Autor: Miomir Serafinoviq
Në Maqedoni janë 40 persona që vuajnë dënimin me burg të përjetshëm. Ata janë vendosur në një krah të veçantë në burgun e “Idrizovës”. Ata gjithashtu kanë disa privilegje derisa presin mjete të jashtëzakonshme juridike në Gjykatën Supreme
Ante është një fytyrë e njohur për mua. E kam parë për herë të parë në sallën e madhe të gjyqit në Gjykatën Themelore në Kërçovë, në pranverën e vitit 2005. Ai u dënua për dy vrasje dhe një përdhunim dhe gjykata e dënoi atë dhe një shok tjetër me dënimin më të rëndë – burgim të përjetshëm. Me të dëgjuar dënimin, të dy kanë protestuar duke thënë se fajtorë janë vetëm për vdekjen e të moshuarit nga Malkoeci, për të cilën edhe kanë pranuar, por jo edhe për vrasjen dhe përdhunimin e gruas Mitra Siljanoska.
Gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë, Ante Ristoski ndodhet në “Idrizovë” përkundër konstatimeve serioze se provat dhe analizat e ADN-së tregojnë se ai është shpallur fajtor dhe për një vrasje që nuk e ka kryer. Gjyqtari që e ka dënuar është në Komisionin për Falje të kryetarit Stevo Pendarovski.
Në shkurt të vitit 2021 e takova sërish në burgun e “Idrizovës”.
Nga burgu ka dalë gjithsej gjashtë herë, gjithmonë i shoqëruar nga policia deri në gjykatën në Ohër. Pas dënimit me burgim të përjetshëm, për shkak të një kredie të marrë dhe të pakthyer, ai ka qenë në gjashtë seanca pasi nuk i kthen paratë të cilat banka ka dashur t’ua marrë garantuesve. Në fund, puna me kredinë e pakthyer u vjetrua.
Por, dënimi i tij i përjetshëm është i vlefshëm. Ristoski është njëri nga 40 të burgosurit e përjetshëm në burgun më të madh të Maqedonisë – “Idrizovë”. Shumica prej tyre janë vendosur në të ashtuquajturin krahun e nëntë të godinës kryesore të burgut. Krahu i nëntë ndodhet në katin e fundit të ndërtesës së madhe pas dyerve blu metalike me një dritare të vogël që rojet mund ta hapin nga jashtë për të kontrolluar të burgosurit me dënimet më të gjata. Brenda kanë një palestër të vogël fitnesi, një dhomë të madhe të përbashkët dhe dhoma ku janë të vendosur nga dy deri në katër veta. Dallimi midis krahut të nëntë dhe burgjeve të tjera në Maqedoni është se të dënuarit me burgim të përjetshëm lejohen të kenë më shumë privilegje, për shembull televizorë në dhomë, pajisje elektrike për të bërë kafe dhe çaj ose frigoriferë për të ruajtur ushqimin. Atyre u jepen privilegje sepse e vuajnë dënimin deri në frymën e fundit.
“Në krahun e nëntë në ‘Idrizovë’ jetojmë si familje. Ne e ndihmojmë njëri-tjetrin me aq sa kemi mundësi. Harmonia dhe gjithçka është në rregull. Kushtet, aq sa mundemi i bëjmë vetëm nga shtëpia. Çdokush ka sjellë sa ka mundur nga shtëpia”, tha Ante Ristoski.
Por, kur e pyeta nëse flisnin për atë që ishin dënuar, çfarë kishin bërë për të përfunduar me burgim të përjetshëm, Ante u përgjigj me një zë më të qetë:
“Shumë e rrallë. Kur bëhet fjalë për atë temë, ankthi dhe nervozizmi rriten. Këto biseda janë kryesisht të shkurtra. Nuk ndihesh mirë kur dikush të pyet se çfarë ka ndodhur dhe si”.
DY LLOJE KRIMI
Dënime të larta dhe të pamatshme shqiptohen kryesisht për dy lloje krimesh. E para: vrasje, Shumica prej tyre janë dënuar për vrasje të tmerrshme, brutale, vrasjen e policit, por më së shpeshti janë fajtorë për vrasje të shumta.
Krimi i dytë për të cilin tani ka gjithnjë e më shumë të burgosur është terrorizmi, ku ka edhe më shumë viktima njerëzore. Kombinimi i veprave penale të vrasjes dhe terrorizmit në dy lëndë të ndryshme çoi në më shumë dënime të përjetshme përderisa ishim duke e përgatitur këtë storje.
Më 26 shkurt, Nikolla Petreski (52) nga Prilepi është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje të dyfishtë, si dhe për tentim për dy vrasje të tjera. Mes viktimave është edhe ish-bashkëshortja e tij. Veprat e përgjakshme Petreski i kreu në janar të vitit 2020 kur erdhi në derën e shtëpisë së ish-gruas së tij dhe qëlloi katër të afërm. Derisa aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm ose deri në kërkesën e tij për transferim në burg, Petreski qëndron në njësinë e paraburgimit në sistemin maqedonas për ekzekutimin e sanksioneve.
Tri ditë më parë, në Shkup u shqiptuan tre dënime të përjetshme për rastin e njohur si “Monstra”, ose “Masakra Smillkovës”. Ky ishte gjyqi i dytë për pesë vrasjet e kryera më 12 prill 2012, ku si prokuroria ashtu edhe gjykata panë krimin e terrorizmit. Nga tre të dënuarit, dy (Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq) janë në arrati në Kosovë në vend të krahut të nëntë të burgut të “Idrizovës”. I dënuari i tretë me burgim të përjetshëm në rastin “Monstra” është Agim Ismailoviq, i cili ndodhet në paraburgim në Burgun Hetues në “Shutkë” dhe po fillon ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë. Në gjykimin e parë, të gjashtë të pandehurit morën burgim të përjetshëm dhe tani nga tre të tjerët, Sami Luta është liruar, ndërsa Fejzi Aziri (15 vjet) dhe Haki Aziri (9 vjet) janë dënuar jo për terrorizëm, por për “ndihmë të kryesit pasi është kryer vepra penale”.
Por, numri i atyre që i vuajnë dënimet më të gjata nuk po rritet vazhdimisht dhe nuk është gjithmonë i barabartë me numrin e dënimeve të përjetshme. Janë të shumtë ata që janë në arrati, ka edhe vdekje të këtyre të burgosurve pas grilave, por më shpesh numri zvogëlohet kur gjykatat e apelit apo Gjykata Suprem i i shfuqizojnë këto vendime ose i ndryshojnë ato në dënime më të vogla.
Në Kodin Penal janë gjithsej 32 vepra penale për të cilat parashikohet dënimi më i gjatë. Lista fillon me vrasjen, ndërsa për shumicën e këtyre veprave penale dënimi më i rëndë parashikohet në rastet kur gjatë ekzekutimit “një person me dashje është
i privuar nga jeta ”(përveç nëse përcaktohet ndryshe).
Shumica e veprave penale për burgim të përjetshëm janë në kapitujt e Kodit Penal për “vepra kundër shtetit” (10) dhe për “vepra penale kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare” (11). Dënimet më të gjata janë parashikuar për disa vepra të rralla, gjegjësisht për vepra që nuk janë kryer në historinë moderne të vendit (si p.sh. “rrëmbimi i një avioni ose një anije”, “rrezikimi i sigurisë së trafikut ajror” ose “kundërshtimi i një eprori”).
PROCEDURA E GJYKIMIT NË TRE SHKALLË PËR DËNIM TË PËRJETSHËM
Mirëpo, në praktikën gjyqësore maqedonase, sidomos deri në fillim të këtij shekulli, mbizotëronin dënimet maksimale me burg prej 15 vjetësh të parashikuara me Kodin Penal. Pas vitit 2000, numri i dënimeve të përjetshme filloi të rritet. Për shkak të “hendekut” të madh mes maksimumit 15 vjet dhe burgimit të përjetshëm, si dhe për shkak të fluksit të vendimeve më rigoroze për vrasjet gjakatare dhe brutale, në vitin 2014 Kodi Penal u ndryshua dhe u vendosën kufij të rinj.
Për ato krime për të cilat parashikohet burgim i përjetshëm, gjyqtari, në vend të dënimit më të rëndë, mund të caktojë dënim me 40 vjet burg. Maksimumi prej 15 vjetësh rritet në 20 vjet për vepra të tjera në të cilat kufiri i sipërm i dënimit të paraparë nuk është i shënuar në Kodin Penal, por ka vetëm një minimum për atë lloj vepre penale.
Ky ndryshim i ligjit penal u ka dhënë një pozicion shumë më të mirë atyre që ishin në proces ankimimi kundër dënimeve të përjetshme sesa atyre, apelimet e të cilëve tashmë kanë përfunduar kryesisht me konfirmimin e dënimit të përjetshëm.
Për shkak se dënimet e përjetshme janë dënimet më të rënda, Ligji për Procedurën Penale parasheh një procedurë gjyqësore në tre shkallë për ta. Gjykata Themelore i gjykon, fillimisht shkojnë për ankesë në gjykatat e apelit dhe në fund të dënuarit e përjetshëm kanë të drejtë ankese edhe në Gjykatën Supreme, ku nëse konfirmohen – ato bëhen të plotfuqishme (për aktgjykimet e tjera, vendimi i plotfuqishëm pason pas procedurës së shkallës së dytë në Gjykatën e Apelit).
Në Gjykatën Supreme janë aktive dy procedura për dënime me burg të përjetshëm.
Nga viti 2003 deri në shkurt të vitit 2021, në Gjykatën Supreme janë regjistruar 25 lëndë me burgim të përjetshëm, nga të cilat:
– 2 lëndë janë ende në shqyrtim;
– në 12 lëndë janë refuzuar ankesat e të pandehurve dhe janë lënë në fuqi vendimet e ankuesve;
– në 3 lëndë ankesat e të pandehurve janë lënë në fuqi dhe aktgjykimet e gjykatave themelore dhe të apelit janë anuluar, gjegjësisht lëndët janë kthyer në gjykatat e shkallës së parë për rigjykim dhe vendimmarrje;
– në 3 lëndë ankesat e të pandehurve janë refuzuar si të papranueshme;
– në 3 lëndë ankesat e të pandehurve janë miratuar pjesërisht;
– në 2 lëndë aktgjykimet e shkallës së parë dhe aktgjykimet e shkallës së dytë janë ndryshuar për zbatimin e drejtë të KP-së, na u përgjigjën nga Gjykata Supreme.
Sipas statistikave të burgjeve, në “Idrizovë” dhe në Shtip, ku ka popullatë të burgosur me dënime të përjetshme të shkallës së parë, rezulton se janë gjithsej shtatë persona të cilëve u është ulur dënimi i përjetshëm. Nga burgu i Shtipit na janë përgjigjur se kanë gjithsej tre të dënuar me dënime të reduktuara, dy me aktgjykim të ndryshuar në Gjykatën e Apelit, dhe një në Gjykatën Supreme.
Zvogëlimi që u shqiptua nga Gjykata Supreme është për Jaqim Trifunovskin, policin, i cili jashtë detyrës, pas një debati në sy të vajzës së tij të mitur, qëlloi dy bashkëqytetarë në Gostivar. Polici fillimisht u dënua me burgim të përjetshëm, dënim që u konfirmua në procedurën e apelit, por përfundimisht u ndryshua nga Gjykata Supreme me një dënim me 20 vjet burg. Vrasja ka ndodhur në shkurt të vitit 2012 dhe për të tri shkallët në sistemin gjyqësor deri në dënimin përfundimtar, kanë kaluar pak më shumë se dy vjet e tetë muaj nga ngjarja penalo-juridike dhe vendimi i Gjykatës Supreme.
Shpejtësia e hyrjes në fuqi të këtij vendimi është e pakrahasueshme me rastet e tjera të ngjashme, në të cilat ka pasur disa kthime të procedurës në fillim nga Gjykata Supreme, megjithëse ka shembuj më të shpejtë të praktikës gjyqësore me dënimet më të larta. Për shembull, rastet e “Monstrës”, “Çairçanes” apo “Big Fish” zgjatën për disa vjet apo edhe më shumë se një dekadë. Rasti i vrasjes së dyfishtë në Vevçan është i shpejtë, ku në dy ankesa në Gjykatën Supreme, Zdravko Sërbakovski u dënua me dënim të plotfuqishëm në afat prej dy vjet e tre muaj midis vrasjes së kryer më 13.08.2014 dhe aktgjykimit të formës së prerë të Gjykatës Supreme të dhënë më 02.11.2016. kur u la në fuqi dënimi me burgim të përjetshëm, edhe pse më parë ishte kthyer për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit në Manastir.
Në burgun e Shtipit në listë janë edhe dy ish të dënuar të përjetshëm, ndërsa pas grilave ishte vetëm një. I dyti, Nehat Sulejmani, është në arrati që nga shkurti i vitit 2018. Sulejmani është një nga autorët e vrasjes së dyfishtë në kryqëzimin në Vllae në Shkup në gusht të vitit 2006, me motivin e gjakmarrjes. Sulejmani fillimisht ishte dënuar me burgim të përjetshëm, të cilin e ka konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në Shkup. Por, Gjykata e Supreme e anuloi vendimin dhe e ktheu atë në rishqyrtim në Gjykatën e Apelit. Në vitin 2011, pas hyrjes në fuqi të rregullit prej 20 apo 40 vitesh burg, gjyqtarët e apelit ia ndryshuan Sulejmanit dënimin e përjetshëm me 20 vite burg. Tre vite më parë, në shkurt, Sulejmani e fitoi fundjavën e parë, shkoi në shtëpi dhe nuk u kthye më në burg.
Xhesari Shukriev nga Radovishi (i cili e vuan dënimin me burg në Shtip) ka pasur dënim me burgim të përjetshëm, por vetëm dy muaj. Gjykata e Strumicës e dënoi atë në shtator të vitit 2013, ndërsa në nëntor Gjykata e Apelit në Shtipi e ndryshoi atë me 20 vjet burg.
Në “Idrizovë” janë katër persona me dënim të reduktuar të përjetshëm. Të gjithë janë në burg, por tani janë duke vuajtur dënime më të vogla, dy me 20 vjet, një me 40 vjet dhe një me 15 vjet burg.
“Këta persona, në përputhje me pjesën e vuajtur (të dënimit) dhe kriteret e parapara, trajtohen në reparte me trajtim më liberal dhe shfrytëzojnë ambientet e parapara për grupin në të cilin qëndrojnë”, na u përgjigjën nga ShNK “Idrizovë”, pa i specifikuar emrat e të burgosurve dhe si u është ulur dënimi.
Një nga adresat ku ata drejtohen për shpëtim është edhe zyra e Presidentit në Vodno. Kërkesa për falje dhe amnisti nga të burgosurit e përjetshëm kishte edhe presidenti Stevo Pendarovski.
“Për kërkesën për falje me burgim të përjetshëm janë pranuar katër propozime dhe është vendosur që kërkesat për falje të refuzohen. Janë shqyrtuar edhe dy propozime për falje për burgim të përjetshëm me rastin e 2 gushtit 2020 dhe është vendosur që të dy propozimet të refuzohen”, u përgjigjën nga Kabineti i Presidentit Pendarovski, i cili ka edhe komisionin për falje.
GJYKATA SUPREME PËR DIKË DIGË, E PËR DISA PORTË E HAPUR
Borxhi ndaj të vrarëve dhe kërcënimet ndaj familjes së borxhliut kanë qenë shkak për vrasjen e trefishtë në “Big Fish”, ndërsa dënimi me burgim të përjetshëm për të pandehurin Toni Denkovski kaloi dy cikle të plota në drejtësinë maqedonase. Në raundin e parë, Gjykata Supreme e ktheu aktgjykimin në fillim dhe dha udhëzime se si të shmangen gabimet procedurale nga gjykimi i parë. Më pas gjithçka ishte njësoj, vetëm e plotësuar me mendim ndryshe të Gjykatës Supreme, që sipas mbrojtjes shkaktoi polemika në këtë rast.
“Ekspertiza psikiatrike është bërë ndërkohë që i pandehuri nuk ka pasur avokat. I pandehuri nuk ka mundur të dëshmojë pa mbrojtës për një vepër të këtillë, ndërsa eksperti ka biseduar me të për ngjarjen dhe deklarata e të pandehurit në ekspertizë është marrë si çështje e rëndësishme. Kërcënimet e njërit prej të vrarëve ndaj Denkovskit se do t’i lëndojë fëmijët e tij nuk janë marrë parasysh. Deklaratat dhe dëshmitarët se i pandehuri ka qenë në gjendje stuporoze pas ngjarjes, e cila është pasojë e një afekti të zbrazjes, nuk janë marrë parasysh. “Përkundër udhëzimeve të tilla nga Gjykata Supreme, gjykatat më të ulëta kurrë nuk vepruan sipas tyre edhe pse ishin të detyruara, dhe Gjykata Supreme e la në fuqi aktgjykimin e dytë duke mohuar veten dhe vendimin e saj fillestar,” tha Zvonko Davidoviq, avokat i të dënuarit Denkovski të dënuar në shtator të vitit 2010, ndërsa proceset gjyqësore zgjatën më shumë se 8 vjet.
Një gjatësi e ngjashme, por një epilog tjetër, më i gëzuar ka me dënimin e përjetshëm të vëllezërve Naim dhe Ramiz Asani nga Haraçina. Të dy u dënuan me burgim të përjetshëm për vrasjen e tre adoleshentëve (17, 13 dhe 20 vjeç) në një internet kafe në qendrën tregtare “Çairçank” në Shkup në vitin 2006. Dënimet e tyre fillimisht u lanë në fuqi nga Gjykata e Apelit. Megjithatë, në procedurë të hapur, Gjykata Supreme e ktheu çështjen në fillim 12 vjet pas vrasjes. Vendimi i marrë në verën e vitit 2018 nuk mund të gjendet në ueb-faqen me vendimet e Gjykatës Supreme. Në korrik të vitit 2019, vëllezërit Asani u dënuan me 20 vjet burgim nga Gjykata Penale e Shkupit. Kundër këtij aktgjykimi u ankuan edhe prokuroria edhe të dënuarit, ndërsa gjatë pandemisë së koronës, shtatorin e kaluar, Gjykata e Apelit në Shkup e la në fuqi aktgjykimin prej 20 vitesh. Katërmbëdhjetë vjet kalojnë mes vrasjes dhe vendimit përfundimtar, i cili tani është shumë më i shkurtër.
Gjatë vizitës sime të parë në krahun e nëntë të burgut të ShNK “Idrizovë”, ku janë të burgosurit me dënim të përjetshëm, njëri nga vëllezërit më tha se nuk ka qenë në vendin e ngjarjes, dhe as që ka qëlluar në të shtënat në të cilat janë vrarë tre djem, dy nga ata të mitur. Megjithatë, në çështjen gjyqësore thuhet se dëshmitarët i kanë njohur ata si sulmues, madje njëri prej tyre e ka blerë edhe veturën nga e cila u qëlluan viktimat aksidentale. Vëllezërit Asani në fakt tentuan të hakmerreshin për vrasësin e vëllait të tyre të tretë, por ai u arratis, dhe më pas dëshmoi kundër tyre, por vetëm në procesin e parë gjyqësor. “Objektivi” më pas u largua nga vendi dhe nuk ishte i disponueshëm për thirrjet e reja gjyqësore.
Është interesant fakti se në faqen sud.mk nuk ka shumë nga vendimet e Gjykatës Supreme për burgim të përjetshëm. Ne mund të gjenim vetëm gjashtë, nga të cilat vetëm dy janë ndryshuar. Të dënuarit Sasho Stojçev nga rasti “Detonator”, Gjykata Supreme ia ka ulur dënimin në 20 vjet edhe pse ai ishte në arrati.
“Dënimi i dhënë nga gjykatat më të ulëta nuk korrespondon me veprën e kryer dhe proporcionaliteti i dënimit me veprën e kryer nuk është vlerësuar sa duhet”, thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme për Stojçevin, i cili u dënua me burgim të përjetshëm për tentativë vrasjeje.
Meqenëse në ueb-faqen me vendimet gjyqësore nuk i ka të gjitha dënimet e përjetshme të ndryshuara ose të anuluara në Gjykatën e Lartë (tetë vendime gjithsej), për shkak të mostrës së vogël, nuk është e mundur të analizohet se cilët gjyqtarë të Gjykatës së Supreme i anulojnë dënimet më të rënda që më pas konfirmohen. Por, në tri aktgjykime me ndryshim, në marrjen e të tri vendimeve janë të pranishëm tre gjyqtarë (Jovo Vangellovski, Xhemail Saiti dhe Faik Arsllani), në dy vendime të tilla kanë marrë pjesë gjyqtarët suprem Shpend Devaja dhe Risto Katavenovski, ndërsa në një lëndë kanë vendosur Lidija Nedellkova dhe Rahillka Stojkovska. Nëse do të publikoheshin të gjitha aktgjykimet e ndryshuara, mund të zbulohet dhe analizohet nëse disa gjyqtarë marrin vendime për të ndryshuar aktgjykimet më shumë se të tjerët. Por, kjo nuk është e mundur tani për tani, e as që dikush e bën këtë.
E pyetëm profesoreshën Vesna Stefanovska nga Fakulteti i Sigurisë nëse ankesat dhe mjetet e jashtëzakonshme juridike për dënimet e përjetshme përbëjnë rrezik për korrupsion në Gjykatën Supreme.
“Ajo mund të ekzistojë gjithmonë. Por, në thelb çdo mjet juridik (si i rregullt ashtu edhe i jashtëzakonshëm) është i mirëseardhur për të vërtetuar ligjshmërinë e procedurës, vërtetimin e duhur të gjendjes faktike, gjetjen e provave dhe rrethanave të reja etj” – tha Stefanovska, e cila konsideron se faktet, veçanërisht për veprat që sjellin dënime maksimale duhet të përcaktohen në përputhje me rrethanat.
Është interesante se nga shtatë të lartpërmendurit, katër gjyqtarë suprem të nacionalitetit maqedonas janë shkarkuar (për lëndë të tjera dhe gabime), ndërsa për gjyqtarët shqiptarë (Saiti, Devaja dhe Arsllani) nuk ka asnjë ankesë në Këshillin Gjyqësor.
Sfida më e madhe gjyqësore do të jetë rasti “Lagja e trimave” me gjithsej shtatë dënime të përjetshme, 13 të pandehur u dënuan me nga 40 vjet burg, dhe gjashtë u dënuan me nga 20 vjet burg. Të gjitha dënimet e përjetshme në këtë lëndë do të arrijnë në Gjykatën Supreme, ku është adresa e fundit për vendimet përfundimtare.
MAQEDONIA KA EDHE NJË GRUA NË BURGIM TË PËRJETSHËM
Italiania nga Dibra, Blerta Pocesta është e vetmja grua e dënuar me burgim të përjetshëm. Ajo u shpall fajtore për vrasje të trefishtë, edhe atë të prindërve dhe motrës së saj. Rruga e Pocestës nëpër labirintet e gjykatës ka nisur, ka pasur konfirmimin e dënimit në shkallë të dytë dhe është duke u zhvilluar një procedurë pranë Gjykatës Supreme në shkallë të tretë. Ajo dhe avokatët e saj konsiderojnë dhe pretendojnë se nuk qëndron ajo pas vrasjes së të dashurve të saj.
“Është një ndjenjë e tmerrshme kur qëndron pranë klientit dhe dëgjon vendimin që është dënim me burgim të përjetshëm, sidomos kur e di, si në rastin konkret (“Big Fish”) se është pasojë e lëshimeve gjyqësore dhe e shkeljeve të procedurës. “Në këtë rast të veçantë, edhe koha e paraburgimit e paraparë me ligj është tejkaluar dhe keqpërdorur,” shpjegoi Zvonko Davidoviq, avokat i të dënuarit të përjetshëm, Toni Denkovski.
Familjet e viktimave janë më të goditurit, janë njerëzit që duhet të përballen me humbjen, ndonjëherë edhe të fëmijëve të tyre. Më pas në gjykatë të përballen me të pandehurit për humbjen e tyre, dhe shumë shpesh gjyqet përsëriten dhe dëgjojnë sesi u është marrë jetë të dashurve të tyre. Si rregull, ata gjithmonë kërkojnë dënimin më të rëndë.
Profesoresha Vesna Stefanovska konsideron se dënimi me burgim të përjetshëm nuk e arrin parandalimin e përgjithshëm, por vetëm qëllimin që kryesi të mos kryejë vepra penale, por në fakt nuk ndikon shumë në uljen e shkallës së kriminalitetit në përgjithësi.
Për momentin Ministria e Punëve të Brendshme është në kërkim të katër të dënuarve me burgim të përjetshëm, por ata kanë qenë në arrati edhe para fillimit të gjykimit. I tillë ishte rasti me Almir Dërpljaninin, i cili kishte dy burgime të përjetshme (për vrasjen e policit të njësisë “Alfa” në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe për vrasjen e një roje të transferit të parave në Panairin e Shkupit), por edhe dy dënime me 15 vjet për grabitje në ProCredit Bank dhe transport të parave postare. Të gjitha këto akte janë kryer nga viti 2006 deri në vitin 2009 dhe më pas Dërpljanini është zhdukur. Ai u arrestua në Kosovë në vitin 2012 dhe që atëherë i ka përsëritur gjykimet, ndonëse arriti të zvogëlojë dënimin e përjetshëm (për vrasjen e policit në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në vitin 2008). Ai aktualisht ndodhet në “Idrizovë” dhe sipas statistikave të shërbimit të burgjeve është dënuar gjithsej me 32 vite burg.
Një burrë nga Kumanova ka dënimin më të gjatë total me burgim, për 18 dënime penale ai ka mbledhur gjithsej 84 vjet për t’i vuajtur, që është më e gjatë se mesatarja e jetëgjatësisë në vend. I dënuari ka tentuar dy vrasje, kanosje ndaj gjyqtares që e dënoi, grabitje të vilës së një gjyqtari tjetër të cilin e ka lidhur, dhunë, drogë, arratisje me armën e rojes nga spitali i burgut në Qendrën Klinike. Edhe pse ai ka një dënim shumë më të gjatë, ai nuk ka asnjë shans për të arritur në Gjykatën Supreme. Ai jeton në të njëjtën hapësirë me të dënuarit e përjetshëm.
Të dënuarit me burgim të përjetshëm janë problematikë sepse e dinë që për momentin nuk ka mundësi të dalin apo të falen dhe ka një problem të madh për t’i motivuar për aktivitete në burg. Sipas udhëzimeve të reja, trajtimi i të burgosurve të përjetshëm në burgun e Idrizovës duhet të mundësojë përshtatjen e kushteve të jetesës në burg, zvogëlimin e efekteve negative që rrjedhin nga kohëzgjatja e dënimit dhe mësimin e aftësive sociale dhe aftësive të vetëkontrollit, të cilat do të reduktonin potencialin dhe rrezikun e lëndimeve në burg dhe nga kryerja e përsëritur e veprës penale.
Mirëpo, një i burgosur i përjetshëm para tri vitesh ka arritur të vetëvritet në “Idrizovë”. Bëhet fjalë për Igor Mirçeskin, kërçovar dhe i dënuar së bashku me Ristoskin. Ata u dënuan për dy vrasje, edhe pse provat tregojnë se njërën e ka kryer gazetari Vllado Taneski (i cili nuk u gjykua pasi u vetëvra në një kovë me ujë në burgun e Tetovës në rrethana misterioze).
Për shkak të rrezikut, të burgosurit kanë pasur edhe ndihmë psikiatrike në burgun e Idrizovës. Kjo ndryshoi pasi Shtëpia e Shëndetit në Shkup u bë përgjegjëse për përkujdesjen për shëndetin e të burgosurve, pas së cilës kujdesi psikiatrik për banorët e Idrizovës u reduktua shumëfish.
Ante Ristoski është i vetmi nga 40 të burgosurit e përjetshëm në “Idrizovë”, dënimi më i gjatë i të cilit ka marrë formë të prerë pa asnjë ankesë dhe vetëm me aktgjykim të shkallës së parë nga Gjykata Themelore në Kërçovë. Shpjegimi zyrtar është se ankesa nuk ka mbërritur me kohë në Gjykatën e Apelit në Manastir, ndonëse Ante pretendon se është dërguar dhe marrë brenda afatit për ankimim, por “diçka ka ndodhur ndërkohë”.
Për momentin, ai nuk ka të drejtë të kërkojë falje apo lirimi me kusht sepse duhet të vuajë 25 vjet nga dënimi për ta ushtruar këtë të drejtë. Në fakt, asnjë i burgosur nuk ka arritur një “shifër” të tillë në Idrizovë, sepse i burgosuri më i vjetër është në burgun më të madh të Maqedonisë që nga viti 1997, i dënuar për vrasje të dyfishtë, dhe një viktimë ka qenë polic.
*** Storja është përgatitur në kuadër të projektit “Forcimi i kapaciteteve të gazetarëve hulumtues në fushat e Kapitullit 23, me fokus në gjyqësi”.
—————————————————
25 Qershor 2021