Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Autore: Elena Ivanovska Mukovska

Natën e 23 shkurtit 2013, një i ri nga Shkupi e shfrytëzoi errësirën për të hyrë me dhunë, dhe më pas plaçkiti një shtëpi. Ai arriti të shpëtojë prej andej pa u kapur, por edhe pasi të zbulohet, do t’i shpëtojë ndëshkimit si një përzierje e rrethanave fatlume për të.


Prokuroria ngriti një aktakuzë kundër tij katër vjet e gjysmë pasi u krye krimi, në tetor të vitit 2017. Gjyqi nuk mund të fillojë për gati tre muaj. I akuzuari është zhdukur. Thirrjet gjyqësore kthehen. Policia është në kërkim të tij dhe, në mënyrë absurde, e gjen në burgun e Idrizovës, ku ai po vuan dënimin me burg për një krim tjetër. Gjykimi, megjithatë, nuk do të fillojë gjatë gjithë vitit 2018 sepse burgu nuk e shoqëron të akuzuarin në seancat gjyqësore, të cilat gjyqtarja i cakton për disa muaj. Kur ai më në fund sillet në gjykatë, në shkurt të vitit 2019, gjyqtari e ndërpret procedurën. Kanë kaluar 6 vjet. Rasti është parashkruar!

Vjedhja Neni 235 paragrafi 1 i KP

“Ai që nga tjetri do të merr send të huaj të luajtshëm me qëllim që në mënyrë të kundërligjshme ta përvetësojë atë, do të dënohet me dënim me para ose me burg deri në tre vjet.”

Neni 108 paragrafi 6 i KP

“Parashkrimi i ndjekjes penale paraqitet në çdo rast kur do të kalojë dy herë aq kohë sa sipas ligjit kërkohet për parashkrim të ndjekjes penale.”

E lexova këtë histori të vërtetë në një dosje gjyqësore që është arkivuar si lëndë e parashkruar në Gjykatën Penale të Shkupit.

Ndërsa statistikat e Këshillit Gjyqësor tregojnë se në tre vitet e fundit gjithsej 3,275 lëndë gjyqësore janë parashkruar në gjykatat në vend. Nga janari i vitit 2018 deri në dhjetor të vitit 2020, në gjykatat themelore të apelit janë parashkruar madje 2,099 raste të lëndëve të kundërvajtjes. Pothuajse në çdo 10 lëndë për kundërvajtje, është parashkruar një lëndë penale, gjegjësisht drejtësia ka humbur nëpër korridoret dhe sirtarët e gjykatave në 250 lëndë penale. Përveç kësaj, madje 519 të dënuar në mënyrë të plotfuqishme nuk e kanë kryer dënimin sepse ekzekutimi i tyre ishte parashkruar. Në Gjykatën Administrative për tre vjet janë parashkruar 75 lëndë, ndërsa në Gjykatën e Lartë Administrative, 190 lëndë.

RAPORT PËR PUNËN E GJYKATAVE NË REPUBLIKËN E MAQEDONISË SË VERIUT PËR LËNDËT E PARASHKRUARA NË PERIUDHËN PREJ VITIT 2018 deri më 31.11.2020

Burimi: Këshilli Gjyqësor

PSE PARASHKRUHEN LËNDËT PENALE?

Kërkuam përgjigjen për këtë pyetje nga disa palë, por edhe përmes një inspektimi të një duzine lëndësh penale që janë parashkruar në Gjykatën Penale në Shkup vitet e fundit.
Inspektimi na çoi në njohurinë se më shpesh parashkruhen lëndët për vepra penale për të cilat ligji parashikonte dënime me burg deri në 3 ose deri në 5 vjet, të tilla si vjedhje, aksidente në trafik, falsifikim dokumentesh e të ngjashme. Ngadalësia e gjykatës nuk është arsyeja e vetme pse lëndët janë parashkruar, por në lëndë të caktuara ka kontribuar edhe prokuroria me hetimet e gjata. Një faktor tjetër i rëndësishëm është përsëritja e procedurave – qoftë për shkak anulimit të aktgjykimit nga gjykata më e lartë apo sepse i akuzuari ka kërkuar që të gjykohej përsëri, pasi të ishte dënuar tashmë në mungesë. Mungesat e të akuzuarve, avokatëve, dëshmitarëve dhe prokurorëve, madje edhe të policisë së burgjeve, e cila nuk i shoqëron të akuzuarit në gjyq. Në një rast të parashkruar, ai u përsërit në 13 seanca.

Se në parashkrimin e lëndëve penale ndikojnë disa faktorë, theksojnë edhe nga Koalicioni “Të Gjithë për Gjykim të Drejtë”, vëzhguesit e të cilit i monitorojnë procedurat gjyqësore në disa gjykata në të gjithë vendin. “Arsyet më të shpeshta për parashkrimin e lëndëve janë zbulimi i krimit shumë më vonë pasi ka ndodhur, vështirësi në mbledhjen e provave, mungesa e koordinimit të shërbimeve dhe menaxhimi i pakujdesshëm i procedurave gjyqësore, por për fat të keq në situata të caktuara shfaqja e korrupsionit dhe konfliktit të interesave, që rezultoi në krijimin e PSP-së dhe procesit të reformave në drejtësi,” thonë nga KGjGjD.

Nga Gjykata Penale – Shkup, ku në dy vitet e fundit (2019 dhe 2020) janë parashkruar 49 lëndë penale, arsyet kryesisht gjenden jashtë gjykatës, por edhe në lëndët e shfuqizuara nga gjykatat më të larta. Ata gjithashtu sigurojnë se gjyqtarët bëjnë përpjekje në mënyrë që lëndët të përfundojnë në kohë dhe duke i respektuar të drejtat.
“Nuk është e pazakontë që prokurori publik kompetent të ngrejë një aktakuzë ose një propozim disa vjet pas kryerjes së krimit, gjë që lë një periudhë të shkurtër për një shqyrtim gjyqësor të lëndës… Në disa prej lëndëve, mund të konkludohet se mbrojtja i ka vonuar dhe i ka zgjatur në mënyrë të panevojshme seancat, gjyqtari porot ka shkuar në pension ose është tërhequr nga funksioni për arsye personale, lëndë ka qenë në ekspertizë, etj., kështu që lënda është parashkruar” – thonë nga Gjykata Penale.
Dhe, si në një rreth vicioz, për hetimet e gjata edhe prokuroria e drejton gishtin nga institucionet e tjera.

“Marrja e veprimeve gjatë hetimit varet edhe nga veprimi i shpejtë i organeve të tjera, të tilla si policia, policia financiare dhe institucionet kompetente për kryerjen e ekspertizës,” theksojnë nga Prokuroria Publike e RMV-së.


PARASHKRIMI SI “SHPËRTIM” DHE SI “DËNIM”?

Për disa të akuzuar, parashkrimi i lëndës nënkupton shpëtim nga burgu dhe ata bëjnë gjithçka që munden që të ndodhë kjo. Por, për të tjerët, është një barrë sepse ata janë të privuar nga mundësia për ta zbardhur faqen e tyre.
Publiku e mat sundimin e ligjit, përmes procedurave në të cilat janë të akuzuar funksionarët, ndërsa lëndët e parashkruara bëhen simbol i padrejtësisë.
Ish-kryeministri Nikolla Gruevski, i cili iku në Budapest në nëntor të vitit 2019, gjithashtu i shpëtoi përgjegjësisë penale në lëndën “Trajektorja” për autostradat kineze. Ai ishte përgjegjës për “marrjen e shpërblimit për ndikimi të paligjshëm”, ndërsa për parashkrimin e lëndës nevojiteshin 6 vjet. Publiku e pa ikjen e tij si azilant si një goditje serioze për drejtësinë.

Kushëriri i tij, Sasho Mijallkov, i cili krijoi një ndjenjë “deja vu” gjatë zhdukjes së tij dy-ditore në pritje të aktgjykimit, mbetet më i shkurtër për njërën nga tre veprat penale kundër tij në lëndën “Target-Kalaja”. Dënimi i shkallës së parë me 12 vjet burg, të cilin ai e mori në fund të shkurtit, do të ulet nga Gjykata e Apelit për veprën që doli u parashkruar në mars – marrjen e shpërblimit për ndikim të paligjshëm.
Rasti “Pjesët e tankeve” u parashkrua pasi Prokuroria e riklasifikoi veprën pothuajse pas 13 vitesh gjykim dhe aktgjykimeve të shfuqizuara nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme. Ish-kryeministri Vllado Buçkovski dhe të akuzuarit e tjerë thanë se ju vjen keq që nuk kanë pasur mundësi ta dëshmojnë pafajësinë e tyre.
Lëndët e ish-PSP-së, në të cilat si persona të dyshuar dhe të akuzuar janë njerëz nga politika dhe biznesi, ndiqen nga publiku hap pas hapi, nga hetimi e deri në aktgjykimet e plotfuqishme. Shumica e të akuzuarve nuk mund të shpresojnë për “shpëtim” përmes parashkrimit, por disa, nëse nuk ka aktgjykime të plotfuqishme në vitet e ardhshme, mund të shpëtojnë nga një ose më shumë vepra penale.

PSE PARASHKRUHEN ME QINDA LËNDË KUNDËRVAJTËSE PËR ÇDO VIT?

Në Gjykatën Penale – Shkup, e cila është gjithashtu përgjegjëse për kundërvajtjet në territorin e kryeqytetit, në dy vjet mbi 900 raste të kundërvajtjeve janë vulosur si të parashkruara. Gjykata fajin për këtë situatë kryesisht e sheh tek ligjvënësi që e shkurtoi afatin e parashkrimit, me ç’rast në një moment u grumbulluan një numër i madh lëndësh që ishin të parashkruara ose afër parashkrimit. Megjithatë, ata e potencojnë edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, e cila paditë për disa nga lëndët i ka dorëzuar në Gjykatë një e më shumë vjet pas kryerjes së kundërvajtjes.
“Sipas ndryshimeve në Ligjin për kundërvajtjet në vitin 2019, afati për parashkrimin absolut është zvogëluar nga 6 në 4 vjet nga kryerja e veprës penale. Me ndryshimet e Ligjit, gjykata është e obliguar ta konstatojë parashkrimin dhe t’i mbyllë këto lëndë”, u përgjigjën nga Gjykata Penale – Shkup.
Përveç gjykatës së Shkupit, në mesin e gjykatave me një numër të madh të rasteve të parashkruara janë edhe gjykatat themelore në Kumanovë dhe Gostivar, informojnë nga Këshilli Gjyqësor. Në mesin e lëndëve të parashkruara dominojnë kundërvajtjet, e po ashtu edhe dy gjykatat ankohen kryesisht për dorëzimin jo të rregullt nga shërbimet postare.

Burimi: Gjykatat themelore

“Arsyet objektive çojnë në parashkrimin e lëndëve, e mbi të gjitha dorëzimin jo të rregullt nga NP “Posta e Maqedonisë”, me çka vonohen afatet për trajtimin e rasteve dhe shtyhen seancat për shkak të mungesës së palëve”, thonë nga Gjykata Themelore – Gostivar.


“Një pjesë e rasteve të kundërvajtjes parashkruhen edhe për arsye se të akuzuarit janë të paarritshëm për organet e hetuesisë, gjegjësisht personat janë jashtë vendit, me adresë të panjohur, dhe sipas Ligjit për kundërvajtje, procedura në një rast të tillë ndërpritet dhe do të rifillojë kur personi të bëhet i disponueshëm” – shpjegojnë nga Gjykata Themelore në Kumanovë.


Gjykatat theksojnë se janë në kontakt me “Postën e Maqedonisë” për të kapërcyer problemet, por gjithashtu se po marrin masa për të përmirësuar dorëzimin. Ata kujdesen për lëndët e vjetra që mund të parashkruhen dhe përgatisin plane dhe raporte.


GJYKATAT DUHET TË JENË MË AGJILE PËR T’I PENGUAR PARASHKRIMET

Gjykatësit janë mbrojtja që duhet t’i mbrojë lëndët nga parashkrimi, thonë ekspertët. Por, si është në praktikë?


Koalicioni “Të Gjithë për Gjykim të Drejtë” thotë se gjykata është subjekti i fundit në hierarki që i ka të gjithë përgjegjësinë për t’i korrigjuar parregullsitë që mund të kenë ndodhur në fazat e mëparshme të procedurës, dhe për ta menaxhuar siç duhet procesin.


“Përveç përmendjes sporadike të problemeve me mungesën e prokurorëve publik ose shoqërimin e të akuzuarve nga burgu të cilët potencohen kur gjykatat kritikohen për procedurat e gjata, mungon një qasje e organizuar, sistematike dhe strategjike nga ana e pushtetit gjyqësor për t’i adresuar dhe të kapërcyer këto probleme”, analizojnë nga kjo organizatë joqeveritare.


Sipas ish-gjyqtares në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe tani gjykatëse supreme, Mirjana Llazarova-Trajkovska, parashkrimi i lëndëve në procedurat gjyqësore shpesh tematizohet dhe analizohet si një formë padrejtësie.
“Edhe pse në shumicën e rasteve zvarritja e procedurës është rezultat i mosveprimit të disa prej pjesëmarrësve në procedurë, dhe nganjëherë edhe zvarritjes së qëllimshme, prapëseprapë pesha për drejtësinë e pashqiptuar qëndron mbi supet e gjyqtarëve. Parashkrimi i lëndëve rezulton në drejtësi të padukshme, të papërfunduar dhe të pashqiptuar. Është detyrim ligjor i gjyqtarëve sipas detyrës zyrtare që të jenë të kujdesshëm për të mos vijë deri te parashkrimi i lëndëve. “Sigurisht, për disa nga pjesëmarrësit në procedurë, një rezultat i tillë është në favor të tyre, por gjykata ka në dispozicion të gjithë mekanizmat dhe institucionet që duhet t’i mundësojnë asaj të përfundojë lëndën brenda afateve të parashikuara nga ligji” – thotë Llazarova-Trajkovska.


NË TRE VITET E FUNDIT NUK KA ASNJË GJYQTAR OSE PROKUROR TË SHKARUAR PËR SHKAK TË NJË LËNDE TË PARASHKRUAR.


Edhe pse më shumë se 3,000 raste janë parashkruar vetëm në tre vitet e fundit, asnjë gjyqtar i vetëm lënda e të cilit është parashkruar nuk është shkarkuar. Dy gjyqtarë i hoqën togën e gjyqtarit për shkak të vonesës së procedurës. Por, Këshilli Gjyqësor, i cili deri më tani e kishte në dispozicion bazën ligjore mbi të cilën mund t’i sanksionojë gjyqtarët, njofton se kjo do të ndryshojë këtë vit me procesin e “pastrimit” të gjyqësisë. Anëtarët e organit që i zgjedh dhe i shkarkon gjyqtarët kanë filluar gjatë kësaj periudhe procedura kundër të paktën katër gjyqtarëve që nuk e kanë realizuar drejtësinë për shkak të “skadimit të afatit”, dhe të cilët dyshohen se kanë përgjegjësi personale për këtë.


“Ne i inspektojmë lëndët e parashkruara, në mënyrë që të përcaktojmë nëse ka arsye subjektive apo objektive për parashkrimin e lëndëve. “Nuk do të them se në cilat gjykata anëtarët e Këshillit Gjyqësor kanë parashtruar kërkesa deri më tani për përcaktimin e përgjegjësisë për katër gjyqtarë, por ende po bëhen inspektime dhe mund të ketë procedura edhe kundër gjyqtarëve të tjerë” – tha ish-kryetari i Këshillit Gjyqësor, Kiro Zdravev.
Vitet e fundit, nuk është shkarkuar asnjë prokuror, lënda e të cilit është parashkruar, konfirmoi Këshilli i Prokurorëve Publikë. Prokuroria, nga ana tjetër, nuk mban statistika dhe as nuk analizon se sa lëndë janë parashkruar te ta gjatë hetimit ose para-hetimit. Por, edhe ata njoftojnë se do të ketë ndryshime këtë vit.


“Ligji i ri për Prokurorinë Publike dhe Rregullorja e miratuar për vlerësimin e punës së prokurorëve publikë do të sigurojnë një pasqyrë të detajuar të punës së prokurorëve publikë deri më tani dhe do të përcaktojë nëse ka veprim jo në kojë në lidhje me lëndët dhe nëse si rezultat i kësaj ka ardhur deri te parashkrimi i ndjekjes penale” – shpjegojnë nga Prokuroria Publike e RMV-së.


Prokuroria nuk mund të japë as informacion të saktë nëse janë duke u zhvilluar hetime kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve për shkak të parashkrimit të lëndëve, sepse në regjistrat e tyre nuk mund të kërkonin sipas funksionit të të dyshuarit, por sipas emrit, mbiemrit dhe veprës penale.
Gjashtë vjet e gjysmë më parë, në një operacion të koduar “Justicia”, 25 gjyqtarë dhe nëpunës të gjykatës nga Gjykata për Kundërvajtje në Shkup u arrestuan nën dyshimin se i mbanin lëndët në sirtar për t’u parashkruar. Disa prej tyre ranë dakord me Prokurorinë, për disa Prokuroria hoqi dorë nga ndjekja penale, e ata që mbetën deri në fund të procesit, u liruan.


Në fillim të vitit, publiku mësoi për një para-hetim “të freskët” për lëndët e parashkruara në sirtarin e një korrieri të vdekur të gjykatës. Drejtuesja e Prokurorisë për Krimin e Organizuar, Villma Ruskovska, njoftoi se janë gjetur rreth 1.500 urdhër pagesa të padorëzuara, të cilat e dëmtuan buxhetin e shtetit me rreth 20 milionë denarë. Ajo nuk tregoi se për cilën gjykatë bëhej fjalë, por nga burime të informuara mësuam se ishte Gjykata Themelore në Gostivar.


Gjykata e konfirmoi informacionin dhe precizoi se bëhet fjalë për 1,320 lëndë ekzekutive të kundërvajtjeve që janë parashkruar në fazën e ekzekutimit. Lëndët kanë hyrë në Gjykatën Themelore të Gostivarit në periudhën nga viti 2012 deri në vitin 2016, janë zgjidhur dhe janë dërguar në shërbimin e ekzekutimit, ku janë bllokuar dhe janë parashkruar. Si ka mundësi që askush nuk i ka zbuluar më herët?
“Lëndët nuk mund të zbuloheshin sepse ishin vendosur në një sirtar dhe me kontroll të rregullt nuk mund të zbuloheshin. Ato u gjetën pas vdekjes së nëpunësit të gjykatës i cili punonte në shërbimin e dorëzimit. Në momentin kur u zbuluan, ato u parashkruan absolutisht dhe për këtë Këshilli Gjyqësor i RMV-së u njoftua në kohën e duhur” – thonë nga Gjykata Themelore në Gostivar.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor, megjithëse nuk donte të tregonte se për cilën gjykatë bëhet fjalë, prapëseprapë konfirmoi se në këtë rast ata tashmë po zhvillojnë një procedurë që pothuajse ka përfunduar.
“Kërkesat për përcaktimin e përgjegjësisë na janë parashtruar, komisionet janë formuar dhe ne këtë informacion e kemi dhënë në Prokurorinë Publike për të përcaktuar nëse ka vend për përgjegjësi penale,” deklaroi Zdravev.

Prokuroria do të duhet të përcaktojë nëse do të ndjekë penalisht dikë për këtë çështje apo do ta mbyllë çështjen me një zgjidhje, siç bëri në hetimin paraprak për lëndët e gjetura në sirtarët e Gjykatës Supreme. Faik Arslani, ushtrues detyre Kryetari i Gjykatës Supreme, në kabinetin që e trashëgoi nga paraardhësi i tij, Jovo Vangellovski, gjeti tridhjetë lëndë më të vjetra, njëra prej të cilave u parashkrua. Pas më shumë se një viti para-hetimi, Prokuroria vlerësoi se nuk ka vend për përgjegjësi penale, por vetëm për përgjegjësi disiplinore për Vangelovskin, i cili tashmë ishte shkarkuar.

Cila është lënda e parashkruar, nga Gjykata Supreme nuk u përgjigjën. Sidoqoftë, kur u pyetën për numrin e lëndëve të parashkruara, ata vunë në dukje se në vitin 2019, viti në të cilin Vangelovski u shkarkua nga detyra, ka vetëm një rast të parashkruar. Lëndën e gjetëm në faqen e internetit të Gjykatës Supreme. Bëhet fjalë për një aksident trafiku në Shkup që ndodhi në vitin 2013. Pala e dëmtuar pësoi lëndime të rënda trupore, ndërsa e akuzuara u akuzua për “vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”.

Lënda e parashkruar i kushtoi shtetit dhe dënim për shkelje të të drejtave të njeriut para Gjykatës në Strasburg, në rastin “Popovski kundër Republikës së Maqedonisë”. Sipas ish-gjyqtares në këtë Gjykatë, Mirjana Llazarova-Trajkovska, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut konstatoi se procedura penale në të cilën kishte marrë pjesë ankuesi ishin përfunduar për shkak të parashkrimit absolut dhe se ishte konstatuar se ai ishte parandaluar të merrte mbrojtjen efektive të të drejtës së tij për respektim të jetës private.
Në procedurat e parashkruara, përveç drejtësisë, e pëson edhe buxheti.
Në rastin e kundërvajtjeve, mjetet që duhet të kishin hyrë në buxhet mbeten të pa mbledhura. Në procedurat penale të parashkruara, shpenzimet e gjykimit përballohen nga shteti. Autoritetet nuk kanë një numër të përgjithshëm se sa para shpenzohen në vit për tarifat e avokatëve për lëndët e parashkruara. Për ilustrim, i kërkuam kostot e rastit “Pjesët e tankeve”. Gjykata Penale na tha se ata miratuan një total prej rreth 37 mijë eurosh për pesë avokatët.


ÇFARË DUHET TË NDRYSHOJË?

Për të rritur afatet për parashkrimin e veprave të kryera nga funksionarët, procesi gjyqësor nuk duhet të kthehet në fillim nëse ndërrohet një gjyqtar ose gjyqtar porot në këshillin gjyqësor, si dhe masa konkrete për procedura më efikase. Këto janë vetëm disa nga iniciativat e propozuara nga politikanë, gjyqtarë, ekspertë ligjorë në vitet e fundit, sa herë që paraqitej rreziku nga një parashkrim i ri ose vonesë të një rasti gjyqësor.

Autoritetet në gjyqësor, tani për tani, janë përqendruar në të ashtuquajturin “pastrimi” i gjyqtarëve, ide që buron nga programi zgjedhor i LSDM-së në pushtet. Plani është identifikimi dhe sanksionimi i gjyqtarëve që nuk kanë punuar ligjërisht në disa nivele.

Më pas do të diagnostikohen dhe do të përshkruhen “ilaçe” kundër parashkrimit të lëndëve. Këshilli Gjyqësor pret që të dalin zgjidhjet për ndryshimet nga “freskimi i kuadrove”.
“Pasi pamë se sa lëndë të parashkruara ka, ne zhvilluam një plan të brendshëm veprimi me të cilin formuam komisione nga anëtarët e Këshillit Gjyqësor. Nëse ka arsye subjektive, do të fillojnë procedurat për përcaktimin e përgjegjësisë së gjyqtarëve. Nëse identifikohen arsye objektive, do të bëhen analiza. “Nëse arsyet qëndrojnë në zgjidhjet ligjore, do të njoftohet Ministria e Drejtësisë ose ndonjë ministri tjetër kompetente  për dobësitë e identifikuara” – tha Zdravev.

Një pjesë e publikut profesionist në periudhën e kaluar ka ngritur me zë të lartë dilemën nëse institucionet gjyqësore-prokuroriale kanë kapacitet për ta kryer “spastrimin” në mënyrë profesionale dhe të pavarur.
Këshilli Gjyqësor siguron që këtë herë ata janë seriozë në zbatimin e planit.

Tani qytetarët, të etur për drejtësi dhe të zhgënjyer me sundimin e ligjit, duhet të presin për një raund tjetër të reformave të shpallura në mënyrë bombastike, para se t’i shohin rezultatet dhe të vlerësojnë – nëse drejtësia mund të ringjallet në tempujt gjyqësorë apo do të vazhdojë të jetojë në sirtarë, që do të hapen vetëm kur është e nevojshme.

***

Storja është përgatitur në kuadër të projektit “Forcimi i kapaciteteve të gazetarëve hulumtues në fushat e Kapitullit 23, me fokus në gjyqësi”.

—————————————————

25 Maj 2021