kohësh, në kushte të presionit në rritje për ta zbatuar parimin e sundimit të së drejtës, u bë zgjedhja e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor nga radhët e juristëve të dalluar, gjegjësisht anëtarë të KGjRMV-së që i zgjedh Kuvendi i RMV-së dhe anëtarë të cilët i zgjedh Kuvendi i RMV-së me propozim të Kryetarit të RMV-së.

Në të kaluarën, kualifikim “jurist i dalluar” nuk ishte përcaktuar sa duhet, kështu që ndodhte që për anëtar të KGjRMV-së të zgjidhej jurist me përvojë prej dy deri në tre vjet në fushën juridike. Për këto arsye, në vitin 2015 me Ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Këshillin Gjyqësor u konkretizuan vitet e përvojës së punës, edhe atë në 15 vjet përvojë pune që kandidati duhet t’i ketë kandidati për anëtarë të KGjRMV-së nga radhët e juristëve të dalluar.  Në të njëjtën kohë, u saktësua edhe kualifikimi “jurist i dalluar”, dhe përveç viteve të përvojës, si jurist i dalluar do të konsiderohet edhe personi i cili në ushtrimin e profesionit juridik është dalluar me punë shkencore ose profesionale ose me veprimtarinë e tij publike.[2]

Nga viti 2012 e deri më tani, me propozim të Kryetarit ose të Kuvendit, si juristë të dalluar janë zgjedhur edhe gjykatës, por me udhëzimet e Komisionit të Venedikut se nuk sigurohet diversitet i anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe se bëhet koncentrimi i gjyqtarëve si anëtarë, kjo mundësi u kufizua, kështu që me ndryshimet në Ligjin për Këshillin Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë të vitit 2018[3], gjyqtarët dhe prokurorët aktivë më nuk mund të zgjidhen anëtarë të KGjRMV-së nga radhët e “juristëve të dalluar”. Në mbështetje të kësaj është edhe mendimi i shumë institucioneve dhe organizatave vendase dhe ndërkombëtare, duke e përfshirë edhe Komisionin e Venedikut[4], se një situatë e tillë mund të çojë në udhëheqje gjyqësore monopoliste nga ana e Këshillit Gjyqësor.

Në Ligjin e ri të KGjRMV-së[5] të miratuar në maj të vitit 2019, përcaktohen kushtet se kush mund të jetë anëtar i KGjRMV-së me propozimin e Kryetarit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe i zgjedhur nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në fakt, për anëtar të Këshillit me propozimin e Kryetarit të RMV-së, Kuvendi mund të zgjedhë një person i cili përveç që duhet të jetë shtetas i RMV-së dhe të mos jetë i dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm gjyqësor për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimit në kryerjen e detyrës së tij ose për ndonjë vepër tjetër penale me dënim të pakushtëzuar me burgim prej të paktën gjashtë muajsh, që e bën atë të padenjë për ta ushtruar funksionin e anëtarit të Këshillit, duhet të ketë të paktën 15 vjet përvojë pune në profesionin juridik me provim të dhënë të jurisprudencës dhe i cili në ushtrimin e profesionit juridik është dalluar me punë shkencore ose profesionale ose me veprimtarinë e tij publike, të gëzojë reputacion dhe të ketë integritet për ta kryer funksionin e anëtarit të Këshillit. Përveç kësaj, ligji je propozime se kush mund të zgjidhet për anëtar të KGjRMV-së dhe i rendit profesorët universitarë të drejtësisë, avokatët, ish-gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjyqtarë ndërkombëtarë dhe juristët e tjerë të dalluar.

Kjo e tregon qartë qëllimin e ligjvënësit për profilin e dëshiruar të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor.

Megjithatë, vazhdon praktika që për anëtarët të Këshillit Gjyqësor të RMV-së, të propozuar nga Kryetari i RMV-së, e të zgjedhur nga Kuvendi i RMV-së, të zgjidhen kandidatët që kanë përvojë pune në pushtetin ekzekutiv dhe gjyqësor, ndërsa nga biografia e bashkangjitur nuk mund të shihet se janë përmbushur kërkesat ligjore për t’i përcaktuar elementet e një avokati të dalluar.

Kjo tregon se është e vështirë të sigurohen kandidatë – juristë të dalluar, të cilët sipas këtyre kërkesave ligjore, duhet ta lënë veprimtaritë e tyre të rregullt profesionale, e cilat u ka siguruar atyre kushte për të qenë juristë të dalluar.

Realizimi i reformave në gjyqësi dhe funksionimi i institucioneve varet nga përzgjedhja dhe emërimi i kuadrove në këto institucione, të cilat kanë një rol thelbësor në zbatimin e politikave që duhet të kontribuojnë në ndryshime pozitive për garantimin e të drejtave të qytetarëve dhe avancimin e llogaridhënies dhe transparencës së tyre.

 

[1] Analiza themelore e punës së Këshillit Gjyqësor, Instituti i të Drejtave të Njeriut, 2015, f.9.

[2] Ligji për Ndryshimet dhe Plotësimet e Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë, Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë nr. 61/2015

[3] Ligji për Ndryshimet dhe Plotësimet e Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë, Gazeta Zyrtare e e Republikës së Maqedonisë nr. 83/2018

[4] Venice Commission, Opinion on the laws on the disciplinary liability and evaluation of judges, fq.14

[5] Ligji për Këshillin Gjyqësor të RMV-së, Gazeta Zyrtare e RMV-së nr.102/2019

*Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe e grantmarrësit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se i shpreh pikëpamjet dhe qëndrimet e Fondacionit Shoqëri e Hapur – Maqedoni.

—————————————————

19 Dhjetor 2019