Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Masat e planifikuara nga Strategjia për Reforma në Sektorin e Drejtësisë (2017-2022) janë zbatuar pjesërisht, me shkallë të ndryshme progresi, por duhet theksuar se ka ende shumë hapa për t’u ndërmarrë deri në arritjen e synimeve strategjike të shtetit.

Ky ishte vlerësimi i përgjithshëm i zbatimit të Strategjisë së prezantuar në ngjarjen publike të Grupit Blueprint, në të cilën u promovua Analiza e Vlerësimit Gjithëpërfshirës të Zbatimit të Strategjisë për Reforma në Sektorin e Drejtësisë (2017 – 2022) (2017 – 2022).  Në atë drejtim shkojnë edhe rekomandimet e konstatuar mbi bazën e gjetjeve të secilës pjesë të kësaj Analize, të cilat duhet të shërbejnë si kontribut i Grupit Blueprint dhe si një udhëzues për tendencat që duhen ndjekur në përgatitjen e strategjisë së re.

Ngjarjen e hapën Nada Naumovska, Koordinatore e lartë e programeve në Fondacionin Shoqëri e Hapur – Maqedoni dhe Ardita Abazi Imeri, Koordinatore e programeve në Institutin për Politikë Evropiane. Gjetjet kryesore nga Analiza në këtë ngjarje u prezantuan nga autorët dhe anëtarët e grupit Blueprint për Reforma në Drejtësi – Jelena Kadriq, drejtoreshë ekzekutive e Institutit për të Drejtat e Njeriut; Goce Kocevski, drejtor i programeve në Shoqatën e Juristëve të Rinj të Maqedonisë; Beba Zhagar, studiuese në Institutin për Politikë Evropiane; Zharko Haxhi-Zafirov, drejtor i programeve në Qendrën për Hulumtime dhe Analiza Juridike; Tona Kareva, këshilltare juridike në Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut dhe Darko Avramovski, drejtor ekzekutiv i Koalicionit “Të Gjithë për Gjykim të Drejtë”.

Në këtë ngjarje u theksua se mbetet i pazgjidhur problemi me pavarësinë e buxhetit gjyqësor, si dhe teksti i papërfunduar i Rregullores së re gjyqësore. Në anën tjetër, u vlerësua miratimi i Ligjit të ri për Menaxhimin e Lëvizjes së Lëndëve në Gjykata, si dhe fillimi i procesit të digjitalizimit në gjyqësor.

Lidhur me masat nga Strategjia që kanë të bëjnë me cilësinë, është përmbushur masa për vendime të qarta dhe të arsyetuara të Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut për përzgjedhjen dhe avancimin e gjyqtarëve, dhe nga ana tjetër, vazhdon trendi i Këshillit të Prokurorëve Publikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut që në faqen e tij të internetit të mos i publikojë vendimet për zgjedhjen dhe avancimin e prokurorëve publikë, si dhe vendimet e tjera të marra nga ana e tij.

Në pjesën për qasjen në drejtësi u tha se mund të vërehet progres në përgatitjen e ligjeve përkatëse, ndonëse ka vonesë edhe në lidhje me afatet e përcaktuara në Planin e Veprimit të Strategjisë.

Është bërë vërejtje për mungesën e progresit në krijimin e qendrave hetimore në prokuroritë publike, si dhe për moskrijimin dhe aplikimin e sistemit për shpërndarjen elektronike të lëndëve në prokuroritë publike.

Në sferën administrativo-juridike, është vërejtur zhvillim pas risive të futura me Ligjin për Kontestet Administrative nga viti 2019, ndonëse mospërputhja me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative mbetet problem urgjent.

Analizën për Vlerësimin Gjithëpërfshirës të Zbatimit të Strategjisë për Reforma në Sektorin e Drejtësisë (2017 – 2022) mund ta shkarkoni në këtë link

Ngjarja u organizua në kuadër të projektit “Për drejtësi – kontribut qytetar në avancimin e drejtësisë”, i cili koordinohet nga Instituti për Politikë Evropiane (EPI) – Shkup, dhe financohet nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni.

—————————————————

17 Nëntor 2022