Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Ajri i ndotur, lumenj toksikë, cilësi e reduktuar e tokës. Këto janë vetëm disa nga problemet në mjedisin jetësor dhe një tregues alarmant i jetesës gjithnjë e më johumane në vend. Ka disa arsye për këtë. Sektori i biznesit me veprimet e tij dhe rastet e shumta kur interesi privat vihet në plan të parë dhe para interesit publik, pastaj qytetarët me shprehitë e tyre kulturore që kontribuojnë shumë, por edhe institucionet që duket se janë shkaku kryesor. Ato kanë mekanizma për të kontrolluar se çfarë bëhet, për të kryer inspektime, për të dhënë dhe hequr kompetenca dhe autorizime, por edhe për të krijuar politika dhe për të dhënë drejtimin në të cilin do të ecin proceset në të ardhmen.

Burimi: Hartëzimi i rreziqeve të korrupsionit në mjedisin jetësor

Për shkak të mospërputhjeve sistematike dhe mungesës së kontrollit, individët në vendin tonë përfitojnë nga përdorimi joadekuat i burimeve natyrore në mënyra të ndryshme – përmes prerjeve të paligjshme të drurëve, shfrytëzimit të paligjshëm të burimeve minerale, shfrytëzimit joadekuat të burimeve ujore, ndërtimeve të paligjshme… Nga ana tjetër, institucionet ndërkombëtare vënë në dukje se sistemi gjyqësor ngec dhe është joefektiv në luftën kundër korrupsionit, kështu që veprime të tilla shpesh mbeten të pandëshkuara, kryesisht për shkak të lidhjeve të ngushta me elitat politike ose për shkak të ndërthurjes së interesave të përbashkëta.

Qytetarët janë të vetëdijshëm për korrupsionin

Platforma e organizatave të shoqërisë civile për luftimin e korrupsionit ka kryer një hulumtim në të cilin i ka përcaktuar sistematikisht rreziqet e korrupsionit në fushën e mjedisit jetësor. Synimi është të ndihmojë në zhvillimin e politikave efektive në të ardhmen, por edhe të krijojë masa për të reduktuar praktikat e këilla korruptive. Përmes anketës janë mbledhur pikëpamjet e qytetarëve dhe të aktivistëve ekologjikë lidhur me çështjen se sa i përhapur është korrupsioni në këtë sektor dhe cilat janë rreziqet më të zakonshme, e një pyetësor iu dërgua edhe institucioneve përgjegjëse për mjedisin jetësor.

Të pyetur se cilën nga fushat e ofruara në pyetësor e konsiderojnë më të korruptuarën, qytetarët e veçuan fushën e urbanizmit dhe planifikimit hapësinor me notë mesatare prej 7,81 (në shkallën prej 1 deri në 10, ku 10 është më e korruptuara). Pas saj vjen drejtësia si fusha e dytë më e korruptuar me notë mesatare 7,59 dhe në vend të tretë është fusha e mbrojtjes së mjedisit jetësor me notë mesatare 7,18.

Qytetarët janë të vetëdijshëm për planifikimin e dobët urbanistik

“Nëse merret parasysh se tre format më të shpeshta të korrupsionit me të cilat përballen qytetarët janë keqpërdorimi i detyrës zyrtare, nepotizmi dhe konflikti i interesit, të cilat janë të lidhura me punën e institucioneve dhe pushtetit politik, është e qartë se në përcaktimin e masave dhe përcaktimin e prioriteteve, duhet filluar me trajtimin e korrupsionit “të lartë” politik. Në fakt, më së shpeshti elita politike në pushtet miraton ligje që mundësojnë përfitime materiale për individë, të cilat qytetarët vështirë se mund t’i njohin si formë korrupsioni. Përmendet problemi i ndryshimit të shpeshtë të zgjidhjeve ligjore dhe ekzistenca e një fuqie të madhe diskrecioni në marrjen e vendimeve për dhënien e koncesioneve, lejeve dhe dokumenteve.”, thuhet në hulumtim.

Strategji që nuk zbatohen

Maqedonia ka një Strategji Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit të përgatitur nga KSHPK-ja përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe bashkëpunimit me sektorin e shoqërisë civile dhe të miratuar nga Kuvendi. Në të identifikohen problemet më specifike që duhet të kapërcehen në të ardhmen, thekson Dragan Malinovski, avokat dhe ish anëtar i Komisionit kundër korrupsionit.

“I pari është zbatimi jodeakuat, gjegjësisht moszbatimi i Ligjit për Menaxhimin e Mbeturinave, veçanërisht në fushën e krijimit të qendrave rajonale për menaxhimin e mbeturinave. Ky është një problem serioz sepse ndërmarrjet publike që tani funksionojnë në kuadër të komunave janë të pamjaftueshme dhe me kapacitete të pamjaftueshëm, nuk kanë burime të mjaftueshme dhe nuk mund të menaxhojnë siç duhet mbeturinat, ashtu siç parashikohet në vetë Ligjin. Nga ana tjetër, lind pyetja pse nuk krijohen këto qendra rajonale. Është e qartë se ka njëfarë rezistence, veçanërisht nga njësitë e vetëqeverisjes lokale, sepse këto ndërmarrje publike shpesh shfrytëzohen për të përmbushur qëllimet e tyre partiake, punësimet. Në një farë mënyre, kjo e rrezikon të gjithë projektin për menaxhim të integruar të mbeturinave”, thotë Malinovski.

Shteti nuk ka kapacitete të merret me deponitë ilegale

Praktika të palejueshme

Sipas tij, problemi i korrupsionit është sistematik. Ai është më i theksuar përmes funksionimit të komunave dhe kompetencave të ndërthurura të personave që janë edhe ofrues të lejeve edhe inspektorë. Në atë rast, është më e lehtë të njihet rreziku i korrupsionit. Sidomos sepse sektori i biznesit do të bënte gjithçka për t’i bërë aktivitetet e tij më të lehta dhe më komode.

“Duhet pasur parasysh faktin se njësitë e vetëqeverisjes lokale, përkatësisht komunat nuk investojnë mjaftueshëm në burime njerëzore që kanë të bëjnë me mjedisin jetësor. Kështu, ndodh shpesh që akumulimi i funksioneve në persona të caktuar, gjegjësisht i njëjti person të veprojë edhe për sa i përket dhënies së lejeve ekologjike, që nënkupton edhe monitorimin apo vlerësimin e elaborateve që dorëzohen në komunë dhe në të njëjtën kohë ai person vepron më tej në pjesën e inspektimit të kapaciteteve – që është e palejueshme. Këtu ka konflikt interesi dhe kjo nuk mund të funksionojë kështu”, thotë Malinovski.

Kush e ruan rojen?

Aktivisti civil dhe këshilltari në Qytetin e Shkupit nga “Qyteti i Gjelbër Human”, Gorjan Jovanovski, beson se shteti dhe partitë politike e lejojnë korrupsionin në sektorin e mjedisit jetësor.

Горјан Јовановски

“Kur shihni një proces që zhvillohet me dyer të mbyllura, pa u konsultuar me publikun e gjerë apo ekspertët, jini të sigurt se ai dhe ka gjasa të mëdha t’i nënshtrohet praktikave korruptive. Unë do të marr si shembull monitorimin e ajrit të ambientit. Deri më tani, nëse aktivistët dyshonin se një objekt industrial e ndot ajrin, ata duhet ta raportojnë atë tek inspeksioni, ato inspeksione duhet të gjejnë e-mailin (nëse e gjejnë) dhe të dërgojnë një inspeksion në terren (nëse e bëjnë). Ky inspektim, meqë ra fjala, më shpesh i lajmëruar se i paparalajmëruar, duhet të vijë me instrumente dore dhe të matë nëse ka vërtet ndotje të ajrit, të mos marrë ryshfet nga objekti industrial dhe nëse konstaton tejkalim, të iniciojë procedurë me ndihmën e MPB-së kundër atij objekti industrial. Pastaj MPB-ja duhet të mbledhë prova, ta udhëheqë procedurën, të shmangë mundësitë për ryshfet, fshehje të provave, ndërrimin e provave, dhe më në fund gjykata ta dënojë kryesin”, thotë Jovanovski.

Dikush nuk dëshiron të zbatohen zgjidhje të thjeshta për monitorimin e ndotësve

Ai shton se në vend të këtij procesi jofunksional, duhet të hyjë në fuqi një ligj që kërkon që çdo objekt industrial të ketë një sistem automatik të monitorimit të ndotjes së ajrit, të cilin do ta monitorojë 24/7, publikisht, dhe për çdo tejkalim do ta dënojë automatikisht objektin që e monitoron atë sistem.

“E thjeshtë, apo jo?” Por, sigurisht që nga kjo nuk mund të marrin ryshfet të gjithë, dhe prandaj një sistem i tillë nuk vihet në praktikë”, thotë Jovanovski.

Çështjet e cilësisë së mjedisit jetësor janë bërë aktuale, veçanërisht vitet e fundit. Dita ditës, interesimi i aktivistëve ekologjikë dhe qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit në të cilin jetojmë vazhdon të rritet. Ekologjistët kanë ngritur prej kohësh dyshime për veprime korruptive në këtë sektor, ndërsa hulumtimi i Qendrës për Hulumtime dhe Hartim të Politikave vetëm e konfirmon opinionin e përgjithshëm. Për t’i korrigjuar këto situata, gjëja më e rëndësishme është të kemi vullnet politik.

Këtë përmbajtje e përgatiti Instituti për Studime të Komunikimit.

Gazetar: Petar Dogov
Kameraman: Zoran Dogov
Montazhi: Riste Dushkovski

Projekti “Monitorimi në zonat me rrezik të korrupsionit: Shëndeti dhe Mjedisi Jetësor” realizohet nga Platforma e Organizatave të Shoqërisë Civile për Luftë kundër Korrupsionit, i financuar nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe e grantmarrësit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se i shpreh pikëpamjet dhe qëndrimet e Fondacionit Shoqëri e Hapur – Maqedoni.

—————————————————

10 Shkurt 2022