Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Agjenda 2030 për zhvillim të qëndrueshëm dhe 17 Qëllimet për zhvillim të qëndrueshëm paraqesin thirrje globale për veprim për t’i dhënë fund varfërisë ekstreme, për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme dhe zhvillim të planetit tonë, dhe për t’u mundësuar të gjithë njerëzve të gëzojnë barazi në paqe, drejtësi dhe prosperitet.

Qëllimi i zhvillimit 16.3 – Promovimi i sundimit të ligjit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar dhe sigurimi i qasjes në drejtësi për të gjithë është një element kryesor i Qëllimit të gjashtëmbëdhjetë të zhvillimit dhe e njeh lidhjen midis qasjes në drejtësi, uljes së varfërisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm inkluziv. Ky qëllim siguron një mundësi unike për të reflektuar se si qeveritë kombëtare mund të sigurojnë se rritja dhe zhvillimi ekonomik dhe strategjitë për zbutjen e varfërisë e përfshijnë edhe qasjen në drejtësi dhe iniciativat për fuqizim ligjor, si një pjesë integrale e arritjes së këtyre qëllimeve.

Transpondimi i QZhQ-ve në nivel kombëtar nënkupton përgatitjen e Strategjive dhe Planeve Aksionale për zhvillim të qëndrueshëm në afat të shkurtër, të mesëm dhe të gjatë deri në vitin 2030. Për këtë proces në nivelin kombëtar, shtetet përgatisin një Analizë Kombëtare Vullnetare (Voluntary National Review – VNR), mekanizëm për raportim për atë se si vendet i zbatojnë Qëllimet. Në prag të Forumit politik të nivelit të lartë / HLPF, në korrik të vitit 2020, Republika e Maqedonisë së Veriut përgatiti një raport që do të shqyrtohet gjatë këtij Forumi, ndërsa Koalicioni Margjinat dhe Shoqata ESE si organizata që punojnë për shumë vite për avancimin e qasjes në drejtësi për komunitete e margjinalizuara, dorëzuan një raport Spotlight, ku janë theksuar mangësitë e identifikuara në zbatimin e Qëllimit 16.3 dhe ku janë propozuar veprime konkrete për ta përmirësuar qasjen në drejtësi.

Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm duhet të krijojnë partneritete për bashkëpunim, shkëmbim të përvojave dhe njohurive, ndihmë financiare dhe teknike midis qeverive dhe përfshirjen e komunitetit të biznesit, donatorëve, të akademisë dhe të shoqërisë civile në zbatimin e tyre. Në këtë drejtim, raporti Spotlight do të jetë një katalizator për zbatimin e Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm në nivel kombëtar, duke e forcuar bashkëpunimin dhe koordinimin midis Qeverisë, shoqatave dhe palëve të tjera të interesuara.

Shihni gjetjet dhe rekomandimet në këtë LINK

—————————————————

27 Maj 2020