Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Rrjeti për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi i mbështet plotësisht masat e propozuara nga Komisioni për Sëmundjet Infektive në fushën e parandalimit të përhapjes së virusit KOVID-19.

Si organizata të përkushtuara për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ne besojmë se masat më të rrepta për të siguruar mbulim më të madh të imunizimit janë të pashmangshme nëse synojmë të mbrojmë jetën dhe shëndetin e njerëzve. Kujtojmë se të drejtat individuale mund dhe duhet t’i nënshtrohen kufizimit kur ka një vlerë më të lartë pas qëllimit të kufizimit, si në rastin e mbrojtjes së shëndetit dhe jetës së të gjithëve. Përkundrazi, dështimi i autoriteteve për të marrë masa për të mbrojtur popullsinë nga Kovid-19, në rrethana të caktuara, mund të konsiderohet shkelje e të drejtave të njeriut. Vaksinimi i detyrueshëm është një masë e nevojshme duke pasur parasysh efektet serioze të fushatave globale dezinformuese që prodhojnë mosbesim ndaj shkencës dhe autoriteteve mjekësore dhe ndikojnë drejtpërdrejt në numrin e vogël të të vaksinuarve. Detyra për të mbrojtur dhe promovuar shëndetin tonë dhe shëndetin e të tjerëve është detyrimi më i lartë qytetar. Sipas nenit 39 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, çdo qytetari i garantohet e drejta për kujdes shëndetësor, dhe qytetari ka të drejtë dhe detyrë ta mbrojë dhe ta avancojë shëndetin e tij dhe shëndetin e të tjerëve. Vaksinimi i detyrueshëm, i cili parashikohet me Ligjin për mbrojtjen e popullatës nga sëmundjet infektive, në asnjë moment nuk mund të vihet në dyshim se është në kundërshtim me Kushtetutën dhe të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Në bazë të nenit 33 paragrafi 7 të këtij ligji, ministri, me propozim të Komisionit për Sëmundje Infektive, mund të përcaktojë vaksinimin edhe për sëmundjet tjera ngjitëse. Andaj, Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi konsideron se është e justifikuar që me ligj të detyrohen qytetarët për vaksinim kundër sëmundjeve, parandalimi i të cilave është në interes të shoqërisë. Jetojmë në kushte pandemie, ku të gjitha të dhënat relevante të disponueshme dhe të bazuara shkencërisht, sugjerojnë se vaksinimi kundër Kovid-19 është në interes të ruajtjes së shëndetit publik dhe se është një qëllim legjitim i kufizimit të të drejtave të njeriut.

Gjithkush ka të drejtën e mbrojtjes dhe shëndetit në vendin e punës. Kjo është arsyeja pse ne besojmë se Komisioni nuk duhet të bëjë dallime ndërmjet punëtorëve të sektorit publik dhe atij privat gjatë krijimit të masave. Së dyti, rezistenca e shprehur nga përfaqësuesit e punëtorëve tregon nevojën për një diskutim të gjerë social dhe profesional që do t’i përfshijë të gjithë faktorët përkatës (sindikatat dhe shoqatat e qytetarëve) dhe institucionet kompetente (Komisioni për Sëmundjet Infektive, Ministria e Shëndetësisë, Inspektorati Shtetëror i Punës, MPPS-ja, Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi). Mungesa e një dialogu të tillë mund të ndikojë më së shumti mbi punëtorët, të cilët do të vuajnë më shumë nga pasojat e dëmshme të mosmarrëveshjeve të aktorëve shoqërorë,

në një mënyrë që do t’i dekurajojë ata të mos vaksinohen dhe në këtë mënyrë të mbrohen nga Kovid-19 dhe pasojat e tij.

Këto masa janë gjithashtu në kuadër të së drejtës ndërkombëtare dhe praktikës së mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Sipas aktgjykimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në rastin Vavřička dhe të tjerët kundër Republikës Çeke, vaksinimi i detyrueshëm i fëmijëve nuk është shkelje e Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, por është i nevojshëm në një shoqëri demokratike. Vaksinimi i detyrueshëm e kufizon të drejtën për jetë private (neni 8 i KEDNJ), e cila mund të kufizohet për mbrojtjen e shëndetit publik. Gjykata në aktgjykim e trajton proporcionalitetin e masës dhe vendos një kufi të gjerë lirie për shtetet që të vendosin, si subjekte që janë në pozicionin më të mirë për të miratuar masat e duhura për të mbrojtur shëndetin publik. Masa konsiderohet proporcionale, me një qëllim legjitim, mbrojtjen e popullatës nga sëmundjet. Duke gjykuar, është e rëndësishme të merret në konsideratë pyetja nëse ka një nevojë urgjente sociale, e duke pasur parasysh faktin se KOVID-19 është ende një kërcënim serioz për shëndetin publik, pavarësisht përqindjes së ulët të të vaksinuarve, mund të konkludohet lehtësisht se një ekziston një nevojë e tillë. Në aktgjykim theksohet se vaksinimi është një mënyrë e pranuar gjerësisht, efektive dhe efikase për mbrojtjen e shëndetit dhe se për shkak të zvogëlimit të numrit të të vaksinuarve vullnetarisht, vendet marrin masa më kufizuese për të ofruar vaksinimin si vaksinim i detyrueshëm i shoqëruar me ndëshkime ose kufizim të gëzimit të të drejtave të tjera me vaksinim. Në rastin e zjarrfikësve francezë kundër Francës (Abgrall dhe 671 të tjerët kundër Francës, nr. 41950/21), në të cilën ata i kërkuan GJEDNJ të pezullonte detyrimin për vaksinim, si dhe çdo masë të lidhur që mund të miratohej dhe që mund t’i ndalonte ata ta bënin punën e tyre, GJEDNJ-ja e refuzoi kërkesën sepse konsideroi se ishte jashtë diapazonit të rregullit 39, sipas të cilit gjykata mund të miratojë masa të përkohshme, siç janë masat urgjente për mbrojtjen e të drejtave. Gjykata theksoi se rregulli 39 zbatohet vetëm në rastet kur dikush përballet me rrezik real nga dëmi i pakthyeshëm.

Në nivel kombëtar, Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi në korrik të këtij viti ka miratuar një mendim sipas të cilit vaksinimi i detyrueshëm i fëmijëve si kusht për regjistrimin në arsimin fillor nuk përbën diskriminim mbi asnjë bazë. Komisioni miratoi një rekomandim të përgjithshëm ku thuhet se ligjet, masat, rekomandimet dhe aktet e tjera përkatëse që synojnë parandalimin, trajtimin dhe kontrollin e situatës së sëmundjeve epidemike, endemike dhe të tjera nuk përbëjnë shkelje të së drejtës për privatësi të individit, të jetës së tij personale dhe familjare dhe të dinjitetit dhe reputacionit.

Për të gjitha arsyet e mësipërme, Rrjeti për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi i konsideron të nevojshme masat e këtilla, ato nuk përbëjnë diskriminim sepse mbrojtja e shëndetit publik është një qëllim legjitim.

—————————————————

22 Nëntor 2021