Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Komuna e Shtipit në ueb-faqen e saj nuk ka mjete për komunikim digjital, raportim të problemeve apo komunikim të drejtpërdrejtë me kryetarin e komunës, anëtarët e këshillit komunal ose sektorët e komunës. Qytetarët konsiderojnë se është e nevojshme të përmirësohet komunikimi, duke aplikuar mënyra moderne të komunikimit, me qëllim që të lehtësohet dhe të rritet pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje. Si shembull përmenden disa komuna të tjera, ku qytetarëve u jepet mundësia të bëjnë pyetje, të raportojnë ndonjë problem ose iniciativë qytetare ose ata kanë në dispozicion aplikacion celular, si lloji më i zhvilluar i komunikimit digjital.

Ueb-faqja e Komunës së Shtipit përmban informacione të përgjithshme, pa mjete të integruara për komunikim me qytetarët. Opsioni i vetëm për kontakt të drejtpërdrejtë me komunën është formulari Kontakt me qytetarët me ndonjë lloj paaftësie, ku janë lënë të dhënat e administratorit lokal për kontakt me e-mail dhe numri i telefonit.

Mirëpo, edhe pse ky kontakt është në faqen e parë të faqes zyrtare të Komunës së Shtipit, kjo për Zoran Mijallkovin, kryetar i OJQ-së “Zemrat e Bashkuara”, i cili i përfaqëson interesat e njerëzve me autizëm dhe të familjeve të tyre, nuk është e njohur. Kur kanë ndonjë pyetje apo problem të caktuar, shpjegon Mijalkov, ata shkojnë personalisht në komunë, ose i kontaktojnë ata përmes telefonit.

– Thjesht endesh nëpër institucione, nëpër komunë, për ta gjetur atë që ju intereson. Tashmë disa vite nuk e hapim ueb-faqet, sepse në të vërtetë ne shumëzohemi me zero, për fat të keq, kështu që përpiqemi vetë ta bëjmë atë që duhet. Në thelb, komunat nuk janë të hapura për qytetarët, siç duhet të jetë, thotë Mijallkovi.

Shoqata qytetare, të cilën e udhëheq ai, bashkon disa dhjetëra prindër dhe fëmijë me autizëm nga Shtipi. Si shembull pozitiv i komunikimit, ai tregon profilin aktiv në Twitter të kryetarit të Komunës së Karposhit, Stefan Bogoev, të cilit, siç thotë Mijallkovi, i janë drejtuar, megjithëse nuk janë nga ajo komunë dhe ai u është përgjigjur brenda 24 orësh. Kjo mënyrë e komunikimit pritet edhe nga pushteti lokal në Shtip.

-Komunikimi online do të ishte më i miri, me mesazhe në grup dhe ajo që është shumë e rëndësishme, nuk kushton shumë para. Qytetarët gjithashtu mund të paraqiten vullnetarisht në punën e komunës, në mënyrë që menjëherë të marrim çka do që të na nevojitet. Rrjetet sociale janë një mundësi e shkëlqyer. Aplikacioni është zgjidhja më e mirë, në atë mënyrë të gjitha shoqatat dhe palët e interesuara mund të arrijnë deri te informacionet që u interesojnë, sepse kemi e-maila zyrtarë. Kjo do ta lehtësonte shumë punën, konsideron Zoran Mijallkov nga OJQ-ja “Zemrat e Bashkuara”.

Gazetarët janë një kategori e qytetarëve që komunikojnë çdo ditë me komunën, e cila përgatit buletinin e komunal me informacion dhe njoftim të ngjarjeve të përditshme. Mirëpo, sipas vlerësimit të gazetares Sllavica Veliçkovska, korrespodente e shërbimit publik të TVM-së, këto më shpesh janë informacione shërbyese, ditore, por jo shumë të rëndësishme. Pritjet e saj janë që komuna të ofrojë informacione dhe analiza më cilësore në ueb-faqen e saj, të cilat u nevojiten si redaksive ashtu edhe qytetarëve.

– Unë mendoj se kjo teknologji e re ofron kaq shumë mundësi për të pasur komunikim të dyanshëm me ne si gazetarë dhe me qytetarët në përgjithësi. Unë mendoj se niveli aktual i konfigurimit të ueb-faqes nuk është në atë nivel, supozoj do të përpiqen që ta përmirësojnë atë. Nuk ka informacion për raportimin e ndonjë problemi komunal, nuk ka analiza përmbledhëse, pasqyrë të gjendjeve, ja për shembull, unë si gazetar duhet ta pyes zëdhënësin ose kryetarin e komunës për secilën gjë, thotë Veliçkovska.

Gazetarja konsideron se mungojnë edhe informacione nga seancat e mbajtura të Këshillit të Komunës, publikimi i informacionit të përmbledhur në lidhje me konkluzionet nga seancat e Këshillit, në një formë dhe mënyrë që do të ishin të kuptueshme për çdo qytetar.

Tani për tani, aspekti digjital i ueb-faqes së komunës vjen nga lidhja me sistemin elektronik të centralizuar për shërbime, E-miratimi i BNJVL-së dhe Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, i cili ofron 10 lloje të ndryshme të kërkesave, udhëzimeve dhe rregulloreve në fushën e ndërtimit dhe urbanizmit.

Komuna e Shtipit ka në dispozicion mënyrat tradicionale të komunikimit, përmes telefonit dhe postës elektronike. Millkica Dimitrova nga Komuna e Shtipit, njofton se komuna po përgatitet për avancimin e ueb-faqes.

-Komunikimi me qytetarët bëhet në çdo mënyrë – përmes telefonit, përmes e-mailit zyrtar të Kryetarit të Komunës dhe të Komunës, si dhe përmes ueb-faqes, e cila aktualisht është në proces të avancimit, gjegjësisht të plotësohet me mjete digjitale që do ta lehtësojnë qasjen në informata dhe natyrisht, në Komunë. Duhet ta theksoj kontaktin me bashkësitë urbane, i cili zhvillohet në mënyrë të drejtpërdrejtë, të cilat i dërgojnë kërkesat e qytetarëve. Kjo funksionon shumë mirë për tani, si dhe bashkëpunimi me sektorin civil, tha Millkica Dimitrova nga Komuna e Shtipit. Dimitrova tha se ky komunikim iniciohet veçanërisht në procesin e krijimit të buxhetit, ndërsa anketat, të cilat shpesh vijnë nga organizatat e shoqërisë civile dhe aktivistët civilë, japin një pasqyrë të qartë se në ç’drejtim duhet të shkojë komuna.

Megjithatë, nëse bëhet një krahasim me disa komuna të tjera, Komuna e Shtipit ka ende shumë për të punuar në digjitalizimin e komunikimit me qytetarët. Ndër shembujt pozitivë të komunikimit digjital dhe pjesëmarrjes digjitale të qytetarëve në punën e komunës është aplikacioni celular “M-Zaednica” (mZaednica) e inkuadruar në ueb-faqen e Komunës së Karposhit. Aplikacioni është për telefon celular, i krijuar si një aktivitet nga projekti “Të rinjtë e përfshirë për m-pjesëmarrje”, i mbështetur nga Projekti i USAID për Pjesëmarrjen Qytetare, dhe i realizuar nga Qendra për Inovacione Sociale “Blink 42-21”.

Aplikacioni ka tre komponente themelore: raportimi i problemeve, ndarja e propozimeve dhe ngritja e iniciativave qytetare, e po ashtu ofron mundësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë me vetëqeverisjen lokalelidhje me të gjithë përdoruesit e aplikacionit celular dhe lidhje me mediat sociale.

Millan Tançevski nga ShQ “Blink 42-21”, thotë se aplikacioni “mZaednica” është në funksion të përmirësimit të pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje, në një koncept më të gjerë të quajtur pjesëmarrja mobile ose pjesëmarrja “To go”. Propozimi iu prezantua Komunës së Karposhit dhe u pranua, dhe është planifikuar të zgjerohet edhe në dy komuna të tjera.

– Ky është mjeti i parë i këtillë në Maqedoni dhe mundëson komunikim ndërmjet qytetarëve dhe komunës. Jep mundësinë për të fotografuar një objekt të caktuar, për ta lokalizuar gjeografikisht me saktësi, për ta dërguar tek organi kompetent në komunë, për ta shpërndarë në rrjetet sociale, është një aplikacion që i kapërcen barrierat, deklaroi Tançevski.

Që nga futja në përdorim, qytetarët e kanë përdorur atë në mënyrë aktive, me disa mijëra aksione. Tançevski thotë se e meta është se Komuna e Karposhit ndan kompetenca me Qytetin e Shkupit, kështu që shpesh ndodh që disa nga raportimet të adresohen në Qytetin e Shkupit, por kjo është vetëm një sfidë që aplikacioni të shpërndahet edhe në komuna të tjera.

– Mjeti është absolutisht i pranueshëm edhe nga komunat e tjera. Mjeti siguron mundësinë për kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët. Ekzistojnë dy komponente – njëra është një platforma digjitale, përmes së cilës njerëzit e komunës komunikojnë me qytetarët, ndërsa tjetra është aplikiacioni përmes telefonit celular. Në përgjithësi, aplikacioni mund të aplikohet nga çdo komunë tjetër. Për sa i përket burimeve të nevojshme – gjithçka varet nga shkalla e përfshirjes së komunës, e cila vendos se sa njerëz dhe njësi janë të lidhura me aplikacionin. Në Karposh janë shtatë njësi, shpjegon Millan Tançevski nga “Blink 42-21”.

Ky aplikacion nuk është i vetmi që përdoret nga komunat në Maqedoninë e Veriut. Për krahasim, i analizuam ueb-faqet e disa komunave me një sistem më të zhvilluar të komunikimit digjital. Në ueb-faqet e Komunës së Velesit, Komunës së Karposhit dhe Komunës së Strumicës si ilustrim, ka mjete dhe mundësi digjitale për komunikim me Kryetarin e Komunës, Këshillin e Komumës dhe shërbimet komunale, mund të parashtrohen pyetje, të raportohet ndonjë problem, të merret ndonjë informacion ose të alarmohet për ndonjë problem në komunë. Komuna e Karposhit e përdor aplikacionin Prashaj.mk, ndërsa komunat e tjera i kanë integruar mjetet e mëposhtme: Pyete Kryetarin e Komunës, Raporto problemin, Sistemi 48, E-Shërbime.

Përveç mjeteve specifike që kanë të bëjnë me komunat për komunikimin e tyre më të mirë me qytetarët, disa nga ueb-faqet e komunave kanë linke, të cilat çojnë në platforma dhe sisteme që kanë të bëjnë me komunat për informim ose transparencë më të mirë.

Burimi: Media Plus

—————————————————

29 Tetor 2020