Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në seancën e tij të 31-të të caktuar për 12 janar 2020 nuk e votoi Propozim-vendimin për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi. Seanca u ndërpre për shkak të mungesës së kuorumit për punën e Kuvendit, gjë që e vonoi përsëri zgjedhjen e anëtarëve të këtij institucioni, duke e vonuar kështu fillimin e punës së Komisionit, i cili ka mandat për të parandaluar dhe mbrojtur nga diskriminimi .

Votimi i Propozim-vendimit për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi ishte pika e dytë në rendin e ditës të seancës së Kuvendit, menjëherë pas votimit të Propozim-vendimit për zgjedhjen e krytearit, nënkryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Shtetëror Zgjedhor. Duke pasur parasysh se kryetari, nënkryetari dhe anëtarët e KSHZ -së u votuan njëzëri nga ana e 95 deputetëve, të cilët ishin të pranishëm kur u votua për këtë pikë të rendit të ditës të kësaj seance, është jashtëzakonisht joserioze dhe dashakeqe që Kuvendi nuk arriti të ketë kuorum për punë (nga 61 deputetë) gjatë votimit për Propozim-vendimin për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, gjegjësisht se disa nga deputetët u larguan me qëllim nga salla e Kuvendit kur duhej të votohej për këtë pikë të rendit të ditës.

Që nga gushti i vitit 2019, qytetarët nuk kanë një mekanizëm të disponueshëm për mbrojtjen nga diskriminimi, që do të thotë se Kuvendi nuk duhet të lejojë që të ngadalësohet edhe më tej formimi i Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi. Prandaj, i bëjmë apel Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut që menjëherë të caktojë vazhdimin e seancës së 31-të, në të cilën do të votohet Propozim-vendimi për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi.

I kujtojmë të gjitha partitë politike në Kuvend, të cilat para zgjedhjeve e mbështetën Deklaratën për miratimin e Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, se janë zotuar se do të kryejnë një procedurë të shpejtë dhe transparente për krijimin e Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen kundër Diskriminimit. Ne presim që ata të jenë të pranishëm në vazhdimin e seancës dhe të sigurojnë kuorumin e nevojshëm për votimin e Propozim-vendimit.

Për më tepër, përkundër mangësive të shumta në procedurën për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, ne konsiderojmë se kjo përbërje e propozuar është dukshëm më e mirë se çdo përbërje e mëparshme e Komisionit. E mirëpresim vendosjen e listës së kandidatëve me përvojë të pasur në parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi, të cilët në të njëjtën kohë vijnë nga shoqatat që janë dëshmuar si aktorë të pavarur në avancimin e të drejtave të njeriut të qytetarëve. Vërejtja jonë kryesore është mungesa e pjesëmarrjes së balancuar gjinore në listën e propozuar, edhe pse gjysma e kandidatëve ishin gra, dhe disa prej tyre me biografi të jashtëzakonshme në fushën e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimit.

U bëjmë apel të gjithë deputetëve dhe partive politike parlamentare që më në fund ta votojnë përbërjen e re të Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe t’i mundësojnë këtij institucioni të fillojë punën me përbërjen e re dhe të përmirësuar të anëtarëve.

—————————————————

15 Janar 2021