Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Drejtoresha ekzekutive e Fondacionit Shoqëri e Hapur – Maqedoni, Fani Karanfillova-Panovska, ishte pjesë e Forumit të Integrimit Ballkanik (Balkan Integration Forum) 2022 që u mbajt më 17 dhe 18 nëntor në Podgoricë, organizuar nga Lëvizja Evropiane në Mal të Zi dhe Fondacioni Friedrich Ebert.

Në kuadër të panelit “Ku jemi dhe çfarë na pret më pas – Pasqyrë e procesit të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ajo theksoi se për momentin Maqedonia e Veriut është në fazën e parë të hapjes së negociatave për anëtarësim në BE pas mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare në korrik të vitit 2022 dhe fillimit të procesit të shqyrtimit dypalësh (“bilateral screening”), pas së cilës vendi duhet të miratojë ndryshimet kushtetuese në bazë të të cilave bullgarët si pakicë do të përfshihen në preambulën e Kushtetutës, në mënyrë që pastaj me mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare, vendi të hyjë në fazën e dytë të negociatave.

Pas marrjes së disa vendimeve të guximshme politike me nënshkrimin e tre marrëveshjeve historike në dy dekadat e fundit, Maqedonia e Veriut, së bashku me pranimin e propozimit francez për kornizën e negociatave, meriton dhe duhet të vazhdojë të përparojë në procesin e anëtarësimit vetëm në bazë të parimit të meritës, dhe kjo të matet sipas progresit të vendit në zbatimin e reformave jo vetëm në aspektin e politikave, por ajo që është edhe më e rëndësishme, edhe për sa i përket zbatimit të tyre.

Një pjesë e madhe e popullsisë, në mos shumica, i konsideron këto përpjekje të lidershipit politik si tradhti; si ai punon për interesa të huaja dhe të huajt; se e ka shitur emrin dhe identitetin maqedonas. Ata e kanë humbur besimin në institucione dhe në procesin integrues në një masë të tillë, saqë janë ose të painteresuar ose janë fuqishëm kundër tij. Shumica e tyre janë të rinj, gjë që është edhe më shqetësuese.

“Këta njerëz, të cilët i kuptoj plotësisht edhe pse nuk jam dakord me ta, kërkojnë një perspektivë të qartë në rrugën drejt BE-së, e cila do të sigurojë rezultate të shpejta dhe të prekshme që do ta përmirësonin cilësinë e jetës së tyre për ta rikthyer besimin dhe mbështetjen për këtë proces. Dhe të gjithë jemi të vetëdijshëm se është e pamundur që kjo të ndodhë menjëherë, ndonëse nevoja për këtë ka kohë që ekziston” – nënvizoi ajo.

Dhe në fund, ajo konkludoi se nëse ritmi i zgjerimit nuk përshpejtohet në maksimum, apo edhe më keq, në rast se progresi në anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, si dhe për të gjithë rajonin, vonohet ose bllokohet për shkak të çështjeve apo mosmarrëveshje politike, në atë rast lidhja tashmë e lënduar, e fragmentuar dhe e ndarë shoqërore, veçanërisht ndërmjet maqedonasve etnikë, do të vazhdojë të jetë – edhe më shumë se tani – një bazë serioze për përhapjen e propagandës dhe dezinformatave ruse, duke dëmtuar kështu një pjesë të madhe të shoqërisë dhe pikërisht në rrethana të tilla nuk mund të pritet që pavarësisht nga arsyetimi, të sigurohet konsensusi i domosdoshëm shoqëror kur bëhet fjalë për agjendën e reformave të BE-së.

—————————————————

18 Nëntor 2022