Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Grupi Blueprint për Reforma në Gjyqësi alarmon për mungesën e një mekanizmi ligjor për anulimin e masave dhe pasojave juridike të procesit të lustrimit. Procesi i lustrimit, që filloi në vitin 2008 dhe pësoi ndryshime në vitin 2012, siç tha pushteti i atëhershëm duhe të ishte pjesë e një drejtësie kalimtare që do të mundësonte një kalim më të lehtë nga regjimi i mëparshëm drejt ndërtimit të demokracisë pluraliste në Republikën e Maqedonisë, por së shpejti u shndërrua në një mjet për revanshizëm politik.

Ligji i parë i lustrimit në Maqedoni, Ligji për Përcaktimin e Kushtit Shtesë për Ushtirmin e Funksionit Publik – i njohur si “Ligji i lustrimit”, u miratua në vitin 2008, me qëllim të zgjidhjes së padrejtësive të së kaluarës dhe pastrimit të ish-informatorëve të shërbimit sekret nga funksionet publike. Në vitin 2010, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë vendosi se korniza kohore në të cilin zbatohet Ligji i Lustrimit nuk është në përputhje me Kushtetutën. Edhe pas ndryshimeve të këtij ligji, Gjykata Kushtetuese në vitin 2012 vendosi përsëri që ndryshimet në Ligjin e Lustrimit nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë. Pas këtyre vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, në mesin e vitit 2012, Parlamenti i Republikës së Maqedonisë miratoi Ligjin e Dytë për Lustrimin – Ligjin për Përcaktimin e Kushteve për Kufizimin e Ushtrimit të Funksionit Publik, qasjen në dokumente dhe publikimin e bashkëpunimit me organet e sigurimit të shtetit[1], pa pëlqimin e partive politike të opozitës së atëhershme dhe me injorim të plotë të vendimeve të mëparshme të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë.

Raporti i grupit të ekspertëve të Komisionit Evropian, i njohur si “Raporti i Pribes”, e potencoi politizimin e theksuar të procesit, mungesën e komisionit të pavarur dhe ekzistencën e disa mangësive në këtë ligj. Si rezultat i këtyre përfundimeve, grupi i ekspertëve, në pjesën e rekomandimeve, sugjeroi që qeveria duhet ta konsiderojë tërheqjen e plotë  të tij[2]. Pas këtij propozimi, Parlamenti miratoi Ligjin për shfuqizimin e Ligjit të Lustrimit, me mundësinë që për lëndët e filluara ai të mund të zbatohet edhe më tutje, për një periudhë të caktuar kohore, me çka, në thelb, nuk u përmbushën rekomandimet e grupit të ekspertëve.[3]

Megjithë shfuqizimin e ligjit të kontestuar në vitin 2015, pasojat juridike për të lustruarit vazhdojnë të vlejnë edhe më tej, të cilët vazhdojnë të mos kenë mekanizëm për ta mbrojtur integritetin dhe dinjitetin e tyre personal. Në fakt, në mesin e korrikut të vitit 2012, Ligji për Përcaktimin e Kushtit Shtesë për Ushtrimin e Funksionit Publik i vitin 2008 pushoi së qeni në fuqi dhe u zëvendësua me një Ligj të ri për Përcaktimin e Kushtit Shtesë për Ushtrimin e Funksionit Publik, qasjen në dokumente dhe publikimin e bashkëpunimit me organet e sigurimit të  shtetit (Ligji i Lustrimit). Me Ligjin e ri u themelua Komisioni për Verifikimin e Fakteve (i ashtuquajturi Komisioni i Lustrimit) me kompetencë për mbledhjen, hetimin, analizimin dhe vlerësimin e dokumenteve që përmbajnë informacione për shkeljen ose kufizimin e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve për arsye politike dhe ideologjike deri në 1991, por edhe për arsye politike, ideologjike dhe partiake nga vitit 1991 deri në vitin 2006.

Ligji i Lustrimit hasi në kritika të ashpra si nga komuniteti vendas ashtu edhe nga ai ndërkombëtar, të cilët paralajmëruan për mangësitë dhe paqartësitë që lënë mundësi për keqpërdorim. Komisioni i Venedikut vuri në dukje menjëherë se nuk është i qartë shpjegimi në Ligjin e Lustrimit, se kush mund të lustrohet, gjegjësisht, lustrimi duhet të kufizohet në pozicione për të cilat ka arsye serioze për të besuar se personi paraqet kërcënim serioz për të drejtat e njeriut dhe demokracinë. Lustrimi që është duke u kryer për më shumë se 20 vjet pas përfundimit të sundimit totalitar, kërkon argumente të padiskutueshme dhe të forta. Mbulimi i një periudhe kaq të gjatë, madje 60 vjet mbrapa, sipas Komisionit, mund të justifikohet me krime jashtëzakonisht të rënda, që i nënshtrohen Kodit Penal.

Disa shoqata qytetare, duke e identifikuar procesin e lustracionit si një sulm ndaj sundimit të ligjit dhe nga këndvështrimi i humanitetit, privatësisë, si dhenga  segmenti moral dhe etik, ndërmorën veprime për t’i zbutur pasojat negative të procesit të padrejtë dhe të keqpërdorur të lustrimit. Në prill të vitit 2014, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut paraqiti një iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për shfuqizimin e Ligjit të Lustrimit. Me shumicë votash, Gjykata Kushtetuese nuk zhvilloi procedurë për Ligjin e Lustrimit.

Nga tetori i vitit 2015 deri në shtator të vitit 2016, Instituti i të Drejtave të Njeriut e zbatoi me sukses projektin “Forcimi i të Drejtave të Njeriut në Procesin e Lustrimit”, i mbështetur nga Ambasada Holandeze në Shkup, në kuadër të të cilit u publikua edhe analiza e “Të Drejtat e njeriut në procesin e lustrimit”, i cili në detaje i thekson shkeljet e të drejtave të njeriut në këtë proces[4].

Fondacioni Shoqëria e Hapur – Maqedoni ka implementuar disa projekte duke përfshirë: “Zbulimi i historisë së fshehur: Lustrimi në vendet e Ballkanit Perëndimor”, duke paraqitur iniciativa në Gjykatën Kushtetuese për të rishikuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Ligjit të Lustrimit të vitit 2008, pastaj debat me titull “Çfarë sjell Ligji i ri i Lustrimit? Çlirim nga trashëgimia e ish-regjimit komunist apo legalizim i revanshizmit politik? si dhe përgatitja dhe promovimi i librit “Lustrimi maqedonas (1999 – 2012)”[5].

Ndërkohë, Komisioni i Lustrimit, bëri kontrollimin e mijëra dosjeve sekrete (gjithsej rreth 30,000) dhe shpalli mbi 200 njerëz si ish-bashkëpunëtorë, dhe u lustruan mbi 300 njerëz. Sipas Ligjit, këtyre personave u është ndaluar të punojnë në institucionet shtetërore.

Megjithëse në bazë të qëllimit, do të nënkuptohej se lustrimi është i dedikuar për personat që do të mund të mbanin funksione publike në të ardhmen, që logjikisht do të thotë se pensionistët janë të përjashtuar, përveç nëse rizgjidhen për të ushtruar ndonjë funksion publik, e veçanërisht personat e vdekur, për shkak të pamundësisë reale për të ushtruar funksion publik, në këtë proces u lustruan edhe pensionistët dhe të ndjerët, ku shihet konkretisht keqpërdorimi i procesit të lustrimit. Pas kritikave nga Brukseli pas bisedave të përgjuara që i publikoi opozita, sugjerojnë se qeveria e Gruevskit ka ndërhyrë në procesin e lustrimit, në vitin 2015 deputetët e partive qeverisëse më në fund ndërmorën hapa për t’i dhënë fund procesit të diskutueshëm të lustrimit. Por, megjithë shfuqizimin e Ligjit të Lustrimit, pasojat për individët e lustruar ende janë në fuqi, pa asnjë mundësi për anulimin e tyre.

Në Strategjinë për Reforma në Sektorin e Gjyqësisë 2017 – 2022, qeveria u angazhua t’i rregullojë pasojat e dëmshme për viktimat e këtij ligji, duke vendosur një kornizë ligjore për anulimin e masave dhe pasojave juridike të procesit të lustrimit. Ministria e Drejtësisë duhej këto angazhime t’i realizojë deri në dhjetor të vitit 2017, por edhe pas kalimit të dy viteve nga afati strategjik, një kornizë e tillë ligjore ende nuk është krijuar. Mbetet përgjegjësi e institucioneve kompetente të sigurojnë kushte që pasojat e dëmshme të korrigjohen në një mënyrë të përshtatshme dhe të mundësohet që viktimat e procesit të parregullt dhe të keqpërdorur të lustrimit të bëjnë kompensim të padrejtësisë dhe dëmit të shkaktuar, ndërsa shteti t’i dëmshpërblejë viktimat duke e zbatuar parimin e përgjegjësisë objektive.

 

[1] Gazeta zyrtare e R. të  Maqedonisë, nr. 86 e datës 9.7.2012

[2] 3 Republika e Maqedonisë: Rekomandime nga një grup ekspertësh me përvojë për çështjet sistemore të sundimit të ligjit në lidhje me përgjimin e komunikimeve të zbuluara në pranverë të vitit 2015 / The former Yugoslav Republic of Macedonia: Recommendations of the Senior Experts’ Group on systemic Rule of Law issues relating to the communications interception revealed in Spring 2015.

[4] Gjendet në http://ihr.org.mk/uploads/publications_pdf/lustracija.pdf

[5] Gjendet në https://fosm.mk/wp-content/uploads/2019/01/kniga-makedonskata-lustracija-mk.pdf

 

—————————————————

25 Dhjetor 2019