Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Autor: Vasko Magleshov

Pesë vjet pas dyshimeve të para për keqpërdorime të sistemit AKMIS, edhe gjyqtarët dhe softueri në Gjykatën Penale janë të njëjtë. Ka ndryshuar vetëm pushteti dhe kryetari i gjykatës.

Prokuroria konfirmoi se ka pasur keqpërdorime, në bankën e të akuzuarve u ul ish-kryetari i Gjykatës Themelore Shkup 1, Vlladimir Pançevski, mirëpo gjyqi i tij nuk mund të fillojë për më shumë se gjysmë viti.

Qeveria pretendon se kalaja e shtetit të robëruar  është mposhtur, ndërsa problemet me ndarjen e lëndëve – janë tejkaluar. Ligji për Gjykatat është ndryshuar në pjesën e përgjegjësisë së gjyqtarëve për kurdisjen e lëndëve, është bërë mbikëqyrje, ndërsa programi kompjuterik funksionon pa pengesa dhe ndërhyrje.

Por, mbetet fakti se institucionet vendore nuk janë aspak të afta ta dallojnë problemin. Hulumtimi i BIRN-it tregoi se keqpërdorimi i AKMIS-it deri sa nuk hyri në raportin e grupit të ekspertëve për sundimin sistemor të ligjit, të udhëhequr nga Reinhard Priebe, ishte i padukshëm si për Këshillin Gjyqësor ashtu edhe për Gjykatën Supreme, megjithëse ishte një sekret publik, ndërsa gjyqtarët janë ankuar edhe zyrtarisht se u janë dhënë urdhra me gojë që të punojnë në raste të caktuara.

E gjitha filloi me Priebe-n

Gjyqi nuk mund të fillojë më shumë se gjysmë viti pas aktpadisë për keqpërdorimin e AKMIS-it | Foto: BIRN

Origjina e temës për kurdisjen e lëndëve gjyqësore, e cila në kohën e sundimit të Nikolla Gruevskit ishte lajmi kryesor në media, del nga raporti i Reinhard Priebe-s në vitin 2015.

 “Ekziston një perceptim se këto rregulla (për funksionimin e AKMIS-it) nuk respektohen gjithmonë dhe se mund të gjenden mënyra për ta anashkaluar sistemin”.

Priebe në raportin e ardhshëm në vitin 2017 shkoi edhe më tej dhe rekomandoi drejtpërdrejt revizion pa ndërhyrje politike të punës së sistemit AKMIS. Por, ajo që është edhe më e rëndësishme, ai i identifikon mënyrat me të cilat është keqpërdorur sistemi.

Gjyqtarët “e papërshtatshëm” janë transferuar në departamente të ndryshme të gjykatës, nuk u janë caktuar lëndë gjyqtarëve që janë në pushim ose që kanë munguar, gjyqtarët kanë gjykuar sipas të dy ligjeve të procedurës penale, ndërsa sistemi është “manipuluar” nga personat që kishin qasje në të, siç janë kryetarët e gjykatave.

Të gjitha këto vërejtje që Priebe-s ia kanë thënë personalisht gjyqtarët e gjykatës penale, u vërtetuan në vitin 2017. Pas kësaj, Ministria formoi një grup special të punës për të përcaktuar nëse sistemi ishte manipuluar. Si rezultat i Raportit dhe i hetimit, Prokuroria e akuzoi kryetarin e atëhershëm të Gjykatës Penale, Vlladimir Pançevskin, për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar.

Këshilli Gjyqësor dhe Gjykata Supreme nuk panë asnjë problem

Anëtarët e Këshillit Gjyqësor nuk panë asnjë problem me AKMIS-in (2017) | Foto: BIRN

Këshilli gjyqësor është sjellë sikur asgjë nuk kishte ndodhur me shpërndarjen e lëndëve gjyqësore në Gjykatën penale, tregoi hulumtimi i BIRN-it.

Një kontroll i detajuar i procesverbaleve të Këshillit Gjyqësor nga vitit 2015 deri në vitit 2017 tregoi se qysh në 14 shtator të vitit 2015, në një seancë të Këshillit është theksuar se në sistemin AKMIS nuk ishin futur të gjitha ndryshimet për lëndët që nga viti 2014 në Gjykatën Administrative. Por, kjo nuk ishte alarm për anëtarët.

Në mbledhjen e Këshillit të mbajtur më 13 tetor të vitit 2015, Bekim Rexhepi e kishte ngritur temën për keqpërdorimet e mundshme të sistemit AKMIS. Ai kërkoi që të formohet një komision që do ta mbikëqyrte punën e softuerit, pasi dyshimet për keqpërdorim të tij ishin përhapur në publik.

Atëherë anëtarët e kundërshtuan propozimin. Ata u arsyetuan se Këshilli nuk kishte kompetencë të tillë dhe se deri atëherë nuk ishte konstatuar ndonjë parregullsi në shpërndarjen e lëndëve.

Problem nuk panë as gjyqtarët e Gjykatës Supreme. Hulumtimi i BIRN-it tregoi se nga viti 2012 deri në vitin 2018, në asnjë raport të gjykatës më të lartë për punën e gjykatave në vend nuk përmenden parregullsi ose probleme sa i përket punës së këtij softueri.

Shkelje të procedurave janë zbuluar edhe në Gjykatën Supreme. Atje, një gjyqtar që ka njoftuar se do të jetë në pushim shëndetësor një kohë më të gjatë, ishte larguar nga sistemi një muaj pas pushimit shëndetësor. Përveç kësaj, shpërndarja elektronike e një numri të vogël të lëndëve është bërë disa herë në ditë, në kundërshtim me rregullat.

Gjyqtarët nga gjykata më e madhe penale e vendit, të cilët dëshirojnë të mbeten anonimë, megjithatë, konfirmuan për BIRN-in se kishin refuzuar të punojnë lëndë për të cilat kishin marrë urdhra nga kryetari i gjykatës. Si pasojë e kësaj, ata janë rishpërndarë në njësi me më pak vlerë, siç është njësia e kundërvajtjes. Sipas tyre, për këtë ka edhe shënime zyrtare në arkivin e Gjykatës.

Për këto pretendime, kërkuam informacion nga Këshilli Gjyqësor, por ky organ nuk pranoi të përgjigjet. Ata theksuan se me këtë do të shkileshin liritë, të drejtat dhe integriteti i gjyqtarëve.

Por, për dallim nga ata, PSP-ja pa se kishte problem që në vitin 2016. Në mesin e komunikatave të shumta ku ankohen se gjykata ua kthen kërkesat si të paqarta dhe të pasakta, ka edhe një nga janari i vitit 2017, me të cilën informohet se kërkesat për urdhra për bastisje të funksionarëve të atëhershëm të lartë i janë dorëzuar gjykatësit kujdestar, por për arsye të panjohura për bastisjen kanë vendosur gjyqtarë krejtësisht të tjerë, të cilët ua kanë kthyer urdhrat për përpunim.

PSP-ja, e pakënaqur me këtë rezultat dhe me anshmërinë, kërkuan që të shkarkohen pesë gjyqtarë, por procedurat për ta u ndërprenë.

3.5 vjet keqpërdorime dhe një i akuzuar

Prezantohen gjetjet e raportit të grupit punues në Ministrinë e Drejtësisë (viti 2017) | Foto: BIRN

Prokuroria e Shkupit pretendon se Pançevski, e ka anashkaluar softuerin në Gjykatën Themelore Shkup 1 për tre vjet e gjysmë: nga janari i vitit 2013 deri në shtator të vitit 2016, gjegjësisht pak para përfundimit të mandatit të tij.

Këto janë periudhat kur ai për herë të parë dhe të fundit, me nënshkrimin e tij dhe gojarisht, u ka dhënë urdhra zyrtarëve që kishin qasje në sistemin AKMIS, e që tani janë dëshmitarë, në mënyrë manuale t’ua shpërndajnë lëndët gjyqtarëve jashtë kohës së pranimit.

Qëllimi ka qenë që procedurat të mos i zhvillojnë gjyqtarët që janë caktuar rastësisht nga programi elektronik, por ata që janë zgjedhur sipas dëshirës së tij.

Në vend të sistemit, ish-kryetari ka vendosur se cilit gjyqtar do t’i ndahej lënda, dhe ky informacion është futur në program më vonë. Fjalia “lënda është shpërndarë në mënyrë manuale” përmendet 49 herë në aktakuzë, aq sa ka edhe lëndë të shpërndara në mënyrë manuale.

Pançevski, i cili në profilin e tij në Facebook vazhdimisht poston se gjyqësia është e robëruar pas ndryshimit të pushtetit, për BIRN-in thotë se ka punuar në mënyrë ligjore. Ai theksoi se të gjitha lëndët ua ka shpërndarë gjyqtarëve në bazë të kritereve në Rregulloren për punë të gjykatës.

“Nuk kam shpërndarë lëndë në kundërshtim me ligjin. Kjo është e lejuar me ligj dhe me Rregulloren e punës së gjykatës, ndërsa lëndët nuk janë të miat, por të Prokurorisë dhe të Republikës së Maqedonisë kundër personave që e kanë shkelur ligjin dhe ato i kanë gjykuar gjyqtarë të zgjedhur nga Këshilli Gjyqësor”. Ai nuk deshi të përgjigjet në pyetje të tjera.

A ka pasur keqpërdorime para keqpërdorimeve?

Asnjëherë nuk ka pasur procedura të brendshme me shkrim që nga dita e parë e futjes në përdorim të softuerit në Gjykatën Penale. Që nga shkurti i vitit 2012, nuk ka funksionuar grupi i punës për menaxhimin e qarkullimit të lëndëve. Këtë e konstatoi raporti mbikëqyrës i Ministrisë së Drejtësisë.

Duke e ditur se softueri është vendosur shumë më herët, gjegjësisht në vitin 2010, shtrohet pyetja se pse kontrolli i grupit punues nuk e ka përfshirë periudhën që nga fillimi i funksionimit të sistemit AKMIS.

Gjykatësi Nanev, i cili ishte kryetar i grupit të punës, për BIRN-in theksoi se ata kishin vepruar sipas aktvendimit të Ministrisë së Drejtësisë, ku ishte përcaktuar periudha e kontrollit.

Ai thotë se pa prova nuk mund të flitet për keqpërdorimet që kanë ndodhur më parë: “Se a ka pasur edhe në atë periudhë lëndë të shpërndara në mënyrë manuale, përgjigja do të ishte paushalle nëse nuk ka prova për këtë, se cilat janë ato lëndë dhe pse janë shpërndarë në mënyrë manuale.”

Lëndë të shpërndara në mënyrë manuale për emigrantët dhe drogat

Në dosjet e lëndëve shkruante me dorëshkrim “t’i shpërndahet” | Foto: BIRN

Nga lëndët që ishin shpërndarë jashtë sistemit, sipas një raporti nga Ministria e Drejtësisë, shumica (41) janë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, dy nga Prokuroria Speciale Publike, katër nga Prokuroria e Shkupit dhe dy lëndë nga Gjykatat Themelore të Negotinës dhe Kumanovës. Tridhjetë e tre prej tyre ishin dhënë për punë me dorë në vitin 2013.

BIRN-i kontrolloi dhjetëra lëndë që janë shpërndarë me dorë, si dhe oraret vjetore të gjyqtarëve të gjykatës penale. Përveç ndarjes së lëndëve me dorë, është e vështirë të vërtetohet nëse Pançevski ka ndikuar në lëndën konkrete, apo nëse ka pasur ndonjë përfitim nga ky anashkalim i softuerit.

Në dosjet e mëdha rozë në dhomën për inspektim në katin e dytë të gjykatës u sollën qindra procesverbale, fletëdërgesa, fletëpranime, raporte të Ministrisë së Brendshme së Punëve të Brendshme, aktgjykime, si dhe dokumentacionin fotografik, analizë e numrave të telefonit nga operatorët dhe shënimet zyrtare, të cilat ishin pjesë e lëndëve.

Në pjesën e brendshme të dosjeve, është shkruar një datë, është shkruar me dorë “t’i shpërndahet” dhe ka një nënshkrim. I tillë është rasti me KOK 6/13, për shembull. Në kopertinën e lëndës është shkruar data 11.03.2013 dhe “T’i shpërndahet Ivica Stefanovskit” me një nënshkrim të shkurtër.

Është e qartë se një pjesë e madhe e lëndëve ishin raste me paraburgim, gjegjësisht të pandehurit janë kërkuar dhe u shqiptuan masa të paraburgimit, që do të thotë se ekzistonte urgjencë në procedurë.

Në këto dhjetëra lëndë nuk kishte raste të profilit të lartë, dhe shumica e aktgjykimeve ishin për lëshim të paautorizuar të narkotikëve dhe kontrabandë me emigrantë.

Arkivi gjyqësor i dokumenteve zbuloi një rast të tillë për ish-drejtorin e “Komunalec”-it të Ohrit, i cili ishte dënuar me kusht për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimit sepse personalisht zgjodhi ofertuesin më të favorshëm në tender.

Një rast tjetër ka të bëjë me një zyrtar në Agjencinë për Mbështetje të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, i cili u dënua me kusht për marrjen e një shpërblimi prej 200 eurosh për ndërmjetësim të paligjshëm për një person për të blerë një traktor me subvencione nga programi IPARD.

Në këtë dosje janë dy artikuj të shpërndarë me dorë të PSP-së, “Kalaja 2” për shkatërrimin e paligjshëm të dokumenteve në aferën e përgjimeve dhe “Dhuna”, të njohur gjerësisht si “shuplakat në Qendër”. Me urdhër të Pançevskit, këto dy raste iu dhanë gjyqtarëve Tatjana Mihajllova dhe Lidija Petrovska.

Lëndët, siç shkruhen në aktakuzë, u shpërndanë njëra pas tjetrës, siç tregojnë edhe nga numrat pasues 1904 dhe 1905, si dhe koha e shpërndarjes: Njëri në 15.35, ndërsa tjetri pas një minute, në 15.36.

Ish-kryeministri Nikolla Gruevski akuzohet në rastin “Dhuna”, i cili është në gjykim. Këta dy gjyqtarë nuk i gjykojnë më këto raste, dhe gjykimet për ta janë ende në vazhdim.

Nëse Pançevski dënohet me aktgjykim të plotfuqishëm, të gjithë personat që janë dënuar, lëndët e të cilëve janë caktuar në kundërshtim me dispozitat, do të jenë në gjendje të kërkojnë rigjykim. Megjithatë, kjo e drejtë nuk është e pakufizuar dhe do të zbatohet vetëm për ato raste kur nuk ka pasur ndonjë ndryshim të gjyqtarëve që janë shpërndarë me dorë.

Edhe avokatët e kanë manipuluar softuerin

Papërsosmëria e sistemit AKMIS nuk ishte vetëm objektiv i Pançevskit, por edhe i një numri të vogël avokatësh. Ata e kanë dërguar të njëjtën lëndë disa herë në arkivat e gjykatës dhe e kanë tërhequr atë, derisa ta “qëllonin” gjyqtarin “e pritur”, tha Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska për BIRN.

“Ne kemi informacione se në disa gjykata, avokatët kanë parashtruar disa padi me të njëjtën bazë ligjore, dhe në varësi të asaj se cilit gjykatësit do t’i caktohet e njëjta lëndë, paditë e tjera i kanë tërhequr ose thjesht nuk kanë paguar tarifa gjyqësore”, thotë Deskoska.

Një tjetër mundësi, sipas avokatëve të konsultuar nga BIRN, është futja në padi të dhëna të ndryshme për palët (për shembull, emrin dhe mbiemrin e ndryshëm), të cilat sistemi i njeh si raste të ndryshme, dhe i regjistron ato si të veçantë.

Tarifa gjyqësore për lëndën do të paguhet vetëm për atë lëndë që do të jetë sipas dëshirës së palës. Lëndët e tjera, për shkak të tarifave gjyqësore të papaguara, nuk do të procedohen.

Prokurorët kundër softuerit që do t’i ndajë lëndët

Komisioni kundër korrupsionit i propozon Prokurorisë softuer që do t’i ndajë lëndët | Foto: BIRN

Gjykata nuk është i vetmi vend ku ka dyshime për ndikimin dhe anshmërinë njerëzore gjatë zgjedhjes së gjykatësit. Ka dyshime të ngjashme edhe në prokurori. Atje nuk ka sistem automatik të shpërndarjes elektronike të lëndëve, siç është sistemi gjyqësor i AKMIS-it.

Atje funksionon një sistem i brendshëm për administrimin dhe udhëheqjen e lëndëve elektronike, por aktpaditë u shpërndahen prokurorëve me radhë me numër romak, ndërsa shefat e prokurorive kanë të drejtë të vendosin për rishpërndarjen e lëndëve të caktuara.

“Lëndët regjistrohen dhe futen me radhë ashtu siç parashtrohen aktpaditë dhe njoftimet, në mënyrë të barabartë për secilin prokuror publik dhe rrjedhimisht edhe me numrin romak me të cilin regjistrohen lëndët e secilit prokuror publik”, thonë nga prokuroria e Shkupit për BIRN.

Mirëpo, në situatën e supozuar, që të qëllohet prokurori që do të merret me lëndën, gjegjësisht të zgjidhet prokurori “i përshtatshëm”, aktpaditë e tjera penale grumbullohen vetëm për të arritur deri te numri i dëshiruar i prokurorit që do të merret me lëndën. Ose, një aktpadi e veçantë mund të mos regjistrohet në të njëjtën ditë kur është pranuar, por kjo të bëhet në një moment të përshtatshëm për të zgjedhur prokurorin e dëshiruar.

Megjithëse Strategjia për Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit në gjyqësi 2019-2024 parashikon përmirësime të softuerit, prokurorët e konsultuar nga BIRN e kundërshtojnë idenë e futjes në përdorim të softuerit që do t’i ndajë lëndët.

Prokurori Publik, Ljubomir Joveski, tha për BIRN se futja në përdorim e një softueri të tillë elektronik do të ishte problematik, pasi secili nga prokurorët ka përvojë dhe njohuri të ndryshme në lidhje me peshën e aktpadive. Është e diskutueshme nëse një prokuror që sapo ka filluar karrierën e tij mund të merret me aktpadi për vepra të rënda penale.

“Te ne nuk mund të aplikohet AKMIS-i. Zakonisht, aktpaditë, ashtu siç vijnë, regjistrohen dhe atëherë nuk mund të vlerësohet pesha e lëndës. Pesha është te krimi financiar dhe keqpërdorimet”, thotë Aco Kolevski, kryetar i Këshillit të Prokurorëve.

Por, zyrtarët e antikorrupsionit nuk mendojnë kështu. Ata në Strategji konstatuan se ndarja manuale e lëndëve në Prokurori është rrezik, për shkak të orientimit joparimor të lëndëve te prokurorë të caktuar.

Burimi PRIZMA

—————————————————

11 Shkurt 2020