Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Sot 02.03.2021 në kuadër të projektit Dialog me organizatat qytetare – Platforma për pjesëmarrje strukturore në integrimin në BE u mbajt një konsultim i sektorit në internet në temën “Efektet e punës së Grupit Sektorial të Punës për mjedisin jetësor dhe aksionet klimatike dhe sfidat e ardhshme për përmirësimin e bashkëpunimit midis organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve”

Drejtoresha ekzekutive e Fondacionit Shoqëri e Hapur – Maqedoni, Fani KARANFILLOVA-PANOVSKA theksoi se zbatimi i aksioneve klimatike, të hartuara mirë, efektive dhe efikase, nuk mund të vonohet më. Aksionet klimatike janë një nga tre prioritetet e Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur në rajon, theksoi ajo, duke shtuar se në prioritetet strategjike, tre K-të, përveç aksioneve klimatike, janë edhe Kovid-19 dhe korrupsioni.  Sipas Karanfillova-Panovskës, zbutja e pasojave të ndryshimeve klimatike dhe kërkimi i transformimeve sistematike duhet të ofrojë mundësi të reja ekonomike që do të shpërndahen në një mënyrë më të drejtë dhe nuk do t’i lënë pas kategoritë e cenueshme të qytetarëve. Lidhur me Kapitullin 27 – Mjedisi Jetësor dhe Ndryshimet Klimatike, ajo theksoi se ky është kapitulli më i madh, për të cilin definitivisht nevojiten më shumë financime dhe investime, gjë që vetëm se e konfirmon më tej rëndësinë e përfshirjes së të gjitha palëve të interesuara në hartimin e politikave për këto tema të rëndësishme. Në fund, në lidhje me punën e Grupit sektorial të punës për Mjedisin Jetësor dhe Ndryshimet Klimatike, ajo theksoi se përkundër asaj se ky grup është themeluar në vitin 2015, ai ende nuk ka miratuar rregullore të punës, e as vendim për punë. Në të njëjtën kohë, GSP-ja si një mekanizëm formal për bashkëpunim midis shoqërisë civile dhe institucioneve, është e nevojshme të krijojë një plan vjetor të punës, në mënyrë që të jetë në gjendje të parashikojë dinamikën dhe pritjet e punës së këtij grupi.

Blazhen MALESKI, hulumtues në “Reaktor” i prezantoi gjetjet kryesore të raportit të fundit për punën e Grupit sektorial të punës për Mjedisin Jetësor dhe Ndryshimet Klimatike. Ai vuri në dukje problemet me transparencën e punës së tij, mungesën e rregullores së punës dhe vendimit për punë. Në të njëjtën kohë, ai theksoi se megjithëse ky Grup sektorial i punës duhet të garantojë pjesëmarrjen qytetare dhe ka një interes të fortë për punën e tij, ai mbetet një nga grupet më të mbyllura të punës. Ai shtoi se Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor e sheh këtë grup si një barrë shtesë, në vend se si një burim i rëndësishëm për hartimin e politikave. Prandaj, Malevski rekomandoi që pjesëmarrja e organizatave të shoqërisë civile në këtë GSP të përcaktohet qartë, në mënyrë transparente dhe proaktive, dhe përgjithësisht të punohet në avancimin e transparencës së këtij GSP.

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser NUREDINI theksoi se ministria ka një politikë të dyerve të hapura dhe se ata kanë takime të rregullta me organizatat e shoqërisë civile në hartimin e politikave. Nuredini theksoi se ekziston një vetëdije e qartë se ndryshimet klimatike janë kërcënimi më i madh për njerëzimin dhe se janë të njohura implikimet mbi jetën e njeriut. Ai shtoi se duke pasur parasysh krizën e Kovid-19, periudha aktuale nuk është më e mira për aktivitete në këtë fushë, pasi nuk ka vaksinë për ndryshimet klimatike. Mirëpo qeveria po punon në mënyrë aktive për të vendosur një qëllim të qartë për aksionet klimatike që do të synojnë edhe uljen e emetimeve të gazrave serë dhe se në këtë proces bashkëpunojmë edhe me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë.

Udhëheqësi i Sektorit për Bashkëpunim në Delegacionin e Bashkimit Evropian, Nikolla BERTOLINI vuri në dukje se mbrojtja e mjedisit jetësor nuk është prioritet i institucioneve shtetërore, dhe për këtë arsye nuk janë investuar në të, burimet e nevojshme, as financiare, e as kadrovike.  Sipas tij, politikanët punojnë vetëm me kërkesë të qytetarëve. Nëse kohë më parë ndodhi “revolucioni laraman”, tani është i nevojshëm një revolucion ekologjik dhe në atë drejtim është e nevojshme që organizatat e shoqërisë civile t’i mobilizojnë qytetarët dhe mbrojtja e mjedisit jetësor të bëhet prioritet. Sa i përket Grupit sektorial të punës për Mjedisin Jetësor dhe Ndryshimet Klimatike, Bertolini theksoi se ai duhet të piqet dhe nga koncepti aktual si Grup sektorial i punës për programimin e projekteve IPA duhet të rritet në një organ që do të synojë krijimin e politikave dhe aksioneve për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe që do ta dëgjojë zërin e shoqërisë civile.

Grupi sektorial i punës për Mjedisin Jetësor dhe Ndryshimet Klimatike ka një përfshirje të gjerë të institucioneve kompetente për krijimin e politikave në lidhje me këtë temë. Për punën e tij, përgjegjëse është Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor. Përbërja e Grupit sektorial të punës përfshin përfaqësues të institucioneve shtetërore që kanë kompetencë në këtë fushë, komunitetin e donatorëve dhe organizatat e shoqërisë civile. Grupi sektorial i punës përfshin gjashtë (6) përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, por për shkak të mungesës së akteve formale për punën e grupit sektorial, statusi i tyre është i parregulluar.

Në ngjarjen morrën pjesë mbi tetëdhjetë përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, institucioneve shtetërore, përfaqësuesve të grupeve sektoriale dhe mediave.

Kjo konferencë është pjesë e projektit “Dialog me organizatat qytetare – Platformë për pjesëmarrje strukturore në integrimin në BE”, të cilin e koordinon dhe e implementon Fondacioni Shoqëri e Hapur- Maqedoni, me partnerët Reaktor – Hulumtimi në Aksion, EUROTHINK – Qendra për strategji evropiane dhe Qendra për komunikime qytetare.

Videon e ngjarjes mund ta shihni në këtë link.

Raporti i plotë për Grupin sektorial të punës për Reformën e Administratës Publike mund të shkarkoni në këtë link.

—————————————————

2 Mars 2021