Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi kërkon nga komuna e Gjorçe Petrovit që menjëherë të tërhiqet nga qëllimi për të ndërtuar një mur prej tre metrash në lagjen ku jeton kryesisht popullatë rome. Pas reagimeve fillestare dhe protestave të banorëve, zyrtarët e komunës theksuan se bëhet fjalë për një rrethojë që ka për qëllim mbrojtjen dhe parandalimin e aksidenteve të ardhshme të trafikut në këtë pjesë të komunës. Megjithatë, është e qartë se shpjegimi është i pabazuar sepse padyshim bëhet fjalë për një rrugë anësore dhe synimi për ta mbyllur të gjithë pjesën ku ka disa shtëpi të vendosura afër rrugës është i dukshëm. Vetë rruga nuk ka qarkullim të madh të veturave dhe në vendin konkret ka trotuar që i ndan shtëpitë nga rruga.
Pavarësisht nga përpjekjet për të shpjeguar qëllimet “e sigurisë” të planit për ndërtimin e murit kontestues, kjo zgjidhje padyshim çon në ndarjen e popullsisë në komunë. Ndërtimi i një muri pranë vendbanimeve të romëve nga Gjorçe Petrov nuk duhet të paraqitet si zgjidhje e vetme e mundshme për sigurinë në trafik të fëmijëve dhe të qytetarëve të tjerë që jetojnë në këtë pjesë të komunës. Është veçanërisht e papranueshme kur praktikat e qarta diskriminuese paraqiten si përfitim për banorët lokalë dhe për mbrojtjen e tyre të pretenduar nga pasojat e padëshiruara, kundër vullnetit të banorëve.
Për shkak të gjithë kësaj, kërkojmë nga komuna t’i ndalojë aktivitetet e ndërtimit në lagjen Ge-Ge dhe të gjejë zgjidhje të tjera që do ta përmirësojnë sigurinë e popullatës, zgjidhje që nuk përfshijnë ndërtimin e barrierave fizike midis njerëzve, të cilat sipas përkufizimit nënkuptojnë ndarje, tregojnë racizmin e rrënjosur në institucione dhe në shoqëri dhe i shkelin parimet themelore kushtetuese.
Ekziston një praktikë e ngritjes së mureve rreth vendbanimeve ku jetojnë romët në disa komuna. Në këtë mënyrë, romët ndahen edhe më shumë, u vështirësohet qasja në pjesën tjetër të qytetit dhe u dërgohet mesazh se ata janë të padëshirueshëm. Ndarja është e ndaluar me Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, dhe për këtë arsye kërkojmë që Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi ta hetojë rastin dhe të rekomandojë ndërprerjen e praktikave të tilla.
—————————————————
9 Qershor 2021