Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

DAVOS, ZVICËR – Xhorxh Sorosi njoftoi sot krijimin e një rrjeti të ri të universiteteve që do t’i përgatisë më mirë studentët për sfidat globale aktuale dhe të ardhshme. Për këtë qëllim, ai ka ndarë 1 miliard dollarë dhe në të njëjtën kohë i ka ftuar edhe filantropët e tjerë ta mbështesin atë.

Rrjeti i universiteve, i cili do të funksionojë në nivel botëror, është emërtuar Rrjeti i Universiteteve të Shoqërisë së Hapur (RrUShH). Rrjeti do ta lidh mësimdhënien dhe kërkimin shkencor në disa institucione të arsimit të lartë në të gjithë botën. Do të sigurojë edhe kurse paralele në rrjet dhe programe të përbashkëta universitare, e gjithashtu do t’i afrojë studentët dhe fakultetet nga vendet e ndryshme përmes diskutimeve personale ose në internet. Rrjeti synon t’i përfshijë ata studentë që kanë nevojë më së shumti për dhe t’i promovojë vlerat e shoqërisë së hapur – duke përfshirë shprehjen e lirë dhe besimet dhe mendimet e ndryshme.

Rrjeti i Universiteteve të Shoqërisë së Hapur do të përpiqet të promovojë arsim serioz dhe të arrijë deri te institucionet që kanë nevojë për partnerë ndërkombëtarë, si dhe deri te popullatat që zakonisht janë lënë pas dore në procesin arsimor, siç janë refugjatët, të burgosurit, romët dhe personat e zhvendosur. Me ndihmën e partnerëve të saj, RrUShH-ja është e gatshme të nisë një program masiv të “studentëve në rrezik”, duke i bashkuar kështu në një rrjet ndërkombëtar të gjithë ata studentë që kanë arritje të jashtëzakonshme akademike, dhe të cilët në të njëjtën kohë janë të rrezikuar për arsye politike.

Madje edhe tani, RrUShH-ja lidh institucione të arsimit të lartë dhe zhvillon trajnime në rrjet që i lidhin studentët dhe fakultetet nga disa universitete në mbarë botën në klasë, fakultet, dhe përmes projekteve të përbashkëta hulumtuese që përfshijnë bashkëpunim të njerëzve nga disa universitete.

 Z. Sorosi deklaroi: “Unë besoj se shpresa jonë më e madhe është qasja në arsim që do ta forcojë pavarësinë e individit duke e nxitur të menduarit kritik dhe duke e mbështetur lirinë akademike. Unë mendoj se Rrjeti i Universiteteve të Shoqërisë së Hapur është projekti më i rëndësishëm dhe afatgjatë në jetën time dhe unë me të vërtetë do të doja ta shihja atë të implementuar derisa jam akoma këtu”.

 Z. Soros, i cili ka dhuruar më shumë se 32 miliardë dollarë gjatë 30 viteve të fundit për arsimin dhe drejtësinë sociale, shtoi: “Ne jemi në kërkim të institucioneve partnere që ndjejnë përgjegjësi për të ardhmen e qytetërimit tonë, njerëz që janë frymëzuar nga qëllimet e RrUShH-së dhe që duan të marrin pjesë në realizimin e tyre.”

Universiteti i Evropës Qendrore (UEQ), themelues i të cilit është Sorosi, dhe Kolegji Bard do të jenë bartësit e rrjetit të ri. Partnerët e tyre do të jenë Universiteti Shtetëror i Arizonës, udhëheqës botëror në mësimin në distancë dhe institucione të tjera në të gjithë botën, siç janë Universiteti Amerikan i Azisë Qendrore në Kirgistan dhe Universiteti BRAC në Bangladesh.

“Ne nuk mund të ndërtojmë një rrjet global vetë” – tha Sorosi. “Shpresoj se ata që e ndajnë të njëjtin vizion me ne, do të bashkohen me ne në realizimin e tij.” Leon Botstajn, presidenti i Kolegjit Bard, i cili njëkohësisht do të jetë edhe rektor i RruShH-së, tha: “RrUShH-ja është një iniciativë me potencialin më të madh për transformim në arsimin e lartë që e kam parë në karrierën time. Premton partneritete të mëdha dhe të larmishme, risi që e zgjerojnë të menduarit kritik dhe kërkimin shkencor, si dhe bursa ndërkombëtare. Dua të falënderoj z. Sorosin dhe Fondacionet e Shoqërisë së Hapur për vizionin dhe besimin e tyre”.

—————————————————

24 Janar 2020