Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Nga Putini deri te Trampi, nga Viktor Orbani dhe Xhi Xhinping, disa liderë botërorë kanë akuzuar manjatin hungarez se po përpiqet t’i heqë ata nga pushteti. Në Spanjë, armiku i tij kryesor është partia Vox.

Ky është njeriu që bashkon ekstremin e djathtë amerikan dhe të majtën ekstreme evropiane, njeriu që lidh Vladimir Putinin në Rusi me partinë Vox në Spanjë, regjimin kinez me Viktor Orbanin në Hungari. Xhorxh Sorosi, një investitor dhe filantrop, së shpejti do të jetë në vitet e 90-ta, por ai ende ka një vizion të qartë, mendjemprehtësi analitike dhe ironi që e kanë karakterizuar gjithmonë. Disa e akuzojnë se po përpiqet të mbushë Evropën me emigrantë myslimanë për t’i dobësuar rrënjët e krishtera të kontinentit. Të tjerë e akuzojnë atë se po përpiqet të shkatërrojë Bashkimin Evropian me qëllim të imponimit të vlerave neoliberale, anglo-saksone. E pyes për aftësinë e tij për të shkaktuar frikë nga shkëmbimet globale. “Jam krenar për armiqtë që kam”, përgjigjet me buzëqeshje. “Puna ime dhe puna e fondacioneve të mia është të promovoj dhe forcoj shoqëritë e hapura, dhe për këtë arsye, kjo më thotë që ne po bëjmë gjënë e duhur”, megjithëse me ironi konstaton se “ana e keqe është se, për momentin, kemi pak si tepër armiq”.

Kështu Sorosi, një njeri i cili pasi e mbijetoi okupimin nazist të Hungarisë, i mësoi pothuajse të gjitha mësimet thelbësore që i dhanë mundësi të kishte një jetë të suksesshme në botën financiare, por edhe në botën e filantropisë. Madje edhe sot, Sorosi është mishërimi më i dukshëm i idealeve të filozofit austriak, Carl Popper. Fondacionet e tij mbajnë emrin Shoqëri e hapur për nder të njërit prej mendimtarëve më të mëdhenj jo vetëm për temën e lirisë, por edhe për brishtësinë e saj dhe rrjedhimisht, për nevojën për ta mbrojtur atë pa u lodhur dhe vazhdimisht. Sorosi vazhdon të kënaqet duke folur për dy konceptet (refleksivitetin dhe gabimin) që e përbëjnë filozofinë e jetës së tij. Në botën e Sorosit, askush nuk e posedon të vërtetën, dhe atë duhet ta zbulojmë atë duke bërë pyetje rreth realitetit me ndihmën e parimeve dhe vlerave tona.

Unë po flas me të përmes video-konferencës: ai në Nju Jork, unë në Madrid. Ne u takuam personalisht më shumë se një dekadë më parë, kur së bashku me Martti Ahtisaari (fitues i Çmimit Nobel për Paqen), Joschka Fischer, Emma Bonino, Javier Solana, Diego Hidalgo, Anna Palacio dhe figura të tjera evropiane, ai drejtoi formimin e Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, një organizatë e përkushtuar për të arritur Evropën me një zë, të bashkuar në mbrojtje të vlerave dhe parimeve të saj, dhe unë pranova të drejtoja zyrën në Madrid. Kjo është vetëm një pjesë e vogël e veprimtarisë filantropike që deri më tani ka rezultuar në dhurimin e 32 miliardë dollarëve për organizatat e ngjashme që promovojnë demokracinë, të drejtat e njeriut, lirinë e mendimit dhe lirinë e shprehjes, gazetarinë, drejtësinë, refugjatët dhe luftën kundër diskriminimit të grupeve të tilla siç janë romët ose personat LGBTI.

Qëllimi i dhurimit të parë, në vitin 1979, ishte të sigurojë bursa për të rinjtë nga Afrika e Jugut për të studiuar dhe për të kapërcyer pengesat e aparteidit. Më vonë pasoi ndihma për opozitën në Hungari, me një program bursash dhe makinash për fotokopje për shtypjen e ”samizdat” -it të tij (botimi i pavarur i librave të ndaluara nga shteti) – një blerje që i mundësoi të fitonte para nga regjimi komunist për shkak të politikës së tij absurde të kursit të këmbimit. Kjo veprimtari rezultoi në një rrjet global fondacionesh, të cilat, në masë të madhe, ishin të pranishme gjatë proceseve të ndryshimeve demokratike dhe transformimeve shoqërore që pasuan pas tyre, por edhe në ndërtimin e një rendi më të drejtë shumëpalësh, të bazuar në rregulla dhe zgjidhje paqësore të konflikteve.

Në Spanjë, “efekti Soros” më parë ishte fajësim që përdorej nga e majta për rolin e tij në zhvlerësimin e paundit britanik dhe (si rezultat i kësaj) edhe të pezetës spanjolle. Kohët e fundit, akuza të tilla janë rishfaqur për shkak të aktivizmit të partisë Vox, e cila ka përqafuar dhe adaptuar mesazhet dhe teknikat e ekstremit të djathtë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rezultati i kësaj është një koktej në të cilin agjitacioni në rrjetet sociale është përzier me dezinformata dhe lajme të rreme të përhapura nga pseudo-media, analistë që jetojnë në studimin e emisioneve informuese-argëtuese dhe, në fund, me pamflete dhe shpifje (Sorosi shkatërron Spanjën), në të cilat ai nuk akuohet vetëm për financimin dhe mbështetjen e shkëputjes së Katalonisë, por edhe për infiltrim në shoqërinë spanjolle deri në atë masë, saqë dyshohet se ka kontroll ose ndikim mbi figura të ndryshme si Federico Jimenez Losantos, avokatin e Carlos Puigemont, Gonzalo Boye dhe gazetën El Paiz.

Akuzat se ai mbështeti dhe financoi shkëputjen e Katalonisë (për të cilën Javier Solana, Diego Hidalgo dhe Anna Palacio thonë se janë po aq të befasuar) nuk janë asgjë e re, por janë të dobishme për të ekspozuar fushatat e tilla. Një shembull për këtë është Hungaria, ku Orbani jo vetëm që nxiti urrejtje ndaj Sorosit (nga fondacioni i të cilit ka marrë grant), duke organizuar një referendum për këtë çështje, por gjithashtu e ngacmoi Universitetin e Evropës Qendrore nën udhëheqejn e Mikhail Ignatievit, deri në mbylljen e tij. Në rastin e Spanjës, jo vetëm që nuk ka asnjë provë që Sorosi mbështeti shkëputjen e Katalonisë, por përkundrazi, siç u dëshmua, Rusia është ajo që ndërhyri, në marrëveshje me separatistët katalanas dhe në përputhje me fushatat që i zhvillon kundër demokracive të tjera, përmes mediave të saj zyrtare, rrjeteve sociale dhe aleatëve të tjerë, si Julian Assange dhe Edward Snowden. Qëllimi i gjithë kësaj ishte të dobësohej pozita e një anëtari kryesor të BE-së dhe NATO-s në një kohë kur vëmendja ndërkombëtare ishte përqendruar në ndërhyrjen ushtarake të Rusisë në Ukrainë dhe aneksimin e paligjshëm të Krimesë.

Gjatë bisedës sonë, unë e pyes përsëri dhe ai padyshim konfirmon se “është një gënjeshtër e plotë se ne promovojmë nacionalizëm kur, në realitet, ne preferojmë bashkëpunimin ndërkombëtar. As unë dhe as Fondacioni i Shoqërisë së Hapur nuk kemi marrë asnjë pozicion mbi pavarësinë e Katalonisë. Kjo është një akuzë e rreme”.

Qëllimi përfundimtar i dezinformimit nuk është aq shumë për atë se ne besojmë në një të vërtetë alternative – e vërteta gjithmonë do të jetë e brishtë dhe e lehtë për t’u thyer – por se përhapja e pretendimit se ata që janë në pushtet i fshehin faktet që do t’i nxirrnin në shesh veprimet e tyre e bën të pamundur ta dimë të vërtetën. Prandaj, në vend që të humbim kohë duke mohuar teoritë e komplotit, ne duhet të insistojmë në fakte. Shikoni, për shembull, akuzat kundër Soros se ai dëshiron ta dobësojë ose ta shkatërrojë Evropën. Nuk është me rëndësi se sa herë ai e ka dëshmuar veten, me fjalë ose me vepër, si mbrojtës i ashpër i unitetit evropian. Gjatë bisedës, Sorosi jo vetëm që kujtoi se angazhimi i tij për integrimin evropian mund të shkojë prapa deri në lindjen e institucioneve evropiane (“Unë e shikova”, thotë ai, “zhvillimin e Bashkimit Evropian që nga koha e komunitetit të qymyrit dhe çelikut e deri në krijimin e Bashkimit Evropian”), por edhe atë se i justifikon ata për sa kohë që idealet mbi të cilat bazohet procesi i integrimit evropian përshtatet në mënyrë perfekte në projektin e shoqërisë së hapur, që pati një ndikim të madh në veprimtarinë e tij të përgjithshme filantropike.

Angazhimi i tij për Evropën vazhdon edhe sot. Propozimi i tij i fundit në dritën e një krize të tillë si Kovid-19, pasojat e së cilës e shqetësojnë seriozisht, ka të bëjë me atë se BE-ja duhet të lëshojë “obligacione të përhershme” me të cilat do të financohej rimëkëmbja e ekonomisë. Ideja u prit mirë (“Spanja ka dhënë një kontribut të madh për të shpjeguar rëndësinë e saj”, pranon ai) sepse obligacionet e tilla do të lejojnë bashkimin e shumë më shumë burimeve, deri në 1 trilion euro, me një çmim prej vetëm një të dhjetës (5 miliardë euro në vit), për dallim nga emetimi i një obligacioni 30-vjeçar. E pyes për rifillimin e rivalitetit midis veriut dhe jugut, midis katolikëve dhe protestantëve, sa herë që Evropa është në krizë, e ai thekson se, sigurisht, shumë njerëz në Holandë nuk janë as të vetëdijshëm se “obligacionet e përhershme janë përdorur qysh në vitin 1648, kur Këshilli Holandez i Ujërave i lëshoi ato për të financuar rindërtimin e pendëve

Nëse armiqtë e Soros janë të ndryshëm, kjo është për shkak se armiqtë e demokracisë janë të ndryshëm. Kjo shpjegon pse aktivizmi i tij nuk bën dallimin midis të djathtës dhe të majtës, midis ngjyrave ose midis vendeve. Një nga shqetësimet e tij më të mëdha tani është roli i teknologjisë digjitale. Në një nga fjalimet e tij të fundit, ai ishte kritik ndaj platformave më të mëdha digjitale, të cilat ai akuzoi se veprojnë si monopole që e duke shfrytëzojnë të drejtën e përdoruesve për të hyrë në të dhënat e tyre, dhe madje i bëri thirrje Mark Zuckerbergut të hiqte dorë nga Facebook-u – ashtu si i kërkoi edhe qeverisë në Kinë. Për Sorosin, “zhvillimi i inteligjencës artificiale dhe i ashtuquajturi sistemi i kredisë shoqërore që po e zhvillon Kina janë kërcënimi më i madh për një shoqëri të hapur”.

Përfundoj me një përpjekje për të joshur Soros të vëmë bast: “Cilat janë shanset që Trump të rizgjidhet?” “Askush nuk mund ta akuzojë Putinin ose Ji Jinping se nuk janë të mençur,” përgjigjet ai me ironi. “Trump – i cili gjithashtu dëshiron të jetë një diktator – mund të akuzohet se nuk është i mençur.” “Në fakt, Trump nuk mund të fitojë një mandat të dytë për shkak të mënyrës se si ai nuk arriti të merrej me virusin, i cili ka shkaktuar shumë vdekje të padëshiruara.” Megjithatë, ai paralajmëron se: “Shansi i vetëm [i Trumpit] për të fituar është të vjedhë zgjedhjet duke përdorur gjendjen e jashtëzakonshme me virusin për të futur masa që do të dekurajojnë njerëzit të votojnë me postë.” Kjo është mundësia e vetme, dhe ai vetë e pranon atë, madje edhe nëse kjo e shtyn shërbimin postar në falimentim”. Soros e përfundon bisedën me paralajmërimin se nuk duhet të lejojmë që koronavirusi të jetë goditja e fundit për shoqëritë tona të hapura në një kohë kur armiqtë e tyre janë kaq të fortë.

Ky artikull u botua fillimisht në spanjisht në gazetën e përditshme El Mundo.

Burimi: ecfr.eu

Fotografia: CEU / Tuba Zoltan – CC BY-NC-ND

—————————————————

30 Qershor 2020