Sfidat për shoqërinë e hapur që i ka paraqitur epidemia e COVID-19 kërkojnë gatishmëri, reagim të shpejtë dhe fleksibilitet. Duke e njohur urgjencën e situatës, në kushte të mbështetjes së zvogëluar financiare për shoqërinë civile, Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni vazhdon të punojë në mënyrë të përkushtuar për zhvillimin dhe mbështetjen e saj.
Siguruam mbështetje në vlerë të përgjithshme prej 190.00 dollarësh, me qëllim që të sigurohen kushte pune në kohë krize për organizatat e shoqërisë civile, të cilat janë segment kryesor i një shoqërie demokratike, dhe të cilat janë të goditura nga gjendja e jashtëzakonshme, sikurse edhe segmentet e tjera të shoqërisë.
Skemat e granteve përfshijnë dhe do të mundësojnë monitorimin e institucioneve dhe funksionalitetin e sistemit në kohë krize në fushat e luftës kundër korrupsionit, gjyqësisës dhe parandalimit dhe mbrojtjes nga diskriminimi, të cilat janë prioritete në procesin e anëtarësimit në BE. Në këtë mënyrë, organizatat e shoqërisë civile do të vazhdojnë të monitorojnë në mënyrë aktive proceset në periudhën e krizës dhe pas krizës, dhe do të reagojnë në mënyrë që të përmirësohen politikat dhe praktikat në këto fusha.
Në të njëjtën kohë, një pjesë e mjeteve do të sigurojnë mbështetje për organizatat lokale të shoqërisë civile në Manastir, Tetovë dhe Shtip për monitorimin e autoriteteve lokale në fushat e mjedisit jetësor, shpenzimit të parave publike dhe planifikimit urban dhe për përfaqësim të bazuar në kërkesat dhe prioritetet e qytetarëve.
Më shumë se 35 organizata të shoqërisë civile morën mbështetje financiare, të cilat në mënyrë aktive punojnë dhe kontribuojnë në mbrojtjen dhe promovimin e vlerave të shoqërisë së hapur.
Ne në Fondacionin Shoqëri e Hapur – maqedoni mbetemi të përkushtuar për zhvillimin e shoqërisë civile dhe angazhimin për pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në shoqëri – në krijimin e politikave dhe praktikave që kontribuojnë për avancimin e sundimit të ligjit dhe të qeverisjes së mirë dhe që do të mundësojnë një shoqëri të lirë, demokratike, multikulturore dhe multietnike, në të cilën ka vend për të gjithë.
—————————————————
27 Maj 2020