Gjykata kushtetuese në mbledhjen e 14-të të mbajtur më 14.05.2020, e miratoi vendimin për anulimin e Ligjit për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi. Vendimi i tillë i Gjykatës kushtetuese vjen pas iniciativës së përbërjes paraprake të Komisionit për mbrojtje nga diskriminimi, për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit, ku është cekur se ligji i kontestuar është miratuar në kundërshtim me nenin 75 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjegjësisht nuk është siguruar shumica e nevojshme kushtetuese për votimin e serishëm të Ligjit. Ligji më 11.03.2019 u miratua me gjithsej 51 vota nga numri i përgjithshëm i deputetëve. Kështu Ligji i miratuar u dorëzua deri te kryetari i atëhershëm, Gjorgje Ivanov për nënshkrimin e dekretit, por pasi që i njëjti nuk u nënshkrua nga kryetari për shkak të emrit, përsëri i kthye në Kuvend. Ligji i kontestuar përsëri u vendos në rend dite më 16.05.2019 dhe në bazë të nenit 75 të Kushtetutës, Kuvendi përsëri e shqyrtoi. Ditën e njëjtë Ligji u votua me 55 vota, me çka Ligji u miratua pa shumicën e duhur kushtetuese prej 61 vota.
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut me mossigurimin e shumicës së nevojshme kushtetuese për votim dhe miratim të Ligjit për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi edhe një herë dëshmoi se nevojat e kategorive më të rrezikuara dhe të margjinalizuara të qytetarëve nuk janë të rëndësishme, e as nuk vlejnë për tu mbrojtur. Përgjegjësia për lëshimet në procedurë gjendet te Kuvendi, veçanërisht te shumica qeveritare, fushata parazgjedhore e të cilës bazohej mbi idenë për barazi, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi dhe kryetari i RMV, Stevo Pendarovski, të cilët e dinin ose duhej ta dinin se ligji duhet të miratohet me 61 vota.
Të përkujtojmë se edhe pse reformimi dhe avancimi i legjislacionit dhe sistemit për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi ishin premtim parazgjedhor i pushtetit dhe shumicës në pushtet, Ligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi ngeci në procedurën parlamentare për më shumë se 10 muaj, para se të vihet në votim. Nga dita e votimit të dytë dhe miratimit të Ligjit nga ana e Kuvendit deri në heqjen e të njëjtit nga ana e Gjykatës kushtetuese, kaloi një vit, gjatë të cilit nuk u formua Komisioni për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi, edhe pse Kuvendi kishte obligim ligjor që ta zgjedhë përbërjen e Komisionit dhe me këtë ta mundësojë zbatimin e Ligjit dhe funksionimin e organit kyç për avancimin e barazisë së qytetarëve. Mosserioziteti dhe qasja e pa interesuar e Kuvendit në gjithë procesin e votimit dhe miratimit të Ligjit, si dhe mungesa e vullnetit politik për zbatimin e tij dhe zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi tregon se për pushtetin nuk janë të rëndësishme të drejtat e njeriut dhe barazia e qytetarëve, veçanërisht e grupeve të margjinalizuara si romët, LGBTI, personat me aftësi të kufizuara, gratë, qytetarët e varfër dhe të tjerët të cilët mbijetojnë në margjinat.
Sektori civil pothuaj 10 vjet avokon për miratimin e Ligjit të pezulluar, përmes fushatave të ndryshme, raporteve dhe rekomandimeve të ekspertëve, avokim dhe takime me të gjitha partitë politike, protesta dhe konferenca për shtyp. Opinioni ndërkombëtar dhe Komisioni Evropian disa herë
kanë kërkuar miratimin e Ligjit dhe vendosjen e sistemit efikas për mbrojtje nga diskriminimi. Bindjet dhe premtimet e shumta përsëri rezultuan me humbje në kurriz të qytetarëve më të rrezikuar, për të cilit ky Ligj është thelbësor.
Kërkojmë që menjëherë pas realizimit të zgjedhjeve të paralajmëruara parlamentare dhe zgjedhjen e përbërjes së re parlamentare, pa dallim se cili koalicion do ta formojë shumicën parlamentare, Ligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi të gjendet mes pikave të para të rendit të ditës të Kuvendit. Kërkojmë që të sigurohet shumica e nevojshme parlamentare për votimin dhe miratimin e këtij Ligji, e menjëherë pastaj edhe të zbatohet procedura për zgjedhje të komisionarëve të ri në Komisionin për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi, me qëllim që qytetarët më në fund të kenë mbrojtje më të mirë, më profesionale dhe më efikase për të drejtat dhe liritë e tyre themelore.
—————————————————
15 Maj 2020