Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Në raportin e Komisionit Evropian për vitin 2021 theksohet miratimi i Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, për miratimin e të cilit potencohet se u sigurua mbështetje ndërpartiake. Raporti gjithashtu thekson rolin kyç të sektorit të shoqërisë civile në monitorimin e punës së institucioneve dhe në pjesëmarrjen në vendimmarrje në fushën e anti-diskriminimit.

Raporti gjithashtu e përshëndet formimin e Komisionit, veçanërisht emërimin e disa anëtarëve të shoqërisë civile me përvojë relevante në këtë fushë. Por, ka pasur edhe kritika për mungesën e grave dhe personave me aftësi të kufizuara në përbërjen e tij. Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ka apeluar për këtë problem për faktin se në konkurs u paraqitën persona nga këto grupe, të cilët më mirë i kanë plotësuar kriteret e konkursit se sa disa prej anëtarëve të zgjedhur. Në muajt e parë pas zgjedhjes së anëtarëve, siç theksohet në Raport, Komisioni u përball me një sërë sfidash logjistike dhe financiare që duheshin adresuar urgjentisht në mënyrë që puna e tij të ishte plotësisht efektive. Rrjeti vëren se disa nga problemet që ende janë aktuale janë: Formimi i shërbimit profesional me numër të mjaftueshëm punonjësish për përmbushjen e plotë të mandatit; zgjedhja e një kandidati të pavarur dhe profesionist si anëtar i shtatë i Komisionit; miratimi i akteve të brendshme për punë; rritja e buxhetit përmes kritereve objektive në përputhje me kompetencat; krijimi i ueb-faqes dhe sigurimi i transparencës në punë, etj. Për të tejkaluar këto sfida, është e nevojshme që Komisioni të marrë mbështetjen e duhur nga institucionet kryesore.

Sa i përket Avokatit të Popullit, Raporti i thekson shqetësimet për shkak të përkatësisë partiake të kandidatit të zgjedhur. Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi apeloi për përzgjedhjen e kandidatit sipas meritës dhe e ndoqi procesin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, të cilin e vlerësoi si jashtëzakonisht jotransparent dhe pa mundësi reale për pjesëmarrje të kandidatëve të pavarur dhe profesionistë. Raporti po ashtu vë në dukje mungesën e stafit të njësisë për mosdiskriminim tek Avokati i Popullit, nevojën për emërimin e zëvendësve dhe nevojën e rritjes së buxhetit të institucionit në përputhje me kompetencat. Vihet në dukje se Avokati i Popullit ka filluar të raportojë për rastet e diskriminimit në përputhje me Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi. Megjithatë, Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi konsideron se Avokati i Popullit në raportin për vitin 2020 nuk ka raportuar në përputhje me obligimin ligjor që kërkon raportimi për rastet të jetë i ndarës sipas bazave të diskriminimit.

Komisioni Evropian e përsërit thirrjen e tij që të gjitha këto pozita në organet e pavarura të emërohen mbi bazën e meritës. Me këtë rast theksohet se pavarësia funksionale e këtyre organeve (Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Avokatit të Popullit) duhet të garantohet vazhdimisht, ndër të tjera, edhe duke siguruar burime të mjaftueshme financiare për funksionimin e tyre të papenguar dhe gjithëpërfshirës.

Raporti vë në dukje mungesën e mbledhjes sistematike të të dhënave për gjuhën e urrejtjes, prandaj kërkon një qasje proaktive dhe holistike për trajtimin e problemit të gjuhës së urrejtjes dhe krimeve të urrejtjes. Sipas të dhënave dhe përvojave të Rrjetit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, organet e hetuesisë pothuajse aspak nuk njohin dhe nuk zbatojnë procedura efektive për mbrojtjen nga gjuha e urrejtjes dhe krimet e urrejtjes, për të cilat ende pritet ndonjë progres.

Raporti flete edhe për format sistematike të diskriminimit ndaj romëve, personave me aftësi të kufizuara, personave LGBTI, barazinë gjinore dhe kushtet në burgje, të cilat kërkojnë përpjekje shtesë dhe të vazhdueshme për t’u kapërcyer. KE-ja konstaton se mangësitë strukturore janë ende duke u vërejtur edhe në tregun e punës, që e pamundësojnë rritjen dhe zhvillimin e mundshëm. Hendeku gjinor në tregun e punës në vitin 2020 është rritur për 22.7 për qind, për faktin se pjesa më e madhe e grave (krahasuar me burrat) janë përjashtuar nga tregu i punës këtë vit. Shkalla e punësimit te burrat (20-64 vjeç) në vitin 2020 ishte 68.9%, ndërsa te gratë 49%, duke rezultuar me një hendek të lartë gjinor në aspekt të punësimit prej 19.9 për qind.

Në përgjithësi, ka një kornizë ligjore të përshtatshme, por ka edhe mungesë të zbatimit të saj në shumë fusha. Prandaj, rekomandimi kryesor i Komisionit Evropian në fushën e diskriminimit është zbatimi i plotë i dispozitave të Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe ndarja e resurseve të nevojshme për të mundësuar funksionimin e plotë të Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi.

—————————————————

27 Tetor 2021