Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi e prezantoi hulumtimin mbi ndikimin që kanë masat për përballjen me Kovid-19 në të drejtat e njeriut të komuniteteve të margjinalizuara – “Të drejtat e njeriut të komuniteteve të margjinalizuara në kushtet e Kovid-19”. Hulumtimi në terren u krye midis komuniteteve të margjinalizuara: Romëve/romeve, punëtorë seksualë, njerëzve që jetojnë me HIV, njerëzve që përdorin drogë, grave viktima të dhunës në familje dhe personave LGBTI. Raporti përfshin disa fusha, të tilla si: ndikimi i ndalimeve dhe i kufizimeve të lëvizjes, e drejta për arsimim, qasja në drejtësi, mbrojtja sociale dhe ndikimi i masave ekonomike.

Detyrimi i shtetit ndaj komuniteteve të margjinalizuara gjatë pandemisë është, nga njëra anë, të mbrojë edhe shëndetin e këtyre komuniteteve. Nga ana tjetër, shteti ka një detyrim të miratojë masa që do ta parandalojnë varfërimin dhe margjinalizimin e mëtejshëm të komuniteteve të ndjeshme për shkak të krizës, përmes një efekti disproporcional të kufizimeve në të drejtat e këtyre grupeve në krahasim me popullsinë e përgjithshme. Efekti disproporcional ndaj komuniteteve të margjinalizuara nga masat e përballjes me pandeminë mund të nënkuptojë gjithashtu diskriminim indirekt duke mos i përmbushur nevojat specifike të këtyre komuniteteve. Prandaj, pandemia i nxori në sipërfaqe problemet sistemike të përjashtimit shoqëror, qasjen e kufizuar në drejtësi dhe në shërbimet publike, mbrojtjen joadekuate ndaj diskriminimit dhe dhunës, me të cilat këto komunitete vazhdimisht jetojnë.

Gjetjet kryesore nën fusha të ndryshme zbulojnë mangësi sistemike në sistemin e mbrojtjes sociale dhe arsimit, planifikim joadekuat të masave ekonomike që kryesisht nuk i plotësojnë nevojat e qytetarëve dhe nuk kontribuojnë në tejkalimin e situatës së pafavorshme ekonomike. Gjatë miratimit të masës kufizuese për ndalimin dhe kufizimin e lëvizjes nuk u morën parasysh nevojat specifike të grave dhe të të rinjve LGBTI, të viktimave të dhunës në familje dhe të punonjësve seksualë, si dhe të qytetarëve të varfër që fitojnë jetesën në ekonominë joformale në baza ditore. Qasja në drejtësi u pengua edhe më shumë, dhe gjatë kësaj nuk u mor parasysh nevoja për procedura urgjente për të mbrojtur viktimat e dhunës me bazë gjinore. Në sistemin e mbrojtjes sociale janë identifikuar një numër mangësish në lidhje me kapacitetin e ulët dhe zgjidhjet joadekuate për të përmbushur nevojat e grupeve të margjinalizuara.

Shoqatat e Rrjetit për Mbrojtjen nga Diskriminimi gjatë kohës së krizës, u përshtatën shpejt me nevojat e reja, punuan në terren për t’i përmbushur nevojat e komuniteteve të margjinalizuara, ofruan shërbime për ndihmë juridike falas, ndihmë humanitare, informim për të përmirësuar qasjen në shërbimet sociale dhe shëndetësore dhe u përpoqën të avokojnë për të përmbushur nevojat nga ana e institucioneve.

Në vazhdim të kësaj komunikate i përcjellim në tërësi rekomandimet kryesore të raportit.

Raporti u përgatit në kuadër të projektit “Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi – Avancimi i barazisë përmes monitorimit dhe përforcimit të sistemit për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi”, i mbështetur financiarisht nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni. Autorët e raportit janë: Natasha Boshkova, Darko Antiq, Rosana Bogatinova dhe Margarita Gliguroska. Redaktore e raportit është Dragana Dërndarevska. Raportin mund ta gjeni në këtë link.

Gjetjet kryesore të raportit janë paraqitur gjithashtu në infografikët që gjenden në këtë link

 

Rekomandimet në lidhje me ndalimin dhe kufizimin e lëvizjes:

–             Kur merr vendim për të ndaluar lëvizjen, Qeveria duhet veçanërisht të marrë parasysh nevojat e komuniteteve më të margjinalizuara dhe të krijojë përjashtime duke u bazuar në to;

–             Ndalimi i lëvizjes duhet të futet si masë e fundit, vetëm kur transmetimi i virusit del jashtë kontrollit dhe ekziston kërcënim serioz për mbingarkesë të sistemit shëndetësor;

–             Trajnimi dhe kontrolli efektiv i policisë për zbatimin e kësaj mase, veçanërisht kur qytetarët i përdorin përjashtimet e parashikuara nga Qeveria;

–             Orari i reduktuar i transportit publik nuk duhet të futet në orët kur qytetarët e kanë të lejuar të lëvizin;

–             Në rast të vendosjes së ndalimit të lëvizjes, për të gjetur zgjidhje të përshtatshme për banim dhe qasje në kushtet ekzistenciale për të pastrehët dhe njerëzit që qëndrojnë në banesa të improvizuara.

 

Rekomandimet në lidhje me arsimin në kushtet e Kovid-19:

–             Mbyllja e plotë e shkollave duhet të përdoret si masë përfundimtare dhe të zbatohet për një periudhë të caktuar kohe, përderisa zgjat kërcënimi nga përshkallëzimi i situatës. Në kushtet kur situata nuk përshkallëzohet dhe nuk ka mbingarkesë të sistemit shëndetësor, duhet të gjenden zgjidhje më të përshtatshme, të cilat nuk do të ndikojnë në cilësinë e arsimit, të tilla si puna në shumë turne, kontrolli i rreptë i respektimit të masave parandaluese, ulja e numrit të orëve dhe të ngjashme;

–             Anëtarët e komuniteteve më të margjinalizuara të mbështeten financiarisht për sigurimin e mjeteve për komunikim elektronik, si dhe lidhje të qëndrueshme të internetit, për ndjekjen e pandërprerë të orëve. Për ata nxënës për të cilët kushtet nuk mund të krijohen kushte, për të mundësuar ndjekjen e mësimdhënies në shkolla, me respektimin e rreptë të masave parandaluese;

–             Reformimi i sistemit arsimor, duke modernizuar metodat e të mësuarit që do të korrespondojnë me trendet moderne të përdorimit të teknologjive të internetit dhe të digjitalizimit në arsim, duke stimuluar mësimin dhe hulumtimin e pavarur;

–             Reformimi i arsimit duke futur përmbajtje që do t’i ndryshojnë dhe do t’i forcojnë vlerat demokratike të nxënësve, do ta rrisin pavarësinë, kuriozitetin dhe ndjeshmërinë;

–             Gjetja e mënyrave për të mbështetur prindërit e nxënësve më të vegjël nga shkolla në kushtet kur mësimi zhvillohet në distancë;

–             Investime të vazhdueshme në kapacitetet e kuadrit edukativo-arsimor, por edhe zbatimi i qëndrueshëm i një sistemi të bazuar në merita në punësimin, avancimin dhe sanksionimin e mësimdhënësve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë;

–             Përmirësimi i kapaciteteve teknike dhe hapësinore të shkollave duke siguruar një platformë të përshtatshme për mësimdhënie dhe vlerësim online, e cila do të jetë lehtësisht e zbatueshme për të gjithë, si dhe krijimi i një mënyre të barabartë dhe efikase të vlerësimit.

 

Rekomandimet në lidhje me mbrojtjen sociale në kohë krize:

–             Përmirësimi i komunikimit të punonjësve në qendrat e punës sociale me qytetarët, dhe veçanërisht përmirësimi i disponueshmërisë së tyre për komunikim në kushte krize dhe gjendje të jashtëzakonshme;

–             Reformimi i sistemit të mbrojtjes sociale përmes orientimit të tij drejt nevojave të qytetarëve dhe zgjidhjes së problemeve të tyre;

–             Aktvendimet për kërkesat e parashtruara për përfitime financiare nga mbrojtja sociale të merren brenda afateve ligjore për vendimmarrje, gjegjësisht procedurat të mos vonohen;

–             Përfshirja në sistemin e mbrojtjes sociale të familjeve me një prind dhe të viktimave të dhunës në familje që largohen nga mjedisi i dhunshëm në kohë krize, duke hapur shërbime të specializuara të arritshme dhe cilësore për viktimat e dhunës me bazë gjinore;

–             Sigurimi i informacionit në dispozicion të publikut për të drejtat e qytetarëve në kohë krize, i përshtatur për personat me aftësi të kufizuara shqisore, në gjuhët e të gjitha komuniteteve dhe në një gjuhë të kuptueshme për të gjithë qytetarët;

–             Masat e marra nga shteti në kohë krize, të cilat kanë të bëjnë me sigurimin e nevojave jetësore (ndihmë në ushqime dhe produkte higjienike), t’i përfshijnë qytetarët që nuk janë shfrytëzues të përfitimeve të mbrojtjes sociale, dhe që kanë nevojë për ndihmë për shkak të zvogëlimit të të ardhurave;

–             Reformimi i sistemit të mbrojtjes sociale përmes procedurave të qarta, të thjeshta, të shpejta dhe transparente për ushtrimin e të drejtave nga mbrojtja sociale;

–             Dokumentet e nevojshme për ushtrimin e të drejtave nga mbrojtja sociale në kushte krize, por edhe jashtë kushteve të tilla, të sigurohen ekskluzivisht sipas detyrës zyrtare;

–             Investime të vazhdueshme në kapacitetet e institucioneve për mbrojtjen sociale dhe shëndetësore, si dhe zbatim i qëndrueshëm i një sistemi të bazuar në merita në punësim, avancim dhe sanksionim.

 

Rekomandimet në lidhje me qasjen në drejtësi në kohë krize:

–             Përveç masave të përgjithshme, Qeveria duhet të miratojë masa specifike për të përmirësuar qasjen në drejtësi për komunitetet individuale të margjinalizuara, duke marrë parasysh cenueshmërinë e tyre gjatë gjendjes së jashtëzakonshme;

–             Institucionet kompetente (gjykatat, qendra për punë sociale, institucionet shëndetësore, etj.) të sigurojnë udhëzime të qarta për zbatimin e masave dhe mënyrën në të cilën qytetarët mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre në gjendje të jashtëzakonshme;

–             Këshilli Gjyqësor t’i njohë procedurat për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje si urgjente gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së jashtëzakonshme;

–             Institucionet kompetente të zhvillojnë modele alternative për ndihmë të grave, fëmijëve dhe të rriturve nga dhuna gjatë gjendjes së jashtëzakonshme;

–             Qeveria të sigurojë mbështetje financiare për organizatat që ofrojnë ndihmë dhe mbështetje për komunitetet e margjinalizuara në nivelin më të ulët;

–             Qeveria duhet të përfshijë mekanizma për transparencë dhe përgjegjësi në procesin e vendimmarrjes në lidhje me trajtimin e pandemisë.

 

Rekomandimet në lidhje me masat ekonomike në kohë krize:

–             Përfshirja e qytetarëve dhe e shoqatave në përgatitjen e masave ekonomike që do të sigurojnë një spektër të gjerë të qytetarëve, me fokus tek ata nga grupet e cenueshme;

–             Përgatitja e masave ekonomike që do të individualizohen dhe do të përmbushin nevojat specifike të qytetarëve, dhe përmes kritereve për përdorimin e tyre të sigurohet që masat të mos përjashtojnë një grup të caktuar;

–             Kryerja e vlerësimit të të gjitha masave të parashikuara deri më tani për sa i përket ndikimit të tyre tek qytetarët dhe bërja e një plani për përmirësimin e tyre në mënyrë që të arrihen efektet maksimale;

–             Kryerja e vlerësimit të dëmeve të shkaktuara nga masat e vendosura në mënyrë të papërshtatshme, përkatësisht nga masat e përgatitura që nuk i plotësojnë nevojat e qytetarëve;

–             Nxitja e transparencës, duke përgatitur raporte mujore mbi realizimin programor dhe financiar, duke përfshirë edhe raportet e publikuara dhe ato që janë në dispozicion;

–             Marrja e hapave për të vendosur një sasi të vazhdueshme, fleksibile dhe të shkallëzuar të ndihmës financiare që u ofrohet qytetarëve dhe që bazohet në fuqinë financiare të një amvisërie në vend të një personi;

–             Përveç rritjes së shumës së ndihmës financiare, është e nevojshme të sigurohet një spektër më i gjerë i produkteve dhe i shërbimeve që mund të furnizohen, duke përfshirë ilaçet dhe shpenzimet e përgjithshme;

–             Kryerja e një vlerësimi të nevojave të qytetarëve të natyrës jo financiare, dhe në varësi të prioriteteve të tyre, përgatitja e masave për zgjidhjen e tyre. Për shembull, në vend të vauçerit për turizëm, të sigurohet akomodim dhe punësim për gratë viktima të dhunës në familje;

–             Grumbullimi i vazhdueshëm i të dhënave përkatëse nga Enti Shtetëror i Statistikave, mbi bazën e të cilave duhet të miratohen masat ekonomike;

–             Futja e procedurave për raportimin dhe zgjidhjen e rasteve në të cilat qytetarët përballen me vështirësi në qasjen në masat ekonomike, drejtpërdrejt dhe në faqen e internetit finansiskatransparentnost.koronavirus.gov.mk duke shtuar një seksion të veçantë për konsultime dhe raportimin e vështirësive.

—————————————————

14 Qershor 2021