Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Autor: Vasko Magleshov

Nuk ka fushë të punës së prokurorisë publike që nuk është dyshuar për ndikim politik: nga përzgjedhja e prokurorëve, përmes trajtimit të lëndëve nga ana e tyre, e deri tek (mos)përgjegjësia për veprimet e tyre. Gjithashtu, nuk ka asnjë fushë në të cilën këto ndikime dhe lidhje janë hulumtuar plotësisht, e aq më pak të vërteturara, tregon hulumtimi i BIRN-it për përgjegjësinë e atyre që janë në vijën e parë frontit kundër krimit.

Lidhja midis prokurorisë dhe politikës mund të ilustrohet më së miri me “Sindromën e Stokholmit”, në të cilën ata janë të robëruar, por kanë zhvilluar një lidhje emocionale dhe identifikuese me agresorin, dhe i ndihmojnë atij që t’i arrijë qëllimet e tij.

Beteja me ndikime politike në luftën kundër krimit

Kur në vitin 2015, në lagjen Përzhinë të Shkupit, liderët e partive politike negociuan ilaçin për pikën më nevralgjike në shtetin e robëruar, krimin e organizuar me gjasë, askush nuk mund ta kishte supozuar se kreu i institucionit special të paralajmëruar, para përfundimit të mandatit të saj, në vend që ta kthente, e shkrumboi besimin e qytetarëve në shtetin juridik.

Ligji për PSP-në,ishte përshtatur qëllimisht për të qenë “mbretëresha angleze” në sistemin e drejtësisë, sepse prokuroria e rregullt, në vend që ta ndiqte krimin, u kritikua se ishte e bllokuar nga qendra e pushtetit të atëhershëm politik. PSP-ja fitoi autonomi të plotë jashtë sistemit të hierarkisë së prokurorive.

Katër vjet pas lindjes së institucionit të ri, i cili vdiq me rastin “Reket”, ndërsa Janeva përfundoi në bankën e të akuzuarve, përsëri u ngrit pyetja nëse dhe sa prokurorët janë rezistues ndaj ndikimeve, a ka ndonjë lidhje midis tyre dhe elitave politike dhe të biznesit, si dhe a janë këto arsyet që prokurorët i kanë bllokuar apo i kanë vonuar hetimet?

Vërtetimi i lidhjes midis politikës dhe prokurorëve, në mungesë të besueshmërisë së institucioneve që duhet ta zbatojnë atë, e lë publikun që përmes perceptimit të tij të marrë gjykime, e ato janë të padyshimta – ndjekja e krimit gjithmonë është nën kontrollin e fortë të politikës.

Duke iu shmangur përgjithësimeve, profesionistët e fushës e pranojnë publikisht se partizimi i një pjese të prokurorëve është i padiskutueshëm.

“Ne kemi prokurorë partiakë, që aspak nuk e meritojnë ta kryejnë atë funksion”, thotë ish-Prokurori Publik, Ivan Jakimovski, për BIRN-in, i cili konsideron se kolegët e tij, në mënyrë diskrete kanë pasur lidhje me politikën.

Prokurorët republikanë me udhëheqësit e prokurorive | Foto: BIRN

“Të ndryshme” për denoncimet që PSP-ja i mori nga prokuroria

Duke e hulumtuar përgjegjësinë e prokurorëve në të kaluarën, treguesi i parë për (mos)procesimin e lëndëve janë aktpaditë e ngritura.

Prokuroria e rregullt u vërshua me aktpadi për rastet e tilla si projekti “Shkupi 2014”, “Aktori”, “Makedonska Banka”, “E Hëna e Zezë”, “Afera e përgjimit”, “Blerja e pajisjeve për përgjime”…

Më aktive në parashtrimin e denoncimeve në epokën e Gruevskit, duke gjykuar nga shifrat, ishte opozita e atëhershme. Por, publiku nuk e kuptoi se këto lëndë, pavarësisht nga ajo se janë  parashtruar nga ana e një partie politike, a përfunduan me aktgjykime të prokurorisë publike që e konfirmuan krimin.

Sipas të dhënave që i siguroi BIRN-i, denoncimet që PSP-ja i ka marrë nga prokuroritë janë regjistruar nën formularin regjistrues “RO”, që në profesionin e prokurorisë do të thotë “të ndryshme”. Në këtë formular regjistrohen të gjitha dokumentet që mbërrijnë në formën e denoncimeve dhe njoftimeve. 

Nëse prokuroria vlerëson se ka indikacione dhe prova të mjaftueshme, denoncimet riregjistrohen nën formularin “KO”, gjegjësisht kalojnë në hetim. Vendimin për atë se si do të regjistrohet lënda e merr prokurori, gjegjësisht shefi i prokurorisë.

Por, nga 72 rastet që i ka ndërmarrë PSP-ja, të gjitha janë regjistruar nën “RO”, që do të thotë se asnjë denoncim nuk ka kaluar në hetim me dyshim të konfirmuar të bazuar për krim dhe korrupsion. Nga 72 denoncimet e marra përsipër të regjistruara si “RO”, PSP-ja hapi hetime për 53.

Të gjitha këto hetime më vonë rezultuan me 22 aktakuza për të cilat ka gjykime aktive.

Disa nga këto kallëzime penale ishin pothuajse “të vdekura”, gjegjësisht të refuzuara. Indikative për (mos)trajtimin e denoncimeve është një aktpadi penale, e cila është mbyllur me rezolutë dhe daton që nga viti 2005. Por, prokurorët e PSP-së jo vetëm që e morën përsipër, por edhe kanë punuar në të. 

“Tetëdhjetë deri 90 përqind e denoncimeve që i morëm ishin punuar sipërfaqësisht, vetëm me ndonjë kërkesë të dërguar në MPB për të treguar se janë ndërmarrë veprime” – thotë një prokuror i PSP-s, i cili dëshironte të mbetej anonim.

Midis denoncimeve të marra nga prokuroritë ka pasur edhe të tilla që, me dashje ose jo, janë zhvilluar në drejtim të gabuar.

I tillë është rasti me “Perandoria” (Imperija). Kjo lëndë është e bazuar në shtatë kallëzime që PSP-ja i ka marrë nga prokuroritë e rregullta (pesë nga Prokuroria e Shkupit dhe nga një nga Prokuroria e Krimit të Organizuar dhe Prokuroria e Manastirit). 

Prej tyre, për pothuajse nëntë muaj është ndërtuar hetimi paraprak i lëndës. 

PSP-ja ringjalli një pjesë të kallëzimeve, për t’u rikthyer përsëri pas përfundimit të mandatit të kësaj prokurorie, aty prej nga u morën. 

Në kërkimin e përgjigjes në pyetjen nëse prokurorët me qëllim, apo me urdhrin e dikujt, i kanë lënë lëndët në “aparatet e frymëmarrjes”, e krahasuam shpejtësinë me të cilën ka vepruar PSP-ja dhe prokuroria e rregullt. 

Kështu, për shembull, në dhjetor të vitit 2015, PSP-ja i mori përsipër lëndët e para nga prokuoria e rregullt. Më 12 shkurt të vitit 2016, PSP-ja doli publikihst me rastin “Titaniku”. Kjo do të thotë që PSP-së i duhej një muaj e gjysmë për ta hapur hetimin e saj të parë.

Shpejtësia e veprimit është krejt e ndryshme nëse merret parasysh numri i hetuesve, bashkëpunëtorëve profesionalë të angazhuar në PSP, institucion që kishte buxhetin e vet, thonë për BIRN-in prokurorët e prokurorisë së rregullt. 

Por, pyetja është nëse kjo është arsyeja e vetme pse kallëzimet nuk kanë arritur deri në aktakuza. E vetmja gjë që është e sigurt është se askush nuk ka hetuar nëse bëhet fjalë për mospasjen e kushteve për hetim apo mos-veprim të qëllimshëm.

Megjithëse me ekip më të dobët, prokuroria nuk ishte aq e ngadaltë në të gjitha lëndët. Në rastin “Puçi”, ku ishte i akuzuar lideri i atëhershëm i opozitës, Zoran Zaevi, hetimi ka shkuar me shpejtësi. Për afro pesë muaj, procedura kaloi nga parahetimi në aktakuzë.

Për 11 vjet, 12 prokurorë të shkarkuar

“Reketi” e mbylli PSP-në | Foto: BIRN

Luftëtarët me krimin dhe korrupsionin nuk kanë imunitet të njëjtë si gjyqtarët, por Ligji për Prokurorinë Publike i mbron ata për veprimet e ndërmarra.

Kjo është arsyeja pse prokurorët rrallë e konsiderojnë mundësinë për ta marrë në përgjegjësi ndonjë koleg të vetin, madje edhe në raste kur ka pasur kallëzime ose indikacione se ndoshta lënda mund të jetë porositur ose “krijuar” jashtë prokurorisë.

Prokurorët, sikurse edhe gjykatësit, qëllimisht kanë mandat të përhershëm, në mënyrë që rizgjedhja e tyre të mos varet nga vullneti i qendrave politike gjatë ndryshimit të pushtetit. 

Puna e prokurorëve korrigjohet, gjegjësisht sanksionohet përmes procedurave disiplinore dhe shkarkimit. 

Që prej vitit 2008, kur u krijua Këshilli i Prokurorëve Publikë, deri në vitin 2019 janë shkarkuar nëntë prokurorë për shkak të punës joprofesionale, dy për shkelje disiplinore dhe një për shkak të aktgjykimit për vepra të kryera penale. 

Nëse vlerësohet në bazë të numrit të përgjithshëm të prokurorëve në vend, i cili është midis 170 dhe 180, shkarkimet janë me të vërtetë të rralla.

Më së shumti prokurorë janë shkarkuar në vitin 2009, tetë nga gjithsej dymbëdhjetë. Por, shkarkimi i disa prej tyre që atëherë i hapi dilemat për përplasjen politike me “të papërshtatshmit” dhe konsiderohet si një nga episodet paradigmatike të ndërhyrjes në gjyqësi nga garnitura e atëhershme në pushtet. 

Arsyeja është e njohur – shkarkimet jo gjithmonë u argumentuan me prova për veprim joprofesional.

Këtë tezë e thekson edhe Sterjo Zikov, ish-shefi i Prokurorisë së Shkupit, i cili ka punuar në periudhën mes ndryshimit të pushtetit të LSDM-së me VMRO-DPMNE-në. Ai shkarkua për shkak të mos-veprimit në kohë dhe punës së papërgjegjshme.

Por, Zikovi për BIRN-in thotë se ndërprerja e funksionit të tij është bërë për arsye të tjera. “Ishte një vendim politik me të cilin më ofenduan, jo aq shumë për funksionin, sa nga kolegët e mi”. 

Zikovi, i cili tani është avokat i të akuzuarve në lëndët e PSP-së, thekson se kurrë nuk do të kthehej në prokurori.

Mirëpo, përveç këtij episodi në vitin 2009, kur gjyqësia udhëhiqej nga ministri Mihajllo Manevski, ndërsa prokuror publik ishte Ljupço Shvërgovski, dhe kur kishte më së shumti shkarkime, numrat tregojnë se prokurorët shumë rrallë sanksionohen, veçanërisht nëse kjo nuk është e motivuar partiakisht. 

Shkarkimet e tjera përfshijnë Katica Janevën dhe kolegun e saj nga Velesi, Ivica Efremov, i dënuar në rastin “Likuidimi”.

Lëndët e hapura në bazë të gojëdhënave në nivelin e gabimit statistikor

Prokurori Shtetëror siguron se procedohen gjithnjë e më shumë lëndë në bazë të gojëdhënave | Foto: BIRN

Nëse gjykohet në bazë të vetë-iniciativës, rezulton se prokuroritë janë luftëtarë dembelë me krimin dhe korrupsionin. Numri i procedurave të filluara në bazë të gojëdhënave gjatë pesë viteve të kaluara (2014 deri në vitit 2018), ndryshon nga 1.80 deri në 3.80%. 

Në vitin 2014, vetëm 2 për qind e lëndëve të hapura ishin në bazë të gojëdhënave. Në vitet në vijim 2015 dhe 2016, kjo përqindje u rrit me një përqindje të papërfillshme prej 0.40%. Ky trend i butë, në rritje, u ndal në vitin 2018, kur përqindja, në vend që të rritet, filloi të bie. Në vitin 2018, Prokuroria në bazë të gojëdhënave ka hapur vetëm 1.8 përqind të procedurave.

Megjithatë, Joveski, nuk pajtohet plotësisht me vlerësimin se prokurorët zëri publik vështirë arrin deri te prokurorët. Ai thotë se vitin e kaluar kanë hapur rreth 18 raste në bazë të gojëdhënave, ndërsa si shembull e mori rastin “Reket”. 

“Lëndën filluam ta punojmë vetë. Ne kishim kallëzim. Ne kemi punuar në bazë të asaj që na njoftoi kryeministri…”, thotë Joveski, duke shpjeguar se deklarata e Jordan Kamçevit në prokurori erdhi më vonë. 

(Pa) përgjegjësia e prokurorëve në rastin e 27 prillit 

Lidhjen me partinë në pushtet mund të ilustrojë më së miri ajo që ndodhi natën e 27 prillit të vitit 2017, kur një turmë e sulmoi Kuvendin dhe e rrezikoi jetën e deputetëve që e votuan kryetarin e Parlamentit, Talat Xhaferi. 

“Atë natë në prokurori, me të cilën atëherë udhëhiqte Marko Zvërlevski, është diskutuar nëse ka përgjegjësi penale për krerët e LSDM-së që formuan shumicë në Kuvend”, dëshmon për BIRN-in një prokuror i këtij institucioni.

Pas ngjarjeve, prokurorët Gordana Geshkovska, Jovan Cvetanovski dhe Zlatko Bikovski u morën në përgjegjësi. Është formuar një komision disiplinor pesë anëtarësh, i cili i mori në pyetje dhe konkludoi se ata nuk kanë bërë hetim në kohë pas ngjarjeve në Parlament, duke lejuar kështu që të ndikohet mbi provat.

Si masë disiplinore është caktuar të marrin rrogë më të ulët për 30 përqind për gjysmë viti, për të cilën ata u ankuan.

Këshilli i Prokurorëve Publikë, i pranoi ankesat e prokurorëve në korrik të vitit 2019 dhe lëndën e ktheu në rishqyrtim. Procedura nuk është e kufizuar me kohë dhe nuk ka përfunduar ende. 

Kanë kaluar gati tre vjet nga ngjarjet dhe më askush në publik nuk e ka vënë në dyshim përgjegjësinë e tyre. 

Prokuror Publik i përshtatur për nevojat e partive

Integriteti i prokurorëve më së shumti problematizohet gjatë zgjedhjes së Prokurorit Publik të shtetit. Pazaret midis partive kanë të bëjnë me atë se kush do ta propozojë atë, gjegjësisht se kush do të ketë kontroll mbi ndjekjen penale të krimit. 

Pastaj ky kontroll, sipas parimit të subordinimit, përcillet në nivelet më të ulëta. Kohët e fundit, çështje kontestuese u bë edhe zgjedhja e shefit të prokurorisë më të rëndësishme për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Nëse shihen shënimet e stenogrameve nga Kuvendi gjatë zgjedhjes dhe shkarkimit të prokurorëve të deritanishëm shtetërorë, situata është e njëjtë, pavarësisht se cilat parti ishin në pushtet: Opozita ka akuzuar se zgjedhja bëhet në baza partiake dhe se është heshtur për aferat dhe skandalet e pushtetit.

Pushteti, nga ana tjetër, është arsyetuar se shefi i zgjedhur i prokurorisë shtetërore ka kapacitet dhe integritet për ta luftuar krimin dhe korrupsionin në vend.

Pozita e prokurorit të parë dhe pavarësia e tij mund të ilustrohen më së miri me deklaratën e hidhërimit dhe të zhgënjimit të prokurorit të atëhershëm publik, Aleksandar Përçevski, në momenin e shkarkimit të tij.

“Unë jam ndoshta budallai i fundit që ka pranuar të bëhet Prokuror Publik i Shtetit” – deklaroi ai në vitin 2006.

Nga pesë Prokurorë Publikë të Shtetit që nga miratimi i kornizës së re ligjore, katër janë shkarkuar nga Kuvendi për shkak të ushtrimit joprofesional dhe të papërgjegjshëm të funksionit: Stevan Pavleski, Stavre Xhikov, Aleksandar Përçevski dhe Marko Zvërlevski. Vetëm Ljupço Shvërgovski e përfundoi mandatin e plotë gjashtë vjeçar.

Të gjitha këto shkarkime ndodhin menjëherë pas ndryshimit të pushtetit, me arsyetimin se e ka ushtruar funksionin në mënyrë të papërgjegjshme dhe joprofesionale. 

Kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publikë, Aco Kolevski, për BIRN-in e konfirmoi përshtypjen e përgjithshme se “me ndryshimin e pushtetit, ndërrohet edhe Prokurori Publik i Shtetit”. 

Kolevski konsideron se duhet menduar për ndryshimin e modelit të zgjedhjes së Prokurorit Publik të Shtetit, që ai të mos propozohet nga qeveria:

“Duhet të bëhet ndryshim në mënyrë që Prokurori Publik i Shtetit të mos varet nga politika. Zakonisht ai që e ka zgjedhur atë varet nga ai dhe ai mund ta ndryshojë. Ose kjo kompetencë t’i jepet Këshillit, ose ta votojnë qytetarët, në mënyrë që Prokurori Publik të përgjigjet para qytetarëve që e kanë zgjedhur” – thotë ai.

Nga ana tjetër, Joveski është i bindur se modeli është i diskutueshëm, veçanërisht duke pasur parasysh se për zgjedhjen do të duhej të zhvillohet fushatë, e dikush duhet ta paguajë atë. Në këtë mënyrë, thotë ai, prokurori i ardhshëm do të krijojë varësi dhe besnikëri ndaj njerëzve që ia kanë zhvilluar fushatën.

“Mundësia e vetme për të cilën do të kisha menduar që është prokurori të zgjidhet me propozimin e presidentit, e jo të qeverisë, megjithëse kjo është karakteristikë e sistemeve presidenciale. Presidenti nuk do ta toleronte një prokuror i cili pas vetes ka afera ose që balancon…” – thotë Joveski.

Zgjedhja e prokurorëve – përmes lobimeve dhe ndikimeve

Në vend të profesionalizmit, prokurorët zgjidhen në debat se a janë paraqitur në televizion | Foto: BIRN

Përveç betejës për fronin e prokurorisë, duket se momenti më i rëndësishëm për ndjekjen e krimit qëndron në zgjedhjen e prokurorëve. Shkalla më e lartë që i zgjedh dhe i shkarkon prokurorët është Këshilli i Prokurorëve Publikë. 

Ai është pandan i Këshillit Gjyqësor për gjykatësit. Pozicioni i tyre është i padiskutueshëm, pasi Ligji ekzistues nuk parashikon mundësinë e përgjegjësisë së anëtarëve të Këshillit ose së ndëshkimit të tyre disiplinor.

Duke i kontrolluar procesverbalet e seancave të Këshillit, veçanërisht kur zgjidhen prokurorët publikë, ose kur kandidojnë për prokuroritë më të larta, mund të konkludohet se rrallëherë zhvillohet debat thelbësor dhe cilësor për atë se cili prokurori meriton të avancohet. 

Megjithëse kriteret janë specifikuar qartë, diskutimi u përqendrua në paraqitjet publike të disa kandidatëve në publik dhe në marrëdhëniet personale të anëtarëve të Këshillit me disa nga prokurorët.

Kështu, për shembull, në seancën për zgjedhjen e Prokurorit Publik që është mbajtur në vitin 2017, në vend për profesionalizmin dhe cilësinë, u debatua nëse njëri prej kandidatëve është paraqitur në televizion, nëse tjetri ishte person konfliktuoz, i tretë a ishte elokuent, e të ngjashme.

Qytetarët i paguajnë dëmet e prokurorëve

Vetëm për aktakuzën e tërhequr në rastin e “Sopotit”, në të cilin u akuzuan banorë të fshatit me të njëjtin emër nga Kumanova për vendosjen e minave me ç’rast u vranë ushtarë të NATO-s, shteti pagoi dëmshpërblim mbi një milion euro. Në rastin e “Puçi”, dëmshpërblimi është mbi 50,000 euro. Po ashtu parashikohet se do të jetë e lartë edhe shuma për rastin “Pjesët e tankeve”, në të cilin ishte paditur ish-kryeministri Vllado Buçkovski, pasi që bëhet fjalë për rast që është gjykuar me vite. 

Edhe në rastin “Justicia”, ku u ndoqën penalisht, e pastaj u liruan nga faji gjyqtarë dhe punonjës të gjykatave, avokatëve iu dhanë mijëra euro dëmshpërblim. Të gjitha këto dëmshpërblime paguhen nga buxheti i shtetit.

Por, dëmi si shumë e parave është i papërfillshëm në krahasim me dëmtimin e besimit në shtetin e së drejtës, kur gjykata merr aktgjykime liruese ose refuzuese, ose kur i ndërpret procedurat.

Burimi PRIZMA

—————————————————

3 Shkurt 2020