Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Ne i kërkojmë Shtetit të krijojë një kornizë rregullatore për përcaktimin e shërimit në lidhje me COVID-19, të cilin qytetarët e mbulojnë me mjete personale në institucione private shëndetësore, duke ndjekur shembullin e shumës maksimale të përcaktuar për pagesën e pjesëmarrjes me mjete personale (participim) në shëndetin publik, në përputhje me Listën e çmimeve të shërbimeve shëndetësore të Fondit për Sigurim Shëndetësor.

Propozojmë që Fondi për Sigurim Shëndetësor të lidhë kontratë me të gjithë laboratorët e akredituar për testin PCR të shërbimit shëndetësor për të përcaktuar praninë e virusit SARS-CoV-2 ose të mundësojë mbulimin e shpenzimeve, gjegjësisht rimbursimin (kthimin) e tyre.

Presim që Fondi për Sigurim Shëndetësor të lidhë kontrata me të gjithë laboratorët për shërbime shëndetësore që janë të lidhura ngushtë me monitorimin dhe vlerësimin e gjendjes shëndetësore të pacientëve me COVID-19, në përputhje me praktikën e vendosur dhe mjekësinë e bazuar në prova.[1]

Në pritje që shteti dhe Fondi të sigurojnë që shërbimet shëndetësore laboratorike në lidhje me diagnostikimin dhe monitorimin e pacientëve me COVID-19 të mbulohen financiarisht nga shteti.

Për arsyet e mëposhtme:

Rritja marramendëse e të sëmurëve me COVID-19, së bashku me numrin e pamjaftueshëm të të shëruarve për t’u liruar krevatë për pacientët e rinj që do të shtrohen në spital,[2] në mënyrë të pashmangshme e ngre çështjen e së drejtës universale për qasje në kujdesin shëndetësor. Për më tepër, në kushte kur 85.000 qytetarë të Maqedonisë së Veriut jetojnë me 40 denarë në ditë dhe pothuajse çdo i katërti mbijeton me jo më shumë se 126 denarë në ditë,[3] shërbimet shëndetësore private prej mijëra eurosh nuk mund të konsiderohen si një mundësi e arritshme për ta gëzuar këtë të drejtë njerëzore.

Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut ia garanton çdo qytetari të drejtën e kujdesit shëndetësor.[4] Kjo do të thotë qasje në kohë dhe të përshtatshme të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut në kujdesin shëndetësor me cilësi dhe çmim të përballueshme. Qasja në kujdesin shëndetësor adekuat nuk mund të varet nga statusi social, gjegjësisht nga pozita pronësore e qytetarëve, që përcaktohet qartë me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.[5] Mbi të gjitha, edhe vetë triazhi asnjëherë nuk i vendos këto rrethana si kriter për përcaktimin e prioritetit për sa i përket qasjes në kujdesin shëndetësor.

Në përputhje me Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, shteti është bartësi i detyrimit për të mbrojtjen e të drejtës së shëndetit. Pjesë e këtij detyrimi të shtetit është edhe detyrimi të sigurojë se ofrimi i shërbimeve shëndetësore nga subjektet private “nuk do të jetë kërcënim për disponueshmërinë, qasjen, pranueshmërinë dhe cilësinë e institucioneve, shërbimeve dhe serviseve shëndetësore.” Komisioni për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore është i prerë se:

“Institucionet, mallrat dhe shërbimet shëndetësore duhet të jenë në dispozicion për të gjithë. Pagesa për shërbimet shëndetësore, si dhe për shërbimet që lidhen me përcaktuesit themelorë të shëndetit, duhet të bazohen në parimin e barazisë, duke siguruar që shërbimet e tilla, qofshin ato publike apo private, të mund t’i përballojnë të gjithë, duke i përfshirë edhe grupet e pafavorshme sociale. “Për një barazi të tillë, është thelbësore që familjet e varfra të mos ngarkohen në mënyrë disproporcionale me shpenzime shëndetësore krahasuar me familjet më të pasura.”[6]

Mbrojtja shëndetësore është një aktivitet me interes publik,[7] pavarësisht se a kryhet në institucione shëndetësore publike ose private. Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë janë të detyruara të sigurojnë realizimin e interesit publik edhe në situatë krize, në të cilën ndodhemi për momentin.

Pandemia ka bërë që institucionet shëndetësore publike të jenë të mbipopulluara me pacientë dhe të mos jenë në gjendje t’u ofrojnë kujdes shëndetësor të gjithë qytetarëve të sëmurë nga COVID-19 që kanë nevojë për trajtim spitalor, ndërsa trajtimi në spitalet private me çmime tepër të larta, është privilegj për shumë pak njerëz. Shteti, përveç që duhet të lidhë kontratë me spitalet private përmes FSSh-së, duhet të vendosë edhe një kufi në shumën maksimale të një trajtimi privat nga COVID-19.[8] Rregullimi i çmimeve dhe përcaktimi i kritereve për ndarjen e shtretërve spitalorë është absolutisht i domosdoshëm që të mos gjendemi në një situatë të ketë vende të lira në institucionet private shëndetësore, e të mos ketë mundësi shërimi përmes Fondit, gjë që do t’i linte këto vende të paarritshme për shumicën dërrmuese të qytetarëve të Maqedonisë. Përndryshe, interesi privat do të mbizotërojë mbi interesin publik.

Mundësia për të trajtuar pacientët pozitivë ndaj KOVID-19 në spitalet private në rrjetin e instuticioneve shëndetësore dhe për të lidhur kontratë me FSSh-në u përaktuar me Dekretin me fuqi ligjore për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen Shëndetësore gjatë gjendjes së jashtëzakonshme të miratuar nga Qeveria, i cila tani është jashtë qarkullimit ligjor,[9] mirëpo, nuk u lidh asnjë kontratë e tillë.

Megjithatë, me ndryshimet dhe plotësimet e fundit në Ligjin për Mbrojtjen e Popullsisë nga Sëmundjet Infektive,[10] spitalet private e ruajtën të drejtën për të trajtuar pacientët e sëmurë me KOVID-19, por pa lënë mundësinë e ofrimit të këtyre shërbimeve në rrjetin e institucioneve shëndetësore dhe lidhjen e kontratës me FSSh-në. Kështu, ky ligj, përveç trajtimit në institucionet shëndetësore publike, parashikon që pas indikacioneve mjekësore, pacientët të mund të trajtohen dhe izolohen edhe në institucione shëndetësore private që kanë licencë për të kryer aktivitetin të kujdesit intensiv dhe terapisë. Për të trajtuar pacientë me KOVID-19, institucionet private shëndetësore duhet të kenë pëlqimin e Ministrisë së Shëndetësisë, gjegjësisht licencë për të kryer veprimtari të kujdesit intensiv dhe terapisë. Në rast të përmbushjes së kapaciteteve për trajtimin e pacientëve me KOVID-19 në institucionet shëndetësore publike, pas miratimit paraprak nga Ministria e Shëndetësisë, trajtimi i personave mund të kryhet edhe në institucione shëndetësore private që kanë licencë për të kryer veprimtari të kujdesit intensiv dhe terapisë. Atë që ky ligj e ka lënë si boshllëk është mos rregullimi i implikimeve financiare të shërbimeve shëndetësore nga ana e institucioneve private shëndetësore. Megjithatë, edhe në një situatë të tillë, neni 60 i këtij Ligji parashikon se për zbatimin e masave të veçanta, mjete sigurohen nga:

  1. Fondi i Sigurimit Shëndetësor për personat të cilët janë të detyruar të sigurohen në aspekt shëndetësor;
  2. Buxheti i Republikës për zbatimin e programeve parandaluese dhe për personat që nuk janë të mbuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor dhe
  3. Punëdhënësit për kontrolle të detyrueshme shëndetësore – higjienike të punonjësve.

Vlerësimi i këtyre implikimeve është përgjegjësi e shtetit, së bashku me sigurimin e disponueshmërisë ekonomike të shërbimeve për të gjithë, duke i përfshirë edhe ato shërbime që ofrohen sipas këtij Dekreti. Çdo veprim në kundërshtim me këtë do të thotë shkelje e detyrimeve të shtetit në lidhje me të drejtën për shëndetin të qytetarëve dhe qytetareve të tij. Për shkak të situatës në të cilën gjendet vendi si rezultat i pandemisë, Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë kanë detyrim ligjor për të marrë masa që nga njëra anë do të sigurojnë qasje të barabartë në mbrojtjen shëndetësore, ndërsa nga ana tjetër do t’i shfrytëzojnë kapacitetet e shëndetit publik dhe privat.

Për shkak të gjithë kësaj, ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut që sa më shpejt të jetë e mundur të marrë masa në lidhje me rregullimin adekuat të punës së spitaleve private në kushte të krizës në një mënyrë që atyre do t’u japë pëlqimin për t’u kujdesur për pacientët me KOVID-19 vetëm atyre spitaleve private që kanë lidhur kontratë me FSSh-në, si dhe të marrë iniciativën për rregullimin adekuat të çmimeve të shërbimeve shëndetësore në institucionet shëndetësore private dhe t’i japë fund përfitimit në kohë krize kërcënuese për jetën.[11] Të mos lejojmë shkelje sistematike të së drejtës së qasjes në mbrojtjen shëndetësore në mënyrë që shanset për të mbijetuar të varen nga ajo se kush ka më shumë miq dhe para për ta shpëtuar jetën e tij dhe të afërmve të tij.

Kjo kërkesë mbështetet nga:

*****

[1] Duke përfshirë, por pa u kufizuar në: ekzaminimin e CRP-së, D-dimerëve dhe të gjitha testeve të tjera të nevojshme.

[2] Përmbledhja vizuale e situatës me COVID-19 në Maqedoni është në dispozicion në: https://covid-19.treker.mk/mk/stats. Të dhënat e përdorura janë marrë nga Ministria e Shëndetësisë.

[3] Enti Shtetëror Statistikor i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Standardi i jetesës, Treguesit e Varfërisë të Laekenit për vitin 2019, publikuar më 30 tetor 2020.

[4] Neni 39 paragrafi 1 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

[5] Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, vendimi Nr. 45/2006 i datës 11.07.2007.

[6] OKB, Komiteti për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, “Komenti i përgjithshëm nr.14: E drejta për standardin më të lartë të arritshëm të shëndetit (neni 12 i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore)”, E/C.12/2000/4: http://shorturl.at/morzP (theksi në tekst është i yni).

[7] Neni 12 paragrafi 1 i Ligjit për Mbrojtjen Shëndetësore. “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë” nr. 43/12, 145/12, 87/13, 164/13, 39/14, 43/14, 132/14, 188/14, 10/15, 61/15, 154/15, 192/15, 17 / 16, 37/16, 20/19 dhe “Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut” nr. 101/19, 153/19, 180/19 dhe 275/19.

[8] Duke ndjekur shembullin e shumës maksimale të pjesëmarrjes në shëndetin publik, e cila shumë nuk mund të kalojë 6.000 denarë.

[9] Dekret me fuqi ligjore për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen Shëndetësore gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut, numër 76 nga 24.3.2020.

[10] Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Mbrojtjen e Popullsisë nga Sëmundjet Infektive, Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut numër 257/2020.

[11] Kërkesa e paraqitur në asnjë rast nuk shkon në drejtim të ndalimit të disa institucioneve shëndetësore për t’i trajtuar personat që vuajnë nga COVID-19 sepse nuk kanë kontratë me Fondin, veçanërisht nëse një kontratë e tillë nuk është lidhur për shkak të vonesave dhe lëshimeve administrative, sepse në këtë kohë çdo person dhe çdo shtrat është i rëndësishëm.

 

—————————————————

19 Nëntor 2020