Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Platforma e organizatave të shoqërisë civile për luftë kundër korrupsionit shpreh shqetësim për nivelin e ulët të transparencës së procesit me të cilin Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut merret vesh për ndërtimin e seksioneve të autostradave të Korridoreve 8 dhe 10.

Nga informacionet që janë në dispozicion të publikut, nuk mund të përcaktohet asnjë arsyetim për lidhjen e njoftuar të kontratës së drejtpërdrejtë për zbatimin e projekteve infrastrukturore pa e zbatuar Ligjin për Furnizime Publike. Për ne si qytetarë është jashtëzakonisht e rëndësishme që i gjithë procesi të jetë transparent nga publikimi i shpalljes e deri në lidhjen e kontratës, të mundësojë pjesëmarrjen dhe trajtimin e barabartë të të gjitha kompanive të interesuara, të sigurojë mbrojtje ligjore për të gjithë pjesëmarrësit në procedurë dhe natyrisht ajo që është veçanërisht e rëndësishme të mundësohet mbikëqyrje e gjithë procedurës nga institucionet kompetente, publiku i interesuar profesional dhe qytetarët.

Aplikimi i një zgjidhjeje të veçantë ligjore (lex specialis) është një mënyrë e keqe e menaxhimit të investimeve kapitale sepse e pamundëson konkurrencën midis subjekteve ekonomike nga vendi dhe jashtë tij dhe zakonisht mbart një rrezik në rritje të çmimeve më të larta se sa ato të tregut. Veprimet e tilla mund t’i shkelin seriozisht parimet e qeverisjes së mirë dhe të çojnë në keqpërdorime të mundshme.

Në të njëjtën kohë, një nga argumentet kryesore të paraqitura në publik nga përfaqësuesit e qeverisë në mbrojtje të konceptit të zbatimit të një zgjidhjeje të veçantë ligjore dhe lidhjes së kontratës së drejtpërdrejtë për ndërtimin e seksioneve të autostradave, ishin pasojat negative të ndërtimit të seksionit të autostradës Kërçovë – Ohër. Megjithatë, ne theksojmë se pikërisht ajo kontratë është lidhur pa e zbatuar Ligjin për Furnizimet Publike dhe me miratimin e një ligji të veçantë.

Duke pasur parasysh atë që u tha më sipër, Platforma e organizatave të shoqërisë civile për luftë kundër korrupsionit kërkon nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut që ta braktisë konceptin e negocimit të drejtpërdrejtë dhe planifikimin e projekteve të mëdha të infrastrukturës ta zbatojë publikisht, ndërsa realizimin e projekteve në një procedurë konkurruese dhe transparente.

—————————————————

29 Prill 2021