Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi i bën thirrje Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut që ta zgjedhë përbërjen e re të Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi (KPMD) përpara zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Shpallja e dytë për zgjedhjen e kandidatëve u publikua më 14.12.2019 në Gazetën Zyrtare, ndërsa afati i aplikimit skadoi dje, më 13.01.2020. Meqenëse Kuvendit do të shpërbëhet më 11 shkurt 2020, ekziston ende mundësia për të zgjedhur përbërjen e re të KPMD-së, nëse deputetët veprojnë në mënyrë efikase dhe i japin përparësi kësaj çështjeje.

Përkujtojmë se reforma e sistemit për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi ishte një premtim parazgjedhor i kësaj qeverie, e cila ende nuk është realizuar. Së pari, miratimi i Ligjit të ri për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi u vonua për më shumë se 10 muaj. Për më tepër, zgjedhja e përbërjes së re të Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi ende vonohet për më shumë se 6 muaj. Për të gjitha këto mosveprime të Kuvendit, Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi së bashku me më shumë se 100 shoqata dhe rrjete organizuan konferenca për shtyp dhe protesta përpara Kuvendit.

Kuvendi ka detyrim ligjor të zgjedh përbërjen e KPMD-së, dhe kështu të mundësojë zbatimin përfundimtar të Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi. Që nga gushti i vitit 2019, Komisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi nuk është funksional dhe qytetarët nuk mund t’i drejtohen këtij organi për rastet e diskriminimit.  Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, në përputhje me kompetencat e tij ligjore, është organ kryesor që duhet të kontribuojë në përmirësimin e barazisë së të gjithë qytetarëve. Përkujtojmë se barazia është një e drejtë e garantuar me kushtetutë për të gjithë qytetarët, dhe në të njëjtën kohë një detyrim për institucionet.

I bëjmë thirrje Komisionit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve, që të mblidhet urgjentisht për të zgjedhur anëtarët e Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, të organizojë debat publik dhe të zhvillojë një proces transparent të zgjedhjes së anëtarëve.

Kërkojmë që biografitë personale të të gjithë anëtarëve të paraqitur të bëhen publike, ndërsa Kuvendi të mundësojë që shoqatat e qytetarëve ta monitorojnë procesin pa probleme.

Përkujtojmë se një nga vërejtjet kryesore të organizatave të shoqërisë civile dhe të bashkësisë ndërkombëtare në lidhje me Komisionin për Mbrojtjen nga Diskriminimi ishte mungesa e profesionalizmit dhe pavarësisë së anëtarëve të saj. Prandaj, kërkojmë të zgjidhen kandidatët me biografitë më të mira profesionale, të cilët gjithashtu nuk janë të lidhur me asnjë parti politike në asnjë mënyrë.

—————————————————

14 Janar 2020