Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Autor: Igor Stefanovski

Komuna e Kriva Pallankës dhe Rankovcës, sipas regjistrimit të fundit, së bashku kanë rreth 25,000 banorë. Shumë gjëra mungojnë, por për kaq shumë njerëz dhe një nga pikat më të rëndësishme kufitare midis Maqedonisë dhe Bullgarisë, një nga kuriozitetet është se këto komuna nuk kanë prokuror publik, por kanë Prokurori Publike në Kriva Pallankë.

Meqë nuk ka prokuror në Prokurorinë Publike Themelore në Kriva Pallankë, në ditë të caktuara një prokuror nga Kumanova vjen në ndihmë. Rruga në një drejtim është 60 km, ose rreth një orë me veturë. Dhe meqenëse veprat penale nuk pyesin kur ka një prokuror kujdestar në qytet, pyetja është se sa gjatë duhet pritur nëse një prokuror duhet të dalë për hetim në terren.

Nuk ka qenë kështu në Kriva Pallankë që nga dje, por që nga viti 2015 kur shefi dhe i vetmi prokuror në qytet, Ljubomir Llape, u bë prokuror në Prokurorinë Speciale Publike. Që atëherë, nuk ka zgjidhje, kështu që barra bie mbi Prokurorinë Themelore Publike në Kumanovë, e cila tashmë mbulon disa komuna, deri në Kratovë. Shefja e Prokurorisë Publike në Kumanovë, Teuta Bediu Ramadani, pranon hapur se problemi është më i madh.

“Prokurorisë Publike në Kriva Pallankë i mungon personelki ndihmës, punojnë vetëm tre vetë. Njëri është bashkëpunëtor profesional dhe dy janë nëpunës të Prokurorisë publike. Ne dalim për një hetim në terren me automjetin tonë zyrtar, por nuk kemi një shofer të caktuar për atë punë. Për të vozitur angazhohen nëpunësit e Prokurorisë Publike në Kumanovë. “Bëhet një orar mujor dhe vjetor për përfaqësimin e lëndëve në Kriva Pallankë, kështu që prokurorët publik veprojnë në përputhje me atë orar”, tha shefja e Prokurorisë Publike në Kumanovë, Teuta Bediu Ramadani.

Prokurorët në vend përzgjidhen nga Këshilli i Prokurorëve Publik me konkurs, nga kuadrot që diplomohen në Akademinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë. Pse atëherë nuk mund të gjejnë një prokuror për Kriva Pallankën për gjashtë vite me radhë? Nga Këshilli thonë – nuk ka asnjë kandidat që dëshiron të jetojë atje.

“Kandidatët e diplomuar në Akademinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë nuk kanë interes ta ushtrojnë funksionin e prokurorit publik në këtë Prokurori Publike dhe nuk paraqiten në konkurset e publikuara të Këshillit”, thonë nga Këshilli i Prokurorëve Publikë. Për problemin është e vetëdijshme edhe Akademia, e cila nxjerr prokurorë, por edhe ata nuk shohin ndonjë zgjidhje të përhershme.

“Tani për tani, mundësinë e vetme për të mbuluar nevojat e prokurorisë së Kriva Pallankës e shoh në emërimin e përkohshëm të prokurorëve nga zona të tjera në atë vend,” thotë drejtoresha e Akademisë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publik, Natasha Gaber Damjanovska.

Kështu, po zgjatet vendimi që Kriva Pallanka të ndihmohet nga Kumanova, por, që absurdi të jetë edhe më i madh, prokurorët mungojnë edhe në Kumanovë. Sipas sistemimit, duhet të jenë 13, mirëpo ka nëntë, njëra prej të cilave është para daljes në pension.

SIKUR TË ISHIN VETËM KRIVA PALLANKA DHE KUMANOVA…

Sipas sistematizimit të fundit të shpallur publikisht dhe plotësimit të pozitave të Prokurorisë Publike, në Maqedoninë e Veriut duhet të ketë 258 prokurorë publikë në Prokuroritë Publike Themelore, të Larta dhe atë Republikane. Por ata kanë 209 ose 81% të kuadrit të kërkuar. Vetëm tetë nga 28 prokurori kanë aq prokurorë sa parashikon sistematizimi.

“Situata me prokurorët publik po përkeqësohet dhe është alarmante,” thotë kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publik, Aco Kolevski. Siç tregon tabela më poshtë, përveç në Kriva Pallankë ku nuk ka asnjë prokuror, prokuroritë në Kërçovë, Sveti Nikole, Tetovë, Berovë, Dellçevë, Gjevgjeli dhe Resnjë janë të plotësuara me 50% ose më pak. Prokuroritë themelore në Strugë, Gostivar, Prilep, Veles, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar, Prokuroria e Lartë Publike në Manastir dhe Prokuroria Publike e RMV-së kanë më pak se plotësimi mesatar prej 81%.

Por edhe në mesin e 209 vendeve të prokurorëve publikë që numërohen si të mbushura, 12 janë në pritje. Si për shembull, vendet e anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë. Kështu, lufta kundër krimit drejtohet në të vërtetë nga 197 prokurorë ose 76% e kuadrit të kërkuar.

Kreu i Këshillit të Prokurorëve Publik, Aco Kolevski, thotë se situata do të përkeqësohet. Shumë prokurorë publik do të dalin në pension në vitet e ardhshme dhe gjeneratat e reja të Akademisë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publik nuk janë të mjaftueshme për të përmirësuar situatën me çështjen e kuadrit të Prokurorisë Publike. Vetëm këtë vit, rreth dhjetë prokurorë publik kanë vendosur të vazhdojnë punën. Por, ka nga ata që donin të pensionoheshin.

“Ka një problem të madh me Ligjin për Marrëdhënie të Punës. Tani për tani, jepet e drejta për të vazhduar marrëdhënien e punës, mirëpo ne nuk e dimë se si do të veprojë privatisht secili prokuror publik, nëse do të vazhdojë punësimin apo do të dalë në pension. Këtu nuk është problemi më i madh. Rreth 30 prokurorë publikë do të duhet të dalin në pension për tre vjet, e po aq është numri i atyre që do të dalin nga Akademia për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë. Në fakt, do të jetë raporti i njëjtë i daljes natyrore dhe fluksit të prokurorëve të rinj publik”, thotë kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publik, Aco Kolevski.

Sipas Ligjit aktual për Sigurim Pensional, gratë mund të dalin në pension në moshën 62 vjeç dhe burrat në moshën 64 vjeç. Ndërsa, Ligji për Marrëdhëniet e Punës u jep atyre të drejtën për të vazhduar punësimin e tyre, deri në 65, gjegjësisht deri në 67 vjet. Megjithatë, është në proces një zgjidhje ligjore, e cila parashikon heqjen e mundësisë së zgjatjes së marrëdhënies së punës, përveç në sektorët e shëndetësisë dhe arsimit të lartë, kuadri i të cilëve është deficitar. Kurse një e treta e prokurorëve aktualë, ose 73, janë të moshës midis 52 dhe 64 vjeç. Kjo do të thotë se në dekadën e ardhshme shteti do të humbasë një të tretën e prokurorëve, nëse miratohen ndryshimet në Ligjin për Marrëdhëniet e Punës dhe nëse prokurorët publikë nuk përfshihen në to si kuadër deficitar. Dhe se vendi me të vërtetë ka një deficit të prokurorëve, këtë e tregon më së miri krahasimi me vendet me të cilat Maqedonia e Veriut ndante të njëjtin sistem politik dhe gjyqësor deri para 30 vjetësh. Raporti i fundit i Komisionit Evropian për efikasitetin e drejtësisë në Këshillin e Evropës, tregon se vendi ka 8,9 prokurorë për 100,000 banorë. Në atë numër të popullsisë, Sllovenia ka 10,2 prokurorë, Bosnja dhe Hercegovina 10,8, Kroacia 14,6, Serbia 11,2 dhe Mali i Zi ka më shumë prokurorë publik – 19,2 për 100,000 banorë.

FLUTURIM NË VEND

Si ishte më parë? Përgjigjen e kërkuam në të dhënat e vjetra. Raportet vjetore në dispozicion të Prokurorisë Publike, duke filluar nga viti 2009, tregojnë se nuk ka pasur kurrë më parë një numër më të ulët të prokurorëve sesa në tre vitet e fundit. Në vitin 2010, ajo përqindje ishte më e larta në 97%, krahasuar me përqindjen e sotme prej 81%.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë automatikisht se numri i prokurorëve është zvogëluar. E vërteta është se për gjithë këtë kohë në vend ka rreth 200 prokurorë. Rënia e plotësimit të vendeve është për shkak të rritjes së numrit të prokurorëve të nevojshëm në sistematizim, pasi krimi është rritur dhe forma të reja të krimit janë shfaqur në vend. Prej më shumë se një dekade, prokuroria ka mundur vetëm të plotësojë vendet bosh të atyre që kanë dalë në pension ose janë shkarkuar.

Mënyra e vetme që Prokuroria Publike të pajiset me prokurorë të rinj publik është përmes të diplomuarve në Akademinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë “Pavell Shatev”. Drejtoresha e Akademisë, Natasha Gaber Damjanovska, pret që kjo të ndodhë në pesë vitet e ardhshme. Në Akademi, aktualisht janë 30 kandidatë që përgatiten të bëhen prokurorë publikë. Pas orëve teorike, ata do të punojnë së bashku me prokurorët dhe do t’i përfundojnë të gjitha këto në shtator të vitit 2022.

“Aktualisht, 60 kandidatë për gjyqtarë dhe prokurorë i ndjekin mësimet në Akademi. Ky është brezi më i shumtë ndonjëherë. Nga ky numër, bazuar në një marrëveshje reciproke midis Këshillit të Prokurorëve Publik dhe Këshillit Gjyqësor, për të cilin Akademia mori edhe një shkresë zyrtare, 30 kandidatë nga kjo gjeneratë janë planifikuar të bëhen prokurorë publikë dhe 30 gjyqtarë. Në vjeshtën e vitit 2022, Prokuroria Publike do të ketë gati 30 prokurorë të rinj publik”, thotë drejtoresha e Akademisë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publik, Natasha Gaber Damjanovska.

Por, pse nuk prodhohet aq kuadër sa është e nevojshme? 356 kandidatë aplikuan në konkursin e fundit për regjistrim në Akademi, që do të thotë se ka interes. Por, 60 prej tyre do të bëhen prokurorë nëse mbarojnë Akademinë, sepse aq kanë kërkuar nga Këshilli i Prokurorëve Publikë.

“Kandidatët e rinj të Akademisë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publik aktualisht janë duke u testuar dhe unë pres që ata të fillojnë praktikën teorike në vjeshtë,” shton Gaber Damjanovska.SIKUR TË ISHIN VETËM PROKURORËT… Problemi në Prokurorinë Publike nuk është vetëm mungesa e prokurorëve publikë. Situata është shumë më e keqe me kuadrin profesional që e siguron logjistikën kryesore në kryerjen e hetimeve të prokurorive, e ata janë këshilltarët dhe bashkëpunëtorët e Prokurorisë Publike. Pas sistematizimi, duhet të ketë 392, e janë 118. Ose, ka më shumë prokurorë në vend sesa ndihmës të tyre.

Prokuroria më e madhe në vend është Prokuroria e Shkupit, e cila ka më shumë punë. 95 nëpunës profesionistë të Prokurorisë Publike duhet të ndihmojnë në luftimin e veprave më të vështira në vend, por vetëm 26 vende të lira janë plotësuar. Burimet nga prokuroria thonë se një bashkëpunëtor profesional punon me disa prokurorë publikë dhe kështu humbet kuptimi i punës së tyre, sepse ata janë të stërmbushur me lëndë të ndryshme penale. Shefi i Prokurorisë Publike të Shkupit, Sasho Rajçev, thotë se 14 nëpunës të Prokurorisë Publike janë të rinj, ndërsa pesë vetë nga gjithsej 26 nuk punojnë drejtpërdrejt në Prokurorinë Themelore Publike Shkup. Katër persona u transferuan në Prokurorinë më të lartë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut, vendi i punësë së një ndihmësi të Prokurorisë Publike është në pritje.

“Vëllimi dhe pesha e punës kërkon që çdo prokuror publik të punojë me të paktën dy nëpunës profesional të Prokurorisë Publike. Është e nevojshme të merren masa ndërhyrëse për të forcuar kapacitetin e prokurorisë, si burimet materiale ashtu edhe ato njerëzore, në mënyrë që prokuroria të funksionojë në mënyrë të papenguar dhe me efikasitet, si bazë e sundimit të ligjit dhe e funksionimit të shtetit të së drejtës,” thotë Rajçev.

Që fotografia të jetë “e plotë”, edhe te kuadri administrativ nga 173 ekzekutuesit e planifikuar janë plotësuar vetëm 25 vende. Gjithçka mungon, nga procesverbalistët e deri tek pastruesit. Rajçev tërheq një paralele me gjykatat, ku secili gjyqtar ka një procesverbalist. Ndërsa në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup, 49 prokurorët aktualisht në dispozicion kanë vetëm 15 procesverbalistë ose tri herë më pak. Sipas shefit të Prokurorisë së Shkupit, sistematizimi duhet të zgjerohet dhe duhet të ketë një procesverbalist për secilin prokuror publik. Në raportin e fundit vjetor, Prokuroria Publike e RMV-së paralajmëroi për situatën me çështjen e kuadrove.

“Një punonjës njëkohësisht punon si regjistrues, kontabilist, procesverbalist dhe dorëzues. “Kjo mbart një numër rreziqesh në lidhje me kryerjen efektive dhe efikase të detyrave të punës.”[1]

QEVERIA NUK E ZGJIDH QESEN

Nëse arsyeja kryesore për mungesën e prokurorëve në prokuroritë publike është mungesa e të diplomuarve nga Akademia, arsyeja e mungesës së kuadrit profesional dhe administrativ është se nuk ka para. Jo se prokuroria nuk kërkon, por qeveria nuk jep.

Në vitin 2019, për shembull, Prokuroria Publike kërkoi një buxhet prej 18,7 milion euro. Në fund, u janë miratuar gjithsej 8,4 milion euro, ose më pak se gjysma e asaj që ishte e nevojshme.

“Nëse kësaj i shtojmë faktin se çdo vit kjo mungesë fondesh rritet për shkak të borxhit nga viti i kaluar, për shkak të asaj që u tha më sipër është më se e qartë se vihet në pikëpyetje kryerja e funksionit të Prokurorisë Publike, i përcaktuar me Kushtetutën dhe ligjet”, thuhet në raportin vjetor të PPRMV-së për vitin 2019.

Për vitin 2021, PPRMV-ja fitoi një buxhet prej 9,2 milion euro. Kjo është më shumë se në vitet e mëparshme, por është vetëm 58% e 15,8 milionë eurove të kërkuara nga Ministria e Financave. E sipas Ligjit të ri për Prokurorinë Publike, Qeveria është e detyruar të ndajë 0,4% të buxhetit për Prokurorinë Publike, i cili këtë vit arrin në rreth 16 milionë euro ose afërsisht aq sa ka kërkua Prokuroria Publike. E pyetëm Ministrinë e Financave pse i shkurtuan paratë për Prokurorinë Publike, në kundërshtim me ligjin.

“Gjatë përgatitjes së Buxhetit të RMV-së për vitin 2021, prioritetet kishin për qëllim ndarjen e fondeve të konsiderueshme për nevojat e shëndetësisë dhe trajtimin e pasojave të krizës shëndetësore duke marrë masa ekonomike për të ndihmuar sektorët më të prekur për të kursyer vendet e punës”, thanë nga Ministria e Financave.

Prokuroria Publike e kupton situatën. Ata janë të lumtur që morën më shumë para këtë vit. Megjithatë, ata presin që këtë vit, pas përfundimit të pandemisë, të respektohet Ligji i ri për Prokurorinë Publike dhe shuma e garantuar prej 0,4% t’u ndahet nga thesari i shtetit. Në pritje të kohëve më të mira, këtë vit paratë që i mori Prokuroria Publike do të duhet t’i kursejë nga buxheti i saj për ta kaluar vitin deri në fund.

“Me mjetet e miratuara për rroga dhe kompensime, jo vetëm që nuk do të jetë e mundur të paguhen shtesat e parashikuara me Ligj, por nuk do të jetë e mundur të merret pëlqimi për punësim në afat të pacaktuar të 91 personave siç është paraparë në planin e punësimeve për vitin 2021, e pa të cilin kuadër vështirësohet jashtëzakonisht ushtrimi i funksionit të Prokurorisë publike” – thonë nga Prokuroria Publike.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, për një vit ka 17 punonjës të rinj në Prokurorinë Publike, në periudhën mars 2020 – mars 2021. Ministria e Financave thotë se ndryshe nga viti i kaluar, këtë vit Prokuroria Publike ka marrë 300,000 euro shtesë për pagesën e rrogave.

Gjatë shtatorit të vitit 2020, Prokuroria Publike paraqiti një Plan Vjetor të Punësimeve për 90 persona. Ministria e Financave në opinionin e saj vuri në dukje nevojën për rishikimin e tij në një nivel më racional, në përputhje me Buxhetin e miratuar për vitin 2021. Prokuroria Publike ende nuk ka paraqitur një plan të rishikuar të punësimeve për vitin 2021. “Ministria e Financave e mbështet ekipimin kadrovik të prokurorive, por në kuadër të Buxhetit të miratuar për vitin 2021, pa shkaktuar implikime shtesë fiskale” – thonë nga Ministria e Financave.

E për problemet me borxhet e prapambetura, Prokuroria Publike këtë vit i trashëgoi edhe borxhet e Prokurorisë Speciale Publike të shuar. Vetëm Prokuroria Themelore Publike – Shkup, që nga dhjetori i vitit 2020, ka borxh 80,575 euro në bazë të ekspertizës dhe kostove të tjera në procedurë. Kur bëhet fjalë për paratë, problemet janë edhe më të mëdha.

“Dy automjete që janë në dispozicion të kësaj prokurorie janë të pamjaftueshme për punën aktuale, njëra ka defekte të shpeshta, me atë automjet dërgohet posta në gjykatë, në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në organe të tjera, me atë automjet prokurorët publikë dalin në terren për të kryer hetimet, kështu që kur ai automjet është i dëmtuar, nëse prokurori publik kujdestar nuk transportohet nga Ministria e Punëve të Brendshme në vendin e ngjarjes, nuk ka mundësi që prokurori publik të marrë pjesë në atë veprim, siç parashikohet nga LPP-ja, kurse automjeti tjetër përdoret për nevoja zyrtare nga prokurori publik, e kur ai nuk e përdor atë, përdoret edhe për nevojat e prokurorëve të tjerë publikë,” shtoi Rajçev. Përsëri, treguesi më i mirë nëse Prokuroria Publike e RMV-së merr para të mjaftueshme është krahasimi me ish-republikat jugosllave. Vendi është në fund me 5,8 euro “të investuara” për frymë (kokë banori) në prokuroritë publike. Në Serbi, “investimi” vjetor është 6,5 euro për frymë, në BdheH 8,14 euro, në Slloveni 10,26 euro, në Kroaci 11,78 euro, kurse Mali i Zi ndan madje 14,43 euro për frymë për prokuroritë publike të vendit.

Kështu, me një buxhet të pamjaftueshëm, Prokuroritë Publike në të gjithë vendin mund të “arnojnë” vrimat me ndonjë rinovim të kuadrit, por kjo nuk mjafton as për afërmi për t’i zgjidhur mangësinë.

Numri i vogël i punësimeve të reja nuk do ta zgjidhë problemin në Kriva Pallankë, e së shpejti një problem i tillë mund të shfaqet edhe në vende të tjera. Duket se në të ardhmen e afërt, banorët e Kriva Pallankës dhe Rankovcës mund të shpresojnë se paratë do të jenë të mjaftueshme që ata të vazhdojnë të marrin prokurorë nga Kumanova. 

***

Storja është përgatitur në kuadër të projektit “Forcimi i kapaciteteve të gazetarëve hulumtues në fushat e Kapitullit 23, me fokus në gjyqësi”.


[1] https://jorm.gov.mk/wp-content/uploads/2020/09/izveshtaj-na-javnite-obvinitelstva-na-rsm-za-2019-godina.pdf (fq. 10)

—————————————————

28 Maj 2021