Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Autor: Sashe Dimovski

Ligji për Ekspertizën shpesh krijon probleme ligjore gjatë proceseve gjyqësore dhe për këtë arsye nevojitet një ndryshim urgjent i tij. Disa shoqata profesionale që e kanë konstatuar këtë kërkojnë nga Ministria e Drejtësisë që në grupin punues që do të bëjë ndryshime në ligjin ekzistues të përfshijë edhe praktikantë, por deri më tani nuk kanë gjetur gatishmëri nga Ministria për reforma në këtë fushë. Ministria e Drejtësisë njofton se do të ketë ndryshime dhe se është duke u formuar një grup pune.

A mundet Ministria e Punëve të Brendshme të bëjë ekspertizë për nevojat e procedurës penale në rast se është parashtruese e kallëzimit penal? A duhet që gjykata të sjellë aktgjykim, duke pranuar ekspertizën e një personi i cili në kohën e ekspertimit ka pasur licencë, por më vonë gjatë zhvillimit të procedurës e ka humbur atë apo i ka skaduar? A duhet që gjykata të thërrasë përsëri ekspert dhe ta dëgjojë nëse aktgjykimi është anuluar dhe është kthyer në rigjykim apo mund ta lexojë deklaratën e tij të dhënë në shqyrtimin kryesor? A mundet një filial i një personi juridik të huaj të bëjë ekspertizë në Maqedoni? A duhet ta detyrojë gjykata të dënuarin që të rimbursojë shpenzimet e ekspertizës nga persona juridikë të huaj, të urdhëruara nga Prokuroria Publike (PP) me çmime disa herë më të larta se ekspertiza e përgatitur sipas Ligjit për Ekspertizën nga ekspertë të licencuar nga Ministria e Drejtësisë?

Këto janë vetëm disa nga çështjet juridike dhe problemet praktike me të cilat jo vetëm ballafaqohen gjyqtarët në procedurë penale, por lindin edhe nga paqartësitë në Ligji për Ekspertizën dhe Ligjit për Procedurën Penale (LPP). Në fund, e gjithë kjo çon në një praktikë gjyqësore të ngadaltë, të ndryshme dhe të pabarabartë, dhe shpesh prodhon një gjykim të padrejtë.

Disa nga këto çështje deri më tani janë zgjidhur me mendime juridike në mes të katër gjykatave të apelit në territorin e Maqedonisë, Gjykata Supreme ka mbajtur qëndrime për çështje të caktuara dhe disa dilema janë zgjidhur përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) në Strasburg, e cila në dhjetë raste nga Maqedonia ka shqyrtuar çështje që kanë të bëjnë me ekspertizën. Veçanërisht interesante janë qëndrimet e kësaj gjykate nëse Ministria e Punëve të Brendshme mund të përgatisë ekspertizë nëse njëkohësisht është e përfshirë në hetim dhe kallëzim penal, si dhe pyetja nëse aktgjykimi bazohet vetëm në ekspertizë të përgatitur apo është vetëm një nga provat për të cilin është marrë aktgjykimi.

Megjithatë, këto dhe shumë çështje të tjera të praktikës janë ende në lëvizje dhe i nënshtrohen zgjidhjeve ad hoc, të cilat varen nga rasti, dhe problemi është subjekt i më shumë analizave që fokusohen në disa nga problemet dhe opsionet për ndryshimin e ligjit.

Ekspertët pohojnë – Ministria e Drejtësisë nuk është e interesuar

Disa shoqata të ekspertëve, gjykatësve dhe prokurorëve publikë kanë kohë që kërkojnë ndryshime në Ligjin për Ekspertizë, për shkak të dilemave të përmendura, të cilat do të përgatiteshin përmes një grupi punues të përbërë nga përfaqësuesit e tyre dhe Ministrisë së Drejtësisë. Pas disa takimesh profesionale, ata prej muajsh kanë kërkuar nga Ministria përfshirjen e tyre në ndryshimet e Ligjit, por pretendojnë se nuk kanë përgjigje dhe këtë e interpretojnë si mungesë vullneti politik për eliminimin e problemeve. 

Konkretisht, Shoqata e Mjekësisë Ligjore, Shoqata për Siguri Korporative dhe Shoqata e Prokurorëve Publikë të Maqedonisë kanë kërkesa të sakta: të formohet një grup i ri pune që do të bëjë ndryshime në Ligjin për Ekspertizën, të forcohet kontrolli i ekspertizës, të ndryshojë mënyra e marrjes së licencave për ekspertizë, të riorganizohet puna e Dhomës së Ekspertëve… Bëhet fjalë vetëm për disa prej kërkesave më prioritare që janë dorëzuar në Ministri, por edhe pas 6 muajsh dorëzim nuk kanë marrë asnjë përgjigje prej andej. Për nevojat e këtij teksti, pyetëm Ministrinë e Drejtësisë se deri ku është puna për ndryshimin e Ligjit dhe morëm përgjigje se ndryshimet janë planifikuar dhe se është duke u formuar një grup punues, por pa më shumë detaje.

Ministria e Drejtësisë pretendon se megjithatë ligji do të ndryshojë Që në shtator 2020, Ministria e Drejtësisë njoftoi se do të ndryshojë Ligjin për Ekspertizën. siç dëshmohet edhe nga lajmi i publikuar në Akademik. Ky qëndrim i Ministrisë vjen dhjetë ditë pasi disa shoqata të ekspertëve mbajtën simpozium kushtuar “Propozim-ndryshimeve ligjore në Ligjin për Ekspertizën”. Ligji ekzistues u miratua në vitin 2010 dhe që atëherë janë miratuar disa ndryshime, e fundit prej të cilave në vitin 2018. Pas kësaj date, një tjetër draft përfundimtar i ligjit mund të gjendet në ENER dhe ai është nga nëntori i vitit 2019. Për qëllime të këtij teksti, ne pyetëm Ministrinë e Drejtësisë se çfarë po ndodh me planet për ndryshimin e ligjit dhe morëm përgjigjen që ua paraqesim të plotë: “Ministria e Drejtësisë është duke rishikuar sistemin e ekspertizës gjyqësore dhe po përgatit ligjin e ri për ekspertizën. Synohet të rritet efikasiteti i sistemit, të përcaktohen kushtet dhe mënyra e kryerjes së ekspertizës, të ndryshohen kushtet dhe mënyra e dhënies së provimit profesional etj. 
Ka një propozim-ligj në ENER, por ai do të rishikohet nga grupi i punës, i cili aktualisht është duke u formuar nga Ministria e Drejtësisë”.

Prof. Dr. Aleksandër Stankov, Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, thekson urgjencën e gjithë procedurës dhe mënyrën më të përshtatshme për realizimin e saj:

 “Të ndërrohen disa anëtarë, të plotësohen me anëtarë të tjerë, të ndryshohet mënyra e ekspertimit, të ndryshohet shkalla e ekspertizës, të fshihen disa paqartësi të llojit të superekspertizës, të shtohet bordi mjeko-ligjor, i cili nuk ka kuptim të mungojë në Ligjin për ekspertizën, dhe të thuhet saktësisht se kush mund të jetë ekspert në një rast, cilët ekspertë të thirren dhe çfarë është shumë e rëndësishme, të respektohen mjekët që kanë kryer specializimin në mjekësi ligjore dhe të marrin menjëherë licencën për ekspert, sepse në specializimin e tyre studiohet problemi i ekspertizës e jo të presin pesë vjet për licencë”. – thotë Stankov.

Njësoj mendon edhe prof. Dr Zlatko Jakovski – Kryetar i Shoqatës së Mjekësisë Ligjore të Maqedonisë. Ai thotë se Ligji për Ekspertizën duhet të ndryshohet në mënyrë që ekspertët të përfshihen në mënyrë transparente në procedurat gjyqësore. ““Vetëm në këtë mënyrë mund të jepen gjykime të drejta.”, thekson Jakovski.

Shoqata e Sigurisë së Korporatave kritikon ligjin ekzistues në shumë aspekte, me vlerësimin e përgjithshëm se ai ka më shumë anë negative se sa pozitive. Asociacioni thekson se është mirë që ligji lejon që një person fizik të jetë ekspert në disa profesione të mangëta, por është e papranueshme që ekspertët të detyrohen të rinovojnë licencat e tyre çdo pesë vjet, dhe Ligji nuk bën dallim ndërmjet licencave për ekspertizë dhe asaj që duhet të quhet leje pune.

Shumë dyshime për Byronë “shtetërore” të Ekspertizës

Një nga pyetjet që lind si në debate ashtu edhe në praktikë ka të bëjë me paanshmërinë e Byrosë së Mjekësisë Ligjore. Byroja është organ i administratës shtetërore në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, me cilësinë e personit juridik.

Ligji për Ekspertizën e përcakton rolin e Byrosë si më poshtë:  “Për nevoja të organeve të administratës shtetërore, ndërmarrjeve publike dhe shoqërive aksionere shtetërore, ekspertiza kryhet nga Byroja e Ekspertizës Gjyqësore, me kërkesë të parashtruar me shkrim për ekspertizë në fushat përkatëse”. 

Praktika gjyqësore në të cilën shënohen vërejtjet e palëve tregon se Byroja shpesh cilësohej si e “anshme” kur bëhet fjalë për dëmshpërblim në favor të shtetit, kështu që ato ekspertiza kundërshtohen, gjë që çon në zvarritje të procedurave sepse kërkohet ekspertizë e dytë apo super-ekspertizë.  Megjithatë, kjo është kundërshtuar në disa raste nga GJEDNJ në Strasburg, në kuptimin që mund të jetë një bazë për apelim sipas nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ). Në disa vendime të saj, GJEDNJ thekson se primare është cilësia e vetë ekspertimit dhe dëshmia se ekspertiza është bërë në mënyrë profesionale dhe sipas standardeve të përcaktuara, e jo aq kush e ka bërë atë zyrtarisht, për sa i përket faktit nëse kjo mund të çojë në njëanshmëri dhe ta çojë gjykatën në përfundimin e gabuar.

Cilësia e ekspertizës është thelbësore për GJEDNJ Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg (GJEDNJ) në disa raste në lëndët kundër Republikës së Maqedonisë ka vendosur për disa çështje që kanë të bëjnë me ekspertizën në procedurat gjyqësore. Duke vepruar sipas ankesës “Ziberi kundër Republikës së Maqedonisë”,[1]  Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në një rast të njohur në opinionin maqedonas si “Brodeci”, deklaroi: “Gjykata ka vendosur tashmë në rastin e Poletan dhe Aziroviq[2] se emërimi i ekspertëve është i rëndësishëm për të vlerësuar nëse parimi i “barazisë së armëve” është respektuar. Thjesht fakti që ekspertët në fjalë janë të punësuar nga njëra nga palët nuk mjafton për të konsideruar se procedura është e padrejtë. Edhe pse ky fakt mund të ngrejë çështjen për neutralitetin e ekspertëve, një çështje e tillë, edhe pse ka njëfarë rëndësie, nuk është vendimtare. “Përcaktues, megjithatë, është qëndrimi i ekspertëve gjatë procedurës, mënyra e kryerjes së funksioneve të tyre dhe mënyra se si gjyqtarët e kanë vlerësuar konstatimin dhe mendimin e ekspertit. Në përcaktimin e pozicionit procedural të ekspertëve dhe rolit të tyre në procedim, nuk duhet të harrohet fakti që mendimi i dhënë nga një ekspert i caktuar nga gjykata ka të ngjarë të ketë peshë të konsiderueshme në vlerësimin e gjykatës për çështjet brenda kompetencës së ekspertit. “Në rastin konkret nuk kontestohet se ekspertiza në fjalë është përgatitur nga ekspertë të punësuar nga Byroja, pjesë e Ministrisë që ka nisur procedimin penal ndaj kërkuesve. Siç ka shpjeguar tashmë Gjykata në rastin e Poletan dhe Aziroviq, fakti që ekspertët e emëruar janë anëtarë të policisë – të cilët kanë një detyrë të përgjithshme të bindjes ndaj organeve ekzekutive shtetërore dhe zakonisht kanë lidhje me prokurorinë – mund të shkaktojë frikë të ankuesit. Frika e këtillë mund të ketë njëfarë rëndësie, por nuk është vendimtare. Ajo që është vendimtare është nëse dyshimet e shkaktuara nga fenomenet mund të konsiderohen të justifikuara objektivisht. Sipas mendimit të Gjykatës, fakti që eksperti është pjesëtar i policisë nuk justifikon në vetvete frikën se ai mund të mos jetë mjaftueshëm i paanshëm. Përndryshe, në shumë raste do të vendosen kufizime të papranueshme në aftësinë e gjykatave për të marrë këshilla eksperte nga pjesëtarët e policisë.” Një çështje tjetër të cilës Gjykata i kushton vëmendje të veçantë është fakti që ekspertët S. K. dhe V. А. dëshmuan në gjykimin para trupit gjykues dhe përfaqësuesve të ankuesve iu dha mundësia t’i merrnin në pyetje në mënyrë të kryqëzuar… Nisur nga sa më sipër, Gjykata nuk çmon se emërimi i ekspertëve, anëtarë të Byrosë, të cilët ishin edhe të punësuar në Ministri, e cenonte parimin e ‘barazisë së armëve’ ose rezultonte në një procedurë të padrejtë” në dëm të Republikës së Maqedonisë. GJEDNJ në Strasburg dha udhëzime të qarta për angazhimin e ekspertëve, një nga zgjidhjet më të kontestuara në procedurat gjyqësore deri më sot. Megjithatë, ka edhe gjykime në gjykata që nuk janë uniforme dhe që devijojnë nga praktika gjyqësore. Kështu ka thënë Gjykata Penale në Shkup, në një analizë të Misionit të OSBE-së në Shkup, në të cilën rendit dhjetëra aktgjykime të vërtetuara ose të ndryshuara pjesërisht, ndonëse kanë devijuar nga praktika gjyqësore tashmë e vendosur.

Fati i mëtejshëm i Byrosë është i pasigurt, sepse me Strategjinë për Reforma në Drejtësi (fq. 45) ishte planifikuar heqja e tij në vitin 2019.

Një çështje që krijon probleme praktike është pjesa e Ligjit që përcakton se kur mund të punësohet një ekspert i huaj dhe kjo është e mundur vetëm nëse nuk ka ekspert të asaj fushe në vend.

Kjo çështje e ekspertizës së të huajit apo e ekspertizës së një filiale të një personi juridik të huaj ka qenë veçanërisht problematike në procedurën e nisur nga ish-Prokuroria Speciale Publike (PSP), e cila ka përdorur ekspertizë dhe ekspertë të cilët janë paguar shumë herë më shumë se ekspertët nga Maqedonia. Në këtë mënyrë, gjykata u vu në dyshim nëse duhet t’i detyrojë të pandehurit, nëse dënohen, të paguajnë ekspertizën me çmimet e faturuara në PSP apo sipas tarifës sipas së cilës ekspertiza zakonisht përgatitet nga ekspertët e regjistruar në Regjistrin e Ekspertëve në vend, ndërsa për tarifën baza fillestare llogaritet në bazë të Dekretit të miratuar nga Qeveria në vitin 2015.

Kush mund të jetë ekspert?

Ligji për Ekspertizën parasheh që licencë për ekspertizë mund të marrë, pa e dhënë provimin profesional: doktori i shkencave ose magjistri i shkencave në fushën përkatëse shkencore dhe një person që ka dhënë provimin e specialistit, si dhe një person me arsim të lartë ose të mesëm me profesion të regjistruar në një fushë përkatëse (argjendari, gëzofxhi, orëndreqës, çelësaxhi, argjendar, optik ose profesion tjetër, që ka të paktën pesë vjet përvojë pune në fushën përkatëse).

Ekspertiza mund të kryhet nga: institucioni i arsimit të lartë, institucioni shkencor dhe institucioni profesional, sipërmarrësi individual, shoqëria tregtare e cila është e regjistruar në pajtim me Ligjin për shoqëritë tregtare dhe kryen ekspertizë në pajtim me këtë ligj dhe ka të punësuar së paku dy persona me licencë eksperti. Super-ekspertiza përcaktohet nga kryetari i këshillit ose një gjyqtar individual në mënyrë elektronike duke zbatuar rregullin e përzgjedhjes rastësore nga Regjistri në prani të të dyja palëve, përkatësisht të përfaqësuesve të tyre.

Megjithatë, problemet më të mëdha në proceset gjyqësore lindin nga humbja e licencës, e cila është hequr, nuk është rinovuar ose statusi i ekspertit ka pushuar për arsye të tjera, dhe ekspertiza e tij është në procese gjyqësore që janë në vazhdim për të cilat kërkohet të jenë të ndara nga dosjet dhe mos paraqitja si provë.

Ministri mund të heqë licencën në çdo kohë

Licenca për ekspertizë hiqet nga Ministri i Drejtësisë, që është një tjetër pikë e diskutueshme në ligj që përmendet, sepse ekzekutivi në këtë mënyrë mund të ndikojë në çdo kohë në një rrjedhë të caktuar të procedurës gjyqësore. Sidomos, për shembull, nëse ministri e heq licencën për shkak të anëtarësimit vjetor të papaguar në Dhomë, që është vetëm një nga bazat e shumta ligjore për heqjen e licencës.

Praktikantët theksojnë se Ligji në këtë pjesë duhet të rregullojë çështjen se çfarë do të ndodhë me ekspertizën e përgatitur para heqjes së licencës, me thirrjet e ardhshme në gjykatë dhe çështje të ngjashme, sepse në fusha të caktuara është e vështirë të bëhet ekspertizë e re për shkak të kalimit të kohës, fshirjes së gjurmëve biologjike dhe të ngjashme, nga të cilat mund të varet ligjshmëria e vendimit.

Kontestuese janë autorizimet e tjera të ministrit lidhur me licencat, dhe më pas vijon fshirja nga Regjistri. Për shembull, nëse eksperti nuk dorëzon vërtetimin e sigurimit, Ministri i Drejtësisë me vendim do ta fshijë ekspertin nga Regjistri, thuhet në ligj.  

Praktikantët vënë në dukje një problem edhe në këtë artikull, i cili nuk jep zgjidhje se çfarë do të ndodhë me ekspertizën e përgatitur në një kohë kur eksperti, për shembull, ka nisur një kontest administrativ dhe procedura nuk është përfunduar me vendim të plotfuqishëm?

Gjykata e Apelit në Shkup në departamentin civil ka mbajtur qëndrim se ekspertit mund t’i hiqet licenca për çdo arsye, por derisa të hiqet nga lista e ekspertëve, ai ka statusin e ekspertit dhe mund të jetë ekspert për nevojat e procesit gjyqësor.

Por, nuk janë vetëm këta shembuj që janë problematikë. Problemet që lindnin nga proceset gjyqësore dhe praktika gjyqësore e pabarabartë diskutoheshin shpesh në mbledhjet e nivelit të gjykatave të apelit dhe u diskutuan nga Gjykata Supreme në nivel departamenti ose në një seancë të përgjithshme, përveç rasteve individuale.

Mendimi i Gjykatës së Apelit në Manastir: Ekspertiza nuk ka pse të përsëritet në rigjykim Gjykata e Apelit në Manastir nga seancat e Departamentit Penal arriti në konkluzione lidhur me këtë çështje: Kur aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është revokuar dhe lënda është kthyer për rishqyrtim dhe vendim, qoftë gjatë rigjykimit, gjykata me propozimin e palëve ose sipas detyrës zyrtare ose me pëlqimin e palëve mund të lexojë deklaratat e dëshmitarëve, të dëmtuarve, ekspertëve, të dhëna në shqyrtimin e mëparshëm kryesor? “Këshilli mund t’i lexojë dëshmitë e dëshmitarëve dhe ekspertëve dhe të mos merren në pyetje përsëri, sepse këtë e thotë edhe dispozita e nenit 371 paragrafi 3 i LPP-sëme ç’rast nuk kërkohet pëlqim, por gjykata pas marrjes në pyetje të palëve vendos që të mos merren në pyetje përsëri dëshmitarët dhe ekspertët, por të lexohen deklaratat e tyre nga seanca kryesore e mëparshme, dhe pëlqimi për lexim kërkohet sipas paragrafit 2 të po këtij neni ” – thuhet në përfundimin e Gjykatës së Apelit në Manastir.

Në kushtet kur vihen në dukje problemet e krijuara nga ligji dhe nuk ndryshohet përmbajtja e tij, shumë nga çështjet juridike të kontestuara zgjidhen nga gjykatat duke unifikuar praktikën gjyqësore përmes mendimeve juridike dhe pikëpamjeve të gjykatave të apelit dhe Gjykatës Supreme. Megjithatë, këto mendime dhe pikëpamje nuk janë respektuar gjithmonë nga gjykatat më të ulëta, siç tregon praktika e ndryshme e Gjykatës Themelore Shkup 1, Shkup.

Gjykata Supreme dhe gjykatat e apelit ndërtojnë pikëpamje mbi licencat dhe super-ekspertizën  Katër gjykatat e apelit dhe Gjykata Supreme në vitin 2018 ranë dakord për dy çështje të rëndësishme që nuk zgjidhen në ligjin aktual, për licencat e skaduara në çështjet penale dhe ato gjyqësore, si dhe për përcaktimin e super-ekspertizës në kontest me urdhër të gjykatës: – Në rast se palët paraqesin ekspertizë të ndryshme, dhe ekspertët nuk mund të harmonizohen, gjykata mund të urdhërojë një super-ekspertizë, megjithëse nuk ka urdhër nga gjykata, sipas nenit. 246 paragrafi 2 i Ligjit për Procedurën Kontestimore. – Gjykata mund ta pranojë si provë dhe ta bazojë vendimin e saj në bazë të ekspertizës së përgatitur nga eksperti të cilit në momentin e ekspertimit i ka skaduar licenca për një periudhë 5 vjeçare, por ende është regjistruar në Regjistrin e Ekspertëve. – është qëndrimi i gjyqtarëve për çështjen e licencave, që është çështja më problematike e mbrojtjes në procedurat penale.

Në analizën e bërë nga OSBE-ja dhe nga gjyqtarët në Gjykatën Penale, konstatohet se ka disa aktgjykime që kanë të bëjnë me ekspertizën e bërë në 3 vitet e fundit që devijojnë nga praktika gjyqësore. Pavarësisht mospërputhjes së vendimeve, disa prej tyre janë konfirmuar nga Gjykata e Apelit dhe janë në rendin ligjor.


[1] https://biroescp.gov.mk/wp-content/uploads/2020/01/CASE-OF-ZIBERI-v.-NORTH-MACEDONIA-Macedonian-Translation-by-the-Ministry-of-Justice-of-the-Republic-of-North-Macedonia.pdf

[2] AKTGJYKIMET DHE VENDIMET E RMV – Byroja për Përfaqësim të R. të Maqedonisë së Veriut para GJEDNJ

***

Storja është përgatitur në kuadër të projektit “Forcimi i kapaciteteve të gazetarëve hulumtues në fushat e Kapitullit 23, me fokus në gjyqësi”.

—————————————————

29 Qershor 2021