Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

16 PRILL 2020

AUTOR: PATRIK GASPAR

Këtë javë, Xhorxh Sorosi vuri në dukje se ka dëme të mëdha ekonomike të shkaktuara nga pandemia e KOVID-19 dhe u përqendrua në ndryshimet, duke i paraqitur ato si një sfidë kryesore për një shoqëri të hapur në një krizë që përhapet kaq shpejt. Duke e pranuar dështimin global për të rishqyrtuar modelin ekonomik pas krizës financiare të vitit 2008, Xhorxh i bëri thirrje qeverisë amerikane të ndiqte rrugën e disa qeverive evropiane në garantimin e pagave të të gjithë punëtorëve gjatë këtij bllokimi historik të botës.

Si dikush që e ka arritur aktivizmin e tij përmes betejave dhe zërit të organizuar kolektiv të punëtorëve me rroga të ulëta, jam plotësisht dakord me vlerësimin e presidencës sonë për momentin. Ky vlerësim inkurajon bashkëpunimin tonë me liderët politikë dhe e formëson përgatitjen e granteve tona që ato të përshtaten me situatën aktuale. Ne e kemi njohur gjithnjë e më shumë rëndësinë e ndërthurjes së angazhimeve tona për të drejtat e njeriut me përpjekjet për të arritur drejtësi ekonomike. Kjo pandemi kërkon prej nesh që të punojmë me forcë në politikën e transformimit të sistemeve, por ekziston një krizë në rritje humanitare, të cilën duhet ta trajtojmë me dhembshuri dhe me rreptësinë tonë të njohur.

Unë fola me kolegë nga Fondacione tjera për t’i rishpërndarë burimet tona në një ndërhyrje gjithëpërfshirëse për të adresuar krizën e shkaktuar nga KOVID-19, e cila prek pothuajse çdo aspekt të punës sonë. Tani është koha që të shfrytëzojmë në tërësi të gjitha burimet tona.

Sot, deklaroj se Fondacionet e Shoqërisë së Hapur investojnë 130 milion dollarë për të luftuar shkatërrimin e shkaktuar nga koronavirusi – duke u përqendruar në komunitetet që shpesh janë lënë jashtë politikës së qeverisë. Sëmundja, e cila i përmbysi supozimet në strategjitë që i kemi përpiluar me zell me muaj të tërë, do të kërkojë dy reagime të ndryshme dhe në disa faza prej nesh në vitin 2020. Faza e parë, e përshkruar në detaje këtu, përqendrohet në problemet më të mëdha aktuale. Në fazën e dytë do të mbizotërojnë investimet në jugun global që do të përqendrohen në ndërhyrjet ekonomike dhe problemet me sundimin e ligjit që tashmë po shfaqen.

Në përgjithësi, fondet tona do të ndahen në katër pjesë: përpjekjet për të mbështetur punëtorët me të ardhura të ulëta – punëtorët e vendit, përkujdesësit, punëtorët e padeklaruar, ata që punojnë në ekonomitë informale dhe punëtorët me kohë të pjesshme; mbrojtja e refugjatëve, emigrantët dhe azilkërkuesit që përballen me rreziqe të reja që lidhen me KOVID-19 pa asnjë mbështetje strukturore; sigurimi se, pas zhvillimit, trajtimet dhe vaksinat e reja do të jenë të disponueshme për të gjithë dhe rezistenca ndaj narracioneve populiste dhe plaçkitjeve autoritare që i kemi parë, e të cilat u prezantuan si përgjigje ndaj kësaj krize në dëm të lirive civile dhe të drejtave të njeriut.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës aktualisht kanë dy herë më shumë raste të konfirmuara se çdo vend tjetër. Vështirësitë e punëtorëve në vendin më të pasur në planet janë veçanërisht të rënda. Fondacionet e Shoqërisë së Hapur po investojnë 68 milion dollarë si fonde të reja në Shtetet e Bashkuara, duke dyfishuar përpjekjet tona për të mbështetur sistemin ekonomik të punonjësve me rroga të ulëta i cili përjeton tronditje të thella nga virusi.

Ne presim që puna që ne e mbështesim, veçanërisht në Nju Jork – epiqendrën e virusit në Shtetet e Bashkuara – do të përsëritet në qytete dhe vende në të gjithë kontinentin dhe do të sigurojë modele për të ndihmuar në të gjithë botën. Masat e tilla në Nju Jork përfshijnë:

Por, si një fondacion global, angazhimi ynë shtrihet shumë përtej Shteteve të Bashkuara. Ne po punojmë gjithashtu për të siguruar që komunitetet e cenueshme në ekonomitë në zhvillim të kenë qasje të barabartë në informacion cilësor dhe shërbime të kujdesit shëndetësor, dhe se ofruesit e shërbimeve shëndetësore i marrin pajisjet e nevojshme për të siguruar ndihmën e duhur për ato komunitete.

Ne kemi investuar për të ndihmuar në rindërtimin pas shkatërrimit të shkaktuar nga KOVID-19 në Bosnje dhe Hercegovinë, Hungari dhe Itali. Ne u japim grante ofruesve të shërbimeve nga linjat e para të luftës kundër koronavirusit në Johanesburg dhe Londër. Ne ndihmojmë për të financuar përpjekjet globale për të zvogëluar paraburgimin e detyrueshëm, duke inkurajuar shumë qeveri t’i lirojnë të arrestuarit në vazhdën e koronavirusit, dhe t’i rishqyrtojnë politikat që kanë çuar në burgosje masive.

Ka edhe shumë vepra të tjera nga fondacionet tona rajonale dhe kombëtare në të gjithë botën, nga grante për ndihmë urgjente të krijuara nga fondacionet tona në Kirgistan dhe Ukrainë, mbështetje për shpërndarjen e ushqimit për mijëra të moshuar, persona me aftësi të kufizuara dhe të sëmurë kronikë në Armeni, shpërndarjen e ushqimit për romët e cenueshëm në të gjithë Evropën, fonde emergjente për artistët në Haiti dhe të tjera.

Por, përkundër këtij reagimi fillestar, është koha të mendojmë thellë se në çfarë lloj bote duam të jetojmë. Për shumë prej nesh, pandemia i ka nxjerrë në pah sfidat me të cilat përballet bota jonë e globalizuar dhe mënyrat e vjetra të administrimit të ekonomive, të shkaktuara nga kërcënimi ekzistencial nga ndryshimet klimatike. Fatkeqësia aktuale është gjithashtu një mundësi për të bërë presion për ndryshimet themelore të nevojshme për krijimin e shoqërive që janë më të forta dhe më rezistuese në adresimin e sfidave të ardhshme. Ju siguroj se Fondacionet e Shoqërisë së Hapur do të jenë pjesëmarrëse aktive në këtë kërkim për një botë më të mirë që do të dalë nga trauma e tmerrit të sotëm.

Burimi: Fondacionet e Shoqërisë së Hapur

*

Fotografia 1. Arkëtare me maska mbrojtëse në një dyqan në Nju Jork më 2 prill, 2020. © Stephanie Keith/Getty

—————————————————

21 Prill 2020