Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Kriza e shkaktuar nga KOVID-19 solli një numër të madh të vendeve të humbura të punës, ulje të rrogave dhe rrezik për shëndetin fizik dhe mendor të punëtorëve dhe punëtoreve në industrinë e tekstilit. Nga ana tjetër, kërkesa e huaj për produkte tekstile e rrezikoi likuiditetin e kompanive dhe kontribuoi në uljen e eksportit të përgjithshëm neto për 300% në vitin 2020 krahasuar me vitin 2019.

Këto janë vetëm disa nga gjetjet që u prezantuan në diskutimin e sotëm në panel në temën “Industria në krizë – Sfidat e industrisë së tekstilit para dhe pas krizës së KOVID-19”, që u organizua nga Shoqata për Hulumtime dhe Analiza ZMAI.

Në fjalën hyrëse të Drejtores së Programit për Sundimin e Ligjit dhe Qeverisje të Mirë, Dançe Danillovska Bajdevska u theksua konkluzioni i përgjithshëm se të drejtat e punëtorëve të tekstilit janë shkelur në masë të madhe dhe se sektori i tekstilit është në fakt një nga sektorët më të prekur nga kriza me KOVID-19.  “Në këtë kontekst, politikat e ardhshme publike për përmirësimin e situatës në industrinë e tekstilit duhet të synojnë sigurimin e qëndrueshmërisë afatgjatë dhe kthimit të qëndrueshëm të rritjes dhe zhvillimit të teknologjive dhe kushteve ekonomike për punëtorët dhe punëdhënësit”, theksoi Danillovska Bajdevska.

Viktor Stojkoski, një nga studiuesit kryesorë të projektit, vuri në dukje se analiza e të dhënave nga institucionet shtetërore dhe vetëqeverisjet lokale tregon se papunësia në industrinë e tekstilit u rrit për 128%, ndërsa përqindja e personave me të ardhura nën rrogën minimale u rrit për 17,6% në prill të vitit 2020. Këto rezultate janë dëshpëruese dhe tregojnë se industria e tekstilit ishte e paqëndrueshme edhe para fillimit të pandemisë, por me shfaqjen e saj këto probleme dolën në pah.

Sipas drejtories së Inspektoratit Shtetëror të Punës, Jovana Trençevska, është e nevojshme të zbatohen me konsekuencë masat dhe detyrimet ligjore që dalin nga ligjet dhe nga Vendimi për masat parandaluese, masat e përkohshme, masat e urdhëruara, protokollet e dedikuara, planet dhe algoritmet për veprim për mbrojtjen e shëndetit të popullatës nga sëmundja ngjitëse KOVID- 19 e shkaktuar nga virusi SARS-CoV-2, ndërkohë që punëtorët këshillohen t’u përmbahen të gjitha rekomandimeve dhe udhëzimeve përkatëse nga punëdhënësit që duhet të ofrojnë kushte të sigurta dhe të shëndetshme pune, si dhe inkurajimin për të raportuar çdo shkelje të marrëdhënies së punës ose sigurisë dhe shëndetit në punë, në Inspektoratin Shtetëror të Punës.

Në sektorin e tekstilit gjatë vitit 2020 janë kryer 1443 mbikëqyrje, janë shqiptuar 173 masa inspektuese dhe është iniciuar propozim për ngritjen e 1 (një) aktpadie penale. Inspektimet intensive vazhdojnë edhe në vitin 2021. Në periudhën janar-maj 2021 janë kryer 700 mbikëqyrje në sektorin e tekstilit, ndërsa janë shqiptuar 202 masa inspektuese”, theksoi Trençevska.

“Gllasen Tekstilec” ishte një nga shoqatat që ishte aktive dhe e zëshme kur është fjala për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe punëtoreve në industrinë e tekstilit gjatë krizës.

“Unë mendoj se kriza e koronës i ka çuar mbrapa në mënyrë drastike të drejtat e punëtoreve dhe të njeriut. U pa se fitimi është më i rëndësishëm se jeta e njeriut, gjegjësisht ekzistenca e punëtorit të zakonshëm dhe e gjithë familjes së tij. Janë rikthyer dukuritë devijuese që kemi arritur t’i eliminojmë në vitet e kaluara, si largimet verbale nga puna, pagesat e rrogave prej 2 denarësh, kthimi i një pjese të rrogës tek punëdhënësi, ndërprerjet miqësore të kontratave që punëtorët dëshmojnë se nuk i kanë nënshkruar. . Ajo që na shqetëson më shumë është guximi i disa punëdhënësve për të abuzuar me ndihmën shtetërore që kishte për qëllim vetëm ruajtjen e vendeve të punës dhe pagesën e rrogës minimale për punonjësit. Ai guxim mund t’i atribuohet vetëm mbrojtjes së pamjaftueshme nga institucionet që janë të obliguara të kujdesen, të parandalojnë dhe ta ndëshkojnë punën e papërgjegjshme nga ana e punëdhënësve”, deklaroi Kristina Ampeva nga “Gllasen Tekstilec”.

Gjithë diskutimin në panel mund ta ndiqni në këtë link:

https://www.youtube.com/watch?v=U1krD-fsI34

Ngjarja u organizua në kuadër të projektit “Përgjigje ndaj efekteve socio-ekonomike të KOVID-19 duke mbështetur grupe të cenueshme të punëtorëve me rrogë të ulët punëtorë që janë pjesë e ekonomisë joformale dhe punëtorë të përkohshëm”, i mbështetur nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni.

—————————————————

6 Korrik 2021