Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi mbajti promovim të dokumentit të politikave publike me fokus në dhunimin dhe ngacmimin seksual “Si të mbrohemi efektive në rastet e dhunës seksuale?”. Ngjarja u organizua në kuadër të shënimit të fushatës ndërkombëtare 16 ditë të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore. Qëllimi i tij ishte të promovonte zgjidhje të propozuara për mbrojtjen efektive të viktimave të dhunës seksuale në përputhje me detyrimet e pranuara tashmë nga Konventa e Stambollit dhe të kërkonte miratimin e menjëhershëm të ndryshimeve në Kodin Penal (KPP).
Në periudhën e pritjes së ndryshimeve të KP-së, të cilat kaluan në lexim të parë në Kuvendin e RMV-së, pas më shumë se një viti, vërehet zbatimi joadekuat i procedurave për ndjekjen penale të autorëve të dhunës seksuale, zgjatja e procedurave, kualifikimi i papërshtatshëm i veprave dhe ndërprerja e pajustifikuar e ndjekjeve penale, me ç’rast ndëshkohen viktimat në vend të autorëve.
Dragana Dërndarevska nga Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe këshilltare ligjore në Koalicionin MARGJINAT e hapi ngjarjen duke theksuar se “vonesa në miratimin e amendamenteve të KP-së do të thotë se ende nuk kemi një konsensus mes partive politike për çështjen e mbrojtjes së viktimave nga dhuna me bazë gjinore dhe seksuale”. Dërndarevska foli për amendamentet e propozuara që Rrjeti për mbrojtje nga diskriminimi dhe Platforma gjinore i kanë dorëzuar në Kuvend, me të cilat kërkohen ndryshime në definicionin e ngacmimit seksual. “Teksti e inkriminon vetëm ngacmimin seksual nga një person në raport me të cilin viktima është në gjendje të varur apo të cenueshme, ku nuk mbulohen rastet kur autori është koleg në të njëjtin pozicion, bashkë-nxënës, koleg në universitet apo një person i tretë i panjohur. Gjithashtu nuk i mbulon ngacmimet seksuale në internet, megjithëse këtë e kërkon Konventa e Stambollit. “Rasti i “Dhomës Publike” i referohej ngacmimeve seksuale online dhe një nga arsyetimet për mosveprim në rastet ndaj viktimave moshë-rritura ishte fakti se vepra penale nuk parashikohet në Kodin Penal”, theksoi ajo.
Drejtori ekzekutiv i Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Uranija Pirovska thekson se është shumë e rëndësishme që krimi i përdhunimit të modifikohet pasi pëlqimi do të ishte kyç për vërtetimin e tij, sepse ligji aktual kërkon përdorimin e forcës në kundërshtim me standardet ndërkombëtare, gjë që paraqet edhe pengesë praktike për ndjekjen penale të autorëve në shumë raste. Pirovska shtoi se pëlqimi duhet të jepet vullnetarisht, pa shtrëngim, shantazh dhe detyrim dhe duhet të vlerësohet sipas rrethanave të secilit rast veç e veç.
Elena Dimushevska, Drejtoresha Ekzekutive e Rrjetit Kombëtar kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, dha një pasqyrë të përqindjes së vogël prej 2% të raportimeve të dhunës në vendin tonë nga numri total i rasteve në realitet, që do të thotë se numri aktual i rasteve do të ishte alarmant. Sipas saj, institucionet tona nuk janë të njohura me mekanizmat mbështetës dhe rrallëherë i referojnë viktimat në disa nga qendrat rajonale për ofrimin e saj. “Procedura e përgatitur nga Ministria e Shëndetësisë vetëm inkurajon praktikën e viktimizimit, prandaj edhe numri i viktimave të raportuara dhe atyre që kanë marrë shërbime nga qendrat është dy herë më i ulët”, theksoi Dimushevska. Ajo shpjegoi se edhe kur viktimat vendosin të raportojnë, ata marrin ndihmë në kohën e duhur dhe presin me orë të tëra për shkak të punësimit të parregulluar dhe punës vullnetare në qendra. Prandaj, rekomandohet që Ministria e Shëndetësisë të ndajë mjete të mjaftueshme financiare për zgjidhjen e këtyre problemeve dhe motivimin e viktimave për të denoncuar dhunën, gjë që është kusht për fillimin e procedurave për ndjekjen penale të autorit.
Snezhana Kaleska-Vançeva, kryetare e Komisionit Ligjvënës-Juridik të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, tha se “ndryshimet e KP-së do të nënkuptojnë fillimin e vërtetë të zbatimit të Konventës së Stambollit, ratifikimi i së cilës është për shkak të presionit të grave deputete në Kuvend”. Deputetja theksoi se amendamentet e organizatave të shoqërisë civile po merren seriozisht, por nuk ka mundur të thotë nëse dhe në çfarë mase do të pranohen.
Tona Kareva, këshilltare juridike nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut dhe anëtare e Rrjetit për Mbrojtje nga Diskriminimi, njëherësh autore e dokumentit për politika publike, i prezantoi gjetjet e tij. “Dhuna seksuale që është në fokus të këtij dokumenti, si një nga format e dhunës ndaj grave, është një formë e dhunës me bazë gjinore që prek në mënyrë disproporcionale gratë. Megjithatë, në shumicën e rasteve, autorët janë meshkujt. “Kur dëgjohet se një grua ka qenë viktimë e dhunës seksuale, faji zakonisht kërkohet te ajo”, deklaroi ajo. Kjo është arsyeja pse Kareva e prezantoi analizën krahasuese të përfshirë në publikimin që i mbulon praktikat e mira nga tri vende dhe raste të ndryshme, dhe i prezantoi format e ndryshme të dhunës seksuale, duke përfshirë ngacmimin seksual, shfrytëzimin, dhunën, sulmin dhe përdhunimin. “Në këto raste bëhet fjalë për shumë më tepër sesa thjesht pasoja fizike. Këto raste kanë pasoja të mëdha psikologjike dhe dhuna që përjetojnë viktimat prek edhe të afërmit e tyre. Dokumenti ofron një analizë të standardeve ndërkombëtare për mbrojtjen kundër dhunës seksuale, si p.sh. “Konventa për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit kundër grave – CEDAW, Deklarata për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe Konventa për Parandalimin dhe Luftimin e Përdhunimit ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, e njohur si Konventa e Stambollit” – shpjegoi ajo.
Angelina Stanojoska, profesoreshë e kriminalistikës në Fakultetin Juridik në Universitetin “Shën Kliment i Ohrit” në Manastir, e mbylli ngjarjen duke theksuar se ky dokument është domethënës për përmirësimin e inkriminimeve aktuale. “Në fakt, rekomandimet që jep dokumenti do të mundësonin pajtueshmëri të plotë me dokumentet ndërkombëtare dhe ligjet që i kemi tani”, thotë ajo. “Kur bëhet fjalë për profilet e autorëve, fillimisht duhet të shikohen faktorët që i paraprijnë ekzistencës së dhunës seksuale. Diana Skali thotë se përdhunimi nuk është vetëm një grup teknikash biheviorale, por edhe stereotipe dhe vlera të shtrembëruara që ekzistojnë në një shoqëri dhe i mësojnë një personi se veprime të caktuara janë të justifikuara. Hulumtimet tregojnë se përdhunimi në përgjithësi është mjeti me të cilin burrat më shpesh i frikësojnë gratë. Një aspekt i rëndësishëm që i përgjigjet shoqërisë maqedonase është se përdhunimi është rezultat i të mësuarit social, se si mediat, për shembull, i portretizojnë gratë…”, theksoi Stanojoska. “Për sa i përket parandalimit, është shumë e rëndësishme se si i edukojmë të rinjtë, si i mësojmë djemtë dhe vajzat se duhet të sillen, të braktisin stereotipet gjinore… që djemtë të mos edukohen për të qenë dominues, ndërsa vajzat të mësohen që të mos jenë në rolin e sendit. Një edukim i tillë duhet të zbatohet nga shteti, sepse edukimi në shtëpi nuk mjafton”.
Dokumenti mund të merret në këtë link.
Kjo ngjarje si dhe dokumenti i përgatitur për politikat publike janë aktivitete në kuadër të projektit “Rrjeti për mbrojtje nga diskriminimi: Avancimi i politikave dhe praktikave për mbrojtje nga diskriminimi dhe promovimi i barazisë” , që financohet nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni.
—————————————————
13 Dhjetor 2022