Gjetjet e Raportit të Tretë Monitorues të Projektit “Për drejtësi” dhe vlerësimet e raportit të fundit të Komisionit Evropian ishin temë e konferencës së sotme për shtyp të Grupit Blueprint për Reforma në Gjyqësi.
Për sa i përket transparencës, në periudhën mars-maj 2019, procesi i miratimit të ligjeve ishte i detyrueshëm.
Drejtoresha ekzekutive e Komitetit të Helsinkit, Uranija Pirovska, foli për parimet në bazë të të cilave ndiqet procesi i reformave. Për sa i përket transparencës, grupi Blueprint përfundon se në mars-maj 2019 procesi ishte i kënaqshëm. Shumica e ligjeve u miratuan në mënyrë transparente, me debate publike dhe përfshirje të shoqërisë civile. “Për disa nga ligjet (si p.sh. për Ligjin për Prokurorinë Publike) më parë reaguam se nuk miratohen në mënyrë transparente, por kjo është tejkaluar në këtë periudhë. Ministri i Drejtësisë na bëri thirrje që të japim sugjerime dhe rekomandime në pjesën e PSP-së dhe konsiderojmë se ato do të merren parasysh gjatë rishtjellimit të zgjidhjeve ligjore” – tha Pirovska. Ajo shtoi se gjatë vlerësimit të kornizës kohore u morën parasysh proceset politike në vend, por dhe pengesat e ish-presidentit të vendit që nuk pranoi t’i nënshkruajë ligjet e reformave. Sidoqoftë, tashmë janë miratuar tetë nga trembëdhjetë ligjet e ndjekura nga grupi Blueprint.
Mbi ligjet e ndjekura nga Grupi Blueprint dhe Raportin e KE-së
Iva Conevska nga Instituti për Politika Evropiane bëri një përmbledhje të shkurtër të Raportit të KE-së mbi temat e përfshira në këtë projekt. Pas një dekade rekomandimesh, këtë vit rekomandimi është i ndryshëm, i qartë, i pakushtëzuar, ndërsa Marrëveshja e Prespës dhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë janë theksuar si shembull pozitiv. Komisioni i përshëndet proceset reformuese në plan të brendshëm dhe rezultatet në fushën e gjyqësisë, luftën kundër korrupsionit, shërbimet e inteligjencës dhe administratën publike. Conevska vuri në dukje se për sa i përket kritereve politike, në kapitujt 23 dhe 24, të cilët janë më të rëndësishëm për sundimin e ligjit, kemi përparimin më të madh dhe nivelin më të lartë të harmonizimit në krahasim me vendet e tjera të rajonit. KE-ja gjithashtu e përshëndeti edhe dialogun politik brenda Parlamentit, si dhe përfshirjen e shoqërisë civile në procesin e hartimit të politikave. Komisioni vlerëson se ndryshimi i kornizës ligjore në fushën e drejtësisë siguron një bazë solide për ndryshime të qëndrueshme. Ajo që vijon është implementimi konsekuent i ligjeve dhe zbatimi i Strategjisë për reforma në sektorin e gjyqësisë, dhe veçanërisht KE-ja konsideron se është e nevojshme një strategji e burimeve njerëzore në gjyqësi dhe prokurori, si dhe avancimi i sistemit informatik gjyqësor.
Për Ligjin për Prokurorinë Publike
Natali Petrovska nga Koalicioni të Gjithë për Gjykim të Drejtë i sqaroi propozimet e grupit Blueprint në lidhje me Ligjin për Prokurorinë Publike, të cilat tashmë janë dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë. Ato i referohen nevojës për ripërpunim të zgjidhjeve ligjore për të shmangur përputhjen e mandateve të PP-së për krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe të PSP-së. Rekomandimi është që PSP-ja të vazhdojë me mandatin e saj për të ndjekur raste të korrupsionit të profilit të lartë. “Në lidhje me zbatimin e materialeve të provave, gjegjësisht të ashtuquajturat “bomba”, ligji parashikonte që ato të mos përdoren në një fazë të caktuar, për të cilën gjë konsiderojmë se bien ndesh me Ligjin për Procedurë Penale. Prandaj, rekomandimi është që të bëhet një ndarje midis këtyre dy ligjeve, gjegjësisht zbatimi i materialit të provave t’i lihet Ligjin për Procedurën Penale” – tha Petrovska.
Propozimi i fundit për Ministrinë e Drejtësisë është prolongimi i mandatit të prokurorëve aktualë të PSP-së për gjashtë muaj, dhe më pas përzgjedhja të bëhet sipas dispozitave të propozim Ligjit të ri për Prokurorinë Publike, për shkak të vëllimit të lëndëve dhe përgatitjes së prokurorëve aktualë.
Mbi Ligjin për Kontestet Administrative dhe Ligjin për Kundërvajtje
Simona Trajkovska nga Qendra për Hulumtime dhe Analiza Juridike foli për Ligjin për Kontestet Administrative dhe Ligjin për Kundërvajtje që hynë në fuqi pasi u nënshkruan nga presidenti i ri. Trajkovska theksoi se Ligji për Konteste Administrative do ta përmirësojë procedurën, ai parashikon sanksione për institucionet që nuk do të veprojnë në kohë e po ashtu parasheh edhe debate publike si një parim për procedurat. Me Ligjin për Kundërvajtjet zvogëlohet politika ndëshkuese dhe futet masa e paralajmërimit, por harmonizimi i shumë ligjeve mbetet si sfidë.
Për Ligjin për Ndihmën Juridike Falas
Për Ligjin e ri për Ndihmën Juridike Falas, i cili u miratua dy javë më parë, foli Goce Kocevski nga Shoqata e Juristëve të Rinj të Maqedonisë. Ligji paraqet një përmirësim cilësor në krahasim me ligjin e mëparshëm dhe parashikon risi që do ta lehtësojnë qasjen në drejtësi për qytetarët e varfër. Gjithashtu është zgjeruar diapazoni i çështjeve juridike që i përfshin dhe pritet që të përshpejtohet procedura për aprovimin e ndihmës juridike falas.
Për rregullativën që e përfshin punën e Këshillit Gjyqësor dhe gjyqësisë në tërësi
Mirosllav Draganov nga Instituti për të Drejtat e Njeriut theksoi se ka pasur një përmirësim cilësor në rregullativën që e përfshin punën e Këshillit Gjyqësor dhe gjyqësisë në tërësi. Pritet që edhe Ligji për Këshillin e PP-së të ketë përmirësime të njëjta. Në periudhën e ardhshme, priten rezultate të dukshme gjatë zbatimit të ligjeve nga të gjitha nivelet e gjyqësisë. Tani e tutje, kthimi i besimit do të varet nga vetë institucionet gjyqësore – theksoi Draganov.
Gjetjet e prezantuara nga përmbledhja e tretë e monitorimit gjenden në linket e mëposhtme:
Raporti i tretë i monitorimit nga projekti “Për drejtësi”
Shtojcë e Raportit të Tretë të Monitorimit
—————————————————
12 Qershor 2019