Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

7 JANAR 2021
MARK MALLOCH BROWN

Gjatë natës ishim dëshmitarë të skenave të pabesueshme kur qindra banditë të nxitur nga një president kriminal e sulmuan Kuvendin e një vendi dhe shkaktuan trazira dhe vdekje në përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve demokratike.

Siç e dimë, kjo nuk ndodhi në një vend të parëndësishëm. Kjo ndodhi në Uashington, në kryeqytetin e një prej demokracive më të vjetra në botë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Unë mendoj se katër vjet më parë, pak njerëz në Fondacionet e Shoqërisë së Hapur prisnin të përdornin fjalë të tilla dënimi ndaj Amerikës. E themeluar për të promovuar të drejtat e njeriut dhe drejtësinë në të gjithë botën, Shoqëria e Hapur nuk ka qenë kurrë e verbër ndaj grimcave të pluhurit në sytë e Amerikës – një shoqëri me një prani brutale të padrejtësisë racore dhe përjashtimit ekonomik – por ne, si shumë të tjerë, konsideronim se autoriteti i procesit demokratik të Amerikës do të sigurojë një mënyrë për të shkuar përpara.

Dhe ndodhi përsëri, në të njëjtën ditë kur dhuna e shkaktuar nga turma në Uashington, një pastor afrikano-amerikan nga kisha e vjetër e Dr. Martin Luther King, u zgjodh në Senatin Amerikan nga shteti i Gjeorgjisë. Prifti Rafael Warnock është demokrati i parë afrikano-amerikan që është zgjedhur ndonjëherë në Senat nga shteti i konfederatës së vjetër jugore. Dhe së bashku me John Ossoff, fitorja e të cilit në raundin e dytë e bëri atë senatorin e parë hebre në Gjeorgji, ai do të përfaqësojë shumicën më të ngushtë në Senatin e Presidentit të ardhshëm Biden.

Përpjekja e dhunshme për të anuluar zgjedhjet, megjithatë, nuk fshihet me një moment kaq të kundërt të triumfit demokratik. Udhëheqja morale amerikane u dogj nga flakët e ndodhisë së djeshme.

Absolutistët e festuan atë që ata pretendojnë se është shembje e demokracisë amerikane. Filluan krahasimet ziliqare: veprimet e vitit të kaluar të protestuesve të rinj në Hong Kong, të drejtat demokratike të të cilëve u mohuan, gjatë pushtimit të Kuvendit të tyre, u portretizuan brenda natës nga mediat kineze si të krahasueshme drejtpërdrejt me ato në Uashington. Presidenti i Venezuelës Maduro, në eter, me përkushtim u ligjëroi qytetarëve të tij për tradhtinë e demokracisë në Amerikë dhe epërsinë e modelit demokratik të Venezuelës. Stacionet televizive iraniane dhe ruse në mënyrë të përsëritur, çdo minutë, raportonin për poshtërimin e demokracisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Demokracia amerikane nuk ishte aspekti i vetëm që u vu në provë gjatë ngjarjeve të djeshme. Vlerat e Shoqërisë së Hapur, të cilat tashmë janë nën kërcënim nga një numër në rritje i qeverive autoritare në të gjithë botën, u sulmuan dje në rrugët dhe shkallët e “Capitol Hill”-it në SHBA. Megjithatë, siç tregojnë edhe fitoret në Senatin në Gjeorgji, demokracia mund të triumfojë.

Në Shoqërinë e Hapur, ne kemi lindur në një epokë të zgjerimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut në të gjithë botën. Sot këto vlera janë në rrezik në shumë vende. Ne dhe mijëra partnerët tanë nuk jemi të frikësuar. Shembulli dhe drita jonë që na drejton janë ngjarjet e djeshme në shtetin Amerikan të Gjeorgjisë, e jo ngjarjet e djeshme në Uashington.

Burimi: Fondacionet e Shoqërisë së Hapur

Foto: Një familje merr pjesë në një protestë në Savana, Gjeorgji më 19 dhjetor 2020. © Megan Varner / Getty

—————————————————

11 Janar 2021