Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut dhe “Glasen Tekstilec” reagojnë ashpër ndaj njoftimeve se disa fabrika të tekstilit në Shtip do të punojnë gjatë orës policore në fundjavën në vijim. Sipas informacionit të marrë nga terreni, fabrikat tashmë kanë marrë ose janë në proces të marrjes së lejeve të punës, dhe punëdhënësit i kanë njoftuar punonjësit e tyre se do të punojnë gjatë orës policore.

Puna gjatë orës policore, në ditët kur numri i të infektuarve në vend ka shënuar rritje më të madhe që nga fillimi i pandemisë, është një vendim jashtëzakonisht i papërgjegjshëm që e rrezikon drejtpërdrejt shëndetin dhe jetën e punonjëseve të tekstilit. Ky vendim vjen në një kohë kur nevojitet përgjegjësi dhe solidaritet më i madh shoqëror nga punëdhënësit, institucionet dhe punëtorët. Është e papranueshme të lejohet funksionimi i fabrikave të tekstilit në një qytet që do të jetë nën karantinë 80-orëshe si rezultat i rritjes së numrit të personave të infektuar nga virusi, shumica e të cilëve vijnë nga industria e tekstilit. Është veçanërisht shqetësuese që shkeljet më të mëdha të masave parandaluese për mbrojtje dhe parandalim të përhapjes së virusit në Shtip kanë ndodhur gjatë transportit të punëtorëve të tekstilit gjatë orës policore, në autobusë të papërshtatshëm, duke mos e respektuar dispozitën për uljen e kapacitetit të transportit në 50% në bazë të Dekretit për transportin publik të udhëtarëve dhe pamundësisë për ta ruajtur distancën e rekomanduar.

Për të mbrojtur shëndetin dhe jetën e punëtoreve të tekstilit, dhe për të parandaluar dhe trajtuar përhapjen e virusit, kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut që të vendosë ndalesë të plotë për funksionimin e fabrikave të tekstilit në Shtip gjatë orës policore.  Presim që Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Inspektoriati Sanitar dhe Shëndetësor Shtetëror të vazhdojnë të monitorojnë nga afër situatën në terren dhe t’i sanksionojnë të gjithë punëdhënësit që nuk do t’i respektojnë masat.

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut

—————————————————

4 Qershor 2020