Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Xhorxh Sorosi, është njëri nga filantropët më të dalluar në botë, deri më tani ka dhuruar më shumë se 12 miliardë dollarë. Këto mjete janë përdorur si mbështetje financiare për individë dhe organizata në mbarë botën, për ta avancuar lirinë e shprehjes, transparencën, llogaridhënien e autoriteteve dhe për zhvillimin e shoqërive që promovojnë drejtësi dhe barazi.

Dhurimet e tij shpesh janë përqendruar tek ata që përballen me diskriminim vetëm pse janë ata që janë. Ai ka mbështetur grupe që e përfaqësojnë popullsinë rome në Evropë, por edhe grupe të tjera të shtyra në margjinat e shoqërisë, siç janë përdoruesit e drogës, punëtorët seksualë dhe personat LGBTI.

Vetë Sorosi e ka përjetuar këtë intolerancë në lëkurën e tij. I lindur në Hungari në vitin 1930, ai i mbijetoi okupimin nazist në periudhën 1944-1945, që rezultoi me vrasjen e më shumë se 500.000 hebrenjve hungarezë. Familja e tij hebreje i mbijetoi okupimit me dokumente të rreme të identifikimit, duke e fshehur origjinën e tyre, e njëkohësisht u kanë ndihmuar njerëzve të tjerë ta bëjnë të njëjtën gjë. Më vonë, Sorosit i kujtohet se “në vend që t’i nënshtroheshim fatit, ne u rezistuam forcave të liga që ishin shumë më të forta se ne, por megjithatë mbijetuam. Dhe jo vetëm që mbijetuam, ne gjithashtu arritëm t’u ndihmojmë të tjerëve”.

Pas konsolidimit të pushtetit komunist në Hungari pas luftës, Sorosi në vitin 1947 u largua për në Londër, ku herë pas here punonte si hamall në stacionin hekurudhor dhe si kamerier në një klub nate për të fituar para gjatë studimeve në Shkollën e Ekonomisë në Londër. Në vitin 1956, ai emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe hyri në botën e financave dhe të investimeve, ku do ta bënte pasurinë e tij.

Në vitin 1970, ai e hapi fondin e tij të investimeve, ”Soros Fund Menagement”, dhe u bë njëri nga investitorët më të suksesshëm në historinë e SHBA-ve.

Soros e përdori pasurinë e tij për t’i themeluar Fondacionet e Shoqërisë së Hapur, një rrjet fondacionesh, partnerësh dhe projektesh në më shumë se 100 vende. Puna e tyre dhe vetë emri i fondacioneve e pasqyrojnë ndikimin e filozofisë së Karl Poperit në të menduarit e Sorosit, me të cilën ai u takua për herë të parë në Shkollën e Ekonomisë në Londër. Në librin e tij “Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj”, Poper thekson se asnjë filozofi apo ideologji nuk është arbitri i fundit i së vërtetës dhe se shoqëritë mund të zhvillohen vetëm nëse lejojnë sundimin demokratik, lirinë e shprehjes dhe respektimin e të drejtave individuale, qasje që qëndron në bazën e punës së Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur.

Sorosi e filloi punën e tij filantropike në vitin 1979 duke dhënë bursa për studentë të zinj nga Afrika e Jugut gjatë aparteidit. Gjatë viteve të 1980-ta, ai ndihmoi në promovimin e një shkëmbimi të hapur të ideve në bllokun lindor komunist, duke siguruar makina për fotokopje për shumëzimin e teksteve të ndaluara. Pas rënies së Murit të Berlinit, ai e themeloi Universitetin e Evropës Qendrore si një hapësirë për kultivimin e mendimit kritik, i cili në atë kohë ishte një koncept i panjohur për shumicën e universiteteve në ish-shtetet sovjetike. Ai financon shkëmbime kulturore midis Evropës Lindore dhe Perëndimit, duke luajtur një rol kyç në ndihmën e shoqërisë sovjetike, në të cilën edhe vetë jetoi për një kohë të shkurtër,për t’u hapur ndaj botës.

Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, ai e zgjeroi filantropinë e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Afrikë dhe Azi, duke mbështetur një spektër të gjerë të përpjekjeve të reja për të krijuar shoqëri më të përgjegjshme, transparente dhe demokratike. Sorosi është njëri nga zërat e hershëm të shquar që e kritikuan luftën kundër narkotikëve si “dukshëm më të dëmshme se sa vetë problemi i përdorimit të drogës” dhe ndihmoi në themelimin e lëvizjes amerikane për marihuanë mjekësore. Në fillim të viteve 2000, ai u bë një mbështetës i zëshëm i përpjekjeve për martesa të njëjtës gjini. Megjithëse kauzat e tij kanë evoluar me kalimin e kohës, ato edhe më tej janë të afërta me idealet e tij për shoqëri të hapur.

Ndër vite, Sorosi ka mbështetur parajuristët dhe juristët që përfaqësojnë mijëra njerëz të arrestuar në mënyrë të paligjshme, e krijoi dhe e financon iniciativën më të madhe në historinë e integrimit të romëve në Evropë dhe i mbulon shpenzimet shkollore dhe universitare të mijëra studentëve të ardhshëm nga grupet e margjinalizuara. Përveç kësaj, ai punon edhe jashtë fondacionit të tij, duke mbështetur organizata të pavarura si Global Fitness, Grupi Ndërkombëtar i Krizave, Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Instituti për Mendimin e Ri Ekonomik.

Në dekadën e tetë të jetës së tij, Sorosi mbetet aktivisht dhe personalisht i përfshirë në punën e Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur, duke udhëtuar kudo në mbështetje të punës së tyre dhe duke avokuar për ndryshime pozitive të politikave me liderët botërorë, edhe publikisht dhe privatisht.

Megjithatë, një gjë mbetet e vazhdueshme në trashëgiminë filantropike të Sorosit, e ai është përkushtimi për t’i luftuar problemet më të nxehta në botë. Ai është i njohur për theksimin e rëndësisë së trajtimit të kauzave të humbura. Në të vërtetë, ai është i pari që e pranon se shumë nga çështjet për të cilat ka punuar janë çështje për të cilat ndoshta asnjëherë nuk do të mund gjendet zgjidhje e plotë.

“Suksesi im në tregjet financiare më ka dhënë një shkallë më të madhe pavarësie sesa shumë njerëz të tjerë,” shkroi Sorosi. Një pavarësi e tillë i mundësoi ta ndërtojë rrugën e tij drejt një bote që është më e hapur, më e drejtë dhe më e barabartë për të gjithë. Për më shumë informata mbi aktivitetet e Xhorxh Sorosit jashtë sferës së punës së Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur, vizitoni ueb-faqen www.georgesoros.com.