Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi dënon me forcë vendimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për ndarjen e mjeteve për Fakultetin Teologjik Ortodoks “Shën Klimenti i Ohrit”- Shkup dhe Fakultetin e Shkencave Islame – Shkup. Ne e konsiderojmë vendimin si diskriminues sepse me të ndahen para publike për bashkësitë fetare, në vend që ato të ndiqen penalisht për kërcënimet e publikuara për ta rrezikuar shëndetin publik. Shtrohet pyetja se pse u janë ndarë mjete këtyre dy institucioneve të arsimit të lartë pas kërcënimeve të bëra, në vend që mjetet të dedikohen për të ndërmarrë masa parandaluese për ta parandaluar përhapjen e epidemisë së COVID-19 në lagjet dhe vendbanimet substandarde në Republikën e Maqedonisë së Veriut, që paraqet një rrezik dhe kërcënim serioz për shëndetin e të gjithë qytetarëve të vendit tonë.

Në seancën e 38-të të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, të mbajtur në 8 prill të vitit 2020, u miratua vendim me të cilin Fakultetit Teologjik Ortodoks “Shën Klimenti i Ohrit” – Shkup i ndahen 4.500.000 denarë nga buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut për mbulimin e shpenzimeve për realizimin e programeve studentore për vitin 2020. Me të njëjtin vendim, Fakultetit të Shkencave Islame – Shkupi i ndahen 3.000.000 denarë nga buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut për mbulimin e shpenzimeve për realizimin e programeve studentore për vitin 2020.[1]. Vendimi vjen vetëm dy ditë pas: kërcënimit të kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame, Sulejman Rexhepit, ku ai tha se nëse BFI-ja nuk merrte ndihmë shtetërore – ai do të tërhiqte thirrjet për besimtarët që të mos i vizitojnë objektet fetare gjatë pandemisë; dhe deklaratës të Mitropolitit të Dioqezës së Dibrës dhe Kërçovës, Timotej, se KOM-i është i prekur seriozisht nga kriza, sepse gjysma e të ardhurave të manastireve dhe kishave të KOM-it mblidhen gjatë festës së Pashkëve.

Arsyetimi për këtë vendim të Qeverisë është skandaloz dhe manipulues, me shpjegimin se ndarja e këtyre mjeteve në fakultetet e lartpërmendura ishte votuar në seancën e 9-të të Qeverisë, të mbajtur më 16.02.2020. E informojmë publikun se me vendimin e Qeverisë nga seanca e 9-të e mbajtur më 16.2.2020 është parashikuar të miratohen mjete për fakultetet e lartpërmendura në mënyrë që të sigurohet vazhdimësia e punës dhe realizimi i programeve studentore në periudhën pas shpalljes së zgjedhjeve. Ky vendim u mor në një kohë kur fakultetet e përmendura mbanin mësim dhe punonin pa probleme. Në seancën e saj të 17-të, të mbajtur më 13 mars të vitit 2020, Qeveria miratoi vendim për masat për parandalimin dhe përhapjen e koronavirusit COVID-19 me të cilin, ndër të tjera ndalohet mbajtja e mësimit në institucionet e arsimit të lartë dhe në institucionet shkencore publike.

Vendi është në një krizë serioze shëndetësore dhe ekonomike gjatë së cilës: Suspendohen të drejtat themelore të njeriut si lëvizja e lirë, privatësia, e drejta për të protestuar dhe për arsimim; mijëra njerëz e humbin punën e tyre ose përballen me lloje të tjera të shkeljeve të të drejtave të punës; më të varfrit janë të rrezikuar për shëndetin dhe mbijetesën e tyre sepse nuk kanë mundësi as për tu mbrojtur e as për të fituar për nevojat e tyre themelore; nga qytetarët pritet t’i respektojnë dhe t’i pranojnë masat më shtrënguese në historinë moderne dhe t’i besojnë qeverisë; ne përballemi me një rrezik real nga varfrimi i mëtejshëm i popullatës dhe gjenerimi i të gjitha pasojave të tjera të varfërisë, siç janë përjashtimi, dhuna, shëndeti i dëmtuar; shoqatat dhe qytetarët po kërkojnë në mënyrë aktive masa për t’i ndihmuar dhe mbështetur më të varfrit, të cilët janë shumë më të prekur nga kriza dhe shëndeti dhe jeta e të cilëve janë në rrezik. Në këto kushte, Qeveria vendos të ndajë 120.000 euro për bashkësitë fetare, nën arsyetimin se u nevojiten fakulteteve të tyre, pa asnjë bazë të arsyeshme dhe pa informim transparent të publikut për qëllimin e këtyre mjeteve.

Diskriminimi është më i dukshëm në faktin se publiku dëshmon sanksionimin e qytetarëve që nuk i respektojnë masat, në të njëjtën kohë kur bëhet shpërblimi i liderëve fetarë, të cilët kërcënojnë se nuk do t’i respektojnë masat. Disa shoqata tashmë kanë bërë thirrje për masa urgjente për t’i mbrojtur, ndihmuar dhe mbështetur qytetarët më të prekur të Shuto Orizarit që jetojnë në kushte substandarde, pa ujë të rrjedhshëm, kanalizim dhe energji elektrike, në mënyrë që të evitohet përhapja e pakontrolluar e virusit dhe mbështetja sociale për më të varfrit. Përveç Shuto Orizarit, ky problem serioz dhe realitet i ashpër është zbuluar edhe në shumë komuna në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku ka vendbanime me banesa të improvizuara dhe të përkohshme.

Këto kërkesa bazohen në nevojat reale dhe rreziqet shëndetësore për popullatën, por për to ende nuk ka përgjigje. Ky prioritizim i shpenzimit të parave të shtetit në kohë pandemie dhe ndarja e këtyre shumave të mëdha të mjeteve për institucionet arsimore që nuk funksionojnë aktualisht dhe nuk kryejnë asnjë aktivitet, është veprim i papërgjegjshëm dhe e rrezikon besimin që e ka gëzuar qeveria deri më tani.

Ky veprim, përveç që paraqet diskriminim, punë jo transparente dhe të papërgjegjshme, e dëmton edhe sundimin e ligjit në vend. E pyesim qeverinë, a nuk ka asnjë mënyrë për ta kontrolluar sjelljen e udhëheqësve fetarë apo ligjet nuk vlejnë për ta? A lejohet që udhëheqësit fetarë të zhvatin paratë e buxhetit përmes shantazheve dhe kërcënimeve? A nuk është më mirë të përdoren ato 120.000 euro për t’i mbrojtur dhe për t’i ndihmuar qytetarët më të varfër dhe më të prekur nga kriza në mënyrë që të parandalohet shfaqja e rasteve të reja të njerëzve me COVID-19? Paralajmërojmë se një veprim i tillë paraqet rrezik edhe për shëndetin publik, pasi standardet e dyfishta i demotivojnë qytetarët që t’i respektojnë masat dhe krijojnë mosbesim. Në qoftë se ka arsye të justifikuara për ndihmë financiare për bashkësitë fetare, ato duhet të shpjegohen publikisht, ndërsa publiku duhet të ketë qasje në të dhënat për punën financiare, gjendjen e punësimit dhe të drejtat e punëtorëve në bashkësitë fetare, dhe në bazë të kësaj të vlerësojë nëse (nuk) ka nevojë për mbështetje shtesë në kontekstin e krizës.

I bëjmë thirrje prokurorisë që të veprojë urgjentisht dhe të fillojë ndjekjen penale të udhëheqësve fetarë që nuk i respektojnë masat, që bëjnë thirrje dhe kërcënojnë se nuk do t’i respektojnë ato. Kërkojmë nga Qeveria që ta rishqyrtojë këtë vendim, t’i informojë me vërtetësi dhe transparencë qytetarët dhe t’u përgjigjet pozitivisht të gjitha kërkesave të shoqatave që kanë të bëjnë me ndërmarrjen e masave për mbrojtje dhe mbështetje urgjente të më të varfërve.

15.4.2020 Shkup

[1] Ky vendim është botuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut, nr. 95, të datës 08.04.2010, dhe ajo ka hyrë në fuqi ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare.

—————————————————

15 Prill 2020