Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Grupi Blueprint për Reforma në Drejtësi shpreh shqetësim serioz për masën e dënimit të shqiptuar ndaj të akuzuarit Zoran Mileski – Kiçeec për veprën e kryer. “Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”. Sipas informatave nga Prokuroria Themelore Publike në Gostivar, me të akuzuarin është arritur marrëveshje e cila është pranuar nga Gjykata Themelore në Gostivar. Me marrëveshjen, i pandehuri e pranon krimin e kryer Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion sipas nenit 300 paragrafi 4 dhe paragrafi 3 lidhur me nenin 297 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.  dhe është dënuar me dënim efektiv me burg prej gjashtë muajsh.

Konsiderojmë se një dënim i tillë është i papërshtatshëm duke i pasur parasysh pasojat e veprës penale, vdekje e një personi, lëndime të rënda trupore të katër personave dhe lëndime trupore të dy personave. Masa e dënimit të shqiptuar nuk mund t’i arrijë qëllimet e dënimit. Ai as nuk kontribuon në realizimin e drejtësisë për viktimat dhe as nuk e pengon autorin të kryejë vepra penale në të ardhmen, dhe as nuk mund të ndikojë në mënyrë edukative tek të tjerët që të mos kryejnë vepra penale

Mundësia e zbutjes së dënimit nën minimumin ligjor padyshim ekziston kur aktgjykimi arrihet në bazë të marrëveshjes ndërmjet prokurorit publik dhe të dyshuarit. Megjithatë, gjyqtari i procedurës paraprake që e vlerëson propozim-marrëveshjen ka të drejtë ta refuzojë atë nëse konstaton se provat e marra mbi faktet që kanë të bëjnë me përzgjedhjen dhe matjen e sanksionit penal nuk e justifikojnë shqiptimin e sanksionit të propozuar penal. Në këtë rast, gjyqtari ka qenë i detyruar ta refuzojë propozim-marrëveshjen.

Në këtë drejtim, konsiderojmë se cilësimi ligjor i sapokrijuar i veprës penale, si vepër e kryer nga pakujdesia, në vend të origjinalit – vepër e kryer me paramendim të mundshëm, është një kualifikim që do të mundësonte vetëm shqiptimin e një sanksioni më të lehtë. Dëshirojmë të theksojmë se objekt i mbrojtjes në këtë lloj veprash penale është siguria e komunikacionit publik, kështu që nëse vepra është kryer me paramendim apo nga pakujdesia duhet të vlerësohet nëse autori me vetëdije dhe me dashje i ka shkelur rregullat e sigurisë në komunikacionin publik, e jo në drejtim të faktit nëse me vetëdije dhe me dashje ka dashur t’i shkaktojë vdekje apo lëndim të rëndë një personi tjetër (për çka do të ndiqej penalisht për një vepër krejtësisht tjetër penale).  Për këtë arsye, edhe vetë Kodi Penal parashikon dënim me burgim prej së paku katër vjet për vepra të tilla të kryera me paramendim, dhe me burgim nga një deri në pesë vjet për vepra të kryera nga pakujdesia.

Prokuroria Publike në Gostivar nuk ka ofruar arsye mjaft bindëse në informatat e shpërndara me publikun që e arsyetojnë zbutjen e dënimit nën minimumin ligjor. U raportua se nuk kishte gjurmë alkooli dhe se i pandehuri nuk e ka tejkaluar shpejtësinë e lejuar në rrugë. I vetmi lëshim i konstatuar nga ekspertiza rrugore është parakalimi në vijë të plotë, për të cilën i dyshuari e ka pranuar fajësinë dhe ka shprehur keqardhje dhe pendim për veprën e kryer penale. Në këtë drejtim, kjo vepër mund të ishte kryer nga pakujdesia vetëm nëse i pandehuri (tani person i dënuar) kishte kaluar nga pakujdesia në korsinë e kundërt, ose nëse parakalimi ishte bërë në vijë të ndërprerë, por i pandehuri nuk ishte mjaft i kujdesshëm për t’i pritur automjetet që vinin nga korsia e kundërt, e jo nëse i pandehuri me vetëdije ka tejkaluar automjetet në vijë të plotë.

Karakterizimi i tejkalimit në vijë të plotë si kundërvajtje e vetme të jep përshtypjen se prokuroria publike dhe gjykata nuk e konsiderojnë këtë kundërvajtje mjaft të rëndë dhe në të njëjtën kohë nuk janë ofruar argumente dhe prova pse prokurori dhe gjykata konsiderojnë se vepra penale është kryer nga pakujdesia. Aq më tepër që edhe gjykata kompetente e ka vërtetuar marrëveshjen, duke marrë si të rëndësishme faktet se i dyshuari nuk kishte gjurmë alkooli apo mjetesh dehëse dhe se nuk e ka tejkaluar shpejtësinë e lejuar, si dhe se e ka pranuar fajin dhe ka shprehur keqardhje dhe pendim dhe këto janë bazë e propozim-marrëveshjes, të cilën e konsiderojmë krejtësisht të papërshtatshme duke pasur parasysh pasojat e veprës penale, gjegjësisht ndodhjen e vdekjes së një personi dhe veprimin e vetëdijshëm dhe me dashje të të pandehurit.

Në rastin konkret, gjykata i ka marrë parasysh vetëm rrethanat lehtësuese, në pajtim me propozimin e Prokurorisë Themelore Publike, por nuk i ka marrë parasysh rrethanat rënduese me rastin e matjes së dënimit, veçanërisht duke pasur parasysh se kryerësi e ka kryer veprën penale gjatë vuajtjes së dënimit me burgim dhe është lëshuar përkohësisht për mjekim.

Ky rast, duke pasur parasysh mbulimin mediatik, është një rast për të cilin publiku është në dijeni, por ka shumë raste në praktikë ku dënimi është i papërshtatshëm dhe nuk korrespondon me peshën e veprave të kryera penale dhe me pasojat e tyre. Matja e dënimit duhet të jetë në përputhje me veprat e kryera penale, pasojat e të njëjtave, si dhe faktet tjera relevante që duhen pasur parasysh, në mënyrë që të veprohet në mënyrë të barabartë dhe të ndëshkohet në mënyrë adekuate, veçanërisht kur bëhet fjalë për veprat ku pasoja është vdekja e një ose më shumë personave. Krijohet përshtypja se autoritetet gjyqësore konsiderojnë se dënimi prej gjashtë muajsh burgim është i mjaftueshëm për jetën e humbur njerëzore, gjë që aspak nuk është në frymën e politikës ndëshkuese dhe nuk mund të konsiderohet se një dënim i tillë do të përmbushë qëllimin e dënimit.

Prandaj, i paraqesim kërkesat e mëposhtme përpara autoriteteve gjyqësore:

 

Grupi Blueprint për Reforma në Drejtësi

—————————————————

15 Nëntor 2021