Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni (FSHHM) në kuadër të konceptit “Kërcimi i gjelbër – Partneritetet për Aksion Klimatik”, shpall thirrje për ndarjen e granteve për aksione dhe fushata kreative për organizatat e shoqërisë civile dhe bërthamat e aktivistëve që punojnë në mënyrë aktive dhe/ose kanë interes të punojnë për promovimin e mbrojtjes së mjedisit jetësor; duan të kontribuojnë në ngritjen e vetëdijes publike për nevojën për të ndryshuar sjelljen negative të individëve dhe komuniteteve, bizneseve, punën e përgjegjshme dhe llogaridhënëse të autoriteteve lokale, autoriteteve qendrore dhe institucioneve publike në fushën e ndryshimeve klimatike
FSHHM-ja do të mbështesë projekte për aksione dhe fushata inovative dhe kreative që duhet të tregojnë sfidat aktuale dhe të ofrojnë zgjidhje ose interpretim shtesë të pasojave të pasivitetit për të ndaluar ndotjen e madhe të ajrit, kërcënimin në rritje të biodiversitetit biologjik, zvogëlimin dhe keqpërdorimin e sipërfaqeve të gjelbra dhe të ujërave, menaxhimin e mbeturinave të ngurta, etj.
Projektet e propozuara duhet të përdorin një qasje kreative për të edukuar qytetarët dhe për të rritur vetëdijen, për të inkurajuar diskutimin publik për t’i avancuar zgjidhjet për politikat, ku zërat dhe kontributet e qytetarëve nga komunitetet e rrezikuara në aspekt ekonomik dhe social do të respektohen dhe do të përfshihen; ta mobilizojnë publikun dhe të avokojnë për përmirësimin e politikave dhe praktikave në lidhje me mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe aksionin efektiv klimatik. Si pjesë e qasjes, projektet do të duhet të parashikojnë organizimin dhe lehtësimin e proceseve konsultative për të përfshirë komunitetet në zgjidhjen e problemeve që i prekin ata dhe pritet të shkaktojnë ndikim të dukshëm dhe ndryshime pozitive në qëndrimet dhe sjelljen e anëtarëve të komuniteteve dhe përfaqësuesve të autoriteteve lokale. Për organizatat dhe bërthamat e aktivistëve që do të zgjidhen për të marrë grante për projektet, e të cilat të kenë nevojë, FSHHM-ja do të sigurojë trajnim mbi përdorimin e metodologjisë për aktivizmin kreativ. Projektet duhet të promovojnë një qasje integruese me fokus në komunitetet, gjininë dhe personat me aftësi të kufizuara.
Fondi total për të mbështetur këtë lloj të projekteve është 80.000 dollarë amerikanë. Kohëzgjatja maksimale e projekteve duhet të jetë tetë muaj.
Materialet për aplikim gjenden në linket e mëposhtme. Formulari i aplikimit duhet të plotësohet tërësisht, duke përdorur fontin Calibri me madhësinë e shkronjave 11. Aplikimet, së bashku me dokumentet shtesë, duhet të dorëzohen në mënyrë elektronike, edhe atë në formatin word dhe pdf, në adresën vijuese: solunka.zoksimovska@fosm.mk me titullin e mesazhit që përmban Emrin i aplikuesit dhe titullin e projektit/iniciativës. Nëse keni pyetje, parashtroni ato tek solunka.zoksimovska@fosm.mk dhe adrijana.lavchiska@fosm.mk më së voni pesë ditë para afatit të fundit për aplikim.
Afati për dorëzimin e aplikimeve është deri më 21 mars të vitit 2021. FSHHM e rezervon të drejtën të mos ndajë fonde nëse vlerëson se projektet e propozuara nuk i përmbushin standardet e pritura. Gjatë procesit të vlerësimit, FSHHM-ja mund të kërkojë informacion shtesë për projektin e propozuar, mirëpo kjo nuk nënkupton se projekti i propozuar do të mbështetet.
—————————————————
8 Mars 2021