Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Më 24 janar të vitit 2020, ministri i mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Naser Nuredini, dhe drejtoresha ekzekutive e Fondacionit Shoqëri e Hapur – Maqedoni, Fani Karanfillova-Panovska nënshkruan një memorandum bashkëpunimi.

Memorandumi për bashkëpunim është një zotim ndërmjet Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH) dhe Fondacionit Shoqëri e Hapur – Maqedoni (FSHHM) për të mundësuar pjesëmarrjen e shoqërisë civile në reformat kyçe sektoriale në fushën e mjedisit jetësor dhe të ndryshimeve klimatike si pjesë e procesit të anëtarësimit në BE.

Duke pasur parasysh rëndësinë që e kanë për çështjet e FSHHM-së në lidhje me efektet e ndryshimeve klimatike, por para së gjithash me mbrojtjen e mjedisit jetësor, projekti “Dialogu me organizatat qytetare – Platforma për pjesëmarrje strukturore në integrimin në BE”, përmes këtij bashkëpunimi me MMJPH-në, do të implementojë aktivitete që do të mundësojnë që këto tema të aktualizohen në disa nivele. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, projekti do të mundësojë dukshmëri më të madhe të grupit punues sektorial “Mjedisi jetësor dhe ndryshimet klimatike” dhe do të mbështesë në mënyrë aktive punën e tij duke siguruar një pjesëmarrje thelbësore dhe të strukturuar të shoqërisë civile. Grupet e punës sektoriale paraqesin një forum ndërresorial për zhvillimin e dialogut për politikat e sektorit, një vend ku përcaktohen prioritetet për mbështetjen financiare nga BE-ja dhe ku koordinohet e gjithë ndihma e huaj.

Me Memorandumin për bashkëpunim, FSHHM-ja zotohet se do ta zhvillojë platformën www.dijalogkoneu.mk si pikë qendrore për shkëmbimin e informacionit thelbësor dhe të rëndësishëm nga institucionet dhe organizatat e shoqërisë civile. Platforma përmban informacione mbi politikat sektoriale, kapitujt për anëtarësim në BE, si dhe kompetencat dhe mandatin e secilit grup sektorial të punës. Për më tepër, FSHHM-ja do t’i ndërtojë kapacitetet e institucioneve dhe të organizatave të shoqërisë civile, do të kryejë konsultime sektoriale, do të përgatisë 27 raporte për punën dhe funksionalitetin e grupeve sektoriale të punës, dhe do të kryejë aktivitete të tjera të rëndësishme për dialogun strukturor.

Brenda kornizës së bashkëpunimit dhe partneritetit të vendosur, e në funksion të dialogut strukturor, MMJPH-ja do të ndajë dhe do të shkëmbejë informacione thelbësore dhe të rëndësishme për shoqërinë civile për pjesëmarrje në politikat sektoriale dhe proceset kombëtare këshilluese. Përveç kësaj, do të mundësojë që përfaqësuesit e MMJPH-së të marrin pjesë në punëtori dhe konferenca, e poashtu edhe përfaqësues dhe hulumtues (pjesë e shoqërisë civile të grupeve sektoriale të punës), të cilët do të përgatisin një raport të pavarur vjetor për punën e grupit sektorial të punës.

Projekti “Dialogu me organizatat qytetare – Platforma për pjesëmarrje të strukturuar në integrimin në BE” është i financuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut, i implementuar nga FSHHM-ja në partneritet me Eurothink – Qendra për Strategji Evropiane, Qendrën për Komunikime Qytetare dhe Reaktor – Hulumtimi në aksion, e në bashkëpunim me Sekretariatin për Çështje Evropiane.

—————————————————

24 Janar 2020