Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

PATRIK GASPAR

Në përpjekje për të lehtësuar krizën e shëndetit publik, siç është pandemia e KOVID-19, qeveritë jo-liberale në të gjithë botën po i testojnë kufijtë e të drejtave civile dhe mekanizmat e kontrollit demokratik të pushtetit. Siç nga tregon historia përsëri, nuk ka kohë më të mirë se një situatë krize për njerëzit e fuqishëm ambiciozë për ta konsoliduar pushtetin.

Nju Jork – “Zoti dhe njerëzit janë burimi i gjithë pushtetit… Unë e mora pushtetin, dhe qofsha i mallkuar, do ta ruaj përgjithmonë” deklaroi diktatori haitian, Francois “Papa Doc” Duvalier në vitin 1963. Kështu edhe bëri, duke e shpallur veten president të përjetshëm, deri në vdekjen e tij në vitin 1971, kur u pasua nga djali i tij Jean-Claude (“Bebe Dock”), i cili e vazhdoi diktaturën edhe për 15 vjet të tjera.

Kjo mund të duket si histori e lashtë. Por, jo edhe për mua. Familja ime është nga Haiti, dhe megjithëse kemi emigruar në Shtetet e Bashkuara kur isha fëmijë, dukej se megjithatë ishim pranë regjimit të pamëshirshëm të Duvalier. Unë kurrë nuk i kam harruar leksionet brutale që i mësuan haitasit gjatë sundimit të familjes Duvalier, duke përfshirë edhe mënyrën se si ata i shfrytëzuan rregullisht fatkeqësitë natyrore dhe krizat kombëtare për të konsoliduar pozicionin e tyre të pushtetit.

Këtë leksion duhet ta mbajmë në mend edhe sot. KOVID-19 është një kërcënim jo vetëm për shëndetin publik, por edhe për të drejtat e njeriut. Gjatë historisë, krizat si kjo e sotmja kanë shërbyer si një justifikim i përshtatshëm për regjimet autoritare për t’i normalizuar impulset e tyre tiranike. Prindërit e mi e kanë ndjerë këtë në lëkurën e tyre në Haiti. E sot ne të gjithë e shohim këtë përsëri.

Kërcënimi i ri filloi në Kinë, ku përpjekjet fillestare të qeverisë tashmë autoritare për ta fshehur epideminë mundësuarn që ajo të përhapet globalisht. Por, Kina nuk është vetëm në këtë. Në Indi, qeveria e kryeministrit Narendra Modi futi një mbyllje në shtëpi prej 21 ditësh me një njoftim prej vetëm disa orë më parë, që miliona njerëzve nga populli më i varfër në botë nuk u la kohë të mjaftueshme të furnizohen me ushqim dhe ujë të mjaftueshëm. Më keq se kjo është fakti që policia indiane ka filluar ta përdorë mbylljen në shtëpi për ta rritur diskriminimin e targetuar kundër popullsisë muslimane në vend.

Ndërkohë, në Keni dhe Nigeri, policia dhe ushtria i rrahën të gjithë njerëzit që dukej se nuk i respektojnë protokollet e distancimit social. Në Izrael, autoritetet iu bashkuan rreth 20 qeverive të tjera në shtrirjen e mbrojtjes së privatësisë deri në pikën e shkeljes së të drejtave të njeriut duke përdorur të dhëna nga telefonat mobilë për ta ndjekur lëvizjen e qytetarëve. E në Hungari, kryeministri Viktor Orban, i cili ka vite që punon për të konsoliduar pushtetin, arriti të fusë një ligj që në mënyrë efektive e kodifikon statusin e tij si një diktator absolut.

Reagimet ndaj shkeljeve të tilla nga demokracitë botërore mezi kanë arritur nivelin e pëshpëritjes. Përveç nëse amerikanët nuk mendojnë se janë imun ndaj grabitjes së tillë të pushtetit, edhe ata duhet ta marrin parasysh faktin se, në fund të marsit, Departamenti i Drejtësisë kërkoi nga Kongresi të fitojë autorizime për arrestimin e qytetarëve amerikanë (jo vetëm të emigrantëve pa dokumente) për një periudhë të pacaktuar kohe dhe pa gjyq.

Qeveritë që marrin masa të tilla e justifikojnë këtë si të domosdoshme për ta luftuar pandeminë. Por, historia na tregon se liderët jo-liberalë rrallë, ndoshta edhe aspak, lejojnë që t’u kalojë afati autorizimeve të tyre në situata të krizës.  Për të qenë të sigurt, çdo qeveri është e detyruar t’i përgjigjet fuqishëm çdo fatkeqësie mbi shëndetin publik, dhe një reagim i tillë mund të kërkojë një kufizim të përkohshëm, por të konsiderueshëm të veprimtarisë së qytetarëve. Megjithatë, shumë nga politikat që liderët autoritarë i kanë miratuar javët e fundit nuk janë vetëm antidemokratike, por edhe kundërproduktive për luftën kundër pandemisë.

Për shembull, shumë më tepër sesa parandalimi i përhapjes së sëmundjes, ngufatja e lirisë së shtypit e vështirëson seriozisht zhvillimin e vetëdijes për atë se si duhet të reagojë publiku. Gjithashtu, arrestimi i qytetarëve pa gjyq e dëmton besimin në qeveri në një kohë kur një besimi i tillë është më i nevojshëm. Ndërsa anulimi i zgjedhjeve i eliminon të gjitha stimujt që liderët politikë t’i vendosin në radhë të parë interesat publike.

Ndërsa luftojmë COVID-19, duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të ruajtur shëndetin e demokracive tona. Më konkretisht, duhet të pranojmë se, në shumë mënyra, mbrojtja e shëndetit publik dhe mbrojtja e demokracisë janë dy fronte në të njëjtën betejë.

Për fat të mirë, organizatat qytetare dhe individët nuk janë të pafuqishëm në dritën e masave për të luftuar pandeminë. Pas më shumë se tre dekadash në ballë të luftës për demokraci, ne në Fondacionet e Shoqërisë së Hapur kemi mësuar disa leksione të rëndësishme.

Për fillim, ne duhet të përdorim të gjitha mjetet në dispozicion për të mbrojtur liritë civile. Megjithëse pandemia kërkon distancim shoqëror, ajo nuk e justifikon brutalitetin e policisë dhe keqpërdorimin e pushtetit. Në momentin që liderët politikë fillojnë të kufizojnë lirinë e fjalës dhe të drejtën për të protestuar, ose të heqin dorë nga kontrolli i fuqisë së tyre, rreziku për të hyrë në regjime autoritare bëhet real. Nga qeveritë që kanë filluar t’i testojnë këto kufij duhet të kërkohet përgjegjësi menjëherë.

Leksioni i dytë është se ne duhet t’i rezistojmë ofrimit të qengjave sakrifikues. Në përgjigje të pandemisë, një numër qeverish kanë filluar ta quajnë KOVID-19 “virusin kinez”, duke vendosur kështu skenën për ndjekjen dhe stigmatizimin e njerëzve me origjinë kineze.

Si amerikano-haitas, unë kam qenë dëshmitar i përndjekjeve të tilla gjatë krizës HIV/AIDS të viteve 1980-ta, kur Qendrat e SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve shpallën se SIDA transmetohet nga “homoseksualët, përdoruesit e heroinës, hemofiliakët dhe haitasit”. Si rezultat i formulimit të tillë joshkencor dhe të njëanshëm të mesazheve, Shtetet e Bashkuara filluan t’i arrestojnë azilkërkuesit nga Haiti në një kamp të egër burgu në Gjirin e Guantanamos, i cili në fakt i minoi përpjekjet për të parandaluar përhapjen e HIV.

Në fund, ne duhet t’i trajtojmë pabarazitë themelore ekonomike dhe sociale që pandemitë kanë tendencë t’i përkeqësojnë. Për të parë se si koronavirusi i nxori në shesh pabarazitë e thella në Amerikë, nuk është e nevojshme të kërkoni përtej Ishullit Riker, burgut kryesor në qytetin e Nju Jorkut, i cili tani e ka shkallën më të lartë të infeksionit në planet. Më gjerësisht, kriza ka treguar edhe një herë se shumë familje amerikane nuk kanë qasje në mbrojtjen shëndetësore, pushimin e paguar shëndetësor, mbrojtje të të drejtave të punëtorëve, kursime personale dhe nevoja të tjera themelore.

Madje edhe në një kohë kur po mbrohemi nga sulmet e reja ndaj demokracisë dhe të drejtave civile, duhet ta shfrytëzojmë këtë moment për të njohur të gjitha mënyrat me të cilat shoqëritë tona ua kanë marrë të drejtat qytetarëve, refugjatëve, emigrantëve dhe azilkërkuesve para se të fillojë pandemia. Është e vërtetë se sot shqetësimi për gjendjen e demokracisë nuk është problemi kryesor i shumicës së njerëzve. Por, nëse ruajtja e demokracisë nuk është në listën tuaj të gjërave “që duhet t’i bëni”, është e sigurt të supozoni se kjo nuk do të jetë në listën e askujt tjetër.

Fatkeqësisht, shumë nga ata që janë në pushtet vetë kurrë nuk do të marrin përsipër të mbrojnë të drejtat tona. Ne duhet ta bëjmë vetë këtë. Demokracia është shumë më tepër sesa një sistem qeverisjeje, është prizmi përmes të cilit duhet të shihet bota dhe vendi ynë në të. Nëse e prishim atë gjatë gjendjes së krizës, ne kurrë nuk mund ta shohim veten përsëri në të njëjtën mënyrë.

13 prill 2020

Burimi: Project Syndicate:

Foto: Laszlo Balogh/Getty Images

—————————————————

22 Prill 2020