Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi apelon dhe kërkon nga Qeveria dhe institucionet kompetente të marrin masa për ta parandaluar shqetësimin dhe shkeljen e të drejtave të njeriut të njerëzve që janë pozitivë ndaj Covid-19 dhe të njerëzve për të cilët dyshohet se janë pozitivë ndaj virusit.

Në periudhën e kaluar, u paraqitën një numër i madh artikujsh në media, kryesisht në portalet në internet, ku u publikuan fotografitë, emrat dhe listat e qytetarëve që janë pozitivë ndaj Covid-19 ose për të cilët ekziston dyshimi se janë pozitivë. Këto përmbajtje mediatike janë problematike dhe të dëmshme në shumë aspekte. Së pari, përveç krizës shëndetësore dhe ekonomike, Ligji për Mbrojtjen e të Drejtave të Pacientëve e garanton të drejtën e konfidencialitetit të të gjithë pacientëve, që do të thotë se personeli shëndetësor nuk duhet t’ua zbulojë asnjë të dhënë në lidhje me gjendjen e tyre shëndetësore, duke përfshirë edhe statusin e Covid-19, palëve të treta që nuk janë të përfshira në trajtimin e pacientit dhe në monitorimin profesional të epidemisë. Mediat, duke i përfshirë edhe portalet në internet, kanë për detyrim ta respektojnë Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ndërsa Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale duhet të veprojë në përputhje me ligjin dhe t’i sanksionojë ato.

Publikimi i të dhënave personale të personave të infektuar me Covid-19 ose të dhënat e atyre për të cilët ekziston dyshimi se janë të sëmurë, e rrezikon sigurinë dhe mirëqenien e tyre. Në këtë mënyrë, vetë pacientët janë të ekspozuar ndaj linçimit publik, janë shpallur të rrezikshëm për shëndetin publik, faji për infeksionin kërkohet te ata, dhe ata etiketohen si qytetarë të papërgjegjshëm, të pamatur dhe të rrezikshëm. Me akuzimin e pacientëve dhe linçimin publik të individëve krijohet një stigmë rreth koronavirusit, ndërsa vetë pacientët u ekspozohen shqetësimeve si një formë e diskriminimit, mu për shkak të statusit të tyre shëndetësor. Rikujtojmë se me këtë shkelet edhe Ligji për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili ndalon diskriminimin për shkak të statusit shëndetësor. Stigma rreth koronavirusit dhe frika nga reagimi i mjedisit janë faktorët kryesorë që i mbajnë pacientët larg sistemit të kujdesit shëndetësor dhe institucioneve që përpiqen të përballen me pandeminë e koronës. Me fjalë të tjera, nëse ekziston rreziku që qytetarët që janë pozitivë ndaj koronës të dënohen dhe të etiketohen publikisht, ka më pak të ngjarë që ata të duan të testohen, të përpiqen të kërkojnë ndihmë nga sektori shëndetësor, t’i respektojnë masat dhe të japin përgjigje të sinqerta për kontaktet e tyre. Për të njëjtat arsye, futja e masave siç është publikimi i emrave të bartësve të virusit është kundërproduktiv për përpjekjet për ta kapërcyer krizën.

Të dhënat personale të pacientëve të sëmurë nga koronavirusi dhe të kontakteve të tyre duhet t’i dinë punonjësit shëndetësorë, të cilët do t’i marrin masat e duhura dhe do ta monitorojnë respektimin e tyre. Nuk ka asnjë interes publik për publikimin e emrave të pacientëve, sepse ky informacion nuk i sjell dobi qytetarit të zakonshëm, përkundrazi, ai shkakton vetëm zemërim, dënim dhe rrezik për dhunë dhe shkelje të të drejtave të tjera.

Nëse të gjithë i respektojmë masat për distancim social dhe higjenë, pa marrë parasysh se e a kemi status pozitiv, negativ ose nuk kemi bërë fare test për Covid-19, mundësia e infektimit pavarësisht nëse kemi qenë afër ndonjë personi të sëmurë zvogëlohet. Prandaj, vëmendja e mediave dhe e publikut duhet të përqendrohet në zbatimin dhe respektimin e masave, e jo te individët që janë pozitivë ndaj virusit.

Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi kërkon që Qeveria dhe Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale t’i monitorojnë në mënyrë aktive dhe t’i sanksionojnë sipas detyrës zyrtare mediat që publikojnë të dhëna personale të pacientëve që janë pozitivë ndaj koronës ose për të cilët dyshohet se janë të infektuar prej këtij virusi. Gjithashtu apelojmë dhe tek punonjësit shëndetësorë që të mos i publikojnë të dhënat personale të pacientëve dhe informacionin në lidhje me statusin e dikujt ndaj Covid-19 të trajtojnë në mënyrë konfidenciale, në përputhje me rregulloret shëndetësore.

—————————————————

10 Prill 2020