Spitali Klinik i Manastirit, së bashku me atë në Prilep, Kërçovë dhe Koçan janë në krye të listës së institucioneve shtetërore shëndetësore që kanë blerë oksigjen me çmimet më të larta. Një kilogram oksigjen në bombulë atyre u kushton 200.6 denarë
Zoran Aleksiq nga Spitali i Përgjithshëm i Qytetit “8 Shtatori” asnjëherë nuk ka supozuar se furnizimi me oksigjen do të ishte një nga përgjegjësitë më të rëndësishme të punës së tij si përgjegjës për mbështetje teknike në spital. Ky objekt shëndetësor para koronës ka konsumuar 3 tonë oksigjen në një periudhë 10-15 ditore. Tani ai shpenzon të njëjtën shumë, por në baza ditore. Korona e ka ndryshuar mënyrën se si funksionojnë spitalet dhe nga institucione shëndetësore që kujdesen për pacientë me një sërë sëmundjesh, disa prej tyre janë riorientuar në Qendra të Kovidit, për të cilat oksigjeni është po aq i rëndësishëm sa edhe për njerëzit. Me një pengesë ose sfidë të madhe – si të sigurohet oksigjeni për pacientët me Kovid sa më shpejt dhe me kosto efektive.
Disa nga drejtorët e spitaleve besojnë se ofertuesit kanë përfituar nga situata me Kovid-in, andaj i kanë diktuar vetë çmimet, ndërsa kompanitë theksojnë se nuk kanë faj për çmimet, por kushtet për import, shpërndarje, si dhe oferta dhe kërkesa.
Me përjashtim të institucionit të vetëm shtetëror që siguron oksigjen në emër të të gjitha klinikave në kuadër të Qendrës Klinike në Shkup, të gjitha spitalet e tjera anembanë vendit, secila më vete, e blenë oksigjenin me çmime të ndryshme. Kështu, nga fillimi i pandemisë me KOVID-19 në vitin 2020 e deri në vitin e kaluar, gostivarasit, për shembull, kanë “frymuar” oksigjen mjekësor më të lirë në krahasim me qytetarët e Shtipit. Ndërsa, për oksigjenin në bombola, më së shumti është shpenzuar për Koçanin, Kërçovën, Prilepin dhe Manastirin. Drejtorët e spitaleve i fajësojnë për këtë ofertuesit, të cilët, sipas tyre, kanë përfituar nga situata me KOVID-19, andaj i kanë diktuar vetë çmimet. Ndërkaq, kompanitë theksojnë se nuk është faji i tyre për çmimet, por për ofertën dhe kërkesën e tregut, si dhe për kushtet për importin dhe shpërndarjen e oksigjenit, pa të cilin spitalet vështirë se mund ta përballojnë Kovid-in.
I njëjti oksigjen, çmime të ndryshme Institucioni publik nga fusha e shëndetësisë për nevojat e institucioneve publike shëndetësore, klinikave universitare, institutit dhe qendrës urgjente në Shkup është institucioni shtetëror i cili siguron dhe i furnizon me oksigjen klinikat në kuadër të Qendrës Klinike “Nënë Tereza” në Shkup. Ai është një nga institucionet që e ka siguruar oksigjenin me një nga çmimet më të larta sipas renditjes së hulumtimit të Qendrës për Komunikim Qytetare. Kështu, ky institucion në fund të vitit 2020 ka blerë 5.500 kilogramë oksigjen të kompresuar (në bombola) me çmim prej 176 denarë me TVSH për kilogram. Ndërsa dy muaj më parë, nga e njëjta kompani, Spitali Klinik në Shtip ishte furnizuar me oksigjen. Bëhet fjalë për prokurim të gazit mjekësor oksigjen – pa shpallje për prokurim prej 5.880 kg. oksigjen me çmimin njësi prej 123,9 denarë me TVSH. Diferenca është 52 denarë. Oksigjeni i blerë në kulmin e pandemisë në vitin 2020 u kushton disa spitaleve një çmim dhe të tjerave një çmim tjetër.
Spitalet e shëndetit publik në Koçan, Kërçovë, Prilep dhe Manastir në dy vitet e fundit kanë siguruar oksigjen në bombola ose të ashtuquajturin oksigjen të kompresuar me çmime rekorde prej 200,6 denarë për kilogram. Ndërsa në të njëjtën kohë, qendrat tjera të Kovid-it e kanë blerë me çmime shumë më të ulëta, siç është rasti me spitalin e Gostivarit “Ferid Murad”, i cili këtë oksigjen e ka blerë me çmim prej 82,6 denarë për kilogram. Ne u përpoqëm të krahasonim çmimet në raport me sasitë e blera të oksigjenit. Për shembull, Spitali klinik i Shtipit kishte dy furnizime urgjente me oksigjen. Njëri me vlerë 1,4 milionë denarë, kurse i dyti me kontratë 2,17 milionë denarë.
“Duhet t’i pyesni ofertuesit pse na e shesin oksigjen me çmime të ndryshme. Në kohë të pandemisë nuk mund t’i zgjedhim çmimet kur kemi blerje urgjente. Në vitin 2020, oksigjeni ishte 3 euro, ndërsa tani në nëntor 90 denarë për bombolë. Nuk kishim zgjidhje. Çmimet përcaktohen nga ofertuesit. Jemi sjellë në pikën që furnizimi me oksigjen të jetë shumë i vështirë, sepse vetëm dy kompani konkurrojnë. Planifikojmë një prokurim në vit, e më pas del diçka krejt tjetër”, shpjegon drejtori i Spitalit klinik të Shtipit, Alen Georgiev.
Spitali Klinik i Manastirit, së bashku me atë në Prilep, Kërçovë dhe Koçan janë në krye të listës së institucioneve shtetërore shëndetësore që kanë blerë oksigjen me çmimet më të larta. Një kilogram oksigjen i kompresuar u ka kushtuar 200,6 denarë. Në fillim të vitit 2021, më saktësisht më 28 janar 2021, spitali i Manastirit ka realizuar një prokurim pa shpallje. Në kuadër të këtij prokurimi janë blerë 130 tonë oksigjen të lëngshëm me çmim të përgjithshëm me TVSH prej 73.269 denarë. Gjithashtu,është blerë edhe oksigjen i kompresuar me çmim prej 198,3 denarë për kilogram. Ndërsa, më 11 nëntor 2020, spitali i Manastirit ka blerë oksigjen të kompresuar me çmim prej 200,6 denarë për kilogram. Drejtoresha e spitalit, Biljana Gagaçovska, nga ana tjetër, thotë se gjatë furnizimeve gjithmonë udhëhiqen nga kriteri – çmimi më i ulët. Ajo thotë se nuk ka shumë njohuri rreth prokurimeve dhe se në spital ka shërbime që kujdesen për të gjithë procedurën e prokurimit. Ajo na referoi në departamentin e tyre të prokurimit.
Shefja e departamentit të prokurimeve publike në spital, Sonja Ciunovska, sqaron se spitali para rreth dy vitesh ka nënshkruar marrëveshje për furnizim me oksigjen sepse nuk kanë pasur zgjidhje tjetër.
“Në nëntor të vitit 2019 është lidhur kontrata për prokurim publik të gazeve mjekësore, duke përfshirë edhe oksigjenin e lëngshëm dhe oksigjenin në bombola me ofertuesin më të favorshëm, gjegjësisht ofertuesin e vetëm. Nuk duhej të lejojmë që të mungojë oksigjeni kur pacientët kanë nevojë për të”, tha Ciunovska. Nga spitali sqarojnë se oksigjeni sipas kësaj kontrate është blerë me çmim prej 165 denarë pa TVSH deri në nëntor të vitit 2020, kur kanë lidhur kontratë me një furnizues tjetër dhe kanë blerë oksigjen me çmim prej 61,36 denarë për kilogram oksigjen të lëngshëm ose 200,6 denarë për kilogram të oksigjenit të ngjeshur, gjegjësisht oksigjen në bombolë. Ata besojnë se ndryshimet në çmimet e oksigjenit janë si pasojë e uljes së konkurrencës, si dhe e kushteve aktuale me pandeminë e Kovid, ku për shkak të rritjes së kërkesës, rritet edhe çmimi i oksigjenit.
QKQ: Diferenca në furnizimet me oksigjen deri në 700 për qind
Sipas një hulumtimi të kryer nga Platforma e Organizatave të Shoqërisë Civile Kundër Korrupsionit në nëntor të vitit 2021 me titull “Analiza e barazisë së shërbimeve shëndetësore të ofruara në Qendra të ndryshme të Kovidit”[1]gjithsej, Qendrat e Kovid-it kanë shpenzuar 2.2 milionë euro për furnizimin me oksigjen mjekësor. Prej tyre, pjesa më e madhe ose 626.430 euro i ka shpenzuar institucioni publik në fushën e shëndetësisë për nevojat e institucioneve publike shëndetësore, klinikave universitare, institutit dhe qendrës urgjente në Shkup. Hulumtimi i Platformës së Organizatave të Shoqërisë Civile Kundër Korrupsionit ka treguar se ka dallime të konsiderueshme në çmimet për njësi me të cilat Qendrat e Kovidit e kanë blerë oksigjenin mjekësor për trajtimin e pacientëve. Diferencat arrijnë deri në 700% në çmimet për njësi të oksigjenit të lëngshëm dhe gati 250% në ato të oksigjenit të ngjeshur. Sipas hulumtimit të tyre, ISHP Spitali i përgjithshëm i Qytetit “8 Shtatori” Shkup, në dy vitet e fundit ka realizuar një prokurim sipas të cilit kilogrami i oksigjenit të lëngshëm është blerë me çmim për njësi prej 11,1 denarë, ndërsa ISHP Spitali Klinik Shtip e ka blerë të njëjtin me çmim prej 78,5 denarë për kilogram. Për sa i përket prokurimit të oksigjenit në bombola, gjegjësisht oksigjenit të ngjeshur, ISHP Spitali i Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” nga Gostivari e ka blerë atë me çmim prej 82,6 denarë për kilogram, ndërsa ISHP Spitali Klinik Manastir, ISHP Spitali i Përgjithshëm Kërçovë, ISHP Spitali i Përgjithshëm me veprimtari të zgjeruar Prilep dhe ISHP Spitali i përgjithshëm me veprimtari të zgjeruar Koçanë me çmim prej 200,6 denarë për kilogram.
Qendrat e Kovidit kanë blerë oksigjen mjekësor nga gjithsej katër kompani. Në kuadër të këtij hulumtimi janë analizuar prokurimet e 28 Qendrave të Kovidit në të gjithë vendin në periudhën nga 1 marsi vitit 2020 deri më 31 mars të vitit 2021 për shkak të kulmit të pandemisë së Kovid.
“Tetë nga procedurat e analizuara për prokurimin e oksigjenit janë kryer duke përdorur procedurën me negocim pa publikim paraprak të shpalljes. Në këto raste, organet kontraktuese negociojnë drejtpërdrejt me operatorët ekonomikë, dhe për këtë shkak nuk ka konkurrencë në procedurën konkrete, e cila mund të çojë në çmim më të lartë”, shpjegon Marko Mitevski nga Qendra për Komunikime Qytetare, i cili ka punuar në këtë hulumtim.
Centralizimi i prokurimit të oksigjenit
Drejtori i ISHP Spitali klinik Shtip, Alen Georgiev mendon se zgjidhja më e mirë do të ishte që furnizimi i oksigjenit të centralizohej për shkak të zgjatjes së prokurimit të oksigjenit në një procedurë të rregullt tenderimi. “Ne si drejtues të institucioneve shëndetësore mezi presim të kalojë e gjithë procedura e ankimimit të tenderit sepse zgjat me muaj. Në disa situata, siç është rasti me Kovid-in, kemi pasur nevojë për oksigjen menjëherë dhe për këtë arsye ndonjëherë jemi të detyruar të blejmë oksigjen pa shpallje, gjegjësisht me procedurë urgjente”, shpjegon Georgiev. Këtë zgjidhje e përmendën edhe disa nga drejtorët e tjerë të institucioneve shëndetësore, si në aspekt të përshpejtimit të gjithë procedurës, ashtu edhe në aspekt të thjeshtimit të prokurimit. Megjithatë, kjo zgjidhje nuk është më e mira për ofertuesit.
Hristofor Sarakinov, nga Shoqëria për prodhim, tregti dhe shërbime LG WEST GAZET INDUSTRIALE DHE MJEKËSORE TË BALLKANIT SH.P.K. Shkup, e cila është një nga kompanitë që I furnizojnë spitalet me oksigjen, thotë se kjo mund të jetë e vështirë për t’u realizuar.
“Nuk e di si do të centralizohej furnizimi me oksigjen kur disa spitale nuk kanë as rezervuarët e tyre për ruajtjen e oksigjenit. Duhet pasur parasysh se çdo institucion shëndetësor është specifik, me rastin e blerjes së oksigjenit, në çmim ndikon transporti, shpërndarja, importi”, shpjegon Sarakinov.
Tabela nga analizat e Platformës së organizatave të shoqërisë civile për luftë kundër korrupsionit:
Çmimet për njësi për kilogram oksigjen të ngjeshur në denarë pa TVSH
Çmimet për njësi për kilogram oksigjen të ngjeshur në denarë pa TVSH
Storja është përgatitur në kuadër të projektit “Monitorimi në fushat me rrezik të korrupsionit: shëndetësia dhe mjedisi jetësor”, dhe është financuar nga Fondacioni Shoqëri e Hapur– Maqedoni.
Burimi: Qendra për Gazetari Hulumtuese SCOOP – Maqedoni
—————————————————
2 Shkurt 2022