Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Hulumtimi “Struktura e punonjësve të universiteteve publike dhe instituteve shkencore në RMV” është realizuar në bazë të të dhënave të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për të ardhurat personale të paguara për muajin janar të vitit 2019. Të dhënat janë siguruar në bazë të Ligjit për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik. Nga përpunimi i të dhënave për Universitetin “Shën  Kirili dhe Metodi” në Shkup (UKdheM), u përjashtuan Fakulteti i Mjekësisë dhe i Stomatologjisë për shkak të marrëdhënies së dyfishtë punës së kuadrit mësimdhënës.

Struktura e moshës së dy universiteteve, dikur të vetme, në vend është jashtëzakonisht brengosëse. Kjo veçanërisht vlen për Universitetin “Shën  Klimenti i Ohrit” në Manastir (UShKO), ku pothuajse gjysma e fakulteteve nuk kanë asnjë asistent të vetëm, por edhe numri i profesorëve në njësi të caktuara është jashtëzakonisht i vogël. Nëse dikur një profesor kishte një ose dy asistentë, ky raport është prishur krejtësisht në favor të profesorëve të cilët do t’i lënë katedrat të zbrazëta pas pensionit. Në nivelin e të gjithë UKdheM, kjo strukturë është pak më e mirë, por megjithatë alarmante. Në nivelin e njësive akademike, një e katërta e fakulteteve nuk kanë aspak asistentë, ndërsa ato me numrin më të madh të profesorëve të rregullt, ndërmjet 55 dhe 66, kanë vetëm 2 deri në 3 asistentë. Situata është e ngjashme edhe në shumicën e instituteve shkencore publike.

Për zhvillimin normal të punës mësimore-shkencore në institucionet e arsimit të lartë dhe në institucionet hulumtuese, është i nevojshëm edhe personeli jo-mësimor. Përveç shërbimit administrativ, bibliotekës, çështjeve të studentëve, ky grup përfshin gjithashtu edhe punëtorët në laboratorë dhe personelin tjetër ndihmës. Edhe këtu, situata në UKdheM është jashtëzakonisht e pafavorshme, ndryshe nga universitetet e tjera, ku numri i kuadrit jo-mësimdhënës është pothuajse i barabartë me numrin e kuadrit mësimor. Në disa nga universitetet relativisht të reja, Universitetin Shtetëror të Tetovës (USHT) dhe Universitetin “Goce Dellçev” Shtip (UGD), përqindja e të punësuarve me arsim fillor është e diskutueshme – në njërin prej tyre arrin 15% të numrit të përgjithshëm të të punësuarve. Ka edhe situata paradoksale, të tilla si ekzistenca e një instituti me vetëm dy asistentë, asnjë hulumtues dhe madje 10 administratorë, por edhe një universitet me vetëm 10 profesorë dhe po aq asistentë.

Nëse nuk ndryshohen politikat e punësimit në arsimin e lartë dhe dhe në shkencë, problemi do të zgjerohet në çdo vit të ardhshëm, ndërsa pasojat do të jenë katastrofale, si për mbijetesën e institucioneve ashtu edhe për rritjen dhe zhvillimin e vendit. Nëse nuk ndërmerret një hap i gjerë dhe thelbësor që nesër në drejtim të ringjalljes së universiteteve dhe instituteve, si dhe për sa i përket rrogave që do të jenë stimuluese për të tërhequr kuadrin e ri të mundshëm, pastaj nuk do të ketë vend për kthesë të konsiderueshme.

Prandaj, SPA kërkon që në Buxhetin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për vitin e ardhshëm të sigurohen fonde shtesë për punësimin e kuadrit të ri, si dhe për t’i sjellë rrogat e punonjësve në arsimin e lartë dhe në shkencë më afër nivelit të rrogave në rajon. Është e nevojshme të ndryshohen zgjidhjet ligjore me të cilat universitetet publike dhe institucionet shkencore nuk do t’i nënshtrohen procedurës për marrjen e pëlqimit për punësimin e vendeve të lira të punës për të cilat fondet janë siguruar tashmë në Buxhet. Qëllimi është që universiteteve dhe instituteve t’u mundësohet autonomia kadrovike e garantuar me kushtetutë dhe t’i jepet fund praktikës shumëvjeçare të ndikimit indirekt në politikën kadrovike të institucioneve nga ana e pushtetit.

—————————————————

30 Tetor 2019