Në kuadër të projektit “Transparenca dhe llogaridhënia financiare në arsimin e lartë dhe në shkencë në RMV”, Sindikata e Pavarur Akademike (SPA) realizoi hulumtime me të cilat identifikohen procedura dhe kriteret për shpërndarjen e mjeteve për financimin e universiteteve publike dhe institucioneve shkencore nga Buxheti i RMV-së dhe bazat ligjore për rregullimin e rrogave të punonjësve në departamentin e arsimit të lartë dhe shkencës, si dhe analizë të rrogave të të punësuarve në gjashtë universitete publike dhe tetë institucione shkencore publike (institute të pavarura që janë jashtë përbërjes së universiteteve).
Hulumtimet tregojnë se në asnjërin nga ligjet që e rregullojnë financimin e arsimit të lartë dhe shkencës nuk ka procedura dhe kritere specifike që MASH-i do t’i përdorte për shpërndarjen e mjeteve financiare për universitetet publike dhe institutet shkencore. Në një situatë kur nuk është respektuar detyrimi ligjor për formimin e Këshillit Kombëtar për Financim dhe Zhvillim, i cili është përgjegjës për përgatitjen e standardeve dhe kritereve për financim, MASH-i paraqitet si institucioni i vetëm që e bën shpërndarjen e këtyre mjeteve. Në mungesë të kritereve dhe procedurave të njohura dhe të përcaktuara që më parë, në bazë të të cilave do të bëhej kjo shpërndarje, është qartë se ajo bëhet në mënyrë arbitrare, në bazë të preferencave thjesht politike dhe pa mundësi për kontroll. Kjo mënyrë e shpërndarjes së mjeteve e minon dhe tenton ta rrënojë nga themeli sistemin arsimor.
Konfuzion ekziston edhe në lidhje me kornizën ligjore për formimin e rrogave të punonjësve. Në praktikë, universitetet publike dhe njësitë e tyre marrin mjete financiare për rrogat sipas koeficientëve që i përcakton MASH-i për çdo vend pune. Është krejtësisht e paqartë se çfarë përmbajnë mjetet që i akordon MASH-i, e as nuk dihet se si krijohen koeficientet. Po ashtu nuk është e qartë se pse koeficientët nuk shumëzohen me rrogën minimale e cila ka koeficient një, për t’u fituar rrogat e punonjësve. Në krahasim me rrogat e stafit akademik në rajon, vendi ynë ndan dy deri në tre herë më pak mjete, edhe si shumë absolute e rrogave, edhe si koeficient i rrogës mesatare në vend. Për atë se sa e vlerëson vendi ynë arsimin e lartë dhe shkencën, flet informata se për rrogën neto bazë të një profesori të rregullt shteti ndan pothuajse 90 euro më pak se rroga e një sekretari me seli në fshat ose 75 euro më pak se sa për një udhëheqës sektori të nivelit të dytë.
Mirëpo, është edhe më pak e qartë se si përcaktohet rritja e rrogave. Në fakt, megjithëse nga viti 2010 deri në vitin 2018 buxheti i shtetit është rritur për 38%, rrogat e punonjësve në arsimin e lartë dhe shkencë nuk e ndjekin as rritjen e buxhetit, e as rritjen e rrogave në sektorët e tjerë publikë. Për shembull, nga viti 2011 deri në rritjen e fundit në gusht të vitit 2019, rrogat janë rritur vetëm për 3.8% (2014) në vend të 5% të treguar, d.t.th. tre herë më pak se përqindja e rritjes në sektorin e përgjithshëm të arsimit, si dhe gjashtë herë më pak se përqindja e rritjes së rrogave në shëndetësi.
Mirëpo, rrogat që i marrin këta punonjës në të vërtetë formohen në mënyrë kumulative: nga mjetet e paguara nga buxheti themelor i MASH-it dhe nga mjetet nga aktivitetet e vetëfinancimit, gjegjësisht nga mjetet vetjake të institucioneve, të fituara në bazë të participimit dhe tarifave të shkollimit, aktiviteteve të aplikuara, etj., të cilat janë të rregulluara me rregulloret e universiteteve dhe/ose njësive të tyre. As në këto rregullore nuk mund të gjenden kritere sipas të cilave formohen koeficientët ose numri dhe vlera e pikëve, kështu që kjo praktikë çon në dallime të mëdha në lartësinë e rrogave për vendet e punës me arsim të njëjtë, vëllim dhe kompleksitet të njëjtë të punës në universitetet dhe institutet e ndryshme publike. Për shembull, në nivel të universiteteve rrogat më të larta janë në USHT dhe UGD Shtip, e me këtë rast rroga mesatare e docentëve në USHT është më e lartë se rroga mesatare e profesorëve të rregullt në UKdheM.
Pabarazi ende më të madhe ka midis rrogave të punonjësve ndërmjet njësive të ndryshme të UKdheM dhe UKLO-Manastir. Në ato njësi, të cilat për shkak të natyrës së programeve studimore mund të fitojnë fonde modeste shtesë, punonjësit marrin rrogë në shumën që është caktuar nga MASH-i, pa shtesë për stazhin (e cila, megjithëse kërkohet me ligj, nuk paguhet nga buxheti themelor i MASH-it). Prandaj, në UKdheM, për shembull, 102 profesorë të rregullt ose madje 16% e numrit të përgjithshëm të profesorëve të rregullt marrin rroga neto më të ulëta se 38.000 denarë – shumë që paraqet kufirin e ulët të supozuar të rrogës neto me shtesën për stazhin. Nëse këtij numri i shtohen edhe punonjësit e tjerë të njësive, numri i punonjësve të UKdheM që mund të kërkojnë realizim të së drejtës së tyre ligjore përmes padive do të jetë shumë më i lartë, gjë që mund të çojë në bllokimin e punës në të paktën tetë njësi. Një pjesë e instituteve që kanë disa të ardhura vetjake, pothuajse gjithë shumën e përdorin për ta paguar shtesën e stazhit, në vend që ta përdorin për t’i përmirësuar kushtet e studimit, për zhvillimin e veprimtarisë hulumtuese-shkencore etj. Shembulli më drastik i dallimit në rroga për titujt e njëjtë në UKdheM është shembulli me rrogat e profesorëve të rregullt të njësisë “më të pasur” dhe asaj “më të varfër” – rroga mesatare e profesorit të rregullt 122.205 denarë, ndërsa te “njësia e më varfër” ajo është vetëm 36,194 denarë, që paraqet dallim prej 3.38 herë. Për më tepër, rroga e përgjithshme mesatare e punonjësve të katër njësive të UKdheM është nën 30.000 denarë – që është shumë e rrogës mesatare në vend të parashikuar nga kjo qeveri.
E gjithë kjo paraqet bazë për korrupsion sistemor në arsimin e lartë dhe shkencën në vendin tonë, si nga autoritetet, ashtu edhe nga ata për të cilët, kryesisht ekziston arsimi i lartë – studentët. Prandaj, në vend të zgjidhjeve selektive dhe paushalle që paraqesin blerje parazgjedhore të paqes sociale, SPA-ja kërkon zgjidhje sistemore të problemeve:
- në ligje të parashihen procedurat dhe kriteret për shpërndarjen e mjeteve buxhetore;
- të formohet Këshilli Kombëtar, i cili është paraparë në Ligjin për Arsimin e Lartë;
- në afat sa më të shpejt që është e mundur të nënshkruhet një marrëveshje kolektive e degës për arsimin e lartë dhe shkencën, në të cilën rroga e njëjtë minimale për një shkallë të caktuar të ndërlikueshmërisë së punës do të jetë bazë për përcaktimin e rrogave në të gjitha institucionet e arsimit të lartë dhe institutet shkencorë, do të caktohen kriteret për përcaktimin e drejtë të koeficientëve të ndërlikueshmërisë në bazë të kërkesave të vendit të punës, do të pamundësohet ndryshimin e njëanshëm i vlerës së koeficientit nga ana e MASH-it dhe do të garantohet e drejta ligjore për shtesa në bazë të stazhit për të gjithë punonjësit.
***
Fotografia: Radio MOF
—————————————————
24 Nëntor 2019