Shoqata HOPS “Opsione për jetë të shëndetshme” Shkup dhe Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi iu drejtuan Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi me ankesë për një rast të diskriminimit indirekt në bazë të gjendjes shëndetësore. Një gruaje që është trajtuar nga Hepatiti C në të kaluarën nuk i është mundësuar sigurim shëndetësor privat. Kompania private e sigurimeve nuk ua ofron këtë të drejtë edhe personave të tjerë që në të kaluarën apo tani trajtohen për sëmundje të ndryshme. Në këtë mënyrë kompanitë e sigurimeve diskriminojnë në bazë të gjendjes shëndetësore dhe përkatësisë në një grup të margjinalizuar personash që përdorin droga dhe grupe të tjera pacientësh që trajtohen për sëmundje të ndryshme kronike.
Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi, duke vepruar sipas ankesës, ka miratuar një mendim me të cilin nuk është vërtetuar diskriminim indirekt në bazë të gjendjes shëndetësore ndaj personave që përdorin droga, por edhe ndaj personave të tjerë me sëmundje kronike.
Sipas Komisionit, shmangia e rrezikut nga humbja financiare është një synim legjitim për të diskriminuar grupe të ndryshme pacientësh pavarësisht nëse aktualisht janë duke u trajtuar apo janë shëruar nga një sëmundje. Në këtë mënyrë, Komisioni e zbaton gabimisht Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili përcakton se çfarë mund të jetë një qëllim legjitim, si p.sh. “qëllimi për realizimin e të cilit mjetet duhet të korrespondojnë me nevojat reale në një rast konkret, të jenë të përcaktuara paraprakisht, të jenë të nevojshme për realizimin e atij qëllimi, si dhe të jenë në përpjesëtim me efektet që duhet të arrihen” Sipas Komisionit, a është nevojë reale fitimi i kompanisë së sigurimit, ndërsa diskriminimi i pacientëve një mënyrë e domosdoshme për arritjen e këtij qëllimi?!
Kjo praktikë është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare në këtë fushë. Sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, qëllime legjitime për kufizimin e të drejtave mund të jenë siguria shtetërore, mbrojtja e shëndetit dhe moralit, mbrojtja nga krimi dhe mbrojtja e të drejtave të të tjerëve. Fitimi i kompanive private nuk mund të konsiderohet më i rëndësishëm se barazia e qytetarëve si e drejtë e tyre kushtetuese dhe e njohur ndërkombëtarisht.
Komisioni i referohet dispozitave në fushën e sigurimeve shëndetësore private pa marrë parasysh se diskriminimi ndonjëherë buron nga vetë ligjet. Nëse diçka është e rregulluar me ligj, nuk do të thotë se nuk mund të jetë diskriminim. Me këtë rast duhet pasur parasysh se këta persona janë plotësisht të përjashtuar nga e drejta për sigurim shëndetësor privat. Për njerëzit me sëmundje kronike që ndikojnë në vëllimin e kujdesit shëndetësor që e marrin, kompanitë mund të ofrojnë një mënyrë për të paguar dhe llogaritur shpenzimet aktuale të trajtimit, por jo edhe përjashtim të plotë nga e drejta.
Duke pasur parasysh se ky Komision sipas Ligjit duhet të jetë organ ekspert dhe i pavarur për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi, është veçanërisht shqetësues fakti që ky organ nuk është mjaft i ndjeshëm sa i përket shkeljes së të drejtave të komuniteteve të margjinalizuara, ku përfshihen grupe të ndryshme të pacientëve, të sëmurë kronikë, dhe personat që përdorin ose kanë përdorur drogë.
—————————————————
10 Nëntor 2021