Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Shoqata Qendra Kombëtare e Romëve (QKR) nga Kumanova, së bashku me organizatat partnere, Shoqatën për Zhvillim dhe Avancim të Komunitetit Rom “Romano Çaçipe” (Shkup), IRIZ – Iniciativa për Zhvillim dhe Inkluzion të Komuniteteve (Shkup), Shoqata për Edukim Ligjor dhe Transparencë, Stacioni P.E.T. (Prilep), Qendra për Arte Bashkëkohore nga Shkupi dhe Fondacioni Shoqëri e Hapur Maqedoni, sot (28.12.2020) në Kumanovë realizuan një Aksion krijues artistik për qasje më të mirë të grave shtatzëna në shërbimet gjinekologjike.

Aksioni u zhvillua në sheshin “Jugosllavia e Re” – Kumanovë, ndërsa qëllimi ishte të aktualizoheshin problemet në publik dhe t’u dërgohej një mesazh autoriteteve për të siguruar një qasje më të mirë për gratë shtatzëna në shërbimet gjinekologjike, sepse 74% e grave rome paguajnë për kontrollet falas gjatë shtatzënisë, megjithëse të gjitha gratë shtatzëna dhe lehonat kanë të drejtë për shërbime shëndetësore falas.

Performanca në shesh përbëhej nga karroca të vendosura për foshnje, të cilat pas aksionit u dhuruan për familjet e rrezikuara në aspekt social, gjegjësisht gratë shtatzëna dhe lehonat. Mesazhet e krijuara që u vendosën së bashku me karrocat për foshnje bazohen në ngjarje të përditshme, përvoja personale, histori jetësore të transmetuara përmes mesazheve të shkruara duke i theksuar problemet me të cilat përballen gratë shtatzëna në qasjen në shërbime gjinekologjike.

Kalimtarët e rastit dhe aktorët e tjerë patën mundësinë t’i lexojnë mesazhet dhe të shohin drejtpërdrejt me cilat probleme përballen gratë shtatzëna, veçanërisht me pagimin e kontrolleve falas gjatë shtatëzënësisë, abuzimin me kontrollimin falas të EHO-s (300 denarë), shtupat mikrobiologjikë (300 denarë) dhe pagesën për librezën e nënës (500 denarë), e cila pako për një grua shtatzënë kushton 1.100 denarë.

Kushtetuta garanton qasje universale në mbrojtjen shëndetësore për të gjithë qytetarët, ndërsa Ligji për Mbrojtjen Shëndetësore, si dhe Ligji për Sigurimin Shëndetësor sigurojnë barazi në qasjen në institucionet e kujdesit shëndetësor duke e respektuar të drejtën për barazi të të gjithë qytetarëve. Por, përkundër një numri të madh të ligjeve, akteve nënligjore dhe programeve të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë, qytetarët çdo ditë gjatë ushtrimit të të drejtave të tyre të garantuara me ligj, hasin në probleme sepse ligjet nuk janë mjaft të sakta – të paqarta dhe zbatohen ndryshe në praktikë nga institucionet që i zbatojnë ato.

Megjithëse masat janë të parashikuara në Programet për kontrollet falas gjinekologjike të grave shtatzëna, gjinekologët megjithatë kërkojnë që ato të paguhen. Konfirmim i kësaj është edhe vlerësimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila vëren se shkaku i vdekjes është pasojë e ndërlikimeve gjatë shtatëzënësisë dhe lindjes, me ç’rast 94% e grave që kanë humbur jetën vijnë nga vendet me zhvillim të ulët ekonomik.

Përqindja e mosshfrytëzimit të kontrolleve gjinekologjike falas të grave shtatzëna është e lartë dhe arrin deri në 74%, ndërsa 90% kemi mosshfrytëzim të testeve laboratorike falas për gratë shtatzëna gjatë shtatëzënësisë. Tendenca ekziston gjithashtu edhe për mosshfrytëzimin e acidit folik falas për çdo grua shtatzënë që arrin deri në 95%.

* Aksioni është pjesë e trajnimit për aktivizmin krieativtë organizatave rome, të cilin e realizon Fondacioni Shoqëri e Hapur Maqedoni, ndërsa në trajnimin, si dhe në krijimin dhe zbatimin e aksionit marrin pjesë përfaqësues të Shoqatës Qendra Kombëtare e Romëve (Kumanovë); Shoqatës për Zhvillim dhe Avancim të Komunitetit Rom “Romano Çaçipe” (Shkup), IRIZ – Iniciativës për Zhvillim dhe Inkluzion të Komuniteteve (Shkup), Shoqatës për Edukim Ligjor dhe Transparencë, Stacioni P.E.T. (Prilep).

—————————————————

28 Dhjetor 2020