Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Në mbledhjen e mbajtur më 12 dhjetor 2019, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, pa i sqaruar arsyet e anulimit të konkursit për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, në mënyrë jo transparente, vendosi ta ripublikojë shpalljen. Kuvendi asnjëherë, megjithë lëshimet e shumta gjatë publikimit të shpalljes së parë, nuk sqaroi pse qytetarët tashmë katër muaj nuk e kanë në dispozicion këtë mekanizëm për mbrojtjen e të drejtave të tyre. I bëjmë thirrje Kuvendit t’i shpjegojë publikisht arsyet e anulimit të shpalljes për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

I bëjmë thirrje Kuvendit sa më shpejt të jetë e mundur dhe para shpërndarjes së paralajmëruar të tij, ta bëjë zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit për Mbrojtjen nga Diskriminimi në mënyrë transparente, edhe atë duke e marrë parasysh cilësinë e kandidatëve të zgjedhur. Detyrimi i përbërjes së këtij organi për ta pasqyruar përbërjen e shoqërisë në tërësi, nuk duhet të jetë deklarativ, por një qëllim real i Kuvendit, pasi në të kundërtën do të komprometohet qëllimi i këtij organi si garantues i barazisë së të gjithë qytetarëve. Duhet të zgjidhen kandidatë profesionistë dhe të pavarur, të cilët në asnjë mënyrë nuk janë të lidhur me partitë politike. Me këtë rast përkatësia etnike nuk duhet të jetë kriteri i vetëm, veçanërisht të kuptuarit e ngushtë të tij si shpërndarje e pozicioneve midis maqedonasve dhe shqiptarëve. Është e nevojshme të merret parasysh barazia gjinore dhe të përfshihen përfaqësuesit e komuniteteve të margjinalizuara (romët, personat me aftësi të kufizuara, LGBTI dhe të tjerët).

Transparenca dhe publiciteti i zgjedhjes së anëtarëve të Komisionit nënkupton shpalljen publike të dokumenteve të të gjithë kandidatëve, një debat publik për zgjedhjen dhe pjesëmarrje të shoqatave qytetare, siç ishte rasti me zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit.

Pas zgjedhjes së komisionerëve, ata do të duhet të krijojnë një shërbim profesional, të sigurojnë hapësira të përshtatshme për punë dhe t’i miratojnë aktet nënligjore të parapara me ligj. Ky proces do të marrë shumë kohë, që është një arsye shtesë që Kuvendi ta përshpejtojë zgjedhjen e anëtarëve.

Parandalimi dhe mbrojtja nga diskriminimi është me rëndësi thelbësore në procesin e integrimit në BE, që është një arsye shtesë që vendimmarrësit të fillojnë të trajtojnë më seriozisht këtë çështje.

—————————————————

20 Dhjetor 2019