Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Mijëra ton pesticide dhe plehra minerale derdhen në të lashtat dhe tokën maqedonase çdo sezon prodhimi. Shteti nuk ka informacion të saktë se sa kimikate konsumohen në vit, ndërsa fermerët mbrojtjen e bëjnë në mënyrë paushalle sikurse edhe hedhjen e plehrave, sepse kanë mbetur vetëm.

Storje nga Angel Danov

Askush nuk kujdeset për atë se kur duhet të spërkatet, me çka dhe me çfarë koncentrimi. Kjo paralajmërohet nga ekspertë në fushën e mbrojtjes së bimëve, të cilët paralajmërojnë se kjo krijon një hapësirë për të rrezikuar shëndetin e fermerëve që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me kimikatet. Pastaj, kur ata i shesin produktet bujqësore, si ushqim, rrezikohet edhe shëndeti i konsumatorëve.

Nga ana tjetër, mjekët paralajmërojnë se numri i pacientëve me kancer po rritet vazhdimisht në rajonin e Tikveshit. Disa mjekë, të cilët nuk duan të flasin publikisht, dyshojnë se shumë kancere shkaktohen pikërisht nga përdorimi i kimikateve. Këto shpesh janë edhe helme nga grupi i parë në prodhimin e produkteve bujqësore, që përmes konsumit të atyre produkteve ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e të gjithë qytetarëve.

Kjo qasje e pakontrolluar për përdorimin e kimikateve lë të hapura shumë pyetje. Kush ka interes nga përdorimi i mijëra tonë pesticideve dhe plehra minerale? Pse fermerët, të cilët nuk janë arsimuar mirë, lejohen të shkatërrojnë shëndetin e tyre, por edhe shëndetin e të gjithë atyre që i hanë produktet e tyre me spërkatje dhe plehra të pakontrolluar?

Kaosi i vërtetë mbretëron në prodhimin bujqësor në Maqedoni

Dr. Risto Vuçkov, i cili ka qenë i përfshirë në mënyrë aktive në bujqësinë e Maqedonisë për më shumë se tre dekada, thotë se prodhuesit e pa shkolluar të ushqimit përdorin kimikate të pakontrolluara për mbrojtje dhe plehra minerale. Prodhon kush çka dëshiron dhe sa dëshiron. E gjithë kjo po ndodh sepse vendi nuk ka një strategji të përhershme për prodhimin bujqësor. Doktor Vuçkov akuzon se asnjë qeveri deri më tani nuk ka mbledhur guximin të përgatisë një strategji të përhershme, që do të promovojë fermerin maqedonas dhe bujqësinë në përgjithësi, si një burim që Maqedonia e ka me bollëk dhe për eksport.

– Situata e përgjithshme që e kemi, është se nuk ka strategji dhe se pesticidet përdoren në mënyrë spontane dhe të pakontrolluar. Industria kimike thotë gjithashtu se kimikatet duhet të përdoren në bazë të diagnozës. Sëmundja diagnostikohet dhe pastaj përshkruhet terapia, dhe këto ilaçe kimike përfshihen në terapi. Eksperti i vëretë e vlerëson momentin e duhur, kur duhet të bëhet spërkatja në mënyrë parandaluese, përpara se të fillojnë proceset infektive. Sepse në mbrojtje, filozofia është të parandalosh, e jo të kurosh.  Me një fjalë, prodhuesit tanë janë lënë në mëshirë të kohës, dhe ata përdorin spontanisht kimikate, ose në bazë të tregtarit, i cili jeton nga padija e tij – thotë prof. Dr Risto Vuçkov dhe thekson se nëse strategjia nuk vihet në një rrugë të gjatë, nuk mund të presim ditë më të mira për bujqësinë në vend.

– Më së paku mendohet për atë vrasës sekret, të padukshëm që është i pranishëm në Maqedoni. Unë e di në Kavadar se sa mijëra ton pesticide dhe plehra minerale përdoren në mënyrë të pakontrollueshme. Dy herë më shumë shpenzohen në Strumicë. “Mjekët e fshehin përqindjen e sëmundjeve kancerogjene në nivelin e shtetit”, thotë Vuçkov.

Për të është e pakuptueshme që askush në vend nuk kujdeset për këtë problem të madh.

“Për këtë ka institucione që marrin para nga buxheti, profesionistë, fakultete – “për eksport” dhe në fund kemi një prodhues të paarsimuar, i cili përdor pesticide sipas disa bindjeve të veta ose sipas bindjeve të farmacistëve bujqësorë që jetojnë nga padija e prodhuesit”, shton prof. Dr. Vuçkov.

Ai i bën thirrje shtetit të fillojë më shumë kontroll mbi përdorimin e pakontrolluar të pesticideve dhe plehrave deri më tani, dhe gjithashtu të edukohen prodhuesit se produktet mbrojtëse përdoren vetëm pas një diagnoze të konstatuar nga ekspertët, kurse plehrat minerale pas analizës laboratorike të tokës. Ai thekson se nëse duam të eksportojmë produkte bujqësore në tregjet në Bashkimin Evropian, edukimi i fermerëve duhet të fillojë një orë më parë, por kjo është gjithashtu e nevojshme që të mbrohet shëndeti i prodhuesve dhe i konsumatorëve të frutave dhe perimeve.

Fermerët ankohen se askush nuk i edukon ata se si t’i mbrojnë dhe t’i ushqejnë bimët

Me fillimin e vegjetacionit, traktorët me atomizues të bashkëngjitur mund të shihen për çdo ditë nëpër rrugët e qyteteve dhe të fshatrave të Tikveshit. Fermerët po nxitojnë të spërkasin sa më parë vreshtat për t’i mbrojtur ato nga sëmundjet dhe dëmtuesit. Ata thonë se vetë i kanë caktuar afatet për spërkatjen e tyre. Çfarë mjetesh dhe në çfarë përqendrimesh duhet të përdoren, poashtu i caktojnë vetë ose me ndihmën e punonjësve të farmacive bujqësore, të cilët i fërkojnë duart çdo sezon për shkak të paditurisë së fermerëve.

– Pothuajse çdo vit në të njëjtat periudha ne spërkasim. Kështu kanë vepruar edhe prindërit tanë. Shumë shpesh kemi probleme, sepse sëmundjet ose dëmtuesit nuk shkatërrohen, kështu që dyshojmë në cilësinë e preparateve. Kohët e fundit, duket se preparatet nuk kanë forcë kundër sëmundjeve dhe dëmtuesve”, thotë kryetari i Shoqatës së Vreshtarisë nga Kavadari, Trajche Kulev, i cili është edhe vetë prodhues i rrushit.

Ai i konfirmon pretendimet e prof.dr. Vuçkov, se nuk ka asnjë shërbim që ndihmon në organizimin e mbrojtjes. As hudhjen e plehrave nuk e bëjnë në bazë të analizave agro-kimike të bëra më parë.

– Që do të thotë se duhet të edukojmë veten. Le të gjejmë një mënyrë, MBPEJ-a është këtu për të na ndihmuar. Farmacistët po kërkojnë të shesin produktet e tyre. Nëse vreshti është i sëmurë me vrug, ata na thonë ta vendosim në finj. Ne, kultivuesit, helmojmë veten me ato pesticide. Ndonjëherë mund të na duhet një sasi më e vogël e mjetit, e ne vendosim doza të dyfishta, kështu që bëjmë shpenzime të dyfishta”, thotë Kulev.

Ai është i vetëdijshëm se përdorimi i pakontrolluar i kimikateve dhe i plehrave e rrezikon së pari shëndetin e vet, e më pas edhe shëndetin e të tjerëve, por ai thotë se për të kapërcyer këtë, duhet të përfshihet shteti dhe shkenca.

Mjekët kërkojnë përgjegjësi më të madhe gjatë përdorimit të pesticideve

“Mos merrni antibiotikë pa mjek, dhe mos përdorni kimikate pa agronom”, apelon Dr. Snezhana Jovanova, e cila ka punuar si mjeke familjar për tridhjetë vjet, e po ashtu ishte pjesë e ekipit të urgjencës mjekësore në Kavadar. Ajo dëshmon se fermerët shpesh e prishin shëndetin e tyre për shkak të mungesës së arsimit. Ata nuk mbajnë asnjë pajisje mbrojtëse gjatë spërkatjes.

Ne e pyetëm Ministrinë e Bujqësisë nëse ekziston një institucion që e di se sa pesticide dhe plehra minerale konsumohen çdo vit në vend.

“Organi kompetent për mbikëqyrje inspektuese gjatë importit të produkteve bujqësore është Inspektorati Shtetëror për Bujqësi përmes inspektorëve fito-sanitarë shtetërorë dhe inspektorëve të shtetit për bujqësi”, u përgjigjën nga MBPEJ-ja në pyetjen zonë, pa përmendur sasi konkrete.

“Produktet për mbrojtjen e bimëve rregullohen me Ligjin për produktet për mbrojtjen e bimëve, ndërsa plehrat rregullohen me Ligjin për Plehrat, Biostimuluesit dhe Përmirësuesit e Karakteristikave të Tokës.   Sipas këtyre dy ligjeve, kontrolli mbi qarkullimin dhe mënyrën e përdorimit të këtyre agrokimikateve kryhet nga Inspektorati Shtetëror për Bujqësi përmes inspektorëve fito-sanitarë shtetërorë dhe inspektorëve shtetërorë për bujqësi”, sqarojnë nga MBPEJ-a në përgjigjen e dhënë në pyetjen tonë se a i kontrollon dikush pesticidet dhe plehrat minerale.

Ky institucion nuk pajtohet që fermerët janë lënë vetëm dhe mund të spërkasin lirshëm pa rekomandimin e një eksperti. Në periudhën e ardhshme, ata paralajmërojnë kontrolle shumë më të forta mbi përdorimin e kimikateve.

“Ligji për shëndetin e bimëve ka përcaktuar një person përgjegjës për shëndetin e bimëve, i cili është përgjegjës për shëndetin e vetë bimëve, si dhe të gjithë kulturës në tërësi. Ky person është përgjegjës për marrjen e masave dhe aktiviteteve për të ruajtur gjendjen e të mbjellave dhe për prodhimin e materialit bimor të shëndetshëm. Propozim-ligji për Fitofarmaci, i cili është në procedurë parlamentare, forcon më tej procedurën dhe kontrollin duke prezantuar një konsulent-shpërndarës, i cili do të duhet të ketë një licencë për të kryer punën e tij. Por, jo vetëm shpërndarësi në farmacitë bujqësore dhe tek fermeri do të duhet të ketë një licencë për të përdorur produkte për mbrojtjen e bimëve në mënyrë që të jetë në gjendje të blejë pesticide, pa të cilat ai nuk do të jetë në gjendje të blejë produkte për mbrojtjen e bimëve.

MBPEJ-a: Produktet bujqësore kontrollohen për praninë e mbetjeve të pesticideve

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomizimit të Ujërave përmes Drejtorisë Fitosanitare përgatit çdo vit, ndërsa Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e miraton Programin Vjetor të Monitorimit për prodhimin, tregtinë dhe përdorimin e produkteve për mbrojtjen e bimëve, si dhe monitorimin e mbetjeve të produkteve për mbrojtjen e bimëve. Ky program zbatohet nga Drejtoria Fitosanitare, mostrat i merr Inspektoriati Shtetëror për Bujqësi, ndërsa analizat bëhen nga Laboratori Shtetëror Fitosanitar.

Për më tepër, Inspektorati Shtetëror për Bujqësi sjell një program vjetor të inspektimit, kur bëhet një program dhe plan për marrjen e mostrave nga inspektorët shtetërorë bujqësorë dhe inspektorët fito-sanitarë shtetërorë, në procesin e inspektimit – sqaroi Ministria.

Sidoqoftë, ky institucion, i cili duhet të kujdeset për produktet e bujqësisë maqedonase, megjithate e pranon se përdoren shumë plehra dhe pesticide. Ata thonë se kjo është bërë nga fermerët për të arritur një mbrojtje më të mirë dhe rendimente më të larta.

“Ky është një gabim i madh, sepse në mënyrë që prodhuesit të regjistrojnë një produkt, ata duhet të kalojnë nëpër një procedurë të rreptë të Agjencisë Evropiane të Sigurisë së Ushqimit, në të cilën sasia optimale e produktit për mbrojtjen e bimëve kontrollohet si pjesë e veçantë dhe në cilën fazë të prodhimit bujqësor. Gjithashtu, me rritjen e përdorimit të këtij produkti, rrezikohet siguria e produktit që prodhohet, gjegjësisht pjesa rritet mbetja e pesticideve në produkt, me çka ai nuk është për përdorim njerëzor, e as nuk mund të përdoret si ushqim për kafshët. Kjo është arsyeja pse është e nevojshme të rritet edukimi i prodhuesve bujqësorë – iu përgjigjën pyetjes sonë nga MBPEJ-a.

Ata thonë se situata është e ngjashme edhe me përdorimin e plehrave minerale, gjegjësisht prodhuesit bujqësorë përdorin sasi më të madhe të plehrave, duke dashur të kenë më shumë fruta, pa bërë analiza agro-kimike të tokës, dhe duke shtuar kështu një sasi më të madhe të plehrave të caktuara minerale dhe bashkë me e denatyrojnë tokën, e gërryejnë atë dhe e bëjnë të të papërshtatshme për t’u përdorur si bazë për prodhimin bujqësor.

MBPEJ-a është e bindur se produktet bujqësore në Maqedoni kontrollohen nga inspektorët fito-sanitarë shtetërorë dhe inspektorët e ushqimit, përpara se produktet të gjenden në treg.

Ekspertët nuk pajtohen. Ata sqarojnë se një pjesë shumë e vogël e prodhimit kontrollohet, veçanërisht ajo që dërgohet për eksport, ndërsa pjesa që shitet në tregun e brendshëm përfundon pa u kontrolluar ose pa u kontrolluar sa duhet, kështu që shëndeti i qytetarëve rrezikohet gjithnjë e më shumë.

Variacione në sasinë e plehrave minerale dhe pesticideve të konsumuara ndër vite

Të dhënat që kemi arritur t’i marrim, e që janë botuar në broshurën e MMJPH  tregojnë se përdorimi i plehrave të përziera nga viti 2000 deri në vitin 2009 është zvogëluar për 93.26%, ndërsa në periudhën 2009 deri në vitin 2012 ka një rritje graduale prej 411.82%. Përdorimi i plehrave të kaliumit tregon një trend periodik të uljes dhe rritjes, përdorimi në vitin 2012 rritet me 100% krahasuar me vitin 2011. Përdorimi i plehrave minerale në tokë të punueshme (kg/ha), nga ndërmarrjet bujqësore dhe kooperativat bujqësore, në periudhën në shqyrtim ka një trend periodik të uljes dhe rritjes.

Sipas të dhënave që gjenden në broshurë, përdorimi i pesticideve në bujqësi, që i përfshin të gjitha mjetet për mbrojtjen e bimëve, si fungicidet, herbicidet, insekticidet dhe sasia e përgjithshme, tregon një trend të rënies nga viti 2000 deri në vitin 2005, një rritje të mprehtë në vitin 2006 dhe një rënie të mëtejshme në 2012.

Në Planin Aksional Kombëtar Ekologjik – 2, përcaktohet një masë për përdorimin racional të burimeve natyrore, si dhe përdorimin e kontrolluar të pesticideve, d.m.th.  të mjeteve për mbrojtjen e bimëve. Në të njëjtën kohë, u theksua nevoja për të krijuar një sistem monitorimi dhe informacioni për tokën në të cilën do të monitorohej edhe konsumi i pesticideve.

Një orë e më parë duhet të jepet përgjigje se kujt i përshtatet përdorimi i pakontrolluar i pesticideve. Ndërsa industria kimike rritet, fermerët po vuajnë gjithnjë e më shumë, por edhe qytetarët e pafajshëm, të cilët, duke menduar se po hanë vitamina dhe minerale, po ushqehen me toksina të rënda, ndërsa paralelisht e ndotin mjedisin. Sipas ekspertëve, keqpërdorimi i këtyre kimikateve është një “shkak” për ajrin e ndotur.

***

Burimi: Media Plus – Shtip

Kjo storje është pjesë e projektit “Edhe informimi lokal është test për BE-në”, i financuar nga Fondacioni Shoqëri e Hapur-Maqedoni”

—————————————————

23 Maj 2020